E shtune, 24.08.2019, 05:41 PM (GMT+1)

Komente

Besnik Lajqi: Shqipëria në sytë e mi (3)

E diele, 30.12.2012, 07:05 PM


SHQIPËRIA NE SYTË E MI PARA 23 VITESH (1989)

(Pjesa e tretë)

Nga Besnik Lajqi

Pas disa ditëve gjeta një lidhje që ta takoj një nga ata shefat e Qeverisë. Ky takim shkoi njohje pas njohje. Edhe në atë kohë kishte korupcion. Me pak diçka kryhej shumë punë. Donin gjëra që nuk kishte në tregun shqiptar. Ishte një dyqan që quhej Dyqani i valutës. Po aty te rruga e Elbasanit, siç e quanin tiranasit. Aty kishte lloj-lloj gjërash shtëpiake të ardhura nga shtetet lindore (Gjermania Lindore, Polonia, Çekia, Rumania etj.) Lavatriçe, televizorë, llampa (abazhurë), motoçikleta e tjera. Por aty u shitshin me  valutë, sidomos me dollarë. Banka Shqiptare i merrte dollarët sipas kursit shtetëror, 20 lekë te reja një dollarë amerikan. I dorëzoje dollarët në Bankën shtetërore, të jepshin një çek, që ishte një letër e thjeshtë. Por, që ta bësh këtë procedurë, duhej të ishe shtetas i huaj. Unë i plotësoja këto kushte. Ishte çudi për mua, si ka mundësi të jetë kaq delikate kjo blerje e këtyre gjërave që kishin pak vlerë? Ishin jashtë standardit këto sende që ishin aty. M’i kujtonin ato motoçikleta MZ, JAWWA, kur isha si fëmijë. Kishte në atë kohë sa të duash në Kosovë. Ishin jashtë standardit sepse bënin tepër zhurmë dhe tymonin shumë.

M’u kujtua Kosova. Sa dallim i madh në të gjitha aspektet ekonomike! Çdo njeri kishte të drejtë të ketë vetëm një mjet në shtëpi. Makinë, traktor, kamion, motoçikletë, por a kishe para për të blerë? M’u kujtua dita e shtunë e asaj kohe. M’u kujtua Peja. Thash: Sot është dite pazari në Pejë. Çdo javë dilnin nga tregu që e quanin “Loma e drithit” mbi 250 kamionë me pemë e perime të ndryshme. I gjithë bregdeti i ish Jugosllavisë furnizohej me pemë e perime të rrethit të Pejës e Dukagjinit. Ishte gjallëri e madhe e punës për ato fshatra te Pejës: Loxha, Raushiqi e Podguri. Kur u mbyllte tregu e qasej terri, fshatarët që s`kishin mundur t’i shesin perimet e tyre, i hedhshin në qoshe të rrugës apo diku në lumë. Çdo gjë ishte më mirë se në Shqipëri. Vërtet, në krahasim me popujt e tjerë, kishte varfëri në Kosovë, sepse nuk ishim të barabartë, por këtu çka kishte pyesja veten. Ushqime jo, liria e qarkullimit jo, liria e të shprehurit jo. Isha ato ditë në luftë me vetëveten. Një kundërshtim të madh kishin zemra dhe truri. Truri më bënte shumë pengesa, sepse mëndjes sime i thoshte se këtu është më mirë. Kurse zemra thoshte jo,  se këtu paska diktaturë më të madhe se në Kosovë.

Çdo gjë ishte më mirë në Kosovë. Truri ishte mësuar keq duke dëgjuar, duke lexuar libra e literaturë propagandistike. Thoshte zemra ime: Po ku bre mund të jetë më mirë se këtu? Qe do speca, molla që i blen popullata, i gjen të hedhura nëpër qoshe të rrugëve dhe nëpër lumenjtë e Kosovës. Ishin të klasit më të dobët. Zemra i thoshte trurit tim: O tru, a të kujtohet kur babai  shkonte në pazar, i blente 500 kg. speca të kuqe, të bardha, të verdha, i shtinte në turshi, pa e pyetur askush pse po i blen e ku po i çon? Të kujtohet kur blente nga 500 kg. lakra për turshi, për të hëngër tërë dimrin? Po kaun e madh që nuk e nxente dera e oborrit të hyjë, e prenim për të hëngër tërë dimrin mish të thatë e suxhuk. Të kujtohet kur oborri ishte i mbushur me plot dru? Raki të pjekur gjatë verës për t’u kënaqur gjatë dimrit duke pirë. Por truri i thoshte zemrës: Hahahaaa, o zemër! Po e harron milicinë e shkive a! Po harron se s`ke flamur as të drejta si të tjerët! Po e harron se je në robëri? O tru, këtu qenka njësoj, përveç asaj se nuk paskan milicinë e Serbisë. Policët i paskan kapuçat si të milicisë serbe, por po folshin të gjithë shqip. Hajt, bre tru, po pate guxim, fol pak mirë për Amerikën! Hajt o tru, dil e bleje një krehër, e shikoje sa ditë duhet të punosh këtu në Shqipëri të Enverit, që po e don kaq shumë!

O tru, a po dëgjon! Në Kosovë kam punuar një ditë me shati, duke e punuar tokën. Me ato para kasha mundësi të blej 500 krehër në Pazar, aty te shtëpia e mallrave ku i shitshin tregtarët në tryezat me xhama. Po këtu a e din more se sa duhet të punosh për një krehër, o truuuuu! Duhet të punosh mbi një javë për një krehër. Krehër për plaka ku shkruante “Made in Kina”. Po a e din o truuu se sa duhet të punosh këtu për t’i blerë 6 portokalla? Duhet të punosh 10 ditë, ejjj! Në Kosovë punoj një ditë e i blejë 15-20 kgr portokalla të Greqisë, të klasit të parë. A po i sheh këta portokalla këtu, e këto speca? “Pash zotin, thiut me ja shti në b..., bërtet e i ndihet zani në shtatë katunde! A po e sheh ore bukën këtu se si e bartin me kerr të kalit, si me qenë tulla për ndërtim! Bukë të zezë e të fortë, se, pasha zotin e madh, me ja shti ati kamioni që e ka pas Bajram Kapuçi që me mercedes bartte zall. Me ia qit para rrotës, nuk e len me ecë kamioninin. Aq e fortë ishte buka në Shqipëri! Të kujtohet që gejshe bukë të bardhë nëpër rrugë që e hedhshin në plehëra në Pejë qytetarët, e ti e merrshe me thes t’ua çosh lopëve që i kishe pas! O tru, lopa jote u kënaqte me bukë të bardhë duke hëngër! Ku e ke këtu bukën e bardhë? Ku i ke këtu qoftet apo “qebapët” e Buqukut që i jepshin erë krejt çarshisë? Hajshe sa dojshe deri sa pëlsitshe! Kush nuk të pyeste pse po han e sa po han!

O truuuu! A të kujtohet dita e shtunë e pazarit të Pejës? Aty te “Loma e grave”, te tregu ku shesin gratë qylima e veshje të ndryshme, sa ha dreqi kishe mundësi të blesh tesha prej krejt botës! Me gjysmë dite punë bleje tesha u bëheshe “kollamoq” me ato, për disa muaj s`kishe problem. Fol, more, fol, ku i ke! A s’e sheh se këtu krejt janë me veshje të njëjtë, si me qenë të burgosur të atyre llogoreve apo kampeve të përqëndrimit, njësoj si të atyre filmave me nazistë! O tru! A të kujtohet Taf Tahiri që ishte në Amerikë?  Qëndroi një vjet atje duke punuar. Erdhi, e bleu traktorin e punonte duke bartur zall për ndërtim, i cili i kishte deri 10 punëtorë. Kush e ka këtu traktorin si Tafa? O tru! As shteti s’e kishte një traktor të këtillë, a po e sheh, apo jo! As shtetiiiiiiiiiiiiiiiiii që ti më ke pas lodhur disa vite, duke ma përmendur Enverin dhe Partinë. Shqipëri moj Shqipëri! A e sheh se më sëmure edhe mua!| Unë isha duke mbaruar, po të mos ishte dr. Sali Berisha që më bëri një kontroll. O hiqe atë mendje qe e ki pas me vite! Në asnjë shtet të botës nuk ke përmendore të Stalinit, veçse këtu! Oooo, a e din o tru se kush është Stalini që e ka vrarë popullin e vet, me miliona, e ia ka shti këtij populli frikën në palcë dhe blasfeminë për të të vrarë po qe se flet kundër Enverit!

Kosovarë të helmuar me ideologji enveriste

Oooo tru! Nuk jam titist por mor harro popullin e Kosovës për gjithë ato të mira materiale që i ka! Tokë, prona private, ushqim e pije  sa të duash. A e din se populli i Kosovës nuk mund ta durojë këtë sistem stalinist as një javë! Eiiiiiiiiiiiiii, mendo mirë se ju po doni ta sillni në Kosovë një diktaturë që ia ka pa sherrin krejt bota! O pasha zotin, o tru! Nuk e duron populli i Kosovës këtë diktaturë! Le të shkojë në dreq të mallkuar e le të harrohet përjetë! Po unë të kisha patur mundësi, do të bëja çmos t’i ndihmoj këtij populli të çlirohet nga kjo superdiktaturë që nuk e ke në asnjë vend të Europës, besa edhe as të botës! Ehh, ende ti nuk e ke kapur lopatën të punosh nëpër kanale tërë ditën për të blerë një çerek buke të zezë, dhe një copë djathë! Tregomë a do kishe mundësi ta durosh dot këtë sistem, apo jo! O “tybe”, po ta them popullorçe: Jo, kurrë, hiç s`kishe mund ta durosh, o tru! Po ndërroje mendjen dhe ndihmoje veten e të tjerët që të mos i besojnë më kësaj propagande të këtij shteti që po kalbet! Lidhu me ato shtete që gjithmonë janë munduar ta ndihmojnë këtë popull, që të jetë i lirë si popujt e tjerë të botës! Nëse ky vend nuk e flak këtë sistem të egër, Kosova do të jetë edhe 100 vjet tjera nën Serbi! Një Shqipëri e fortë, demokratike e multi partiake, një Kosovë e lirë nga Serbia. Mlidhe mëndjen e mendo mirë!

Kjo ishte lufta ime e përditshme me vetëveten. Zemra kishte të drejtë, kurse truri ishte helmuar nga literatura propagandistike dhe nga dashuria ndaj Atdheut të Shqiponjave. Por as shqiponjat nuk kishin lirinë e tyre në qiell e ku më njerëzit në tokë, sepse realiteti krejt ndryshe ishte. Nëna Shqipëri ishte e helmuar me pasojat e një sistemi të egër. Nëna kur helmohet nuk ka mundësi t’u japë fëmijëve bukë si duhet. Një nënë e shëndoshë  dhe e lire, i bashkon fëmijët e saj. Pra duhet që nëna të shpëtojë nga kjo sëmurje. Pas një muaji qëndrimi në Shqipëri, u shoqërova me shumë njerëz me rëndësi. Njerëz me disa poste në aparaturën e shtetit. Pothuajse me çdo kënd që takohesha, më pyetnin kurë do të ktheheni prapë? Më bënin më dije se kishin nevojë për t’u blerë ndonjë orë dore, këmishë, tesha e tjera. Harxhova disa qindra dollarë duke blerë në atë dyqanin e valutës gjëra të ndryshme për dhurata të disa njerëzve me të cilët kisha lidhur shoqëri. Isha duke e përgatitur terrenin për ardhjen tjetër. E rregullova të hyj në Shqipëri pa vizë, nëpërmjet ambasadës së Shqipërisë në Suedi. Më dhanë një leje qarkullimi për një vit. Më këshilluan: Rradhën tjetër kur do vini, t’ia bëni një lutje shokut Ramiz Alia për shtetësi. Kjo m’u duk pak si e pa besueshme. Pata fat që pas një viti ta përfitoj shtetësinë shqiptare, por këtë garanci dhe intervenim që e bënin për mua, e bënin që kur të vi rradhën tjetër të ju sjelli dhurata.

U ktheva ne Danimarkë, në një botë tjetër. Drita krejt qyteti, makina qarkullimi sa të duash. Nisën sytë të më dhimbshin nga gjithë ai qarkullim që ishte këtu. Isha mësuar një muaj, pa reklama, pa drita të mëdha, pa qarkullim. Isha pak i tronditur me ato që kisha parë. Por kisha vendosur mos t’i tregoj askujt nga shqiptarët se çka kam parë. Kisha frikë se nuk do kisha të drejtën të shkoj më tej në Shqipëri nëse e folsha të vërtetën se çka kisha parë. Këtu kishte shqiptarë që ishin më stalinistë se vet ai sistem, atje në Tiranë. Nga ajo ditë që erdha në Danimarkë, çdo gjë të mirë që e shifsha rrugës, i thosha vetit: Oooo sa do të gëzoheshin sivëllezërit e mi po t’ua çoja këto në Shqipëri! Ishte e pa besueshme t’i tregosh dikujt se çka kisha parë atje. Nuk më besonte kush. As gjumi nuk më merrte si duhet nga ato që pata parë atje. E lajmërova një shok të vjetër që kishte qenë në Shqipëri si diplomat i një shteti perëndimor. Pas një jave u takuam ne Suedi. Ai më kishte ndihmuar kur kisha ardhur në Danimarkë. Ia tregova situatën dhe të gjitha përjetimet e mia, gjithçka që kisha parë e përjetuar. Ky më dëgjonte me vëmendje. Tha se ka vite shumë që nuk di gjë për Shqipërinë, se ka humbur dukshmërisht interesi i Perëndimit për Shqipërinë, për demokratizimin e atij vendi. Tha se Shqipëria ka ngelë bastioni i fundit stalinist në botë. Pa demokratizimin e Shqipërisë, edhe Kosova do të ketë problem.

Disa azilkërkues që vinin në Perëndim, e që kanë qenë në burgje nga dashuria ndaj Enverit, duke menduar se Shqipëria është Parajsë, u bënë aktivistë organizatash të ndryshme marksiste-leniniste. Kjo e dëmtonte shumë Kosovën. Disa ishin të helmuar me ideologji komuniste, por për  fat të mirë, nuk kishte shumë të tillë. Në Kosovë po lëviz  diçka që do të ketë jehonë të madhe në ish Jugosllavi. I thash njërit shkurt e shqip: “Demonstratat që ju i bëni në Perëndim, i bëni duke brohoritur LAVDI MARKSIZËM-LENINIZMIT, me grusht në ballë!” Pas një jave bëmë edhe një takim tjetër dhe e rezervova biletën e tragetit, nga këtu në Triestë e nga Triesta për në Durrës. Trageti nisej pas 8 ditëve. Bleva një fugon të mbyllur, Toyota. Fillova të blej ato gjëra që m’i kishin porositur dhe që më duheshin mua në Shqipëri. Kisha një porosi nga disa shoferë taksi dhe të automjeteve të ndryshme të ju çoj sirena makinash. Shkova te një vend ku kishte makina të vjetra dhe i bleva 50 copë. Bleva edhe çelësa që i rregullojnë makinat,  disa “burmashina” të cilave në Shqipëri u thoshin “trapanë”. Lojëra për fëmijë, veshje te ndryshme, dy frigoriferë, pjata, lugë, gota, jarganë, çarçafë, këpucë e lloj-lloj gjërash. Çdo gjë ishte e nevojshme atje. Bleva disa orë digjitale që i kishin shumë qejf. Fugoni ishte i mbushur aq shumë, saqë nuk kisha as ku ta vë dorën. Ditën kur u nisa, më ra ndërmend për çokollda dhe banane që më kishin porositur. Nuk kishin hëngër kur banane dhe ananas. Kiwit i thoshin, kur ua çova, “molla me lesh”.

Faqeziu e nxorri thikën nga xhepi

Mu kujtua që nuk kishte qese plastike. Në dyqanin e valutës pagova një qese plastike 1 dollarë. M’i dha një shok 1.000 qese me reklama të ndryshme. Përfundova në Trieste vetë i dyti. Isha me atë Faqeziun i cili e zbuloi kryqin e thyer që ia vizatuan në ballë bustit të Enverit. Mbërritëm një ditë më herët në Trieste. Na doli një problem me policinë italiane. Nuk donin të na lejojnë të hyjmë në traget pa e patur vizën në pasaportë të Shqipërisë. Ky ishte problem i madh, sepse trageti udhëtonte një herë në dhjetë ditë. M’u kujtua ky shoku që u takova, ku më tha: Çka ke problem rrugës, më thirr në këtë telefon! E thërras dhe i tregoj problemin. Pas dy orëve na thirrën policia kufitare e na thanë se keni të drejtë udhëtimi për në Shqipëri. Pas këtij problemi na erdhi një problem tjetër. Kishin ardhur disa shqiptarë nga Shqipëria që kishin ikur para 20 vitesh, disa madje para 30 apo 40 vitesh. Kishin dëgjuar që u lëshua linja me traget që shkon në Durrës. Kishin dëshirë të çmallen me tragetin që shkonte në vendlindjen e tyre. Aty te porti erdhën disa nga ata njerëz. Na pyeten nga jeni. Iu treguam se jemi nga Kosova. Po ku doni të shkoni? Iu thash se po shkojmë në Shqipëri. “Çka, bre, në Shqipëri! Ju nuk jeni normalë! Ju me siguri jeni bashkëpunëtorë të Sigurimit!” Filluan të tallen me ne me lloj-lloj provokimesh e ofendimesh. Kishte edhe nga ata që nuk kishin qenë në Shqipëri mbi 40 vjet. Nuk dinin asgjë për njerëzit e tyre në vendin ku kishin lindur.

Ishte e tmerrshme t’i dëgjosh rrëfimet e tyre për vuajtjet që kishin përjetuar në burgje të atij shteti. Ky faqeziu që ishte me mua, kishte qenë në burg për një këngë që kishte kënduar në Maqedoni, për këngën e Bajram Currit që në Kosovë këndohej lirisht. Unë i kuptoja këta njerëz shumë mirë dhe më qante shpirti për vuajtjet e tyre. Faqeziu fjalosej me ta duke e mbrojtur sistemin e Enverit, duke iu treguar se paska qenë vetë dy vjet në burgjet jugosllave. Ata u bënë shumë agresiv pse ky e mbronte diktaturën enveriste. Njëri iu drejtua këtij faqeziut e i tha: Dëgjo, o djalosh! Po më dhimbesh që qenke helmuar me atë propagandë komuniste, por mos harro se unë kam qëndruar në burgje 20 vjet në Shqipëri dhe 5 vjet në Jugosllavi. Burgjet e Jugosllavisë ishin si hotel në krahasim me burgjet e Shqipërisë. O djalosh, a të kanë bërë ty çka më kanë bërë mua në burg në Shqipëri?” Ky faqeziu tha: “Më kanë rrahur këmbëve, më kanë mëshuar me shuplaka etj.” “O djalosh!”, i tha plaku. “Edhe mua ma kanë bërë ashtu në burgje. Por një gjë s`ta kanë bërë ty qe ma kanë bërë mua. A të kanë dhunuar, siç më kanë dhunuar mua sa here që kanë dashtë gardianët? O djalosh! A e din çka do thotë për burrin me e lidh e me e dhunua? A ka poshtërsi më të madhe në këtë botë? Ti ma lëvdon Enverin. A e din, o djalë, se ai ishte homo…? Pse jeni helmuar kaq keq ju në Kosovë me ketë indologji të poshtër, o rinia trime e Kosovës?

Ky plaku iu afrua pranë. Deshi ta kapë për fyti, por unë hyra në mes. Ky faqeziu hipi mbi një makinë duke dashir të mbrohet kinse, por në ndërkohë e nxorri një thikë nga xhepi. Ata u bënë me agresivë. Por hyra unë në mes, duke u thënë: “Ju lutem, mosni se ky nuk është normal! Kur do ta shohë gjendjen, do ta ndërrojë mendimin për atë sistem.” U qetësua situata duke u larguar nga aty. Trageti nisej nesër pas dite. I pyeta tre vetë që ishin aty, e që ishin arratisur në Itali me dekada: “Ku i keni familjet?” Më treguan se ku kanë banuar. Iu thash: “Nëse keni diçka t’u dërgoni, unë do t’ua dërgoj. Nesër niset trageti e jo sot, se ka pengesa nga valet e detit. Bjerni çka të keni e ua dërgoj njërzve Tuaj në Shipëri!”  të nesërmen erdhën me nga një çantë të vogël me adresat respective. I shkëmbyem adresat e telefonat. Kur mbërrijta në Shqipëri, i gjeta me shumë vështirësi, sepse ato familje ishin të internuara në vende të ndryshme. Por unë e kreva amanetin e tyre dhe u takuam kur u ktheva pas disa javësh. Në Durrës arrijtëm në mëngjes pas 30 orë lundrimi me traget.



(Vota: 36 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT