| E diele, 30.12.2012, 03:36 PM |
Letër të hapur për një ish president
Nga Reshat Kripa
I nderuar zoti Topi,
Shkak për këtë letër të hapur u bë një
shkrim në “Gazeta Shqiptare” Nr.5860 datë 22 dhjetor 2012, mbi fjalimin që keni mbajtur në prezantimin e degës së partisë tuaj në
Tiranë. Në editorialin “Pushteti
të konsumon” të kësaj gazetë, lexoj lajmin “Në qeverinë e Berishës, sa
më i korruptuar, aq më lart ngjitesh”. I shtyrë nga kureshtja hap faqen
pesë ku është ky shkrim dhe lexoj titullin: “Topi: Berisha, stalinisti i
fundit, duhet ta heqim” dhe, midis të tjerash, në një shkrim të shkurtër,
lexoj: “në qeverisjen e sotme të Sali Berishës, sa më i korruptuar të jesh
aq më shumë ngjit shkallët e karrierës në qeveri, në administratë, në sistemin
e drejtësisë e në listat për deputet të partisë”.
Ditët e fundit politikanët tanë i kanë
mbërthyer ethet e zgjedhjeve. Të gjithë, të majtë dhe të djathtë, nuk lenë më vrer
pa derdhur mbi kundërshtarët e tyre politikë. Nëpër faqet e shtypit të
përditshëm lexon lloj-lloj epitetesh që këta politikanë përdorin në shërbim të
linjës që ata përfaqësojnë. Një gjë e tillë është e natyrshme në një situatë të
tillë. Por çudia qëndron në atë që disa politikanë harrojnë nga kanë ardhur dhe
akuzat e tyre, po t’i analizosh me gjakftohtësi, bien mbi vetë ata. Një gjë e
tillë ndodhi edhe me fjalën tuaj. Le ta analizojmë.
Natyrisht, kur dëgjon një
fjalim të tillë një lexues i zakonshëm thotë me veten e tij: Bobo, të mjerët
ne, në çfarë bote jetojmë! Një nga këta lexues jam edhe unë. Edhe mua, për një
çast, më duket sikur jetoj në një botë ku nuk të sheh syri veçse politikanë
dallaveraxhinj dhe servilë, gjykatës dhe punonjës administrate të korruptuar
deri në fyt dhe vetëm fare pak individë të ndershëm. Por kur kthjellohem, në
mendje më lindin mendime të tjera të cilat nuk jam në gjendje t’i shpjegoj. Ndaj
do të doja t’ju pyesja :
-Kur është bërë e
tillë qeveria e Berishës, pasi jeni larguar ju nga posti i Presidentit të
Republikës apo ka qenë edhe më parë e tillë?
Në rast se do të ishte
varianti i parë, do të kisha qenë dhe unë dakord me ju. Por një gjë e tillë më
duket e pamundur pasi, si ka mundësi që një qeveri që ka qenë model, dhe kjo
sipas vetë deklaratave tuaja të asaj periudhe, të korruptohet brenda një kohe
kaq të shkurtër prej jo më shumë se gjashtë muajsh. Kështu që mbetet varianti i
dytë kur kjo qeveri paska qenë përbërë nga element të korruptuar. Atëherë më lindin mendime
të tjera dhe këto dua t’i shpreh.
Ju
zoti Topi karrierën tuaj në Partinë Demokratike e nisët si shumë të tjerë, si
një anëtar i zakonshëm i saj dhe me kohë filluat ngritjen tuaj në përgjegjësi
të ndryshme si Ministër, Nënkryetar i partisë, Kryetar i grupit parlamentar për
të përfunduar si President i Republikës. Si mundët t’i kalonit këto shkallë të
karrierës tuaj? Mos vallë edhe ju paskeni qenë i korruptuar? Një gjë të tillë
ju e pohoni vetë kur thoni se në qeverinë e Berishës rruga e vetme për t’u
ngjitur ishte korrupsioni. Po zoti Oketa, mos vallë ishte i korruptuar kur
arriti deri në postin e Zëvendëskryeministrir të Shqipërisë? Po zoti Biberaj që
arriti deri Kryetar i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë
Parlamentare të Këshillit të Europës, mos ishte i tillë? Mund të vazhdoja edhe më tej por besoj se
mjafton vetëm me këto tre shembuj për sot.
Ajo
që më tërheq më tepër vëmendjen në fjalën tuaj, të cituar më sipër, është fakti
se edhe në sistemin e drejtësisë, gjithmonë sipas jush, duhet të jesh i
korruptuar që të bësh karrierë. Por ju, mor zotni, keni qenë Kryetar i
Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ishit ju së bashku me Nënkryetarin tuaj që
sot drejton Aleancën Kuq e Zi, që propozonit se kush do të emërohej në gjykatat
e rretheve, ato të Apelit apo Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Në këto
gjykata edhe sot e kësaj dite janë pothuajse po ata gjyqtarë që i keni emëruar
juve. Si e lejuat ju, drejtuesi kryesor i tyre që në krye të gjykatave të të gjitha shkallëve
të ishin njerëz të korruptuar? Një
logjikë e tillë të shpie në atë që edhe ju paskeni qenë të korruptuar.
Në
partinë tuaj, kam marrë vesh se janë edhe disa ish-të përndjekur politikë. Unë
nuk i përkas atyre njerëzve që vjellin vrerë karshi të tjerëve që, ndonse janë
të shtresës së tyre, kanë mendime të ndryshme me ta. Unë nuk mund të them se
ata nuk janë të përndjekur pasi kjo do të ishte e barabartë sikur të thoja edhe
për veten time. Por di, gjithashtu, se në gjirin e të përndjekurve politikë ka
patur edhe nga ata që bënin “Hosana
Baraba”, siç shkruante Noli i madh. E pra disa nga këta tipa mundën të mbaronin shkollat e larta dhe,
madje, të shkonin edhe për specializim në Romë apo vende të tjera në një kohë
kur ati i tyre kishte qenë i dënuar politikë. Përse kjo mundësi nuk ju dha
fëmijve të mi, pikërisht vajzës time të vogël, nxënëse me rezultate të
shkëlqyera që, kur u paraqit në konkursin për shkollën e baletit, nuk e fitoi
vetëm e vetën pse ishte bija e një të dënuari politik? A mund të ma jepni
përgjigjen e kësaj pyetje?
Për
të thënë të vërtetën kam patur gjithmonë besim te personaliteti juaj. Për këtë
mund të bindeni nëse do të lexoni shkrimin tim të datës 18 korrik 2007, botuar
në gazetën “Tema” Nr. 2134 me titull “Besoj te Bamiri”. Po ju citoj
vetëm një frazë nga ky shkrim:
“Bamir Topi ka
krijuar një ndjenjë besimi dhe respekti me veprimtarinë e tij politike të
deritanishme. Kam besimin gjithashtu se ai do të dijë të manovrojë me zgjuarsi
në marrëdhëniet midis dy
krahëve të politikës, duke u bërë një gjykatës i denjë
në raportet ndërmjet tyre”.
Por, nuk ndodhi kështu. Veprimtaria juaj si
President i Republikës
nuk e justifikoi besimin tim. Kjo u duk që kur nuk pranuat të nënshkruani
ligjin e lustracionit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ligj i cili u hodh
poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përbërë nga gjykatës të cilët ndëshkoheshin
pikërisht nga ky ligj. Në rast se e shihni të arsyeshme lexoni shkrimin tjetër
timin me titull “Jemi edhe ne, i nderuar zoti President”, botuar në
gazetat “Metropol” Nr. 2224 dhe “55” Nr. 330 (4395) datë 30 nëntor 2010, për të
cilin ju as që denjuat të përgjigjeshit. Më lejoni të citoj disa fragmente nga
ky shkrim:
Vitin e kaluar ish kryetari
ynë pati një takim me ju, ku ju kërkoi që në listën e kandidatëve për Gjykatën
Kushtetuese dhe atë të Lartë të përfshiheshin edhe propozimet tona. Ne atëherë
ju propozuam pesë kandidatura, të gjitha të goditura dhe sipas kritereve të
caktuara. Keni bërë shumë propozime, por
kandidaturat tona nuk paskan patur vend. Në të kundërt, kandidatura të
tilla si ajo e Vangjel Kostës, që në ndërgjegjen e tij mban dënimin politik të
Agron Ficos, Adnan Ballës dhe Kastriot Marës apo të tjerëve që Kuvendi i
Shqipërisë i hodhi poshtë, dërgoheshin nga ana juaj për emërim.
Ne
jua themi hapur, i nderuar zoti President, nuk kemi qenë dakord me ju edhe kur
dekoronit ata që na vranë dhe na masakruan. Më lejoni të përmend këtu
prokurorin Skënder Breca (paçka se më vonë e anulluat atë vendim) apo
gjykatësit Njazi Jaho dhe Fatmira Laskaj.
Nuk kemi qenë dakord edhe kur dekoratën e akorduar martirit Havzi Nela,
me rekomandimin e cilit të ashtuquajtur të përndjekur politikë, ia dorëzuat ish gruas së tij, që ligjërisht e
kishte ndarë disa vjet më parë se
ai të ekzekutohej, duke lënë në
hije vëllezërit që kishin sakrifikuar.
Para disa muajve lexuam në median elektronike një njoftim se një delegacion i Kombeve të Bashkuara i paska kërkuar Shqipërisë të dënojë krimet e komunizmit. Lidhur me sa më lart është ngritur komisioni i hetimit të krimeve të komunizmit. Ne mendojmë se duhet ta ndihmojmë këtë komision me të gjitha mundësitë tona. Por ndihma nuk mund të bëhet kur në organet e drejtësisë vazhdojnë të qëndrojnë ende ish persekutorët tanë. Mos harroni!
Dua t’ju pyes, i nderuar zotni,
si nuk ju drodh dora kur nënshkruat dekorimin e kriminelëve që kishin çuar në
ekzekutimin e martirëve të Spaçit, Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel
Lezho apo Qafës së Barit, Tom Ndoja dhe
Sokol Sokoli, njëlloj si paraardhësi juaj me dekorimin e vrasësit të poetit
Havzi Nela? Si nuk pyetët, të paktën, ndonjerën nga shoqatat e të përndjekurve
politik më parë? Ju thoni se i përkisni shtresës së të përndjekurve politikë.
Atëherë si i kryet këto veprime? Edhe për këto, po patët kurajo duhet të
përgjigjeni.
Këto mendime më lindën
kur lexova fjalët tuaja në shkrimin e botuar në “Gazeta Shqiptare”. Ndaj dua
t’ju bëj edhe disa pyetje të tjera:
-Përse
u larguat nga partia që ju ngriti në majat më të larta të hirarkisë
shtetërore dhe partiake? Mos vallë do të kishte qenë më e arsyeshme, më
dinjitoze dhe më e ndershme të kishit qëndruar në gjirin e saj dhe atje ta
zhvillonit luftën për demokratizimin e mëtejshëm të kësaj partie? A e dini se
jeni i vetmi ish-President Republike që themeloni një parti tjetër politike,
rivale të partisë së cilës i përkisnit deri atëherë, qysh disa muaj më parë se
të mbaronit mandatin e presidentit?
Përgjigjen këtyre pyetjeve, po mundët, jepjani juve.
Me sinqeritet
Reshat Kripa
Kryetar i Shoqatës Antikomuniste
të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës