E merkure, 24.04.2024, 11:30 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Poezi nga Sejdi Berisha

E hene, 31.12.2012, 02:04 PM


P o e z i

Sejdi BERISHA:

KJO SHPREHJE E HIDHUR...

Rehati shpirti...
Kush e kupton këtë formulë djalli
Kur malli për njeriun
Në çdo kohë shprush gjer në Ka të Zi
Kur dashuria është
Kalorësi më i padisiplinuar në jetë
Kur bukuria
Secilën pikë gjaku përcëllon

Atëherë...
Çfarë rehatie shpirti
Kush di ta thotë
Një mendim peshe për këtë...
Askush dhe askush

Rehati shpirti...
Kjo shprehje e hidhur
Dhe e pakuptimtë!

(Këtë poezi ma detyroi ta shkruaj një mik imi, i cili, gjatë një bisede, rehatinë e shpirtit kërkonte... Çfarë torture, kjo...!)

TINGUJ TË VJETËR...

Hy në tingujt e kitarës
Nëse do të bindësh
Sa shpejtë rrjedhë lumi
Të cilit loti ia dhuron vërshimin

I këndo këngët
Të përcjella me tinguj telash
Nëse do vrapin e jetës ta kuptosh

Kështu përherë vepro
Por çiftelinë mos e harro
As lahutën e këngës së vjetër
Të cilat varë
Në odë burrash qëndrojnë
Baladat e historisë për t’i ruajtur...

SONTE DO FESTOJMË BASHKË, TOKA IME E PLASUR...
(Është kjo përrallë e gjatë, por rrallë ajo mund të festohet)


1.
Vëllezër e motra
I nderuari njeriu im
Ti hënë dhe diell
Ti dritë dhe errësirë
Liri dhe dashuri
Vuajtje dhe lumturi
E kombit dhe e atdheut
Sonte bashkë do festojmë

2.
Sonte
Pa e pyetur askënd
Tri ditë para Vitit të Ri
Më lejoni të jam me Ju
Të jemi bashkë
Dhe të bisedojmë për gjithçka
Ama bash për gjithçka
Se ndoshta
Na bie ndërmend për diçka të mirë

3.
Më lejoni të festojmë e të bisedojmë
Ashtu si dua unë vetë
Oh, sa mirë
Sonte të gjithë Ju
Jeni duke ma ushqyer trupin
Gjakun duke ma çmendur

4.
Ju, të nderuar
Që jeni në brendinë e flakës sime
Mos harroni
Nëse
Nga një grimcë timen
Do ta hasni në trupin e zemrën tuaj
Nuk di a është mirë a keq
Por...
Ju jeni rrugëtimi im
Ju jeni buzëqeshja dhe loti im
Që më digjni deri në palcë
Dhe sërish në Feniks më shndërroni

5.
Sa madhështor që jeni
Andaj
Sonte ta nisim një rrugëtim ndryshe:
Në dritën e syrit
Ta vëmë unitetin
Dashurinë e sinqeritetin
Se shumë na mungojnë
...

6.
Sonte
Në këtë festë të çuditshme
Kudo që jemi
Shqiponjat do na vëzhgojnë
T’i ftojmë edhe ato sonte
Në festën time
Në sofrën tonë
Sepse
Më besoni
Ajo është më e begata
Më e ngrohta...
Mbi te ndriçon bujaria
Kjo është festa ime para Vitit të Ri

7.
O, Zot
Po sa krenar më bëni
Të përgatitemi për nesër
Për pelegrinazhin e ri
Toka ime e plasur...
Njeriu im
I etur për fjalën e mirë
Ëndrra ime
Me peshën e historisë në sy...

8.
Sonte bashkërisht do festojmë
Edhe me lotin
Me të cilin sa kohë ka që u kam lodhur
Por mos ma shihni për të madhe
Ai është madhështia ime
E keni vërejtur moti
Nëse jo
Nesër do ta kërkoni
Dhe do ta gjeni në secilin varg
Ashtu siç e hasni edhe lumturinë...

9.
Sonte bashkërisht do festojmë
Toka ime e plasur...

(Pejë, 28 dhjetor 2012)



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora