E enjte, 25.04.2024, 07:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Neki Lulaj

E enjte, 27.12.2012, 11:57 AM


Neki Lulaj
 
GJITHË HERË
 
Ata
Le ta vazhdojnë rrugëtimin
Me pelegrinët  diellit
Ditëve me shkëlqim
E netëve me hënë
Kohës le t’ia vjedhin
Pagjumësinë
 
Jetërat në rrugëtim
I ngarkuan me peshën
E përmallimit
Kohërat i morën me vehte
Në lëndinat e lëvruara
Mbi gjoksin e hënës
Nën gurët e gurrës
Shuan etjen e pavdekësisë
 
Lendina ngërrhatë
Në gjumin e parë
Era puth çetinat
Në krevatin e natës
E në shtratin e lumit
Zanat e përkundin valën
 
Hungurimat e kuajve
Të ngelur jashtë vathës
Ia prishin qetësinë natës
Duke ia vënë
Stërkëmbsat kohës
Me shuplakat e Europës
Pas qafe e mbi kokë
 
KULLË GURI
 
Mbi trapazanin e odës
Kullë guri
Vjerrë kujtesa e plakut
Gozhdë e ngulur në dru
Postaqi dashi
Në bakfon duhan kaçak
Gur stralli
Eshkë e unurë bashkë
 
Oxhaku prushnajë plaku
Unë bungu e fshehur nën hi
Kujtesa shtrydhë harresën
Mbi raft pushon xhevzja
Kafeja e sheqeri karrshi
Derë e hapur e odës
Pret mysafirë të ri
 
Ora ka pushuar tiktakun
Akrepat kanë rënë në qetësi
Plaku s’e kurdis më orën
Kur vijnë mysafirët e ri
Të etshëm për ta deshifruar
Hartën e atdheut
Dhe misteret e jetës
 
KURRË
 
Mos ma gërvish qiellin
Se te Ura e Dritës
Në udhën e muzgjeve
Kemi pikëpjekjen
Të veshur me Ylberin
Në kasnecet e mallit
Pelegrinët e kohës
Marshojnë
Me shpendët mbi krye
 
Kalorësit e hijeve të bardha
Prijësit e planeve të arta
Me shallin plotë nyje
Rreth qafe
Kurrë buzëqeshjen
Acari i kristaltë
Nuk mundi ta thejë
 
E JU
 
Ju jeni
Strofulla e qiellit
Që shkëlqeni mbi tokë
 
Ju jeni
Hijet e mrizave të zanave
Me qiell e diell përbri
Ju jeni
Plazma e diellit në Univers
Zogjtë më të bukur të botës
 
Ju jeni
Këmbanat e ringjalljes
Kavallet e bariut
Fyejt e kohës
Dhe foshnjet e Perëndisë
 
ALIENET
 
Alienet mes nesh
Hënë e lodhur
Si nuse e pa gjumë
E yjet përmbi ëndërr
Si dhëndërr i molisur
Zanoret prehen në qetësi
 
Serenadë nate rritë frymëzimin
Buzë Lumbardhit nën urë
Vala mbi thupra për shelgje
Këndon këngën e bashkimit
E Oso Kuka në oborrin e Lidhjes
Ndezë cigaren me eshkë e unurë
 
Mbi të çarat e shpirtit
Shtratit të ballit lum tharë
Lavrat e hidhura të moteve
Era freskon luginat
Ngohtësia përshkon shpirtin thesar
 
Perlat e fshehura në testament
Dikund thellë
Në arën pa vadë
Çamëri motra ime e dashur
Nëna ime e shtrenjtë
Nuk ke mbetur pa djem


(Vota: 35 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora