Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Selimi: Atdhetari Ramiz Prelvukaj

| E enjte, 03.01.2013, 12:25 PM |


Ing. Ramiz Prelvukaj, bir i denjë nga Malësia

Atdhetari nga Malësia

Nga Ramiz Selimi

Ing. Ramiz Prelvukaj lindi me 15. Korrik 1951 në Martinaj të komunës së Plavës në Mali i zi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në gjuhën serbo-kroate, pasi atëkohë nuk ekzistonte mundësia e shkollimit në gjuhën shqipe, kurse të mesmen e kreu në Mitrovicë. Studimet i përfundoi me sukses në universitetin e Prishtinës drejtimi Elektroteknik. Ka punuar në arsim në shumë shkolla të mesme të Kosovës, si në Zveçan, në shkollën e mesme teknike në Kastriot, në Prishtinë dhe në shkollën e mesme “Shaban Spahiu” në Pejë.

Për shkak mungesës së inxhinierëve në mihjen sipërfaqësore në Bardh të Madh,ai u detyrua të largohet nga arsimi duke u angazhuar në KEK si kryeinxhinier i elektroteknikës. Në vitin 1979 emërohet drejtor i përgjithshëm në ndërmarrjen shoqërore “IMN KOSOVA”, post të cilin e mbajti deri në largimin e dhunshëm nga policia serbe.

Ramiz Prelvukaj, në kohët me të rënda të okupimit serb në Kosovë, ishte njëri ndër veprimtarët më te dalluar të çështjes kombëtare. Në fillim të viteve 90-ta Ramizi nuk qëndroi duarkryq, nuk hezitoi, ishte njëri ndër të parët që ju bashkua Lëvizjes Kombëtare, për Liri dhe Demokraci LDK-s, të udhëhequr nga presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova. Qysh në fillim ishte angazhuar në Këshillin për Financa në grumbullimin e mjeteve financiare për mbarëvajtjen e arsimit shqip në komunën e Prishtinës në rrethana okupimi. Ishte njëri ndër kontribuuesit më të mëdhenj për mbarëvajtjen e arsimit paralel në Prishtinë. Gjatë kohës së luftës me 1999 ishte burgosur nga forcat serbe, në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, kishte përjetuar si shumë tjerë dhunën e shfrenuar serbe mbi trupin e tij, mirëpo fati deshi që Ramizi i mbijetoj kësaj barbarie.

Pas një sëmundje të shkurtër ai u nda nga jeta me 28.06.2012 në Prishtinë.

Përpos punës së palodhshme si profesor dhe drejtor, ai pas vetës la edhe dy vepra të shkruara, si librin Monografik me titullin “Atdhetari nga Malësia” dhe librin shkencor me titullin”Zbrazjet Atmosferike”.

Zbrazjet atmosferike është një libër që flet për problemet e fenomeneve të elektricitetit dhe mbrojtjen kundër tij, të ilustruar me foto dhe prova të shumta.

Duke pasur parasysh problematikën e mosekzistimit të njohurive të mjaftueshme për fenomenet natyrore e posaçërisht, fenomenin e natyrshëm të zbrazjeve atmosferike, autori ka shfrytëzuar eksperiencën e tij personale të fituar nga përvoja shumëvjeçare në sektorët e ndryshëm të prodhimit, mbikëqyrjes dhe pranimit teknik të objekteve të ndryshme në lëmin e elektrikes.

Ai duke parë se një numër i qytetareve nuk kishin njohuri të mjaftueshme në drejtim të elektricitetit, vendosi që përvojat e tij në ketë  fushë përmes këtij libri të u ofrojë të gjithë të interesuarve dhe lexuesve. Nga këndi shkencor ky libër është një botim shumë me vlerë që ka të bëjë me plotësimin e mangësive për parandalimin e rreziqeve potenciale nga zbrazjet atmosferike.

Andaj, autori duke çmuar rëndësinë e fenomeneve natyrore është përpjekur që me ilustrime dhe sqarime të thjeshtëzuara ti ofroj lexuesve informacione të nevojshme për të mbrojtur jetën dhe të mirat materiale të shkaktuara nga elektriciteti.

Neglizhenca dhe pjesërisht mos njohja e mjaftueshme e rëndësisë së instalimit të rrufepritësit ka shkaktuar shpeshherë pasoja të paparashikueshme. Këtu autori i sugjeron dhe këshillon mbrojtjes ti jepet rendësi e veçantë sepse ky fenomen nuk njeh pardon, nuk ka kërkim falje, qarqet elektrike janë të fshehta dhe dinake, ato grumbullohen papritmas, ku fatkeqësisht një pakujdesi e vogël kushton me jetë.