Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Lajqi: Shqipëria në sytë e mi më 1989

| E merkure, 19.12.2012, 09:28 PM |


Shqipëria në sytë e mi më 1989

Nga Besnik Lajqi

Ishte kënaqësi e madhe dhe një ëndërr të cilën  e kisha pritur me vite që të shkoj në Shqipëri. Dhe më në fund, në verën e vitit 1989, më ra rasti të jem në atë vend që kisha menduar se askush tjetër para meje nuk kishte shkuar. Ishte vendi i parajsës, që kisha dëgjuar shumë këngë e tregime për të. Vendi ku të gjithë njerëzit kishin dëshirë të shkonin. Në ato moment, të gjitha shtetet komuniste po shembeshin nga ai sistem, vetëm Shqipëria ishte ende nën ombrellën e grisur të sistemit stalinist. Ne mendonim se ai popull dëshiron të jetojë nën kthetrat e atij regjimi barbar, pasi kishim dëgjuar se aty çdo gjë ishte mrekulli, gjëra që i kishim lexuar nëpër gazeta e revista.

Po udhëtonim me target. Nga Italia, arritëm në Portin e Durrësit. Në target kishte vetëm kamionë të shtetit shqiptar. Ishin 20 kamionë dhe 40 shofera. Trageti  PALLADIO, udhëtonte  një herë në  10 ditë. Ishte e vetmja  linjë që e lidhte  me Perëndimin. Ishte mëngjes, ora 10. Trageti u parkua në portin e Durrësit. Hyri policia e portit që t’i kontrollojë pasaportat. Policia kishte  uniforma blu të mbyllur,  me kapele ku dallohej ylli i kuq në kapele. Polici ishte nga Kukësi. Me një buzëqeshje të ëmbël na përshëndeti. Pyeti ku doni të shkoni, etj. Mbushëm disa formularë për vizë, dhe zbritëm e dolëm në Portin e Durrësit. Kudo që të hidhje sytë, në çdo cep shihje parrulla “PARTI  E PUNES”, “ ENVER  HOXHA”, etj. Çdo gjë mu duk e bukur, ndërkohë kaloi një kamion që s’e kisha parë kurrë më parë në jetën time, e më pelqeu shumë, sepse m’u kujtuan filmat partizanë me gjermanë, që kishin këto lloj kamionash. Shkuam në një zyrë  të portit.

Aty na përshëndetën dy punonjës të  doganës. Njëri e kishte  emrin Vangjel,  kurse tjetri, Ivan. Pasi bëmë një deklarim të  robeve që kishim, përfunduam në një byfe. Aty ishin  tre persona që na prisnin. Që i  njifshim në  mënyrë indorekte. Ne ishim me makina private. Ishte  makina e parë  private me targa të huaja që hynte në Shqipëri. Na pajisën me një  fletë/udhëtimi ku shkruante, “Fletë udhëtimi për të huaj”, ku kërkohej emri, mbiemri, targa e makinës dhe personi ku shkonim. Filluam rrugën nga porti për në Tiranë. Në makinë ishte një  person i Sigurimit, i cili ishte në pension, por ishte  ende aktiv kur kishin nevojë. Rrugën nga  Durrësi për në Tiranë e kaluam shpejtë, sepse nuk kishte komunikacion, nuk kishte  makina gjatë rrugës. Rruga ishte normale, me asfalt të thjeshtë, por kishte shumë  kthesa dhe  plepa të  mjellur në qoshe të rrugës. Më tërhoqën vëmendjen gjatë rrugës, bunkerat e shumtë. Në një fushë, disa qindra metra, ishin në rrugë disa gra me shamija të bardha, duke punuar me lopata. Pyeta shoqëruesin, Çfarë po bëjnë këto gra? Ai më tha: “Ato janë kooperativiste dhe lëvrojnë tokën me lopata.”

U çudita. Mendova me vete, si mundet gjithë atë fushë ta lëvrojnë me lopata. Përsëri pyeta, Pse janë rrugët me kaq shumë kthesa? Pa nevojë kanë mundur ta bëjnë një rrugë të drejtë, që do të ishte më mirë. Ai më tha se rrugët  janë bërë me projekt ushtarak.  Ashtu! Po pse? Nëse armiku do zbresë me aeroplan në rrugë, nuk mundet, sepse ka shumë kthesa dhe plepa skaj  rrugës. Rrugës duke ecur, diku  ku  një vend që quhej Vorë, u ndalëm te në atë vend ku  ishte një krua që rridhte ujë. Kishte  filluar vapë e madhe. Aty ishin dy kamionë dhe një  autobus, të cilit i hidhnin ujë. I ujisnin makinat që të freskohen. Ishte një autobuz me markën SKODA që s’kisha pa kurrë autobus të tillë. Një kamion ishte  shumë i  madh,  me një rimorkio prapa, i ngarkuar me qymyr. Iu afrova atij kamioni, ta shof nga afër. M’u duk interesant si ndonjë krokodil, M’u duk shumë i frikshëm. Dola te rruga, aty e shof  asfaltin  shumë të butë, si katran.

Filluam rrugën për në Tiranë. E pyes  shoqëruesin, Pse asfalti aq i butë dhe aq katran? Më tha se këtë e bëjmë me qëllim, sepse, nëse armiku zbarkon në rrugët tona, ne mundemi t’i djegim edhe  rrugët. Me një kofë me vajgur e lagim, dhe ia fusim zjarrin, dhe gjithë rruga digjet. Fillova që të luaj me kokë, se këtë nuk e kisha dëgjuar kurrë. Një person që ishte me mua, që kishim ardhir bashkë, i tha atij shoqërusit: Ky shoki ynë  i bën disa pyetje që  nuk duhet t’i bëjë, ndaj mo ia zë për të madhe! Ai pohoi me kokë, duke buzëqeshur. Në hyrje të Tiranës, rrugët nisën të duken më të gjëra. Përfunduam në Sheshin SKENDERBEU. Vapë e madhe shumë. Më dukej vetja si në ëndërr. Isha duke parë Gjergj Kastriotin, Pallatin e Kulturës, Muzeun Kombëtar, Bankën  Popullore Shqiptare. Shkuam në  hotel Drini. Aty shoqërusi i cili ishte me  prejardhje nga Tetova, por me  banim mbi 50 vjet në  Tiranë, e mori përgjegjësinë për ne, duke garantuar shoqërimin tonë. Në Hotel Drini, afër xhamisë, shkuam që të drekojmë, pilaf me copa mishi, siç e quanin ata: me  bërcolla viçi.

Pastaj shkuam në qendër të qytetit. Busti i  Stalinit mënjanë, dhe në anën tjetër ai i Leninit. Dukeshin gjoja se e përshëndesnin njëri-tjetrin. Aty afer ishte hotel Dajti, kurse më tej Universiteti  Enver  Hoxha. U kthyem tek Muzeu  Kombëtar. Aty qëndronte një përmendore gjigante e Enver Hoxhës, dhe dy ushtarë i bënin roje. Qëndrova 45 minuta në qëndër dhe nuk lëvizi asnjë makinë. Ndërkohë, më pas, shkuam rrugës së Durrësit, tek kafe Flora. Aty bënin takime njerëz të shtetit, ushtarakë, kuadro të sigurimit etj. Pasi pimë kafe, dolëm përsëri në qytet. Nuk pashë asnjë njeri rrugës. Pyeta atë shokun që ishte vendas, Ku janë njerëzit? Ai më thotë: Nga ora dy pasdite, tiranasit bëjnë një pushim pas dreke. U vendosëm në Hotel Tirana. Shteti Shqiptar kishte dhënë një dekret që kosovarët të paguajnë njësoj si vendasit. Çmimi ishte 20 lekë të reja, dmth. dy dollarë. Pas një pushimi  ditor që bëra edhe unë si vendasit, nga  ora  pesë pasdite, dola në  qytet vetëm. Hyra nëpër dyqane. Kishte dyqane të ndryshme. Kishte shumë dyqane ku shiteshin libra shkollorë. Nuk kishte dyqane si në Perëndim dhe në Kosovë, dyqane private apo vetëshërbime me ushqime. Ndërkohë, shkova pranë Sheshit Avni Rustemi, ku bëra disa foto. Aty pranë ishte një agjenci taksistësh, me disa makina Fiat dhe Pz-Polak.

Një nga taksistët më  pyeti. Nga je? I tregova se jam nga  Kosova. U çudit dhe më tha: Ai atje, ai plaku i gjatë me  atë Fiatin e kuq,  është  kosovar. E quajnë  Hasan Kosova. Shkova, i fola dhe i erdhi shumë mire që u takuam. Ai kishte lindur në Tiranë por kishte preardhjen diku nga rrethi i Kumanovës, I ikur që në kohën e  Zogut nga  torturat  serbe të asaj kohe. Që të jesh taksist në  Shqipeëi ishte një previlegj i madh. Baci Hasan Kosova, i cili e kishte marrë mbiemrin si respekt për Kosovën, kishte punuar si shofer tërë jetën. Kishte qenë shofer i shumë ministrave të Shqipërisë. Më dha disa këshilla për makinën. Më tregoi se benzina nuk është e mirë për makinat perëndimore, se duhet benzol pull, siç e quanin ata. Pasi u ndava nga Baca Hasan, hyra në një rojtore special. Aty u ula në rend që të qethem. Ishte një femër që të merrte paratë dhe të jepte një lloj bilete që të shkosh tek berberi për t’u qethur. Mua më ra një që e quanin  Agim, por e thërrisnin Gimi. Më tregonte me zë të vogël se këtu janë qethur shumë njerëz të njohur të shtetit. Më tha mos kisha ndonjë orë apo diçka tjetër nga jashtë, që t’ia shes. Bisedonte me zë të vogël që të mos e dëgjonin të tjerët. Egzistonte frikë e madhe për t’u shprehur.

Ky Gimi ishte i kënaqur me punën e tij dhe kishte një motoçiklitë. Motoçikleta ishte një mjet që kishte të drejtë ta ksihte si pronë private. Ai që kishte motoçikletë, ishte njeri i nderuar dhe i privilegjuar. Pasi dola  nga  aty,  duke ecur takova  dy bashkudhëtarë që kishim ardhur së bashku në Shqipëri. Te ëmbëltore Partizani, aty pranë, ishte Ushtari i Panjohur dhe pranë tij Banjoja Publike, të vendosura nën tokë. Duke biseduar me ta dhe erdhi një burrë i gjatë me një sheshir në kokë, me mustaqe të bardha. Setrën e kishte hedhur pas krahëve, me një veshje komplete. Na përshëndeti me një dialekt si në Kosovë: Tungjatjeta o djemtë e Kosovës! Na kapi për qafe duke na shtrënguar dorën. Ky ishte një i ikur nga Kosova në vitin 1955. Si i ri në atë kohë, kishte qenë mësues në  shkollë, në  një fshat të  Pejës, në  Trepoviq. Ky ishte Ramadan Asllan Shala,  apo siç e thërrisnin tiranasit,  Xhajo nga  Loxha. Kisha dëgjuar për  këtë njeri, kur isha në Kosovë, në ato vite.

Vëllau i tij i madh, ishte i dënur politikisht me disa vjet në burg. Avdyl Shala, apo sie quanim, baca  Dyl (ku isha disa muaj  i strehuar në shtëpiat e kushërive të  tij  dhe të  bacës Dyl, gjatë luftës në  Kosovë). Shumë vite punon së bashku, vëllai im  i madh, Rama, me vëllaun e  tij, si shofer në  një  ndërmarje, në Pejë. Dolëm të njohur së bashku. Aty filloi miqësia e jonë, miqësi që e ruajmë edhe sot. Ky xhaja më tha, Eja tek unë të banosh! Mos shko në hotel dhe bisedojmë për Kosovës, se kështu dhe mua më bën të lumtur! Kështu që u strehova aty disa javë. Aty gjeta mësuesen e nderuar, Lirien, gruan e tij, djalin Shkëlzenin dhe dy vajzat, Valbonën dhe Besën. Banonin mbi ëmbëltoren Partizani, në katin e fundit. Kjo banesë me vite u bë çerdhja e jonë. Shtëpi e gjithë atyre që vepruan për çështjen e Kosovës. Në këtë banesë fjetën me qindra uftëtarë që sot janë dëshmorë të Kombit dhe të kësaj lufte të fundit. Me Xhajën na lidhën shumë gjëra të përbashkëta. Ai kishte përvojë politike dhe ushtarake të ilegalitetit. Xhaja u bë një mësues i mirë për mua. Ai punonte në Agjensinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), ku përkthente lajme nga serbishja në shqip dhe anasjelltas.

Tërë jeta i kishte shkuar duke milituar për çlirimin e Kosovës. Në familjen e tyre nuk kishte biseda të tjera, por vetëm për Kosovën. Gruaja e tij ishte  kosovare, e lindur në   fshatrat e Gjilanit. Babai i saj kishte kryer normalen në kohën e  Zogut, në  Elbasan. E quanin  Xhavit  Podini-Destivojca. Ishte kthyer në  Gjilan gjatë pushtimit    Italianve. Kur kishin hyrë partizanët, e kishin burgosur dhe kishin dashur ta pushkatojnë, por kishte pasë fat dhe kishte ikur për në Shqipëri, me gjithë  vajzën dhe  gruan që e kishte (durrsake). Edhe atij e gjithë jeta i kishte shkuar duke milituar për çështjen e Kosovës. Unë i tregova  Xhajës se  kam lënë në Danimarkë gruan me  një djalë të vogël, dhe se kam ardhur këtu që të bëjmë diçka për çështjen e Kosovës. Pasi më dëgjoi pa më penguar, u ngrit dhe më kapi për qafe, duke më thënë, Ma kënaqe shpirtin me këto që po thua ti! Unë gjith jetën ia kam kushtuar Kosovës. Filloi të më tregojë për jetën e tij, për sakrificat që kishte përjetuar së bashku me shokët, për Kosovën. Për të udhëtuar nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë apo nëpër fshatrat e saj, duhej marrë leje. Këtë punë e rregulloi Xhaja, kështu që më lëshuan leje me nënshkrimin  e Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai. Kjo kishte shumë rëndësi. U çelën rrugët që ne të qarkullonim pa asnjë pengesë, kudo që dëshironim.

Bënim vizita nga Kukësi deri në Sarandë. Në çdo hyrje të qyteteve kishte postpblloqe nga policia rrugore. Maftonte të tregonim atë leje qarkullimi, dhe na përshëndesnin me grusht, duke na uruar ditë të mbarë. Një ditë, duke u kthyer nga Saranda për në Berat, ndaluam në një hotel që e quanin Hotel turistik. U ndalëm aty me makina me targa të huaja. Ishte një çudi për personelin e atij hoteli. Pas disa minutash erdhi kryetari i zonës që dukej si një sheriff I plotëfuqishëm. Na përshëndeti me grusht dhe u ul me ne në tavolinë. Pasi na bëri disa pyetje dhe ia treguam dokumentacionin, u çua dhe pas disa minutash erdhi përsëri. Si duket e verifikoi nga qendra se ksuh ishim. Një nga ata të qytetit të Beratit, na tha se këtu në hotel, keni një banakiere e cila shërben kafe të mira dhe se është kosovare. Xhaja tha: Thirrmani këtu, vrap! Erdhi një vajzë e moshës 20 vjeçare. Na përshëndeti pak si e frikësuar. Pasi na tregoi se ishte nga qytetit i Prizrenit, e cila kishte ikur nga Kosova në vitin 1981, me babain e vet ishte vendosur në Berat. Kur  erdhi koha që të çohemi e t’i paguajmë kafet,  ajo vajza nga Prizreni tha: Ndihem mirë që ju shof që jeni nga Kosova. Kam dëshirë t’ju qëras me këto kafe! Xhaja  i tha të ulet tek ne, pasi shkuan ata    “plotfuqishmit” e  Beratit. Ajo nisi të  tregonte nga ishte dhe kënd e kishin në Kosovë, dhe në ndërkohë filloi të flasë pa frikë.

Xhaja e njihte babain e saj, dhe e dinte kohën kurr kishte ardhur në Shqipëri. Unë u çova në atë moment dhe shkova te makina, i mora dy qese me nga 250 gramë kafe që i kisha blerë në Daniamrkë, dhe ia dhashë vajzës. Xhaja i tha: Thuaj babës tënd se këtë kafe po t’a dërgon e gjithë Kosova, ta pish për shëndet. Vajzës i rrodhën lotët si shiu nga ysytë. Pas disa minutash u qetësua dhe ne u nisëm rrugës për në Elbasan. Aty vizituam disa  kosovarë  dhe një  djalosh. Ishte djali i një patriotit elbasanas që kishte hapur shumë shkolla shqipe në  Kosovë. Populli ishte  shumë  i vuajtur. Gati të gjithë ishin të veshur njësoj. Shqipërinë e kishte kapur një krizë ekonomike dhe politike. Askush nuk folte për komunizmin dhe as për Enverin. Populli kishte hall tek ushqimi. Në mëngjes ishte radha e madhe e ushqimit dhe e qumshtit. Çdo gjë ishte me tallona. Çdo gjë ushqimore për jetën e njeriut ishte me përkufizime. Këtë nuk e kisha përjetuar kurrë. Para çdo gjë shitore ushqimesh kishte rradha të gjata. Kush ishte i zoti ta merrte bukën, e merrte, ai qeë nuk mundte, rrinte deri në mëngjesin e ditës së nesërme pa bukë. Shqipëria ishte e përmbushur me njerëz të vuajtur. Këtë e tregonin edhe fytyrat e tyre, të zbehura nga skamja dhe uria. Luftë për të mbijetuar.