E premte, 19.04.2024, 11:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Grillo: Çasti më i bukur “Partizani Beogradit’- “Flamurtari” 2-1

E diele, 27.04.2008, 12:47 AM


Intervistë/  Vladimir  Grillo: Adil Çarçani na lejoi të shkonim në Greqi dhe pse sportistëve ju gjetën rreth 2 mijë dollarë 

Nga Albert Zholi

 Është një nga komentatorët më të vjetër televizivë. Një jetë në ekran. Ai ka mbërthyer në pasqyrën e xhamtë miliona e miliona shikues.Me 38 vjet eksperiencë në ekranin e TVSH-së dhe Telesport-it ai është kthyer në një ikonë të gazetarisë televizive sportive. Me një zë karakteristik, profesionalizëm, njohje të thellë të sportit dhe  problemeve shqiptare, ai ka punuar në dy kohët duke qendruar gjithnjë larg politikës dhe afër profesionit të tij. Ka realizuar mijëra orë komente ndeshjesh kombëtare dhe ndërkombëtare, për të gjitha sportet, duke arritur kulmin në transmetimin e ndeshjes nga Beogradi. Sot, ai punon me shumë sukses në organizmin e emisionit “Rubrika Sportive” në TVSH, me disa kolegë të tjerë, një emision i famshëm që është ndjekur që në kohën e monizmit dhe vazhdon të shihet me interes dhe sot. Ana tjetër e portretit të tij, është ajo e një  miku të dashur, të shoqërueshëm dhe e një bashkëshorti të qetë, i dashuruar me familjen, i gatshëm të përgatisë mëngjesin për gruan dhe vajzën e tij dhe i ndjeshëm edhe ndaj maces së shtëpisë. Një burrë i qetë, që flet më zë të ulët, pa fyer njeri dhe i respektuar nga të gjithë. Tashmë të gjithë e njohin profilin e tij. Me një buzëqeshje të lehtë të mbirë në mollëza dhe buzë, ku të ngriturit e zërit prej tij do të përbëjë një ngjarje të pazakontë për të afërmit dhe miqtë, me përjashtim të transmetimeve sportive. I komunikueshëm, i durueshëm, ai e mori këtë rrugë jashtë dëshirës, pasi dëshira e tij e parë në ekran ka qenë një emision për kulturën, miku ynë i përbashkët. Nga të gjitha mbresat ai veçon transmetimin e ndeshjes Flamurtari-Partizani i Beogradit në Beograd, ku goli i artë i Sokol Kushtës e çoi Flamurtarin në turin tjetër të Kupës së Kampioneve të Europës. Është me origjinë nga bregdeti (nga Vunoi i Himarës), njeri i dashuruar me librin, por që tani, për shkak të detyrimeve të punës,  këtë pasion e ka lënë disi pas dore.
Pasionant dhe serioz në profesionin e tij, Valdimir Grillo bën pjesë në plejadën e atyre intelektualëve të heshtur që punojnë çdo ditë me pasion për të dhënë maksimumin në punën e tyre. 
 
-Ladi dhe jeta shkollore. Një rrugëtim ndoshta mes emocionesh të veçanta?
 
-Jeta shkollore është sigurisht më e veçanta. Unë kam  mbaruar  Institutin  Histori-Filologji,  dega  gjuhë-letërsi  në  vitin  1969.  Menjëherë  në  3 janar  të  vitit 1970 kam  filluar  punë  në RTSH.

-Çfarë  do  të  veçonit  nga  jeta  juaj  shkollore  që nga  nga  fillorja  dhe   deri  në  Universitet?

-Në përgjithësi kam qenë një nxënës sistematik, i dëgjueshëm, me nënën mësuese që  më vëzhgonte  në mënyrë të  rregullt. Në  shkollën  tetëvjecare  kam  një ngjarje që e kujtoj me një ndjenjë ankthi: përpara   shkollës,  na  hoqën  shaminë  e pionierit dhe na thyen notën në sjellje. Ashtu ishte atëherë. N.q.s bëje ndonjë gabim në shkollë, merrnin masa disiplinore përpara kolektivit të shkollës. Ngjarja ishte e thjeshtë.  Na  thanë se do  të  shkonim  në  eskursion  në Dajt dhe do të flinim në kampin e pionierëve.  Kemi  qenë  në klasë  të  shtatë. Në çastin e fundit ndyshoi drejtimi  dhe  eskursionin  e  bëmë  në  Petrelë, me kthim brenda ditës në shtëpi. Një  grup shokësh   menduam  të  flinim në Petrelë, në kala. Kështu u ndamë  nga të tjerët. Mësuesi kujdestar, shumë i merakosur, përdori të gjitha mënyrat për të mos na lënë në kala
natën. Ne e kishim vendosur. Megjithatë profesori arriti të na nxjerrë.  Për kokëfortësinë time për të mos dalë nga kalaja, mësuesi më futi një shpullë gati si grusht, (e para dhe e fundit në jetën time) dhe të nesërmen na hoqën shallin e pionierit  para  të gjithë  shokëve dhe nota e sjelljes na u bë katër.

-Si u ndjeve  në  shtëpi  atë  darkë?

-Mbaj mend që më erdhi  shumë keq për nënën, sepse  duke  qenë mësuese në  atë  shkollë  e  kishte  shumë  të  vështirë. Unë përpara saj e pranova  fajin, por babai nuk e mori vesh asnjëherë.

-Kur  ke  filluar në Televizionin Shqiptar  si  gazetar?

-Më 3 Janar 1970. Ishte një ditë e veçantë për mua.  Më  thirri në zyrë  ish -drejtori i RTSH-së, në atë kohë Thanas  Nano  në  zyrë. Ai kishte një prezencë të padiskutueshme në televizion. Ishte autoritar dhe kërkues. Nuk isha vetëm unë atë ditë që mora emërimin. Ka qenë dhe Ylli  Pepo, Vullnet Musaraj, Agron Aranitasi e  të  tjerë. Na ndanë nëpër sektorë.   Fillimisht, për disa muaj punova në  sektorin  e kulturës,  ku  televizioni   transmetonte  3 ditë  në  javë

-Cili ka qenë  emisioni i parë  parë  që ke  realizuar?

-Po. Ishte emisioni parë dhe më i vështiri për momentin në të cilin fillova punë.  Ka qenë  një  diskutim për krijimtarinë e shkrimtarit  Fatos  Arapi. Nuk  jam shumë  i sigurtë  për  titullin,  por  regjisor  ka  qenë  Mevlan  Shanaj. Jam  kritikuar bashkë me Mevlanin, për  faktin  se në studio, në këtë emision  morëm  studentë,  ku shumë  vajza  erdhën me  funde të  shkurtëra  mbi  gju. Të nesërmen u gjeta në siklet. Nuk mund të pranoheshin të tilla veshje atëherë. Quheshin shfaqje të huaja.  Sot këto dukuri…(qesh).

-Si  u  ndjeve  në  çastin që  dole  në  ekran  për  herë të  parë?

- Në ekran, për të drejtuar një emision të veçantë të përgatitur nga unë kam dalë në rubrikën për sportin. Ky kalim nga kultura tek sporti, nuk  u  prit  mirë  nga  shtëpia. Përpara  se të filloja punë  unë   kisha  qenë në kontakt me shtypin, ku shkruaja për kulturën, për  kinematografinë, e sigurisht,  dalja  në  ekran jashtë këtyre nuk u mirëprit. Por kjo ishte dhe dëshira ime edhe e detyruar. Dola me  emocion,  një  gjë e panjohur. Një eksperiencë e re. E pata të vështirë, bëra  gabime, por  me  këshillat  e  miqve dhe të  shokëve  arrita  të  kem  suksese.

-Kur  keni  kaluar  në  drejtimin e Rubrikës Sportive  në  TVSH?

-Në Rubrikën Sportive kam kaluar në vitin 1971.Ndërkohë, bashkë me operatorin Astrit Omeri përgatisnim  bënim edhe emisionin Sport-Kalitje-Shëndet, që  trajtonte  problemet  e sportit  dhe transmetohej ditën e mërkurë. Rubrika Sportive  erdhi  duke  u  rritur   nga  ana  cilësore dhe  arriti  kulmin   kur  në  vendin  tonë  morën një  zhvillim të madh sportet e lojrave me dorë për meshkuj dhe femra. U propozua  që Rubrika  Sportive  të transmetohej  direkt në studion nr.1  dhe  me  përmasa më  të  mëdha  dhe  të  merrte  karakterin  e një  shfaqjeje  shoë dhe me auditor. Duke  pasur  lidhje  shumë të  rregullta  me  grupin e  Estradës së  Vlorës  që na  ndihmoi shumë, suksesi u arrit.  Ky ka  qenë  një kulm i  Rubrikës që filloi të shoqërohej dhe me humor. Kjo vazhdoi për  disa  kohë, por  një  ditë  m’u komunikua  që nuk  do ta drejtoja  më  Rubrikën  Sportive.  Ditën dhe vitin nuk e mbaj mend. Nuk më thanë arsyen e vërtetë. Por diçka të tillë sikur isha disi i ftohtë në  komunikim. Ndjeva  një  zhgënjim,  sepse gjithë  ajo  punë  e bërë  në  bashkëpunim me regjisorët  Albert  Minga dhe Osman Mula për vite me radhë, u hodh poshtë pa të keq. Vallë pas kaq e kaq vitesh u pa se isha i ftohtë në komunikim ?!
 
Ndonjë çast në jetën tuaj që ju jeni ndjerë mirë që drejtonit Rubrikën Sportive?
 
-Do të veçoj njërin. Isha me regjisorin Albert Minga dhe vajtëm një  herë  në klinikën e  udhëheqjes  për  të  parë  një  mikun  tonë. Ishte dashamirës i sportit dhe sekretar i parë në Korçë për sportin Enver Halili. Ishte njeri që  e përkrahte  shumë sportin  dhe  kulturën. U befasuam se aty gjetëm  edhe drejtorin  tonë,  edhe drejtuesin e zyrës së  shtypit të Komitetit Qendror, Miti Tona. Enver Halili u shpreh se Rubrika  Sportive  po  ndiqej  shumë  dhe po  konkurronte   “Dinastinë”. Dinastia ishte një film serial që atëherë  ndiqej shumë. Këtë e përçoi edhe Miti Tona. Pra, nga njëra anë një Rubrikë tejet e ndjekur, nga ana tjetër një zhgënjim i madh  kur  m’u  komunikua pushimi. Ndenja disa vjet pa  dalë fare në  ekran, rreth  4 vjet. Më vonë, drejtori i  Përgjithshëm, Marash Hajati,  më tha se do të  vazhdosh  përsëri drejtimin e këtij emisioni.

-Si ka ecur nëpër vite rruga juaj në ekranin e TVSH-së?

- Jo vetëm suksese. Jo vetëm lavdërime. Më janë bërë  edhe  vërejtje  që i  kam  kaluar  me shumë  qetësi, pasi një  pjesë  e këtyre vërejtjeve ishin  që të përmirësoja punën time. Unë  kisha  një  kënaqësi  të  madhe  që në  ekran të  dilte  sa më  shumë sport. Duke ditur dëshirën e  shqiptarëve për  sportin dëshiroja që sa më shumë shumë  aktivitete  ndërkombëtare  të  futeshin në  ekran. Kjo përpjekje e mirë u shoqërua  edhe me urime. Më pëlqente t’ju jepja shumë   dashamirësve të  sportit, ishte  diçka  që  ata  e kërkonin. Ishin të etur. Se atëherë nuk ishte e lehtë. Që të  transmetohej një ndeshje  ndërkombëtare  duhej të merrje  pëlqimin nga Zyra  e Shtypit në  Komitetin  Qëndror. Kurse  për  evenimente  mund të  veçojë vajtjen time të parë  jashtë në  një kampionat ballkanik në Turqi, ku xhirova  vetë  me  kamera. Nuk harroj Kampionatin e Peshëngritjes  në  Athinë, ku  në  atë vit (1989) ishte edhe europiani edhe botërori. Delegacioni  shqiptar  u  nis  shumë i  përgatitur  për në  botëror  dhe kemi  ndenjur  afro 24 orë  në  Kakavijë  sepse  u dha sinjali  që sportistët kishin  dollarë me vete për ndonjë  blerje  të  vogël. Një  peshëngritës  hodhi pa dashje  në lulishte një  kaçavidë, ky veprim  u  pa  nga   roja  dhe  u  bë një rishikim i autobuzit  dhe u gjetën rreth 2 mijë dollarë. Nuk lejohej që valuta të nxirrej jashtë. Për të gjithë  delegacionin. Ishte gati të ktheheshim, vetëm  një  ndërhyrje e  fundit  e Adil  Çarçanit (atëherë Kryeministër) bëri që rruga të hapej.  Lekët  u morën dhe nuk ua kthyen më sportistëve. Por  Kampionati  Botëror  na buzëqeshi megjithëse nuk ishim mirë nga ana shpirtërore. Ekipi ynë mori tre medalje. Kthimi pastaj ka qenë  skandaloz, pjesë-pjesë. Të fundit ishim pesë vetë që u kthyem  me  autobus  nga  Athina  në Janinë. Ishim Pirro Dhima, Koço  Mikerezi, Niko Buneci dhe një peshëngritës nga Shkodra. Nga  Janina  në Kakavijë  erdhëm me  taksi.  Pastaj autobuzi  I “Luftëtarit”,  na  çoi nga  Kakavija  në Gjirokastër. Kryetari i Komitetit të Gjirokastrës na  dha  një  “Zuk”  të  Ndërmarjes së Ndërtimit  me të cilin erdhëm në  Tiranë. Kjo  ka qenë  në vitin  1989.

- Cila  ka  qenë  dita  më e vështirë  në transmetim?

-Minutat me gjendje emocionale më të fuqishme, i kam përjetuar në transmetimin  në  Beograd. Sa e bukur, po aq dhe me përgjegjësi. Në një ndeshje ndërkombëtare  në  vitin 1987, kur ka  luajtur  Flamurtari  në futboll me  ekipin e “Partizanit”, të Beogradit. U vendos  që Televizioni  Shqiptar   të  transmentonte ndeshjen. Masat u  morën në mënyrë perfekte dhe  delegacioni  shqiptar  u  prit  mjaft  mirë. Kur filloi transmetimi njoftohemi  se zëri  nuk  shkonte  në  studio. Po  të  shikojmë në arkiv, 15 minutat  e para janë transmetuar  nga studioja në Tiranë. Pastaj çdo gjë u zgjidh si me magji. Nuk  e kuptova se  si  u  rregullua kjo, por  di  që një  ushtarak i klubit  “Partizani” doli  nga tribuna, bërtiti dhe mbas 2-3 minutash  transmetimi  u  bë  normal. Para ndeshjes pata një incident të vogël me sulmuesin Sokol Kushta. Ai doli me mua dhe një shokun tim në Beograd për të blerë diçka. Ne e kishim mendjen tek ndeshja Kushta, tek të blerët. I fola për këtë. Atij i ngeli hatri. Kur  mbaroi  ndeshja, unë  isha  duke  shkuar në  Konferencën  e Shtypit  dhe Sokoli duke  dalë nga  dushi  më tha: Golin e kam  bërë për  ty! Në  çastin  e golit të them të vërtetën kam  lotuar:  kjo u dallua edhe në   dridhjen  e  zërit që pësoi zëri im. Ishte një ndeshje e madhe e një vendi të vogël. Ishte një çast magjik i papërsëritshëm. Nuk e di se si i përjetova ato çaste. Më dukej sikur isha në ajër. Sikur fluturoja. Për një çast shtanga. Nuk fola. U meka. Pështyma m’u tha në gojë. Rrahjet e zemrës m’u shpeshtuan. Pastaj shpërtheva...Goooool... ! Lotët më zbrisnin nëpër fytyrë dhe më njomën buzët. Ndeshja përfundoi 2-1, për jugosllavët, por ne u kualifikuam pasi kishim fituar në Shqipëri 2-0. Partizani Beogradit ishte një ekip i madh në atë kohë. Ky ishte  gol kualifikues. Pak më vonë ndjeva një  emocion  të  dytë kur më ka thënë një gazetar nga  Kosova që  transmetonte  për  Prishtinën në  Radio më tha se  komentatori  jugosllav  ishte shprehur që, Kushta e dërgoi topin atje  ku  bën  merimanga  folenë (në mënyrë figurative) ?!. Unë e takova atë dhe e falënderova. Ai e mirëpriti me dashamirësi komplimentin. Sporti i bashkon njerëzit. Dhe kuptohet  ajo   darkë  ka qenë  e paharrueshme. Ishim në delir.

- Si  e kujton çastin e  kthimit në  Shqipëri?

-Çasti i  kthimit ka  qenë  ndryshe. Në  fermën e Shtoit dhe në Shkodër ishin shtruar dy dreka të mëdha, por  në  doganën  e Hotit   u  bë  një  reprazalje. Një  vit përpara  me  barazimin  0-0, në Barcelonë, Flamurtari u  eliminua, pasi Barcelona  bëri  gol në  portën vlonjate. Në aeroport  nuk  u bë asnjë  kontrroll. Krejt ndryshe me Hanin e Hotit. Flamurtari u kualifikua. Në doganë u bë një kontroll i imtësishëm, me orë të tëra dhe kjo kjo krijoi gjendje jo të mirë tek lojtarët, deri në tension.  Pra u zbeh magjia e fitores.

-Kur ka qenë eksperienca më e bukur si komentator?

Në  lojërat  Olimpike  në  vitin  2000 në Australi. Ka  qenë  një  tjetër  eksperiencë e një lloji tjetër po me TVSH-në. Aplikova nga  komitetin olimpik ndërkombëtar  dhe m’u  akordua  një  bursë  që u  jepej  gazetarëve  të  vendeve të  vogla,  si  gazetar pasi kamera nuk lejohej. Si  unë  (mbaj  mend)  pati  edhe  gazetarë nga vende të  tjerë  që  u  lejohej  vetëm  të  shkruanin  ose  të  jepnin informacion nëpërmjet  radios  ose  internetit, por  pa  xhirime. Ishte  një  ëndërr   për  çdo  gazetar  që të merrte  pjesë  në Lojërat Olimpike  që organizohen një herë në katër vjet, sepse të jepej  mundësia të takojë më të mirët, të hyjë në mjedisët sportive, në konferencat e  shtypit. Këtë  punë  unë  pastaj  e relatova  dhe  e transmetova  nëpër  gazeta, radio, natyrisht edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

-38 vjet  në  ekran,  kur  e  shikon këtë rrugëtim  çfarë  ndjen  brenda  vetvetes?

-Unë  mendoj  se deri diku kam arritur një nga synimet e mia. Pra atë të informimit sa më të madh (në të gjitha sportet), të publikut që ka qenë dhe është i etur për sportin. Sporti i bashkon njerëzit. U heq stresin. Ju largon vëmendjen nga shqetësimet e ditës. Sporti është shumë dimensional. Ka një magji të vërtetë. Magjia e tij i kalon disa herë parashikimet. Me kalimin e viteve ne e rritëm gamën e informacionit dhe sikur gjetëm një transe të vërtetë lidhjeje të përhershme me publikun. Ata mendonin për ne, ne mendonim si të plotësonim shijet e tyre. Rubrika  sportive  arriti  një  kulm.  Mendoj  se kam  bërë  diçka   në  këtë histori  të  madhe  që ka  Televizioni Shqiptar, përsa i përket sportit. Mendimet  pozitive  u  shtuan. Ndjeja  shumë kënaqësi. Por të jemi dhe të sinqertë. Asnjëherë drejtuesi i një emsioni kaq të rëndësishëm nuk mund të thotë që ka bërë
gjithçka. Nuk mund të thotë që ka bërë maksimalen, më të mirën. Jo !. Asnjëherë. Por e qetësoj ndërgjegjen pasi jam përpjekur me të gjitha mundësitë të jap më të bukurën. Më të pranueshmen, shpesh edhe mes debatit e tensionit.

-A është  marrë  ndonjëherë me  politikë  Ladi?

-Jo, asnjëherë!

-Pse?

-Nuk e pëlqeja. Edhe të afërmit e mi nuk më nxisnin. Rrethi im familjar  është marrë  shumë  me letërsi, gazetari dhe me  histori. Babai  nuk  ka  pasur  ndonjë  eksperiencë  shumë  të  mirë përsa  i  përket  jetës  politike ndaj nuk dëshironte. nuk  më  nxiste. Edhe  kur  vëllai shprehej ndonjëherë  për të hyrë në parti, ai nuk ishte dakort. Nuk i pëlqente politika. Dhe unë u bëra indiferent ndaj saj.

-Çfarë  i mungon  politikës së sotme shqiptare?

- I mungon  sinqeriteti.

-Sa  është i  lidhur  me  shtypin e  përditëshëm dhe me librin  Ladi?

-Me librin kam qenë shumë i lidhur, njëkohësisht dhe me jetën artistike e kulturore. Më  përpara nuk i jam ndarë dhe tavolinës për të shkruar. Përgjithësisht  kam shkruar  artikuj  kritikë. Më vonë  mobilizimi  në  sektorin  e sportit në TV më largoi nga libri, por nuk do të thotë që nuk lexoj. Shtypin e ndjek rregullisht.

-Si  është  një  ditë  e zakonshme e Ladit?

-Në  mëngjes  zgjohem shumë  shpejt, bëj  gati  çdo  gjë, merrem  me  pregatitjen e mëngjesit të  pjesëtarëve të tjerë të familjes, merrem  me  macen. Eshte pjestare e familjes dhe ka pozicionin e vet në shtëpi. Ndjek  rregullisht  shtypin e  ditës në ekran. Vajtjen në punë  e  bëj  gjithmonë  me  këmbë përveç  ditëve  me  shi  që marr  autobusin. Me miqtë takohem çdo ditë, veçanërisht të dielën tek lokali “basket” i Muhamet Përmetit.

-Sa  kafe  pi  në  ditë  Ladi?

-Rrallë, një  makiato sepse nuk e  preferoj.

-Ushqimi i  preferuar?

-Ushqimi i preferuar është guzhina  vegjetariane dhe  prodhimet  e detit.

-Po  nga pijet  kë  pëlqeni?

-Verën e kuqe.

-E pëlqen  detin  Ladi?

-E pëlqej shumë, duke  qenë se  jam  nga  bregdeti nuk mund të jetë ndryshe. Tjetër është se ne në anët tona kemi  një  gji  nga  më të bukurit në botë. Eshtë Jali i mrekullueshëm. Kam shkuar që i  vogël  aty. Aty  kam  kapur  peshkun e  parë.  Pikërisht në  një pjesë  të gjirit të  Jalit,  aty  ku  nisesh  për të shkuar për në Himarë. Provova peshkimin sepse e dashuroja së largu. Aty  kapa  një kocë të  vogël. Atëherë mësova se koca është peshk që vjen menjëherë  në grep.

-Ç’është  familja  për  Ladin?

-Familja është e shenjtë. Përpiqem ta ndihmoj shumë sidomos Violën, bashkëshorten. Jam  i  lumtur  që  goca, Dena  ka  ecur në rrugën tonë të shkollës, pra të arsimit. Ajo ka prirje për letërsi, pra ka  vazhduar  rrugën e  gjyshit të  vet dhe të  xhaxhait. Ka botuar edhe disa libra. Punon  në  Komitetin  Olimpik në Sektorin e Jashtëm është zëdhënëse  e shtypit, por është e prirur  edhe  nga mësimdhënia. Ajo jep  mësim  në  Universitetin  Marlin Barleti. Nuk më shkonte mendja që do të  punonte në Komitetin Olimpik, afër sportit. Madje edhe të fejuarin Kolin e ka sportist. Familja e ngrohtë të lumturon.

-Idhulli  juaj  në  ekran?

-Kjo pyetje më bën të kem  sërishmi një kthim mbrapa në kohë. Dhe kjo ka lidhje sërishmi me bregdetin. Kur  fillova  punën, unë  gjeta  në TVSH, një figurë të  njohur të ekranit nga Dhërmiu. Ky ishte një nga ikonat e lajmeve Kiço Fotjadhi dhe e kisha si mbështetje. Gjithashtu një tjetër figurë interesante mbetet Dhimitër Gjoka që  është  edhe ky  himarjot. Më  ka  pëlqyer  shumë për kulturën dhe  zërin  e tij të plotë e shumë interesant Virgjil Kule. Por edhe Tefta Radi si dhe Leda që drejton tani Rubrikën Sportive.

-Cilët  kanë  qenë bashkëpunëtorët  më të afërt  tuajt  në   gjithë  këtë  karrierë?

-Ka qenë  operatori Astrit  Omeri, me të  cilin  kam  punuar  shumë  e  shumë  vite, me kamerën e tij. Astriti ka qenë alpinist  dhe i dashuruar me lëvizjen. Ai ka pasur një motor,  me të  kemi  bredhur  të  gjithë Shqipërinë  nga jugu në veri. Njëkohësisht dua të përmend Gëzim Qinamin, Shakohoxhën, Ahmet Shqarrin, Besnik Dizdarin, Frederik Ficon, Dëfrim Methasanin, Lirim Zallën, Artur Himçin, operatorët, Naum Lasku, Bujar Kore etj. Me  Besnikun  kemi dhe një moment tjetër të rëndësishëm. Duke shfrytëzuar  rrugën  që kishim  për në  Zvicër për një kongres kemi qendruar  8 orë  në  Beograd. E shfrytëzuam këtë moment dhe vajtëm në  Klubin  Partizani në  Beograd. Kishim ato lidhjet e vjetëra sporive mbi 30-vjeçare. Na  bënë një pritje shumë të mirë. Për t’u marrë shembull organizimi  i atij  klubi  që nuk  ekziston  fare tek ne. Bashkëpunim shumë i frytshëm ka qenë dhe puna me Ahmet Shqarrin, shok i Univeristetit, i njohur me emisionin e tij “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Në përgjithësi mbaj lidhje të mira me gazetarët Besnik Dizdari, Bashkim Tufa, Petraq Shtrepi, Fatmir Mneri.

-Ju për një farë kohe u zhvendosët tek Tele-Sport.

- Po ashtu është. Një zhvillim shumë interesant në ekranet televizive shqiptare. Eshtë meritë e Muhamet Malos, ish- sportist, mundës kampion. Prej vitesh e kishte ëndërr një kanal televiziv sportiv dhe e ngriti. Për mua ishte një eksperiencë shumë pozitive, aq më tepër që lidhet me pasionin tim për transmetimin e veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare, nga të gjitha sportet që janë në qendër të punës në Telesport. Sigurisht, pa harruar informacionin e bollshëm sportiv. Plus që është një stacion televiziv larg politikës.
 
-Keni  ndonjë  peng në  gazetarinë  e ekranit?

-Jo, peng nuk kam. Veç asaj që më pushuan në fillim kur  ndejta  pa  dalë  në ekran për  katër  vjet. Por  ajo është diçka normale në jetën e një  gazetari, pasi jo çdo gjë shkon si në vaj. I gëzohem faktit që kam miq të shumtë në të gjithë Shqipërinë, me të cilët ndaj çaste gazmore sa herë që i takoj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora