| E enjte, 27.12.2012, 01:59 PM |
Udhëtim në Historinë e Amerikës (4)
Lindja e shtypit të lirë Amerikan
Nga Albana M. Lifschin
Historia
e luftës për shtypin e lirë amerikan është e lidhur me emrin e gazetarit Xhon Pitër
Zenger (John Peter Zenger) nga Nju Jorku.
Në
dhjetëvjeçarin 30-40 të shek. të 18, Nju Jorkun e qeveriste guvernatori Uilliam
Kozbi (William Cosby), një njeri i korruptuar dhe hakmarrës. Xhon Zenger, djale
i ri në moshë atë kohë, filloi të botonte gazetën e tij të përjavshme ku
shkruante për padrejtësitë që bëheshin nga ana e administratës mbi kurriz të
popullsisë së qytetit.
Guvernatori,
siç mund të merret me mend, u egërsua shumë nga guximi i gazetarit.. Ai
urdhëroi arrestimin e tij. Kjo ndodhi në 1734. Guvernatory Kosbi e akuzonte
gazetarin për mungesë besnikërie ndaj qeverisë dhe se kishte botuar akuza
fallco kundër vetë guvernatorit.
Xhon
Pitër Zenger u burgos. Në ditët e para në burg atë e izoluan e s'e lanë të
fliste me askënd. Gazeta e tij "New York Weekly Journal" nuk doli. Më
pas iu lejua të komunikonte vetëm me të shoqen nëpërmjet një
"dritareje" fare të vockël në derën e burgut. Në këto takime ai filloi ta mësonte të shoqen se si të shtypte
gazetën e ç'të shkruante në të. Gazeta doli sërish dhe në artikullin kryesor u
bëhej e ditur njerzve se botuesi i gazetës qe arrestuar si edhe akuzat që i
bëheshin. Miqtë e tij kur e morën vesh këtë lajm u shqetësuan dhe zunë të
mendonin si ta ndihmonin, por të gjitha rrugët ishin të mbyllura. Të gjithë
avokatëve që morën përsipër çështjen e tij iu hoq e drejta e ushtrimit të
profesionit në shtetin e Nju Jorkut.
Muajt
kalonin njëri pas tjetrit pas derës së burgut. Për t'u marrë me çështjen Zenger
u ngarkua një avokat që ishte mik me guvernatorin. Kjo do të thoshte që Pitër
Zengeri ishte i humbur. Nuk dukej më asnjë shpresë për shpëtimin e tij.
Megjithatë për çudinë e të gjithëve, gazeta e tij "New York Weekly
Journal" vazhdonte të dilte nga botimi çdo javë, duke vazhduar të fliste
kundër guvernatorit e bëmave të tij çnjerëzore.
Ditën e
gjyqit përpara ndërtesës së gjykatës ishte mbledhur një masë e madhe njerëzish
e cila sa vinte e rritej. Njerëzit e kuptonin se nëse gjyqi do ta shpallte
fajtor gazetarin, askush s'do guxonte më të hapte gojën kundër padrejtësive të
qeverisë.
Gjyqtari
dhe trupi gjykues zunë vëndet. Pitër Zenger u soll në sallë për t'u gjykuar.
Njerëzit brënda rrinin me zemër të ngrirë. Dhe atë moment të pashpresë, për
habinë e të gjithëve në sallë hyri një burrë flokëbardhë i cili u ndal në ballë
të sallës. Ishte Endrju Hamilton (Andrew Hamilton) avokati më i shquar i
Amerikës, në atë kohë, që kishte ardhur nga Filadelfia për të mbrojtur
gazetarin. Ai ishte mik i Benxhamin Frenklinit dhe Uilliam Penit. Hamiltoni
vërtetoi se të gjitha ato që kishte shkruar Pitër Zengeri për guvernatorin,
ishin të vërteta. Ai deklaroi se të botosh të vërtetën nuk është
"krim" dhe iu drejtua jurisë me këto fjalë: "Çështja para
gjykatës dhe juve zotërinj të jurisë nuk është një çështje e vogël dhe private,
nuk është as çështja e një botuesi të varfër dhe as vetëm e Nju Jorkut. Jo.
Pasojat e gjykimit të saj do të ndikojnë tek çdo njeri i lirë që jeton nën
qeverisjen britanike, në Amerikë. Është një çështje shumë e rëndësishme, është
çështja e Lirisë."
Ai
theksoi se vendimi do të vuloste një herë e përgjithmonë lirinë e fjalës ose
shtypjen e saj.
Gazetari
Pitër Zenger doli i pafajshëm dhe u lirua nga burgu. Guvernatori Kosbi fare pak
kohë pas gjyqit vdiq nga një atak në zemër.
Petër
Zenger vazhdoi të botonte gazetën e tij duke mbrojtur të vërtetën deri në fund
të jetës se tij.
Sot, nëse ju bie rasti të dëgjoni shprehjen "Ai është avokat Filadelfie" do të thotë që është avokat i zoti, shprehje që ka mbetur në kujtim të avokatit të madh, Endrju Hamiltonit.
-NGA
LIBRI I AUTORES ALBANA LIFSCHIN "UDHETIM NE HISTORINE E AMERIKES-