E merkure, 24.07.2019, 01:30 AM (GMT+1)

Personalitete

Klajd Kapinova: Hane Sina (1928-2012)

E enjte, 27.12.2012, 01:07 PM


In Memoriam

Hane Sina (1928-2012) - Ikonë e kalvarit të vuajtjes të familjes Sina

Nga Klajd Kapinova

Vuajtja, ka mbetur pa shërim. Ajo ishte pjesë e jetës në familjen Sina, gjatë 5 dekadave të sistemit komunist.

Refreni i zakonshëm dhe monoton ishte: dhimbje pakufi, keqtrajtime shtazarake, përbuzje e fyerje ekstreme, varfëri me bukë mjerimi, nënçmime sistematike, dhunë psiqike e fizike të vijueshme, internime dhe mallkime proletare, privim nga çdo e drejtë elementare njerëzore, nëpërkëmbje deri në disa breza,…

Këto dhe shumë të tjera, kanë qenë emëruesi i përbashkët, që e ka shoqëruar kalvarin e vuajtjeve dhe stërmundimeve, familjen e moçme etnike shqiptare Sina, e shquar historikisht gjithnjë, për ruajtjen dhe respektimin e traditave me vlera tipike autoktone dibrane.

Këto ditë të ftohta dhjetori, në qytetin Brooklyn, në shtetin e New York-ut, mbylli sytë, një prej grave më stoike të kampeve të komunizmit, një nga nënat më fjalë ëmbël, më e thjeshta, modestja deri në përvuajturi shembullore, mbas gjithë historisë plot dhimbje dhe plagë të thella, që e ka shoqëruar pambarim ndër dekada, të pavdekshmen dhe të paharruaren, për të gjithë në vendlindje dhe Amerikë, nënën e vuajtjeve Hane Sina!

Por historia e familjes së njohur të Dibrës së Madhe, zë fill tek drama, që përfshiu nënë Hanën, kur ajo ishte ende fëmijë i brishtë.

Kështu nga burimet historike dhe dokumentet e familjes Sina, mësojmë se në moshën 11-vjecare u vra Haxhi Dishi, babai i vogëlushes (sikurse thuhet në Dibër për një “vijë uji”) nga njeriu më i afërm i familjes (djali i axhës) babai i të cilit asokohe, punonte si qarkkomandant xhandarmarie në Dibër të Madhe…

Vrasjen e babait të Hanës, Beqir Sina e përjetoj rëndë, nga që e donte aq shumë, sa nuk ia falte kërkujt gjakun e Haxhi Dishit. Por dhimbja e madhe kthehet në forcë, për burrat shqiptarë të vërtetë, që dijnë të falin gjakun, mbi dhimbjen e thellë. Si besnik që e kishte, më vonë e bëri mik shtëpie. Ky është një rast i rrallë, që ka ndodhur deri më sot në krahinën e Dibrës së Madhe dhe botën shqiptare.

Një jetë mes vuajtjes dhe mjerimit komunist

Hana, lindi më 18 maj të vitit 1928, në katundin Rreth Kale-Muhurr Peshkopi.

Sikurse kujton sot i biri, gazetari pasionant e i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë Beqir Sina (nënën Hana), në moshën 12-vjecare propoganda fashiste e dërgoi sëbashku me një grup fëmijësh nga Dibra në Itali. Atyre, iu bashkuan edhe disa fëmijë të tjerë, të familjeve të mëdha nga e gjithë Shqipëria. Këtë mirësi asokohe fëmijës së zgjuar, ia bëri qarkkomandanti Beqir Sina, për të harruar ndoshta edhe vrasjen e babait të saj...

Ngjarjet në vendlindje precipitojnë me shpëjtësi. Atje, komunistët, përmes propagandës së gënjështrës, kishin arritur të trudhosin me bolshevizëm të rinjtë dhe njerëz naiv, që nuk e njihnin fytyrën e zezë të proletarëve, që ndryshe fliste dhe ndryshe vepronte.

Kjo u duk shumë qartë në Rusi, me triumfin e luftës civile ose sikurse njihet si “revolucioni bolshevik”, ku, pushtetin e mori ideologu marksist Lenini dhe siamezi diktatori famkeq gjeorgjian Stalinin. Ai sot për nga krimet në kohën e tij (sipas burimeve historike bashkëkohore), është i pari në botë dhe i dyti nazisti gjerman Hitleri.

Si shumë të rinj idealist, me ëndrra dhe qëllime përparimtare, mbushur plot ndjenja të ngrohta atdhedashurie, rikthimin në vendlindje e shihnin si shpresë, për një jetë dhe liri të vërtetë demokratike, sikurse ishte Italia dhe shumë shtete të tjera të Europës Perendimore.

Por shpejt, ëndërra e adolishentes errësohet dhe vendin e saj e zë mjerimi dhe vuajtjet e njëpasnjëshme, që nuk kanë të sosur në familjen Sina, për shumë dekada, gjatë kohës së sundimit të kuqalashëve me hu, litar dhe mashtrim propagandist të Tiranës së kuqe prej 1944-1990.

Në fakt, kthimi saj në Shqipëri, ishte një kthim në një udhëtim të ngadalshëm drejt varrezave, pa e kuptuar vdekjen e ngadalshme, që po u vinte të gjithë nacionalistëve dhe familjeve të tyre, të cilët e donin Atdheun si shtëpinë e tyre… Nisi kështu përjetimi i udhës së vështirë të kalvarit të vuajtjeve të njëpasnjëshme...

E reja fisnike dhe zemërbujare Hana, një ditë të bukur pranvere, në moshën 19-vjecare, martohet me djalin e Beqir Sinës, të riun Rasim Sina, që vinte nga një derë e fortë e nacionalizmit shqiptar.

Nga burimet historike mësojmë, burrat e dy kunatave të veja (Dijen e Biden), i kishte pushkatur regjimi sllavo-komunist në Maqedoni, ndërsa dy motrat: Mihanen e Remen dhe tre vëllëzërit e tij: Musën, Hashimin dhe Besimin dhe gruan fisnike Kafile Kaloshen, janë kthyer më 1949 nga Kampi i Uznovës, mbas një amnestie të përkohshme në katundin e tyre në Rreth Kale.

Kthim ishte pa shpresë dhe të ardhme. Ata e gjetën kullën e djegur nga komunistët. Jevxhitët e hoxhistit të Gjirokastrës më pare e kishin vjedhur gjithcka që ndodhej brenda,…  e shkatërruan dhe më pas e kthyen në kazermë mallrash për ushtrinë e tyre.

Është me interest të thuhet, se shpesh bujaria e shqiptarit mes varfërisë, ka treguar vlera fisnikërie e mirësie, në momentet më dramatike të bashkëvendasve.

Kështu, mësohet se kur vendasit morën vesht, se kulla e famshme e familjes Sina ishte djegur, menjëherë shprehen humanizmin konkret, që buronte nga shpirti flori i tyre, duke e ndihmuar, që të ngrinte strehën e varfër për të hapur familjen e tij te re. Pa dallim, i gjithë katundi dhe nga trevat e tjera u ngritë në këmbë. Aty u mblodhën fshatarët dhe brenda natës i ngritën një kasolle familjes së Beqir Sinës.

Duke shfrytëzuar mjetet rrethanore dhe teknikën e ndërtimit asokohe, ata e  rrethuan me qepa (një lloj materiali i përdorur gjerësisht asokohe) e veshën me thupra dhe më pas e suvatuan me baltë e harasan.

Kjo ishte gjendja e mjeruar asokohe e Dibrës dhe në tërësi e Shqipërisë, që askohe po përpiqej të luftonte mjerimin dhe prapambetjen, që u thellua me ardhjen në pushtet të proletarëve pa fe, atdhe e ide. Tashmë varfëria ekstreme u ul këmbkryq ne familjet shqiptare në qytet e katund…

Por nga ana e tjetër, gjesti bujar, për t’iu gjendur në nevoj kësaj familje fisnike nuk mungoi, sepse të gjithë i donin dhe respektonin Sinajt…

Mjerimin si bashkëudhëtare, që pllakosi këtë familje, një mik me banim sot në New York, e rikujton kështu: “Sina, që dikur kishte qënë e para e këtij vëndi “Kulla e Sinëve”, i thoshin tani, ishte edhe pa bukë, pa drita, pa tasa e lug, pa tenexhere, pa jorgan e dyshek...”

Fshatarët e të afërmit e tyre, menjëherë filluan kush e kush të ofronte diçka nga bujaria mes varfërisë që si sëmundje ngjitëse i kishte prekur të gjithë. Ditët iknin me shpëjtësi dhe po afrohej koha, kur Rasimi do të martohej me Hanen, nga fjala e dhënë, sipas traditës dhe zakonit.

Ishte vërtetë një dasëm e thjeshtë shqiptare, pa zhurmë e krisma armësh, që ndodhnin shpesh në gëzimet shqiptare dje dhe sot…

“Dhe kështu u bë dasma. Në atë shtëpi, nuk u dëgjuan daullet e festës, por u bë një dasëm me ceremoni simbolike dhe gëzim të thjeshtë, pa mish,… dhe vetëm disa të afërm i ranë çiftelisë dhe kënduan pak atë natë…”, kujtonte shumë vite më parë nusja e re asokohe Hana 19-vjeçe dhe dhëndrri Rasimi 16-vjeç.

Në atë kasolle të thjeshtë, çiftit të ri, Zoti u dha tre fëmijë. Fëmija e parë ishte vajzë Zenepja, i dyti Dika dhe i treti gazetari i mirënjohur Beqir Sina, u nis në atë kasolle… dhe lindi në barakat e kampit të internimit famkeq të shfarosjes së ngadalshme në Savër të Lushnjës…

Me arratisjen e Rasimit, falë ndihmës bujare të një besniku të familjes Sina, nëna e tyre si i thërrisnin malësorët në kamp (oj) Sojnike ose sikurse e kishin zakon familjet e mëdha, për të respektuar njëra-tjetrën thirreshin vetëm në mbiemër.

Një ditë Kaloshia, i mblodhi të gjithë fëmijët saj rreth vetes, e i pyeti se kur do të arratiseshin?! Por aty ndodhej edhe nusja e re shtatëzanë shtatë muajsh me fëmijën Beqir në bark, që thoshte, se vetëm dëgjoja dhe sipas zakonit nuk mund t’a hapja gojën…

Sojnikja, u tha djemëve: “Djemtë e mi, Zoti ua bëftë dritë nga të shkoni, se nëna me tesha në krah e nisi dhe po e bitis po me tesha në krah, por shyqyr Zoti, kësaj rradhe kam edhe nusen e re dhe do t’a kalojmë me gjithë nanat e tjera, se jemi mësuar në kampet e internimit, mbasi na presin shoqet atje...”

Dhe kështu nusja e re Hana, me fëmijë në bark (sic e kishin zakon gratë e Dibrës), e lidhi shamin dhe me Kaloshën nga dera e madhe e Kaloshëve të Kandrit, (Musa, që vuante mjerimin në burg), morën rrugën drej kënetave të Myzeqesë.

Të gjithë ata që e kanë njohur në kohën e rregjimit komunist dhe më pas, kur e kanë takuar dhe folur shtruar me fisniken në shtëpinë e Beqir Sinës (sikurse autori i këtij shkrimi), në Brooklyn, New York, flasin me shumë respekt, për mbresat e mira, që u kanë lënë takimet më Sojniken dibrane, sikurse e thërrisnin të gjithë deri sa u nda nga kjo jetë…

Ajo ishte shumë e drejtë dhe ndershme, zemërbujare, trimëreshë, e zgjuar, me një humor të hollë dhe djegës (thumb), për komunistët (njësoj sikurse barcoletat shkodrane antikomuniste në kohën e rregjimit komunist).

Janë pikërisht këto cilësi, si: ndershmëria (i pakorruptueshëm), besnikëria deri në vdekje, burrëria dhe zgjuarësia, bujaria e mikpritja, përkushtimi për t’i cuar gjërat me vendosmëri deri në fund, mbajtja e fjalës,  positive, që i sheh dukshëm tek i biri gazetari Beqir Sina, të cilin, të gjithë e duan dhe e respektojnë në komunitetin tonë në Amerikë. Ai ishte i dashur edhe nga bashkëvuajtësit në Saver të Lushnjës…

Bujaria e shpirtit të saj, vinte nga geni i trashëguar i familjes, sepse ishte një Derë e madhe fisnike, përkrah dyerve të parisë së Shqipnisë asokohe, të cilët, për cudi të historisë të gjithë ishin surgjenosur në skëterrën vdekjeprurëse famkeqe të kampit në Savër të Lushnjës.

Me qindra dhe mijëra djem e vajza, burra dhe gra, vejusha e jetimë, që vinin nga familje intelektuale e patriotike, të shkolluar në Europën Perëndimore, kishin hyrë në dyer e ferrit të këtij kampi nazist (me emrin proletar) dhe dolën prej aty, të shkatërruar fizikisht, por të fortë mendërisht në vitin 1990, tek mbijetuan pragun e vdekjes, ku, shumë ndërruan jetë nga koleksioni i sëmundjeve dhe pakujdesi mjekësor, gjatë 5 dekadave të rregjimit komunist.

Kushdo, që ka qenë i interesuar dhe ka lexuar ose mësuar, për historinë kobndjellëse të Savrës, e di fare mire, se aty jetonin vitet e burgimit kolektiv paria e Shqipërisë, sikurse ishin familjet më të zëshme asokohe, si: Markagjonit, Mirakajt, Bajraktarit, Dinëve, Dugagjinit, Mulosmanëve, Hoxhës, Nezajve, Kolgjinit, Sinës etj.

Si shumë nuse të reja, që u vendosën rishtas me familje në kampin e internimit, u ndihmuan me bujari nga të gjithë banorët e hershëm aty të ardhur me kohë nga qytetet dhe zonat e ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës.

Një detaj interesant, ka mbetur i ngulitur thellë në kujtesën e familjes Sina dhe më shumë djalit (kolegut tim Beqir Sina), i cili, ndër të tjera tregon, për bujarinë e familjes Markagjoni, që i është gjendur qysh në ditët e para familjes së porsaardhur në kampin e internimit.

Kështu, vajzat zemërbujare tw Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjonit, i blenë tesha të reja dhe e bënë Hanen ti vinte sado pak buzëqeshja, në një mjedis të ri, rrethuar nga njerëz të mirë dhe jo sikurse shkruante media komuniste, përmes propagandës së saj shpifëse…

Gratë, nënat, motrat, vëllezërit, fëmijët, të afërmit e atyre burrave patriot, baballarëve të mirë dhe përkushtuar, që nën breshërinë e plumbave të mitrolozave në kufi, ishin arratisur nga ferri komunist, për një jetë të lirë në demokraci, vuanin edhe më shumë, për shkak të aktivitetit të tyre kundërkomunist, në vendet e Europës Perendimore dhe ShBA.

Kështu sa më shumë, që ata ngrinin zërin para Departamentit të Shtetit, kongresistëve dhe senatorëve miq dhe dashamirë të shqiptarëve, aq më shumë mprehej shpata e luftës së klasave në Shqipëri, ndaj pjesëtarëve të familjes të tyre tashmë në burgje apo kampet e përqëndrimit ose shfarosjes.

Kështu fjala vjen Rasimi, burri i Hanës, fliste si spikër, për shumë vite me radhë në radion “Zani i Atdheut”, në New York, i cili, një herë në javë emetonte programe në gjuhën shqipe, kundër qeverisë komuniste në Tiranë, aq më shumë rritej zemërimi i partisë-shtet të diktaturës, kundër familjes Sina, që vuante kalvarin e gjatë të përsekutimit të përjetshëm, me të cilën ishte dënuar ajo…

Hena Sina, ishte një prej tre nuseve të Sinëve, që sëbashku me vjehrrën e tyre fisnike Kafile (Kaloshi) Sina, pësuan shkatërrime, rrënime dhe vuajtje nga ma të pabesueshmet.

Ajo, e nis jetën si gruaja e Rasim Sinës, po me arratisjen e tij, humb sa hap e mbyll sytë gjithçka! Për ate e shumë të tjerave si ajo nis ferri i tmerrshëm e i pafund i kampeve të diktaturës...

Vitet kalojnë dhe demokracia me mundime shkelmon gjumin letargjik të shqiptarëve, që me ose padëshirë kujtohen se janë pjesë e kësaj bote, se duhet të jëtojnë të lirë dhe në demokraci…

Mbas rënies së komunizmit në Shqipëri Hane Sina, u vendos në ShBA sëbashku me familjen e të birit, gazetarit të palëkundur kundërkomunist Beqir Sina.

Gjatë rinisë së saj, ajo kishte marrë shumë sëmundje, të cilat, i rënduan së tepërmi shëndetin dhe vitet e fundit të jetës i kaloi nën shërbimin e drejtpërdrejtë të gruas fisnike të Beqirit…

Në çastet e fundit, Hena Sina ndodhej në shtëpi e rrethuar ngrohtësisht nga të gjithë njërëzit e saj të dashur, sikurse edhe kunta e saj Myrvetja.

Me lot ndër sy dhe me një pikëllim të thellë, Henës sokolesh, ia mbylli  sytë djali i saj Beqir Sina, që e deshti aq shumë dhe ndau gjithnjë vuajtjet me fisniken e pamposhtur dibrane.

Familja, thotë se dashuria dhe malli për nënën Hanën, do të jenë gjithmonë pjesë e pandashme e jetës sonë, sikurse të  gjitha nënat shqiptare, që na rritën dhe edukuan me sakrifica të mëdha…

Këtë fisnike tipike shqiptare, do t'a kujtojë komuniteti shqiptarë në ShBA, të gjithë ata miq e dashamirë, që patën rastin t'a njohin nga afër...

Pushoftë në paqe!



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT