E enjte, 18.04.2024, 09:15 PM (GMT+1)

Mendime

Porosia e Imzot Dodë Gjergjit për Krishtlindje 2012

E diele, 23.12.2012, 06:53 PM


E FJALA U BË NJERI E BANOI NDËR NE” - (Gjn 1,14)

Të dashur vëllezër e motra,

Pas gëzimit që përjetuam, me festimet e shumta të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, dhe daljes së popullit tonë, në tërësi, nga sundimi shumëshekullorë i Perandorinë Osmane, vazhdojmë me përvojën e gëzimit të festës së përvjetshme të Kërshëndellave, kur ne të krishterët, kremtojmë lindjen e Jezusit, në Betlehem.  Jezusi,  Fjala e Mishëruar, ka marrë natyrën tonë njerëzore, për të na pavarësuar në dinjitetin dhe identitetin tonë njerëzor dhe duke na  nxjerrë nga errësira e mëkatit në dritën e hirit, na  mundëson të dalim në dritën e lirisë së t ’bijve të Zotit.

Kjo mundësi festimi, do të vazhdojë të na shoqërojë edhe në vitin që po vjen,  në ecjen e përbashkët gjatë Vitit të Fesë, që shpalli Papa Benedikti XVI,  ku të gjithë do të angazhohemi ta zbulojmë, në ne, bukurinë e fesë sonë. Kisha dhe populli ynë, po ashtu,  do të festojë përvjetorin e 1700-të të Ediktit të Milanos, me të cilin, në historinë e qytetërimit evropian, për herë  të  parë zyrtarizohet barazia dhe bashkëjetesa e besimeve të ndryshme fetare; nga ku edhe zë fill toleranca ndër fetare ndër ne. Gjitha këto festime, janë dhuratë e paqes dhe të jetuarit në liri, këndej festa e Krishtlindjes, do të jetë rast i mirë për ta falënderuar Zotin me gjithë zemër, sepse të jetuarit në paqe, e ka ndryshua rrjedhën e historisë sonë, “nga një popull në luftë, në një popull në paqe”,  këndej s’jetojmë ma nën hithësin e vuajtjes e mjerimit, por në shijen e gëzimit e festimit

Lindja e Jezu Krishtit, në Betlehemin e Judesë, është festë e paqes dhe dashurisë, festë e gëzimit dhe haresë, festë e shpresës dhe lumturisë, sepse është festa e Mishërimit të Fjalës së Zotit, e cila erdhi e banoi ndër ne. Krishti, Fjala e mishëruar, ka dashtë të hyjë në botë, nëpërmjet gëzimit të lindjes, që të na dhurojë gëzimin dhe bukurinë e fesë ungjillore, e duke marrë pjesë  në vuajtjen e njeriut dhe vajin njerëzor, na ngushëllojë të gjithëve me Lajmin e Mirë, duke e vu në zemrat tona gëzimin e përhershëm, dashurinë e përkryer dhe shpresën e pafundme. “Këndej gëzohuni edhe në qoftë se duhet, për pak kohë të jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme.” (1 Pj 1,6) . Jam thellësisht i bindur se Lindja e Krishtit, është dhuratë për mbarë njerëzimin, këndej kanë të drejtë ta festojnë të gjithë, dhe të klithë me galdim qielli e toka,  kurse ne që besojmë, festojmë me plotë fe në personin e Tij, sepse në saje të Jezu Krishtit, na është dhuruar  bijësia hyjnore, falje e mëkateve dhe jeta e pasosur.

Vëllezër e motra fort të dashur, po sa kemi kapërcyer pragun e Vit të Fesë, këndej është më se e natyrshme të festojmë Krishtlindjen në këtë frymë, sepse kjo festë na zbulon  më së miri domethënien e besimit, na rizbulon  vlerën shpirtërore që bartim dhe shpalosë bukurinë e fesë tonë

Bukuria e fesë tek secili njeri, shpaloset nëpërmjet veprave të mëshirshme, jetës së sinqertë ndaj të vërtetës e të përkryerës dhe shkëlqen nëpërmjet dashurisë që shprehet me përvujtëri e sakrificë për gëzimin dhe lumturinë e të afërmit. Këndej, i ftoj të gjithë besimtarët të jenë dëshmitarë të gjallë të pranisë së Kirshtit në jetët e tyre, duke iu lutur Hyjit t’ju japë syve të zemrës së tyre, dritën, që të mund ta kuptojnë shpresën e madhe që jep thirrja e Tij që të jemi të gjithë,“[...] të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri.” (Ef 1,4b). Për të mbërri këtë, është e nevojshme që t’i përqendrojmë të gjitha forcat tona për t’ia shtuar fesë sonë virtytin, virtytit dijen, dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtëninë, përshpirtënisë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë që përqafon/përkëdhel gjithkënd “ (2, Pj 1, 5-7). Nëse i keni këto cilësi, dhe nëse përparojmë në to përditë, doemos do bëhemi të frytshëm dhe do të zbulojmë fenë në Zotit tonë Jezu Krishtit.

Kisha dëshiron gjithnjë të ripërsërisë ftesën e vetë për gjithë njerëzit vullnetmirë, që të kundrojnë veprën e saj në botë, të vrojtojnë çiltërisht sjelljen dhe jetën e shenjtërve brenda sajë, e të rikthejnë në mbamendjen e vetë rëndësinë e kontributit shumë shekullorë në  ndërtimin e qytetërimit fisnik, për të arritur deri tek kuptimi i drejtë i shoqërisë bashkëkohore. Kështu kisha do mund të vazhdoj ta mbajë të hapur zemrën e vet për gjithë njerëzit dhe të jetë kontribut i vyer në shërimin e plagëve të reja, të shkaktuara nga mungesa e dashurisë, nga lakmimi për pasuri, pushtet e ndikim, nga përgjumja e ndërgjegjes qytetare dhe nga zdërhallja e grupeve të veçanta, të cilat me kokëfortësi duan që, nëpërmjet veprave të pavlefshme apo veprimeve të pandershme, disa të na bindin se promovojnë lirinë e të drejtat e njeriut, e do të tjerë se mbrojnë vlerat morale dhe dinjitetin njerëzor. Të gjithë këtyre, Kisha iu përgjigjet me shembullin e ligjit të dashurisë ungjillore që rrënjësisht ndryshon gjërat, njerëzit e mendjet e tyre, por pa e cenuar lirinë e askujt.

Kisha është e pranishme në jetën e popullit dhe të shtetit, të gjitha kombeve të përparuara,  falë Zotit, Kisha është e pranishme edhe në gjithë historinë e popullit tonë, këndej e di më së miri të kaluarën e tij, sepse jeta e popullit është jeta e vetë Kishës. Prandaj, kontributi i Kishës për kohët moderne është i shumëfishtë: dëshmon të kaluarën që e ka ruajtur në gjirin e vetë, e mbanë të freskët mbamendjen kolektive të kombit dhe të shoqërisë, si për gabimet, ashtu edhe për arritjet, duke ia mundësuar njeriut ecjen me koherencë dhe kontinuitet drejt të ardhmes në paqe dhe e ndihmon njeriun për ta zbuluar domethënien e fundit të ekzistencës së vetë.

Ne nuk mendojmë që tjetërsimi ose fshehja e së vërtetës shëron plagët e vjetra të një shoqërie ose shfajëson fajet e një perandorie. Vetëm përballja e çiltër me të vërtetën dhe zotësia për t’u penduar, shëron gabimin dhe ndërton të ardhme të sigurt, kurse armiqtë e dikurshëm mund të miqësohen nëpërmjet pajtimit e faljes, e kurrsesi nëpërmjet mohimit e harresës. Me gjithë padrejtësitë, përbuzjet dhe mjerimin shumëshekullorë që ka përjetuar Kisha dhe populli ynë, duke iu bindur Ungjillit dhe dashurisë, ndjehet e aftë të ushqejë në vetvete fenë, shpresën dhe dashurinë dhe të rindezë në zemrat e njerëzve vullnetmirë, ndjenjën e paqes me drejtësi, që shpien tek  miqësia e njerëzve dhe popujve.

Mbi të gjitha, Kisha dëshiron t’i ngushëllojë  bijtë e sajë, me fjalët e Shën Palit: “Ju, o vëllezër, mos u mërzitni duke bërë vepra të mira!  Në qoftë se ndokush nuk i bindët fjalës sonë [...], shënojeni dhe mos u shoqëroni me të që të turpërohet, por mos e mbani për armik dhe këshillojeni si vëlla.” (2 Sel 3,13).

Në fund të kësaj porosie, dëshiroj t’i siguroj të gjithë njerëzit në nevojë, për bukën e përditshme, për jetë të dinjitetshme, për paqe apo drejtësi, se do të jenë gjithnjë në lutjet e mia dhe të Kishës, e sidomos në meshën e Mesnatës të festës së Krishtlindjes. Nuk do të mungojë lutja jonë as për familjet tona, për mërgimtarët tanë dhe për të gjithë, që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri (Khs. Ef 1,4b).

Le të vazhdojmë të festojmë, për shumë mot, dhe uroj që të keni një Vit të Ri të begatshëm dhe plot bekime!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora