E merkure, 24.04.2024, 09:31 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Fluturon ëndrrave

E merkure, 02.01.2013, 04:00 PM


FLUTURON ËNDRRAVE

Impresione nga vëllimi me poezi “Ejani të fluturojmë” të Erëza Idrizaj.

NGA PËLLUMB GORICA

Poezia në Kosovë karakterizohet nga tematika atdhetare, por gjithmon në funksion të së ardhmes optimiste. Lëvrohet më shumë gjaku i historisë dhe mealankolia e së kaluarës, me shumë ndjesi për familjen, dashurinë, peisazhin …

Pejës poetike iu shtua edhe një dallandyshe, 15 vjeçarja Erëza Idrizaj me librin me poezi “Ejani të fluturojmë”. Tematika, që Erëza Idrizaj ka thurur me fjalët e shpirtit këtë tufëz dallandyshesh të para, është e larmishme. Fluturime të ylberta hyjnore, nëpërmjet të cilave e sodit peizazhin e ndjesive rrethuese me forcën shprehëse, gjetjet mataforike e impresionim të thellë. Nga një poezi në tjetrën, të bie në sy fakti, se ashtu si çdo njeri që ka ëndërruar në fëmijërinë a rininë e tij, edhe te Erëza ato marrin krahë dhe fluturojnë në hapësira të pafundme dëshirash. Ç’nuk dëshiron të bëhet ajo. Herë mësuese, herë mjeke, herë shkencëtare,herë poete ... Por, dëshira më e madhe është të jetë “diell që botën ta ndriçoj”. Pra, që nuk mendon vetëm për veten e saj, por për gjithçka.

Fati është i shkruar,-thotë populli. Edhe Erëza bëhet një me këtë thënie. Shumë herë ndjehet e pafuqishme përballë fatit, pasi ai jo gjithmonë i buzëqesh. Fatkeqsisht sjell lot, trishtime, dhimbje... Por, është me këmbë në tokë e bindur se”gëzimi dhe trishtim janë pjesë e fatit tim”.Shpirti i saj bëhet i dhembshur, kur shikon një pjesë të njerëzve që vuajnë urie e të ftohti, ju mungojnë njerëzit më të dashur, familja e tyre, që vetëm fija e shpresës i mban gjallë. Duke i simbolizuar nëpërmjet figurës së zogut vetmitar, fëmijët pa prindër, Erëza tregon shpirtin e saj human, teksa thotë:“si motër e përkrah/nga vetja s’mund ta ndaj”. Një dyvargësh që ka peshën e humanizmit të saj. Ajo nuk i shikon njerëzit nga ngjyra e lëkurës apo gjinia. Është e bindur për çfarë thotë, pasi për të “fjala është fjalë” dhe shpreson në një jetë pa lot.

Erëza Idrizaj si gjithë adoleshentët, në kërkim të identitetit të tyre, ndjehet e pavarur nga prindërit, edhe pse për të familja është baza më e sigurtë. Identitetin e adoleshentit Erik Erikson e lidh me pyetjen që adoleshenti i bën vetes“Kush jam unë?”, pra kërkon të zërë vendin që ai meriton. Kjo ndihet fuqishëm në vargjet e Erëzës: “Nëse për ty jam e pavlerë/mos ma përbuz gjuhën/ëndrrën, as fjalën...”.Shembulli i prindërve, qortimet e sinqerta, arsimimi, mirsjellja ndikojnë në formimin e adoleshentit. Modeli familjar për Erëzën në vargjet e saj ka hapësirë. Ai përfshin nënën, babanë, vëllaçkon e saj, motrën me të cilën ndan çdo sekret, hallën e përkushtuar, dajën gazsjellës, gjyshërit e saj të dashur, të cilët i krahason si dy pëllumba të bashkuar, në gugatje hareshëm për familjen e tyre trashëgimtare. Nëna për këdo është dashuri, përkujdesje dhe sidomos për vajzat referim në jetë. Ndaj Erëza Idrizaj me fjalë të thjeshta, me fjalët e zemrës, i drejtohet nënës së saj me tërë krenari: “...shumë gjëra për jetën nga ti i mësova” apo “Nuk bën të lavdërohem/as nuk bën të shaj /kështu më mësojnë /këshillat e vyera të saj”.Babai për adoleshentin është baza e sigurisë. Kjo ndjehet edhe në poezinë e Erëzës, kushtuar babait të saj, teksa thotë:“më bën të ndjehem zog/që fluturon në qiell”.

Shkolla, vendi i dijeve, i formimit të miqësive të para dhe të pastra, figura e dashur e mësuesit për këdo, ngelen të pashlyera në jetë. Një vend të rëndësishëm, me gjuhën e vjershërimit, ka zënë respekti për mësueset, përkushtimi i punës së tyre fisnike, në përhapjen e dijes tek çdokush, që siç shprehet Erëza:“…na dhurove me dashuri /më të madhen pasuri”. Për autoren miqësia, sikundër për çdo adoleshent, merr vëmendjen kryesore të saj. Kjo, s’ka si të ndodhë ndryshe. Për Erëzën shoqet janë“çelësi i jetës” së saj. Gëzohet, kur ato gëzohen dhe ndien trishtim,kur diçka nuk shkon me to. Trishtimi ka sjellë lot në sytë e saj. Brishtësia e moshës vjen këndshëm nëpërmjet figurës së lules, simbolit të pafajsisë,  zbutjes së shpirtrave, por edhe si magjiplote e mrekullisë për shoqen e saj:“Desha një lule të kem /të jetë magjiplotë /të të tregoj /se ka shpresa /të shërohesh që sot”. E si mund të heshtë shpirti i saj? Si mund të ndalë së shkruari pena e re, kur shoqja e zemrës, Elena, është e sëmurë? Pa të lojërat, dëfrimet, buzëqeshja, kanë mbetur atje, ku, siç thotë:“...asgjë s’më mungonte /çdo gjë me ty kisha”

Ngjarjet e rënda që kaloi populli i Kosovës, i cili derdhi gjak dekada me radhë në  kërkim të lirisë së fituar, Erëza i ka thurur në këtë vëllim me fjalë respekti, edhe për gjithçka që ka të bëjë me atdhedashurinë: Dita e Pavarsisë, figurat historike, si ajo legjendare e Skënderbeut apo e luftëtarëve të tjerë, që, cilët qofshin, meritojnë respekt nga të gjithë shqiptarët, sikurse shprehet: “Gjaku juaj dritë e dlirë /s’u harron Kosova e lirë”, pasi luftuan për idealin e Atdheut se“çdo njeri ka vlerë në të”.

Erëza Idrizaj me rrugëtimin e bukur që ka nisur në fushën e artit, jo vetëm premton, por jep edhe një mesazh:“Mos i shuani shpresat, mos lini t’ju lëndojë askush ëndrrat e fëmijërisë suaj. Vazhdoni dhe kurrë mos e ndaloni atë ëndërr që keni dashur dhe ende doni t’ju bëhet realitet!”



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora