Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Dollia, traditë e vjetër në Sulovë

| E premte, 21.12.2012, 08:16 PM |


DOLLIA, NJË TRADITË E VJETËR NË SULOVË 

NGA PËLLUMB GORICA

Dollia është një traditë e vjetër, ndoshta që në mesjetë e trashëguar brez pas brezi, e njohur, dëgjuar dhe e vlerësuar si një nga kulmet e shprehjes së shpirtit njerzor, në krahinat jugore të Shqipërisë si Skrapari, Përmeti, Gramshi,  Berati e  në përgjithësi treva  e labërisë, me rregulla të qarta. Gojëdhënat flasin për këtë traditë bashkë me lindjen e rakisë.  Ajo përbën kodin më të rëndësishëm të një gostie të gëzueshme e kryenin mrekullisht edhe para 20 vjetësh. Në vitet e diktaturës  komuniste dollia u politizua. Në lindje, dasma e gëzime të tjera, para dollisë së çiftit apo fëmijës që lindte ajo ngrihej për partinë, për byronë politike e udhëheqësit e “lavishëm”, e kështu në të gjitha  gëzimet, urimet “politike” ishin pushtuesit e dollisë së parë.

Sulova eshtë një krahinë e njohur në jug të Shqipërisë, për traditat  e mikpritjes, bujarisë, respektit, nderimit dhe gëzimit ndaj mikut. Përmes mençurisë, kanë ushqyer brezat me këtë mikpritje e bujari jo vetëm në gosti, fejesa, dasma, festa, por me përkujdesjen për këdo, qoftë edhe rrugëtari  i panjohur, që e zinte nata, të pritej e përcillej me bujari, dashuri e respekt, siç e kërkonte zakoni. Ai që thërriste: “A do miq o i zoti i shtëpisë?” edhe netëve të vona, do të merrte përgjigje me dashamirësi: “Mirseerdhët!” Për t’i nderuar me bujtjen, në konakun e tyre, shoqërohej me dolli. Ndaj nuk mund të mos rrimë pa përmendur në traditat e kësaj krahine mikpritëse edhe dollinë, shpirtin vëllazëror të sulovarëve, temperamentin e tyre të veçantë. Dolli, që me gjithë ngjyrimet e marra në rrjedhat e kohës në këtë krahinë, është në thelb një traditë që shoqëron me urime e rregulla gostinë për nder të miqve me pijen e njohur, rakinë që në gëzimet derdhej lum.

Kush shkonte për herë të parë në krahinën e Sulovës si mik, mirë ishte t’i mësonte rregullat e saj. Edhe kur vinte një mik bëhej dolli. Në dolli ngrihej shëndet për çdo të pranishëm. Së bashku kujtojnë, respektojnë, këndojnë, urojnë e muhabetosen. Të pranishmit (burrat), të ftuar apo të ardhur si miq, janë të detyruar të ndjekin e të respektojnë rregullat e saj  dhe kjo të bën se ata ta kenë mendjen te rregullat e saj. Se ajo ështe si valle! Kush hyn në të, nuk del kollaj. Kohën e dollisë e matnin me shëndetet që pinë. Çdo gllënjkë e kthyer paraprihet me tokitje gotash. Dollia konsumon sasi të madhe rakie, por edhe je i detyruar nëse shkoje mik e po  u ule, duhet të respektosh rregullat e saj. Është një dukuri tjetër, që në dolli kishte edhe kushte për të pirë. Kthehej në shëndete të veçanta gota me fund. Këtë gotë e pinin të gjithë pa përjashtim dhe e detyrueshme me gota të vogla (shtatë lekëshe siç i quanin) dhe pihej shëndeti i një personi me rëndësi, për çiftin që fejohej, martohej, për fëmijën e  lindur etj. Mospranimi për të pirë këtë gotë quhej si e rëndë ndaj të zotit të shtëpisë dhe atij që i ngrihej shëndeti. Ato duheshin pirë. Shmangie kishte vetëm në raste sëmundjesh apo të ndonjë halli (me shumë për arsye moshe).

Urimet në dolli, që njihen në çdo vatër sulovari, patjetër kanë në qendër sebepin, për të cilin janë mbledhur. Shëndete për miqësinë, për vëllazërinë, për mikun për shoqërinë, për fëmijën që lind, për vajzën apo për djalin që fejohet, për çiftin që martohet etj:

- “Miqësi e pandarë!”.

- “Shtëpi, nder e bukuri!”.

-“Rrofsh e qofsh!”.

-“Të paçim me jetë !“.

- “Qofsh i gëzuar dhe i nderuar!”

-“Aq  sa fjalë, aq të mira!”

- “Rroftë e valoftë dhe në duar të sigurta qëndroftë !(për flamurin)”

- “U rritsh u bëftë plak me mjekër!” (për fëmijën).

-“Rroftë sa të dojë!”

Një shëndet i veçantë ishte: “Shëndet për të gjithë ata që na duan dhe për ata që s’na duan!”.etj.

Pasi shtrohet sofra, dollitë fillonin e mbaronin me shëndete  me radhë e me lezet. I zoti i shtëpisë, si i pari që ngrinte dollinë ishte më plaku i shtëpisë, merr gotën e rakisë dhe i drejtohej një njeriu të afërt, por të zot, që ia thotë dollisë, muhabetit, këngës, që e njeh miqësinë, duke e zgjedhur si dollibash me formulën e thjeshtë “të kam gjetur” me urimin për mirëseardhjen e mikut me fjalët :

-“Shëndetin e parë për mirëseardhjen e miqve!” “Dëshiroj të ngre një dolli e mirësi!’’.

Pas një pauze të vogël, dollibashi uron “Ju që më gjetët mua t`u gjejë e mira, gëzime paçi kurdoherë në shtëpinë tuaj!” Urdhri ku më dërgoni’’. Dhe gjen mikun kryesor e uron për shëndetin e bërë:

-“Të paçim me nder!”, “Shëndetin e parë e kemi për ty!”

  vazhdim miku gjen një pjesëtar të sofrës. -“Të rrosh me shëndet e me nder!’’. E me radhë urimi kalon nga njëri tek tjetri, deri tek i fundit në konakun me miq, vëllazëri sipas moshës e rëndësisë me atë fjalën përcjellëse “Të kam gjetur!”. Në shëndetet e tjera secili e di më tutje radhën e respektit me urimet:

-“Gëzuar, shëndet e jetë të gjatë, lumturi paçi kurdoherë në familje!’’, “Le ta pimë këtë shëndet për ty!”, “Ndere të mira të keni!” “Unë e pi për ty”, “ “Me nder dollia’’ e të tjera urime vazhdon dollia me shëndete. Një shëndet i veçantë është: “Shëndet për të gjithë ata që na duan dhe për ata që s’na duan!”. Gotat tokiten shpesh, tokitja e gotave i mban të pranishmit të përfshirë tërësisht në muhabet dhe duke ndjekur, me të cilën dollibashi qeveris gëzimin, për të cilin janë mbledhur apo ardhjen e mikut. Dollibashi i jepte hare gëzimit në hapësira kohe.Nga njeri shëndet tek tjetri, lejonte biseda të ngrohta njerëzore me rrëfime dhe hera - herës nën ethet e rakisë kmiqtë dhe pjestarët e ulur  futeshin në burimin e gëzimit me shaka, këngë, që duket sikur nuk shterojnë kurrë. E kështu rakia  me dolli ua “zgjidh” gjuhën të pranishmëve dhe konaku gjëmon  fort nga kënga, madje edhe tundet vallja. Kënga e parë i takon të zotit të shtëpisë:

O konaku me tavan

Lumja ti ç’farë mban

Shokë e miq mbledhur

Sofrat plot e plot shtrur

Muhabetin e bëjmë bukur

Miqtë i paçim të gëzuar

Sa lezet, o sa bukuri

Mikun e presim me dolli.

Pas çdo kënge vërshojnë urimet: “Të lumtë goja!”, “Të këndoftë zemra!”, “Për mirësi kënge!’’ etj. Kënga zë një vend të veçantë. Veç këngëve të njohura për ngjarje historike, patriotëve, fatkeqësive që ndodhnin, me motive të dashurisë etj, këndohen edhe këngë të improvizuara aty për aty. Madje shumëkush këto këngë i këndon edhe sot:

Pse shikon rretheqark

O i zoti i shtëpisë

Kanë ardhur shokë e miq

Duan të hanë e duan të pinë...

Këndohet edhe një këngë tjetër dhe pas kësaj radha mbetet tek miku.

Dollibashi i fton miqtë me shprehje të tilla si kjo:

-“Po i ve nga një brez murit se më rrëzohet!’’, dhe çukisin të gjithë nga pak mezet e shtruara në sofër.

Pas përfundimit të dollisë së parë, të bërë nga i zoti i shtëpisë, radhën e ka i pari i miqëve. I zoti shtëpisë i dorëzon detyrën me një shëndet të veçantë të parit të miqëve apo atij që do të bëjë dollibashin: “Brump, o mik!”. E kështu ajo kalon në anën e miqve, i cili ndjek pothuajse të njëjtat veprime, ose siç quhet dollia e dytë me shëndet e saj e që lë të kuptohet se nga ai çast drejtimi i dollisë kalon në duart e mikut. Sapo fillon dollinë miku, e zonja e shtëpisë sjell mishin me shenjë. Bishti i qingjit, që është pjesa fundore e kurrizit, i jepet kreut të qoshes. Dollia vazhdon sipas zakonit e rregullave. Edhe miku e bën xhiron e dollisë që i takon, duke pirë për secilin nga pjesëmarrësit nga një apo dy shëndete të shoqëruara me urimet për secilin. Ka raste, kur bëhet edhe dolli e tretë, varet nga numri i miqve. Në Sulovë  zakoni e do kur janë miq shumë, dollia të mbyllet me numër tek, ndaj duhet edhe një dolli tjetër nga miqtë, kjo për t’i respektuar. Miku tjetër, ashtu siç e do zakoni, ngre dollinë me më pak shëndete se e para.

Në këtë mënyrë dollitë vazhdojnë gjatë. Miku ështe dhe mbyllësi i dollisë. Ajo shumë herë zgjaste  edhe orëve të para të mëngjesit (nëse ishte natë). Pra, miku, ngre një shëndet, që pasi e pi vetë i pari, e kalon këtë shëndet që ta pinë dhe të tjerët. Me këtë shëndet dollia quhet e mbyllur. Kuptimplote janë fjalët e miqve në  mbyllje të dollisë: “Ja, sa thamë të paharruara na qofshin!” apo “Për sa thamë me mbarësi nga kjo derë!”. Dhe në fund urdhërohen që të ngrenë rakinë dhe të shtrojnë bukën. Tradita e pakufishme e të zotit të shtëpisë dhe e familjes së tij, si emër i një shtëpie mikpritëse e kërkonte që sofra të shtrohej plot. Për të gjykuar se sa e nderonin mikun, mjaftonin përmasat e hajës që shtroheshin. Nuk ka rëndësi nëse i hanin të gjitha apo jo. Ky rit ishte ca i tepruar për gjendjen ekonomike të banorëve në periudha të caktuara kohe, por për hir të traditës kushtonte shtrenjtë respekti i këtij zakoni. Sa më tepër gjellë të shtroheshin, sa më shumë, aq më i madh quhej nderimi për mikun, aq më e mirë darka.

Në përgjithësi dollitë shkonin mirë, por kishte edhe raste që muhabeti prishej për qejfmbetje, sherre të vjetra, teprime në pije. Dehja  në dolli është një barrë e rëndë si për të zotin e shtëpisë, por edhe për miqtë dhe sidomos, kur kalonin çdo cak me pirjen. Megjithëse sulovari vërtet nga natyra është pijedashës, kjo nuk është përgjithësuese, por si gjithandej ka  pasur e ka individë të përkushtuar ndaj vesit të pirjes. ‘‘Burri që është burrë duhet të pije ca, kuptohet, jo ta teprojë e të bëhet gazi i botës, por për lezet e muhabet, se kjo e uruar është sebepi i dollisë, se kur ulesh në konakë me miq e me shokë duhet të dish të tregosh veten se kush je’’,- të thonë në Sulovë. E pra, urtësia e vjetër e ka thënë bukur shprehjen: ‘‘sulovarët e pinë rakinë me opingë’’. Ky ka qenë shkaku kryesor edhe për faktin tjetër që sulovarët janë konsumues dhe prodhues të rakisë, duke krijuar një traditë. Rakia më e mirë bëhet prej rrushi me një shije të kënaqshme, por edhe prej mani, kumbulle, manaferre, thane, por edhe mare e fruta të tjera më rrallë si fiku, hurma. Përgatitja e zierja e rakisë është e lodhshme, një art më vete, jashtëzakonisht i vështirë aq sa mjafton gabimi më i vogël për ta transformuar të gjithë procesin perfekt në një dështim të vogël, të quhet më pas raki e butë ose ndryshe s’ia vlen për ta pirë. Ç’është e vërteta rakia e nxjerrë nga Sulova ka emër e nuk ka të krahasuar me asnjë pije tjetër për ata. Aty nuk të duket gjë vera para rakisë, që kur e tund në shishe lëshon gjerdanin me flluska, se pa ato nuk mund të quhet e fortë.

Tradita e dollisë në krahinën e Sulovës dikur ishte tepër  popullore aq e gjatë në rregullat dhe kohën e kryerjes. Tashmë çdo ditë e më tepër  me  përparimin e kohëve moderne dhe kushteve të reja shoqërore, është një fakt i njohur se është zbehur, duke humbur madhështinë dhe seriozitetin e saj, si diçka e trashëguar nga e kaluara. Madje nuk pëlqehet, e quajnë ves, por gjithsesi mbetet simbol i konakut sulovar. Një kod i pashkruar që admistronte nderimin ndaj mikut.

Shkëputur nga libri “Sulova e Poshtme në shekuj” Ada, 2009, Tiranë