Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Muharrem Blakaj: Musë Dakaj - Kreshniku i Podgurit

| E diele, 30.12.2012, 03:22 PM |


Fragment nga libri  "  RRUGTIM FATAL "

MUSË TAHIR DAKAJ  BURRI I TEDELIT , KRESHNIKU I PODGURIT

Nga Muharrem Blakaj

Mustafë Tahir Dakaj – i njohur si Musë Tahiri, i lindur në vitin 1882, i rritur dhe i edukuar në Vrellë, në një familje të madhe e me tradita. Babai i tij, Tahir Fazli Dakaj, i kishte pasur kullat, hanin, arat dhe bashtinat në qendër të katundit, aty ku tani ndodhen të ndërtuara fabrika „Teuta“, Kafeneja e Madhe dhe ndërtesat e ish-kooperimit.

Musë Tahiri i takon brezit të luftëtarëve të orëve të para, i cili, së bashku me çetën e Ali Përkiqit e më vonë edhe të Binak Përkiqit, kishte rrëmbyer armët për lirinë e vendit, së pari nga turqit e më vonë edhe nga pushtuesit serbë. Qysh i ri ishte aktiv në luftën kundër ushtrisë turke në Leshan, në luftën e Pejës, kur e detyrojnë mytesarifin (kryetarin e administratës) ta lëshonte qytetin, merr pjesë në tubimin madhështor te Verrat e Llukës më 1903, në lirimin e të burgosurve në Pejë në vitin 1905. Në bashkëpunim me Sejdi Halilin nga Cerrca, Ramë Alinë nga Istogu dhe me Ali Përkiqin nga Vrella, Musë Tahiri merr pjesë në sulmin kundër nizamëve, që i ruanin ustallarët dibranë, që kishin filluar t’i ndërtonin zyrat dhe shkollën fetare për zyrtarët turq në Istog. Në vitin 1910, në bashkëpunim më Binak Përkiqin, Sadri Fazlinë, Qerim Binakun, Sejdi Halilin nga Cerrca, Ramë Alinë e Halil Dërvishin nga Istogu e me Musë Nimanin nga Prigoda, marrin pjesë në luftën e Pejës. Thuhet se ishte pjesëmarrës aktiv edhe në Luftën e Carralevës, që ishte zhvilluar në prill të vitit 1910. U angazhua në rrethimin e ushtrisë turke në bjeshkët e Istogut në vitin 1911 dhe përzënien e tyre drejt Pejës. Mori pjesë aktive në dëbimin e forcave të Xhafer Tajarit nga Istogu dhe Gjyrakoci në vitin 1912, në luftën e Gollopolave, që u zhvillua më 9 maj 1912 dhe në luftën për lirimin e Pejës, e më vonë në sulmin mbi depot e armëve në Pejë. Pas pushtimit të Kosovës nga ushtritë serbe e malazeze, Musë Tahiri e Binak Përkiqi me çetat e tyre prapë u gjendën maleve. Kur rojat serbe tërhiqeshin nga Dydeshi, Vrella e Lubozhda, sulmohen nga kaçakët. Me këtë rast mbeten të vrarë i biri i Binak Përkiqit, Halili, dhe Ibish Avdullah Bicaj, si dhe disa xhandarë serbë. I gënjyer nga premtimet e regjimit serb, Musa, bashkë me Fekë Brahimin, Shaqir Fekën, Ramë Fazlinë, Rrustem Alinë dhe Avdi Maksutin, pranojnë të dorëzohen te autoritetet serbe, në saje të besës së dhënë nga një ndërmjetësues serb, i quajtur Grigorije. Xhandarët serbë, në krye me Lekë Millosarin, në pabesi tentojnë t’i pushkatojnë, por, falë këmbënguljes së ndërmjetësuesit Grigorije, të nesërmen i lirojnë. Pas formimit të SKS, Musë Tahirin me shokët e tij kaçakë i gjejmë në radhët e shtrënguara të Lëvizjes Kaçake dhe me lidhje të forcuara bashkëpunimi me çetat e Bajram Currit. Derisa Musë Tahiri ndodhej në mal, ekspeditat serbe ia djegin kullat dhe ia arrestojnë vëllanë, Rrustemin. Përpiqet ta lirojë të vëllanë, duke zënë pritë në Ledina të Lubozhdës, por forcat serbe ishin shumë më të mëdha në numër dhe detyrohet të tërhiqet në mal, duke lënë disa xhandarë të vrarë. Në shenjë hakmarrjeje, këtë radhë xhandarët serbë ia internojnë vëllain, Rrustemin, nënën dhe nusen me dy fëmijë. Gjithsej i arrestojnë dymbëdhjetë anëtarë të familjes së gjerë Dakaj dhe i internojnë në burgun e Nishit. Njëri djalë i vdes në burg. Ndërkohë, sipas ligjit të reformës agrare, pushteti ia konfiskon gjithë pasurinë duke ua dhuruar kolonëve serbë. Kur ia lirojnë familjen nga internimi, nuk i lejojnë të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre, por i degdisin përtej kufirit, në tokën shqiptare.

Thuhet se, pavarësisht qëndrimeve të kundërta politike, Musë Tahiri me çetën e tij kishin pasur marrëdhënie të mira me kryeplakun e Vrellës, Ramë Ali Bicajn. Raportet midis tyre kishin filluar të lëkundeshin atëherë kur çeta e Musë Tahirit bie në pritë, pranë xhamisë së fshatit Vrellë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit plagoset në dorë Ali Përkiqi, pjesëtar i çetës dhe i rrëmbehet pushka. Pasi merret vesh se ai që kishte qëlluar kundër tyre kishte qenë Zekë Fazli Bicaj, në bashkëpunim me Ahmet Deli Blakajn nga familja e Habibëve, kaçakët kishin dyshuar së prapa Zekës qëndronte Ramë Ali Bicaj. Megjithatë, kaçakët ia falin varrën, por e kërkojnë pushkën, të cilën e kishte marrë me atë rast Zeka, duke ia caktuar atij afatin dhe mënyrën e dorëzimit të saj. Pas skadimit të afatit, kaçakët e vrasin Zekën derisa ishte duke punuar në livadhin e tij në Burulluga .

Musë Tahiri qëndroi maleve, duke luftuar kundër ushtrisë e xhandarmërisë serbe, deri në vitin 1928, kur rezistenca e Lëvizjes Kaçake ishte dobësuar tej mase. Kalon kufirin dhe vendoset në Shqipëri, ku e kishte familjen. Me pushtimin e Shqipërisë dhe një pjese të madhe të Kosovës nga Italia Fashiste, Musë Tahiri kthehet për t’u bërë zot në tokën dhe pasurinë e vet, që ia kishin uzurpuar kolonët serbë. Me fitoren e komunistëve, prapë gjendet në mal, por këtë radhë i ndjekur nga ushtarët e Rojës Partizane, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin shqiptarë. Pas një sulmi të befasishëm në Përroje, Musë Tahiri e dikton se këtë herë e kishte spiunuar Binak Halit Vuthaj, të cilin nuk e vret, por ia tërheq vërejtjen me disa hunj shpinës. Për t’iu shmangur ndjekjeve nga komunistët, Musë Tahiri i bashkohet çetës së Demë Hajdinit nga Novosella e Pejës. Strehohen në Shpellën e Drinit në Radac. Zbulohet nga Sadik Feriz Bajraktari. Rrethohet nga Sadik Feriz Bajraktari, Demush Tahir Bicaj, Sali Bajram Blakaj dhe Toma Zhariqi. Pas një lufte të rreptë dhe të pabarabartë, arrijnë ta shpërthejnë rrethimin dhe emigrojnë në Greqi. Musë Tahiri bie në duart e Partisë Komuniste Greke, të cilët e kthejnë në Shqipëri. Me vendimin Nr. 42 të datës 25. 06. 1946, nga Gjykata Ushtarake në Korçë, Musë Tahiri dënohet me pushkatim nën akuzën e kriminelit të luftës.

Për këta heronj të harruar, si; Musë Tahiri, Binak Përkiqi, Ali Përkiqi, Ali Pashi, Niman Ramë Dreshaj e shumë e shumë të tjerë të kësaj periudhe, të cilët luftuan dhe ranë dëshmorë për lirinë e Atdheut, pritet fjala e historisë.

Zgjodhi për ZSH-në: Selim M. Nengurra