Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lëvizja për Bashkim: Gëzuar 2013!

| E diele, 30.12.2012, 10:40 AM |


Gëzuar 2013!

Të dashur bashkëkombës,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Fillimisht, më lejoni të shpreh kënaqësinë që në emër të Lëvizjes për Bashkim dhe në emrin tim personal, po më jepet rasti të jua përcjell të gjithë juve urimet më të mira për Vitin e Ri.

Viti që po e lëmë pas, për fat të keq, nuk ishte vit që ofroi mundësi për realizimin e ëndrrave tona për integrime substanciale kombëtare, për një jetë më të mirë dhe për dinjitet qytetar. Dhe kjo, jo për shkak të mungesës së kapaciteteve të vendit tonë për të ofruar diçka të tillë, por për shkak të mungesës së veprimeve institucionale për t’i shfrytëzuar ato.

Megjithatë, përkundër të metave të shumta, kanë ndodhur gjëra të cilat mund të na bëjnë të ndihemi më mirë. Abetarja e përbashkët, autostrada e kombit, nisma për kod telefonik kombëtar dhe për shtetësi shqiptare janë disa nga lëvizjet pozitive në këtë drejtim.

Edhe në vitin që po e përcjellim, Lëvizja për Bashkim, në përputhje me fuqinë e saj, është angazhuar pa kursyer në luftimin e të metave dhe avancimin e proceseve në interes të qytetarëve. Dhe kjo nuk ka ngelur pa rezultate. Por nëse ka gjëra për të cilat mund të krenohemi, ka edhe më shumë për të cilat ne duhet të vazhdojmë të përpiqemi. Dhe këtë do ta bëjmë, pa u lëkundur aspak nga çfarëdo lloj pengesash, të cilat pashmangshmërisht do t’i hasim në rrugën tonë.

Në fund, ju lutem pranoni urimet më të përzemërta për vitin që po vjen, për çdo qytetar dhe çdo familje, kudo që ndodhet, brenda apo jashtë vendit.

Le të mbretërojë shpresa për ditë më të mira dhe vullneti për angazhim të përbashkët në këtë drejtim!

 

Gëzuar 2013!

 

Avni KLINAKU

Kryetar i LËVIZJES PËR BASHKIM