Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Lajqi: Diktatura më e egër në botë

| E merkure, 26.12.2012, 09:43 PM |


DIKTATURA MË E EGËR NË BOTË

(Kujtime nga Shqipëria e vitit 1989)

Nga Besnik Lajqi

Pas disa ditëve shëtitjesh nëpër vende historike na dërguan në  Kampin e Pionierëve në Dajti. Aty u bë një skandal i madh. Në  katin përdhes ishte  një  bust  i  Enver  Hoxhës. Njëri nga ne që kishim ardhë së bashku në Shqipëri  nga Perëndimi, kishte  bërë një kryq të thyer të  nazistëve gjermanë në ballin e kokës së Enver Hoxhës. E kishte bërë nga urrejtja, kur kishte parë atë popull në gjendje aq të mjerueshme. Ky e kishte dashur shumë Enverin, por e kishte parë realitetin brenda këtyre ditëve. Banorët e atij kati nuk e kishin dalluar fare atë shenjë, me kryqin e thyer nazist. Njër nga ne i afrohet afër dhe e bëri alarm. Tha se disa herë në ditë iu kam afruar te busti i shokut Enver, por kjo shenjë nuk ka qenë mbrëmë, dhe është bërë sot. Filloi të qante si fëmijë pasi e donte shumë Enverin dhe ideologjinë e tij. Personeli që ishte aty mundohej që t’a qetësonte, kurse ndërkohë përgjegjësit e atij objekti u munduan mos ta bëjnë të madhe këtë punë, duke rekomanduar që të rrregullohet busti siç ishte më parë. Por bashkëvendasi ynë nguli këmbë që të lajmërohet policia dhe të zbulohet fajtori. Ata na thanë se nuk punon telefoni ka disa defekte.

Në fytyrat e tyre dhe nga ghestet e tyre shihej se ata që kishin shpirt të florinjtë, kërkonin mëshirë, që të mos e bënim më të madhe këtë punë, pasi do dënohej dikush nga personeli i Kampit të Pionerëve në malin e Dajtit. Pas disa minutave, ky bashkëvendas u nis me makinën që kishim ardhë nga Perëndimi për në Tiranë, që të lajmërojë degën më të afërme të policisë. I gjithë personeli u trondit, u shqetësua dhe filluan të na shihnin me urrejtje dhe me përbuzje. Pas dy orësh erdhën një grup njerëzish të sigurimit më një person që e njifsha mirë. Pasi e panë bustin me vëmëndje, urdhëruan që të mbulohet me pëlhurë. Shkuam në një dhomë dhe filluan të na merrrnin në pyetje një e nga një. Kur më erdhi rradha mua, personin që e njihja më përshëndeti me një buzëqeshje të gëzuar. Kolegu i tij që ishte me të, doli jashtë dhe na la vetëm. Filloi biseda për bustin. Ky më tha: “Këto gjëra po ndodhin dita ditës, por do ishte e mirë që kjo punë të mos bëhet e madhe dhe të mos folet në popull. Nëse ju hymë hetimeve siç e don rregulli, duhet të gjithë juve që keni ardhë nga jashtë të ju marrim në pyetje disa ditë. Të ju ndalojmë daljen në qytet dhe të tjerët që kanë qenë në punë aty edhe ata do ta pësojnë keq me dënime dhe me humbje pune.”

Aty pashë që edhe njerëzit e pushtetit ishin lodhur nga ajo gjendje izoluese në Shqipëri. Ky më tregoi se kemi çdo ditë pakënaqësi në popull, kemi kalime të kufirit illegalisht me të madhe. Gjendja ekonomike është në kollaps. Kemi mungesë të çdo gjëje, sidomos të ushqimeve e veshmbathjeve. Ky kishte qenë disa vite jashtë Shqipërisë dhe e dinte mirë jetën në Kosovë dhe në Perëndim. Kjo punë e këtij busti që na doli pak telashe përfundoi pa as një dënim apo ndëshkim. E lamë një takim në hotel Tirana që të pimë kafe. Nga ora katër pasdite, u takuam aty ku e lamë takimin. Me vete më kishte sjellur disa tollona të  benzinës, aty ku fornizoheshin ambasadat e huaja dhe  makinat e ministrisë me benzinë që ishte  importuar nga jashtë. Pas atij vendi, shkuam  afër Hotel Drinit, në Muzeun e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Aty ishte shumë interesant. Ishin të gjitha mjetet e ish/diversantëve që kishin hyrë në Shqipëri nga viti 1848-1982. Aty ishin lloj lloj fotosh të mjeteve të ndryshme të atyre njerëzve. Foto të Hamit Matjanit me disa mjete të tij. Ishte një muze tejet interesant. Të gjithë ata njerëz që ishin munduar ta rrëzonin atë sistem ishin zënë, ndëshkuar dhe pushkatuar. Duke na shpjeguar, ai cicëroni mu duk vetja se jam në një vend ku ka veç kufoma të njerëzve të vrarë. Politika e idologjia e dy palëve i kishte dëmtuar shumë keq.

Kisha dëgjuar për këta njerëz. I kisha lexuar. Kishte nga ata që janë munduar të bëhet Shqipëria si shtete perëndimore e demokratike, por kishte edhe nga ata që ishin bashkëpunëtorë të Jugosllavisë. Punë agjenturash në kurriz të tyre. Isha shumë keq shpirtërisht në ato moment, pas asaj vizite të atij muzeut. U ndava nga ky njeri. U ula në shkallët e Pallatit të Kulturës për t’u qetësuar pak.  Gjendja nisi të më keqësohet shumë. Kisha probleme me rrahjen e zemrës. Pashë një polic aty te sheshi Skëndërbeu, më një motoçikletë. Iu afrova dhe i thashë se jam në gjendje të keqe. “Të lutem ma siguro një mjet të shkoj në spital!” Më pyeti nga je dhe i tregova se nga jam. Ai ishte nga Rrësheni. Quhej Preng Gega, një burrë i madh, me të folur gegënishte. Aty kaloi një fugon të cilin e ndaloi polici dhe hyra. I tha që të shkonin pas motoçikletës. Kur hyra në atë fugon të mbyllur, kishte pas njerëz brenda të ulur në disa stola druri. Dritare nuk kishte fare. Kur hyra brenda ishte shumë vapë dhe menjëherë më kaploi vjellja. E ndaluan makinën duke më pritur deri sa përfundova. Mbërritëm në spital ku më shoqëroi polici deri te sporteli. Më shtrin në një krevat dhe pas disa minutash erdhën disa mjekë e mjeke, duke më pyetur se si më ndodhi ky problem shëndetsor. Më dërguan në një dhomë ku ishte një aparat i madh me disa kablla të zeza si ato të atyre centraleve të vjetra telefonike, të cilat i lidheshin linjat e telefonave me njëri-tjetrin. Filluan të më kapin në gishta të dorës e të këmbëve.

Pas një kohe më pyeti një mjek nga cila zonë jeni ju. I thashë se jam nga Danimarka, por jam me preardhje nga Kosova. Ata u shtangën e më thanë dil për një moment jashtë, dhe pas pesë minutave erdhëm e më thanë që të çohesh e të të dërgojmë në një repart tjetër. Pas disa minutave më çuan me një respect të veçantë në një repart shumë të rregulluar. Pas një pritjeje prej ca minutash,  hyri një mjek i gjatë që më përshëndeti me një dialekt të Malësis së Gjakovës. Pasi që e shikova mire, m’u kujtua ky mjek. Kishte qenë në Danimarkë para disa viteve dhe ishim takim së bashku në një spital të Kopenhagës. M’u kujtua menjëherë dhe i thash se po ju njoh nga Danimarka. U çudit dhë më shtrëngoi dorën më shumë. Më pyeti për shëndetin. Më çoi në një dhomë ku kishte një aparat supermodern dhe më bëri një inçizim të zemrës disa minuta. Pas asaj vizite bëra një pushim i shtrirë. Pas disa minutave erdhi një mjeku tjetër me një mantill të bardhë ku shkruante “Dr. Sali Berisha”. Sa më pa një çik, më tha: “ Kam lajme të mira për ju! Zemra e juaj është shumë e shëndoshë dhe shumë në rregull. Keni pas ndonjë stress, por asgjë nuk është ajo.” Bëmë disa biseda që na preokuponin së bashku, për subjekte të ndryshme. Ndërkohë erdhi një makinë e cila më dërgoi deri në qendër të qytetit, të cilën e kishte porositur doktori.

Ishte ditë e nxehtë dhe të dilte flaka për një pije freskuese. Aty tek sheshi me një karrocë të vogël ishte një njeri që shiste pije në sheshe të vogla. Ia dhashë një lek të ri. Ajo pije e kishte shijen si një karamele me gaz. I ngjante coca-colës pa shije. E pyeta shitsin nga cili vend jeni. Më tha se është nga Gollobërda, dhe se me breza merren me ëmbësira e lëngje. Pak njerëz kishte në atë kohë në qarkullim. Iishte dreka. Ishte një zakon i çuditshëm për qytetarët që pas dreke bënin një çik gjumë. Këtë zakon e kishin mësuar nga kinezët. Asgjë nuk kishte private. Private kishte vetëm biçikleta e motoçikleta, por vetëm ata  që kishin mundësi t’i kenë. Ata që kishin motoçikleta të mëdha ishin njerëz me fat, dhe ishin njerëz të pushtetit shumica, krytetarë të Koperativave, njerëz të Sigurimit, Kryetarë të fshatrave e tjerë. I përshkova në këmbë shumë lagje të Tiranës. Veshja ime ishte tjetër. Njerëzit e dishin që nuk jam vendas. Më shikojshin me bisht të syrit. Kishte shumë dyqane në Tiranë, por pothuajse të gjitha kishin të njëjtat gjëra. Çdo gjë ishte me racion. Njerëzit e kishin bisedën e ushqimit. Zonjat e shtëpisë kishin mungesë ushqimi në familje. Më ra rasti njëherë të shkoj të pres radhën. Kishin ardhë gogozharet (specat e kuq). Çdo familje e kishte emrin në një fletore të shitëses. Çdokush merrte atë që i takonte, duke paguar dhe pa bërë asnjë fjalë. Perimet ishin të pakta shumë, si dhe pemët. Kishin ankesa që veç presh po hanin popullata. Njerëzit në pamje dukeshin të përvuajtur. Mungesë ushqimi dhe mungesë vitaminash. Popullata e ishte e uritur për dituri, për ta njohur botën.

Të gjithë dishin shkrim dhe lexim. Kishin njohuri të madhe në shumë lami të ndryshme. Dijshin thuajse shumica ndonjë gjuhë të huaj, sidomos italisht, greqisht, rusisht, etj. Shkollimit i kushtojshin shumë rëndësi. Kishte nga ata që e shisnin racionin e ushqimit të familjes që të dërgonin vajzën apo djalin në ndonjë kurs privat të ndonjë gjuhe të huaj, apo të ndonjë lënde që nuk u shkonte mirë. Në mëngjes gazetat shiteshin të gjitha. Populli kishte etje për lexim. Digjeshin për të lexuar për diçka të re. Një ditë isha tek ëmbëltore Rinia, aty pas Bankës Kombëtare. Ishte një burrë i shëndoshë dhe në moshë. E quanin Xhavit. Më pyeti nga je, i tregova dhe filloi bisedën. Ai ishte andej nga fshatrat e Kukësit. Ishte ekspert i ëmbëlsirave (pastave). Më ftoj të shkoj në punishten e pastave rrugës, për tek stacioni i trenit. Ishte një vendi i madh. Aty bënin lloj-lloj ëmbëlsirash. Më tregoi se ai aty kishte bërë ëmbëlsira edhe për njerëzit më të mëdhenj të shtetit, nga boza deri tek tortat e ndryshme. Më tregonte me zë të ultë se i ka bërë bozë edhe Enver Hoxhës. Tregonte se kur vinin ta merrnin bozë për Enverin, vinte Sigurimi i shtetit: “Një herë më shtinin mua ta pi, dhe pastaj ia dërgojshin bozën apo ëmbëlsirat e ndryshme atyre njerëzve të shtetit. Ato makineri që kishin, ishin shumë të vjetra dhe jashtë standarteve të kohës. E gjithë Tirana, ëmbëltoret, bufetë, hotelet, i merrnin aty ëmbëlsirat. Transporti u bëhej jashtë normave të standarteve. Vinte ndonjë fugon apo karocë, të cilat i shtynin me trup, me do motoçikleta kineze me tri goma. Në këtë larmi të madhe, më kot mundohesha t’u ndihmoj që të bëhet diçka më e mirë aty, sepse ishte e pamundur të ndihmosh një popull të tëre që vuante të zitë e ullirit nga kthetrat e diktaturës më të egër, jo vetëm në Europë.