Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Timo Mërkuri: Kojrillat…dëshmojnë krimin

| E premte, 28.12.2012, 12:18 AM |


Kojrillat…dëshmojnë  krimin

Përsiatje rreth romanit “Kojrillat” të Fatmir Terziut

Nga Timo Mërkuri

1-Titulli i këtij romani,  natyrshëm të kujton  poezinë e bukur të  Frederik Shilerit “Kojrillat e Ibikut”. Ose më saktë, mua mu kujtua kjo poezi, ndaj qysh në momentin që e mora librin në dorë, të printuar,  në vënd të një “mirëseardhjeje”  të zakonëshme, e përshëndeta me vargjet e  poezisë së Shilerit;- Të ngjatjetoj tufëz e lirë/ për mua je ogur i mirë…

Dhe unë  ju siguroj  edhe juve që është vërtet një “ogur i mirë” botimi i këtij romani.

1.1-Por, meqënë se dikush mund ta ketë haruar këtë poezi, të përkthyer mjeshtërisht nga  Perikli Jorgoni, me lejoni tju rikujtoj se…Ibiku, një poet e këngëtar, nxitonte për të marë pjesë në një garë  artistësh në Korinth dhe rastësisht, udhëtimin e tij  nëpër male e pyje e shoqëronte edhe fluturimi shtegëtues i një tufe kojrillash. Diku në një pyll i dalin përpara dy grabitës vrasës, por poetit këngëtar, dora që…në kordha harpash ç’i lodronte/ por hark nuk mbajti kursesi  nuk mundi ta shpëtonte nga vdekja tragjike. Miqtë që e prisnin në Korinth dhe që shpresonin që ai të fitonte  kurorën me dafinav, e kërkuan dhe e gjetën të vdekur në pyll. E vajtuan  dhe e mbuluan siç e meritonte dhe më pas shkuan të shohin garën e artistëve. Çuditërisht edhe vrasësit kishin shkuar të  shikonin garën, ku në një moment, në mes të garës, ndërsa në qiellin mbi amfiteatër fluturuan një tufë kojrillash, një nga vrasësit  i thiri shokut të vetë…pa shih, pa shih/kojrillat e Ibikut.. Dhe miqtë pyetën vetën se…Ç’kujtim i ngjallka këtij horri/ kjo tufë që  s’rri në një vëndPoetin , pra e paskan vrarë/ dhe vrasësit na u zbuluan…

U përmënd  emri i poetit këngëtar të vrarë dhe u dëgjua nga miqtë e tij, të cilët pasi  kapën  vrasësit…mbërtheje këtë fjalëshumë/dhe atë që fjalët ju drejtuan…, i shtrënguan në pyetje…në gjykatore skenën kthyen/dhe vrasësit me shpirt acar/çdo krim nga frika e rrëfyen

2-Në qoftë se ka në historinë e shtetit  tonë një fat të dhimbshëm njerëzor, ku në vend të nderimit për kontributin e dhënë, të jetë dhënë si shpërblim mohimi i kontributit dhe ca më keq, dënimin me vdekje, burgimin, mohimin e një vendvarimi në atdhe, përndjekjen e të afërmve etj, ky është fati i Firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, shpirtërat e të cilëve …si një vajgurlambe ne i mbajmë ato në udhëkthinë/të shtëpive tona,ndjesive tona… ata…me dritën e firmave të tyre koha merr ngjyrë

Kujtoni bashkë me mua: -Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit vdes në mërgim. Varrin e ka në Nju Jork. Rexhep Mitrovica e ka varrin në Stamboll. Qazim Kokoshi vdes nga torturat në burg dhe nuk ka varr. Lef Nosi, ai që fotografoi  dhe ruajti nga humbja Aktin e Pavarësisë, pushkatohet dhe nuk ka  varr. Bedri Pejani, Salih Gjuka, Aristidh Ruci, Eqerem Bej Vlora, Mustafa Kruja e Myfit Libohova, Hajredin Cakrani e Xhelal Koprencka etj gjithë jetën janë anatemuar si tradhëtarë.

Ata ikën,mbeten të ikur, apo edhe të zverdhur në gazeta e arkiva, ndërsa tretja e tyre mbetet një plagë.As dheu nuk i tret kur politika i stërvret. Bëhen të Ujtë.

E pra, 40 burra ishin ata që hodhën firmën e tyre në dokumentin themeltar të shtetit të ri dhe nga këta, gati gjysma e tyre u …shpallën si…antishtetarë shqiptarë, në vend që tu ngrihej monumenti në çdo cep të shtetit që ata themeluan. Ata ishin…dhe sot skanë as Atdhe. Pjesa tjetër u la në heshtje, sepse shtetarët  që erdhën pas tyre, donin që të  zbardhnin pak blozën e biografisë së tyre, duke fallsifikuar në dokumentin  themeltar të shtetit  emra baballarësh apo xhaxhallarësh, të cilët, në kohën kur burrat thoshnin fjalën dhe hidhnin firmën në histori, ata hanin hallvë  pranë oxhakut apo pranë hanëmeve.

Ata,firmëtarët ishin…dhe sot skanë as Atdhe.

…Kushëriri i tij ka qënë Kryeministër i vendit, por ai bashkë me të pastruan banjot e qytetit në këtë pushtet. Dhe ati i atij Kryeministri ishte  Aqif Pasha, një nga emrat e  Pavarësisë, një nga miqtë e familjes sonë.

Të lexosh këto radhë dhe s’ke si të mos revoltohesh me ata që projektuan dhe zbatuan  këtë lloj masakre mbi dinjitetin dhe historinë  tonë.

Apo mos doni të përmëndim këtu  fatin e fëmijëve të themeluesit të vetë shtetit, Ismail Qemalit, fat i cili na rëndon në ndërgjegje, thua se jemi ne shkaktarët, qoftë edhe me mosdijen tonë.

Shqipërinë e bënë burrat, por e komanduan horrat.

2.1-Pakujdesia  shqiptare është e pafalëshme.

Ndërsa themelohej shteti, si nuk u kujtua dikush që të mirte një fotograf për ta përjetësuar në celuloid momentin e papërsëritshëm të firmosjes së  atij Akti të shënjtë. Të fotografonte një për një ose  të tërë bashkë të 40 firmëtarët dhe të 86 pjesmarësit. Të fotografonte shtëpinë ku u shpall Pavarësia dhe mbi të gjitha, të fotografonte flamurin që u ngrit atë ditë. Sot ne rimë e flasim për pesë variante flamuri, jo po si i kishte pendët e si i kishte kthetrat, diskutojmë kush e solli dhe nga e solli, kush e qëndisi dhe kush e shpalosi.

2.2-Por ajo që është më skandaloze është fati i Aktit të Pavarësisë.

Ku ndodhet origjinali i tij? Kush e mori, pse e mori, si e mori dhe ku e shpuri, pasi u firmos nga 40 firmëtarët apostuj të shtetit të ri? Ne jemi ndoshta i vetmi shtet në botë që nuk disponojmë Aktin e Themelimit të Shtetit. Ne ngushëllojmë veten me egzistencën e  një fotografie të këtij dokumenti, fotografi që, gjithsesi dëshmon për dy gjëra;

e para-egzistencën e këtij dokumenti, dhe …

e dyta- dëshmon emrat e firmosësit të këtij Akti, duke u prerë rrugë fallsifikimeve.

Por  origjinali është zhdukur dhe  sot egzistojnë  disa  hipoteza mbi vendndodhjen e tij, që nga Vatikani e Beogradi, Roma, Boni apo edhe arshiva private.

2.3-Zhdukja e këtij Akti i leverdiste tre subjekteve;

-E para, i leverdiste individëve shqiptarë, pretedentë për poste shtetërore apo për tratativa tradhëtie ndaj shtetit, për të marë merita të pamerituara apo për të fshehur  gjurmët e tradhëtive gjatë kohës së ushtrimit të pushtetit apo të shitjes së atdheut.

im shoq ishte i dhënë pas pasurisë, por e humbi atë thuajse kur e kërcënuan për të zhdukur letrat e pavarësisë…Kishte miq, por miqtë u bënë armiqtë më të betuar pastaj…

…siç paguan për të zhdukur edhe kushërirën tonë Zeinepen, me gjithë dokumentat që mbante ajo me vete.

-E dyta, u leverdiste disa shteteve me pretendime teritoriale apo historike ndaj Shqipërisë, që të justifikoheshin më von me shprehjen … se Shqipëria qënka vetëm një shprehje gjeografike…(Ore, mos dinte gjë Bismarku kur tha këto fjalë)….

…Misteri i vdekjes së gruas shqiptare Madam Zeinep Vlora kishte hyrë në kanale të larta. Nga Stambolli interesi kishte kaluar kufijtë.Nga Parisi kërkohej me çdo kusht zgjidhje.Nga Italia kishte ndërhyrje të qarta diplomatike…

… Po në Itali, a keni marë të dhënat e duhura? Atje madam Vlora ka ndenjur për një kohë të mirë.

-E treta, shitblerja e dokumentave dhe relikeve historike është një biznes shumë fitimprurës. (Mund të kujtojmë se edhe armët e Skënderbeut, dëshmohet se u shitën për efekte financiare).

Si i tillë Akti i Pavarësisë kishte vlera të pallogaritëshme, se veç vlerave historike që përmbante në vetëvete, automatikisht i shtohej  dhe  kërkesë- oferta e dy subjekteve të cituar më sipër…

...por nga që sipas hetimit, na kanë dalë  edhe çështje që kanë të bëjnë me shitje dhe blerje dokumentash me vlerë për Shqipërinë…Thuhet se kanë disa plaçka me një vleftë të madhe, si shpata e sultan Bajazitit me xhevahire, shala dhe armatime të Ali Pashë Tepelenës…

3-Këto fakte më sëmbonin në shpirt, ndërsa ç’fletoja romanin “Kojrillat”, dhe një ëndër e kaherëshme (besoj jo vetëm e imja) m’u shndrua në dëshirë e shpresë se, ndoshta në faqet e këtij romani do të gjeja zgjidhje e përgjigje, për disa pyetja që më kanë lindur  në prag të çdo  përvjetori të pavarësisë. Madje titulli i tij dhe lidhja simbolike e subjektit me  poezinë e Shilerit, sikur i dha  krahë fantazisë simë, duke me ftuar që ta ripërsërisja  poezinë te vargjet… Të ngjatjetoj tufëz e lirë/ për mua je ogur i mirë…

Madje emri i  personazhit me mbiemër të Vlorajve, më bëri të haroj faktin që në duar kisha, jo dokumenta autentike arkivore, por një…roman.

Sa do dëshiroja të mos ishte kështu.

Jo pse  ishte vrarë përsonazhi  i Zeinep Vlorës,(vdekja është rethuar me mistere diplomatike dhe pyetjet janë bërë edhe në House of Commons), sepse  historia ka dëshmuar se Vlorajt janë vrarë, qëlluar  e helmuar ( a ju kujtohet se edhe Ismail Qemali  vdiq i helmuar në Itali.) gjithë jetën,  por shpresoja se autori do kishte shtirë në dorë dokumenta arkivore, që dëshmonin shkakun pse ishte vrarë dhe ca më tepër, ku janë dokumentat që kishte me vete Zeinepe Vlora, kur u vra.

Kjo dëshirë mu shndrua në një ankth gjatë leximit,… ja pas kësaj faqeje do zbulohet e vërteta, ja pas faqes tjetër, tejë  shkrepave modernë të kompozicionit, do dëshmohet ku janë dokumentat që kishte me vete personazhi, ja pas  disa faqesh do dëshmojnë kojrillat, ja dhe pak faqe e do dëshmojnë shqiponjat, të cilat i kanë fushat në pëllëmbë të dorës dhe detin e kanë në kthetra

….dhe, në përfundim të romanit, pashë se kisha rënë në “kurthin” e autorit për të më mbajtur në tension, të lidhur me  subjektin, të ecja dhe unë bashkë me personazhet nëpër kohë. Qysh nga ajo ikje  nga Shqipëria e atyre që e bënë shtet Shqipërinë, e gjer te Hivzi Nelaj që lëkundej në litar, në prag të ikjes së diktaturës.

4- …E kam mbajtur në gjoks  gjithmon këtë libër,Siç mbaja ato fotografi dhe ato foto. Ishin amaneti i gjyshit tim. Ai iku nga Vlora dhe u vendos në  Velçan të Mokrës, në kohën kur Vlorajt e Pavarësisë ikën drejt Strugës. Por meqënëse atje skishte shumë siguri, ata i lanë këto letra te gjyshi im.

Këto fjalë të thëna nga …Lutfiu, një  inxhinjer i diplomuar  jashtë shtetit, por që shteti aktual nuk e pa të arsyeshme që të punonte si inxhinjer. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë …ishte pasardhës i atyre që firmosën dhe ruajtën  dokumentin e pavarësisë.

Vetëm ky fakt ndrinte  dhe i trulloste me dritën e tij lakuriqët e natës, që kishin … shtetin në dorë.

Kanë qënë dy gjëra në jetën time që më kanë prodhuar trishtim. Njera kur më iku babai…dhe tjetra kur më zhdukën tërë kasafortat me dokumenta që kishte babai në dhomën e tij...

Është  një fakt ulëritës në historinë tonë, fakti që …thuhet se  Akti i Pavarësisë ishte në arkivin e shtetit deri në 1947, pastaj , thuhet se ..ju dhurua …Jugosllavisë. (Besoj se ka qënë koha kur nga politika  jugosllave ofroheshin divizionet për të… mbrojtur vendin tonë).

Është një fakt i trishtueshëm në historinë tonë, fakti që dokumentat e shtetit gjejnë siguri më të madhe në kasafortat private të patriotëve, se sa në arkivat shtëtërore. (Madje as thesari i shtetit nuk është i sigurtë në tunelet e sigurisë së lartë .Mos doni t’ju kujtoj fakte).

Kjo për arsyen e thjeshtë se, atdhetarët i ruajnë me zemër e shpirt Atdheun, flamurin, dhe dokumentat e shtetit, përkundër faktit që shteti i ruan vetëm me…dryna.  Me nga ato dryna, që ndryshken e këputen, kur dikush  i pushtetit, kërkon  ti këputë.

Është një ndjenjë e bukur që të lind gjatë leximit të këtij libri, ndjenja që të rrosh dhe po    të jetë nevoja edhe të vdesësh, për të ruajtur identitetin e vendit tënd. Qoftë  ky i  identifikuar në një dokument apo në  flamur.

Është vërtet një libër i bukur, me një kompozim modern, por që gjithësesi mban aromë Shqipërie në të gjithë faqet e tij.

Është nga ato libra, ardhja e të cilëve, është vërtet një…ogur i mirë.