E enjte, 18.04.2024, 07:06 PM (GMT+1)

Faleminderit

Pjetër Pepa: Requiem për Gac Çunin, seminaristin qe kompozoi "Kaçurrelat e tu"

E shtune, 26.04.2008, 07:01 PM


Requiem për Gac Çunin
Fundi tragjik i kompozitorit të kangës "Kaçurrelat e tu".

Nga Pjetër Pepa

Gjithnje, ne dasmat dhe gezimet familjare shkodrane, ne gazin e humorin qe vazhdonte me ore pafund kishte oren e vet edhe kenga.
Ne numrin e pafund te kengeve ishin te pranishme, me ciklin e vet, edhe kenget e kompozitoreve te njohur, qe ne moshen e tyre rinore ja kishin kushtuar te dashurave apo te adhuruarave te tyre. Ishin ato ne seri e lidheshin kaq bukur me njera tjetren dhe per shume kohe mbas, objekt bisede te kendshme ishin ato, kompozitoret dhe vashat te cilave u ishte kushtuar kenga e bukur qe kishte mbetur e perjetshme. Sigurisht, disa prej tyre edhe kishin vdekur, shume ishin plakur, por kenga dhe vrulli rinor qe e kishte kompozuar ate mbeste gjithnje e re. Kishin kaluar vite, dhjetra vitesh, ndoshta edhe gjysme shekulli e kenga megjithate mbeste gjithnje e tille. “Ne zaman te njasaj furi…” ishte kenga qe kompozitori i vjeter shkodran Hila i Files ia kishte kushtuar te fejuares se vet e qe, per koincidence, kishte qelluar gjyshja e ime. S’mbahet mend kur kishin vdekur te dy, megjithate kenga kendohej ne cdo gezim e dasem.
Po keshtu “Lule bora” qe i ishte kushtuar “Zojush D” nga Simon Gjoni apo “Lulja e Majit“ kushtuar nga Pjerin Ashiku te dashures se tij te zemres. Po “Me lule te bukura due me t‘dhurue vashe nje kurore…” qe Tish Daija ja kishte kushtuar te adhuruares se vet. E keshtu, “Mbeta gjithe diten hijeve“ e Leonard Dedes apo “Nuk erdha vashe jo me te kendue, e di se je e tjera e kujt” e Gjovalin Bjankut ashtu si “Margjela” e te madhit Prenk Jakova.
E pra, mes gjithe ketyre e sa tjerave si keto qe nuk i permenda ketu, kishte vendin e vet, madje vend nderi edhe nje kenge e cila kendohej vazhdimisht e pothuajse vazhdimisht shoqerohej me koment, mall, e pse jo edhe lote. Ishte kenga “Kaçurrelat e tu“ e Gac Cunit.
“Natyra te fali te bardhe o si bora,
Une permbas teje jeten ç’e bora,
Oh kam me vdeke e s’kam me harrue,
S’kam me harrue kaçurrelat e tu.
Mi ke ti faqet kuq-o si gjaku,
Mbas teje vashe me ka xane maraku,
Oh, se marakun ma kane shtue,
Ma kane shtue, kaçurrelat e tu”.
Mjerisht, kompozitori i kenges, Gac Çuni kishte vdekur me kohe qe ne vitet e para te atij “çlirimi vrastar“ qe provoi ky vend fatkeq. Kishte vdekur rreth te njezetave, ne burg nga tuberkulozi.
Sa gjak kishte nxjerre nga goja para se te vdiste, kujtojne ato, shoket e tij te vuajtjes, te burgut e megjithate sa e kalonte krizen e hemoragjise shpirti i tij prej artisti nuk mund te rrinte pa i rene kitarres, pa kenduar duke ja lehtesuar sado pak dhimbjen shokeve tjere te mjerimit.
Ate, se ciles i ishte kushtuar kenga dikur ne rinine e saj, ne e kishim tashme komshi. Sigurisht mosha kishte bere te veten, por jepte te kuptohej se dikur kishte qene vertete e bukur. Se paku e tille, hyjnore, ajo i ishte dukur artistit te ri 18 vjecar ne ate afsh rinor, para se te futej ne burg prej nga nuk do te dilte kurre me i gjalle. Kishte pasur edhe motren e saj shume te bukur, ”Zojush kokonen“, sic e therrisnin, e qe tashme ishte gruaja e nje tetri instrumentist te njohur ne Shkoder.
Sigurisht, ishin tjere ata qe e kishin njohur dhe e kishin pasur shok e mik. Kishin tjeter moshe. Kur ai ishte burgosur une sapo kisha hyre ne klasen e pare. Mirepo, edhe pse ai nuk ishte me i gjalle, ne vend qe te “zvogelohej” nga koha e kaluar dhe harresa, ai kishte mbetur pergjithnje i madh dhe i adhurueshem per te gjithe ne brezat me pas.
Diku kisha lexuar se ne Spanje ishte nje kompozitor qe nuk e njihte pothuajse askush. Sa here kishte nevoje per ndonje takim me dike apo ne ndonje zyre, duke mos e njohur, deren ja hapnin me veshtiresi. E ai, kur ndjehej ngusht, detyrohej te bente vetem nje prezantim modest “me fal, jam ai…kompozitori i kenges “Besame Mucho” dhe sikur te kishte thene nje fjale magjike gjithcka ndryshonte. Zyrtari apo personaliteti, sado i madh te kishte qelluar, zvoglohej menjehere para tij dhe si per nje mrekulli, dera i hapej gjithe respekt e pritej gjithe gatishmeri e dashuri.
M’u kujtua kjo sepse me ndodhi keshtu edhe mua, afro 15 vite me pare ne nje dasem qe behej prane Shtepise se Ushtarakeve ne Shkoder ne ate lokal ku zakonisht, ne vitet e demokracise filluan te beheshin dasmat e gezimet familjare. Ishin afro 200 vete dhe tavolinat nuk kishin mbarim. Familjaret e çiftit, kushurinjte e miqte, te afert e te larget te dhenderrit e te nuses. Nuk e di se si, qellova prane me nje njeri te vuajtur ne trup e gjithe rrudha ne fytyre. Nje te thuash “fakir“ njeri qe nuk parashihej se do kishte interes qendrimi prane gjate gjithe asaj kohe gezimi e dasme. Por, gjithcka u permbys, fare papritur e rastesisht. Ai me njihte mua mire, si “pale e nuses”, e pse mos ta them duke kerkuar ndjese per mungesen e modestise edhe si deputet i atyre viteve te ndryshimeve te medha, kur seancat parlamentare ishin kthyer si ne seri te pafund filmash seriale qe ndiqeshin me etje te madhe. Une nuk kisha pasur rast ta njihja ate, ndaj ai, per t’i dhene nisje nje muhabeti qe duhej te fillonte derisa fati na kishte vene prane njeri tjetrit ne ate moment gezimi e dasme ndjeu nevojen te bente nje prezantim dhe tha vetem tre fjale: ”Jam vellai i Gac Çunit”. Vetem kaq mjaftoi per t’u “rritur menjehere e per tu bere gjigant“ ai perpara meje qe u zvoglova menjehere prane tij.
Gac Cuni, kompozitori i ri i “Kaçurrelave te tu“ qe une e kisha kenduar gjithe jeten; ai per te cilin kisha ndegjuar kaq shume, e doja kaq shume, me ishte dhembsur kaq shume. Nuk pat nevoje per me shume. Filluan e folen zemrat si veç ata dijne te flasin. E ku kane nevoje zemrat per argumente, per njohje, per dijeni. Ata kane gjuhen e tyre, argumentat e dijet e tyre, kane dashurine e respektin qe veç ata njohin.
Kaluan edhe 15 vite te tjera dhe fillova te merrem me arkiva e shkrime per sakrificen e madhe te Klerit Katolik Shqiptar. As qe ma merrte mendja se do te ndeshesha serish, tashme jo me te vellane, por me Gacin vete, kompozitorin e dashur te “Kaçurrelave te tu”. Mesova pse e kishin arrestuar, kur, ku e si. Si kishte qendruar, jetuar e vdekur. Ato arkiva te ftohta e zemergur e permendnin emrin e tij ashtu pa dhimbje e gjithe urrejtje. Se ishte lidhur me nje klerik patriot si Pader Çiril Cani kur ai ishte me sherbim ne Koplik kur vete Gaci kishte qene mesues i ri ne ate zone. Ishte koha kur Xhemal Selimi e tjere kriminele thyenin arrat me dorezat e pistoletes mbi kokat e patrioteve qe sapo i vrisnin. Kur i mbysnin ne gropen e madhe te gjirizit Dom Pjeter Çunin e Dom Aleksander Sirdanin. O Zot, sa kohe te veshtira e te mjerueshme qe ishin atehere. Pikerisht ne kete kohe e ne kete tmerr situate binte pre edhe djaloshi i ri njezetevjecar, kompozitori i embel qe linte shoket pa fjete duke i kenduar kenget e tija te zemres. Sa kohe e veshtire per tjeret, por edhe per te, qe nga torturat e qelite e burgut kishte kaluar ne tuberkuloz te grades se fundit dhe shkulmat e gjakut i dilnin here pas here nga gjoksi i shkrumuar e megjithate, sapo e merrte veten, kendonte serish me ze te lehte, te embel. Dokumentat nder arkiva flisnin kunder tij:
…Se edhe ai s’e kishte dashur komunizmin.
…Se.i kishte shkruar nje leter dajes se tij ne malet e Dukagjinit dhe e kishte ndihmuar sado pak ate, me pak ushqim, ndonje rrobe dhe keto i kishte biseduar edhe me meshtarin plak, Pader Çiril Canin qe kaq shume kishte bere per Shqiperine, por tashti po e mundonin Çun Jonuzi me shoke atje ne zonen e Koplikut.
Mora dicka, pa e ditur se ndonje here do te shkruaja edhe per te. U bene vite qe shkruaja per kleriket dhe nje dite thashe se dicka i kam borxh edhe Gacit, kompozitorit te asaj kenge te zemres te cilen e kisha kenduar kaq here ne gezimet e dasmat e familiare. “Kaçurrelat” qe kishin nxitur Gacin e ri djaloshar per te kompozuar ate perle (ajo gjithçka ishte por thjeshte kenge nuk mund te quhej) me kujtuan me dhimbje arkivat, fletet e zymta te celuloidit, thenjet e ketij dhe te atij per kete e ate dhe me vehte, gjithe dhimbje me dilte nje psheretime “si e mbyten djaloshin”.
Ndoshta edhe vete lexuesi mund te behet kureshtar te dije se cfare mund te thuhej per te dhe “fajin e tij”? Ja, disa deponime te shkreta qe frati i moshuar e patriot, Pader Çiril Cani i jepte hetuesit te pashpirt Zoje Shkurti:
“…Me Gac Cunin, që ishte mësues në Kastrat, kam bisedue ma teper se me tjerët se si qeverija po na merr tokat, po na ndrron zakonet, po na burgosë kot, po na pushkaton pa faj priftent, po na mbyll kuvendet, shkollat, po na i qesin jashtë xhakojt etj.
…Natyrisht ishim të pakënaqun të dy. Gaci më tha se kishte të arratisur në mal dajen e tij (Gjergj Vaten) dhe se mbante lidhje me te dhe i ka dergue letra e nji palë pantallona. Mandej kur njihere ka ndejtë shumë në Shkodër pa ardhë në Kastrat i kam çue nji leter ku e pyesja a ka pase letra me dajen e më tha jo.
…Po, i kam thane se po të isha ma i ri do të kisha dalë në mal kunder komunistëve se ma ka merzitë Çun Jonuzi me shokët e tij tue shpifë e sulmue kundër meje.
…Për armët që janë fshehë në Kuvendin e Gjuhadolit unë nuk di ç’ka me thanë, veçse gjetja e atyne armëve nga Pushteti në Kuvend eshtë poshtërsi për gjithkend që t’i ketë mshehë ata arme në Kishë.
…Kena folë me Gac Cunin per disa pakënaqësi që unë kishe. Kundër meje fliste Çun Jonuzi e disa të frontit me shajshin. Une u disprova dhe i thashe: “me ba me pasë kenë ma i ri do te delshe ne mal.
…Kundra Pushtetit nuk kam veprue ndonjiherë. Proces verbalin hetimor e pranoj …”
Ndersa ne kujtimet e P. Zef Pllumit lexojme:
“…Gac Cuni ishte nje nga seminaristet e Seminarit jezuit, mesues i ri 20 vjeçar qe vdiq ne burg nga torturat dhe tuberkulozi, i njohur nga Shkodra dhe gjithe Shqiperija per kengen e tij te njohur “Kacurrelat e tu”
…Ne dhomen perbri rrinte Gac Çuni. Ishte artist, kangetar i lindun, me nji za te ambel si te bylbylit. Dhoma e tij ishte kaq e vogel sa nuk i nxente dy dysheke, prandej ishte vetem. Kishim ba nji vrime ne perden prej tullash qe na ndante, me bisht te lugeve te drujta. Bira mund te nxente nje kokerr ulli. Me siguri, nana i binte dicka vorfnisht. Kur ishte vetem, rrijshim goje me goje ne ate bire tue fole gjate shume oreve me Gacin. Para se te hynte ne burg kishte kene mesues ne Bajze te Kastratit, pertej Koplikut. Me tregonte idilet gjyse baritore, dashuriçkat, idealet dhe kjajshim vuejtjet. Liria, ajo ishte larg. Kishte nje za aq te ambel e te pervajshem, kompozitor e poet i lindun. Gjithe kete gjendje te tmerrshme qe jetojshim e te gjitha andrrat tona te shpreses e te lirise ai i kishte kompozue si muzike dhe fjale. Kendonte lehte, me buze te biruca e murit, kur roja qendronte ne ballin tjeter te korridorit. Une, ne ato momente nuk isha ma ne burg.”
Ja pra, ai nuk ishte veçse njezete vjeç, ishte me afshin rinor gjithe dashuri per njerezit e, pse jo, edhe per te dashuren e vet me ata kaçurrelat per te cilat kendonte:
”Oh kam me vdeke e s’kam me harrue,
S’kam me harrue kacurrelat e tu”!
Ai vertete vdiq pa i harruar ata, kacurrelat, por edhe ne do vdesim pa harruar ate dhe kengen e tij, perle te muzikes se lehte shqiptare.
Le te jete ky shkrim nje kujtim per te dhe jeten e tij te shkurte, jeten e nje martiri, nje seminaristi e kompozitori, jeten e nje djaloshi, jeten e Gac Çunit qe i patem borxh shume me shume se kaq.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora