Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Aktori që dridhi skenën e Hvarit

| E marte, 18.12.2012, 09:02 PM |


R e f l e k s i v e

Zbriti nga skena doajeni i Teatrit të Pejës, regjisori dhe aktori, Ilijaz Nushi

AKTORI QË DRIDHI SKENËN E HVARIT NË ISH JUGOSLLAVI

Nga Sejdi BERISHA

Qysh në fëmijëri e kisha ëndërr të shkeli në dërrasat e skenës së teatrit, dhe gjithnjë përvidhesha në derën e hyrjes, i ikja punëtorit i cili rrinte në portë për t’i kontrolluar biletat, vetëm e vetëm për të shikuar ndonjë shfaqje-premierë apo reprizë. Dhe, gjithnjë zija një kthinë të errët për t’i mos rënë në sy rojës së sallës. Kështu kisha vepruar gjatë e gjatë, e ndonjëherë, mu në mes të shfaqjes më nxirrnin nga salla. Atëherë, ose kthehesha në shtëpi me lot për faqe ose me zemër të thyer.

Mirëpo, dikur më vonë, kur pak u bëra djalë më i rritur, ky problem u zgjidh, pasi një njeri, të cilin shumë, e pothuaj gjithnjë e shihja në teatër, që dikur mësova se ai ishte edhe regjisor edhe aktor. Ai ishte, Ilijaz Nushi, i cili edhe më solli në skenë për ta bërë realitet atë ëndrrën time. E thashë këtë, sepse, kur nuk më mundësohej ta shikoj ndonjë shfaqje, zemra më bëhej çifut nga meraku, kurse, më të vërtetë, lotët nganjëherë, edhe pse nuk më shiheshin, ata brenda trupit tim ma përlanin çdo pjesë të damarëve dhe të gjakut. Kurse sot, lotët më tradhtuan ndryshe, kur mora lajmin se kishte pushuar së rrahuri zemra e regjisorit dhe e aktorit, e doajenit të artit skenik të Pejës, Ilijaz Nushit.

Njeriu që i dha kuptim artit skenik

Ilijaz Nushi, bashkë me disa amatorë të tjerë të artit skenik, i dha kuptim skenës, vlerat shpirtërore i bëri gjithnjë më domethënëse, dhe kështu, kulturën pejane dhe atë kombëtare e afirmoi dhe e solli përtej Pejës e Kosovës. Përmes dramës pejane, tanimë në tërë ish-Jugosllavinë njihej e dihej Peja e Kosova. Ky njeri, i cili kohëve të fundit, më nuk e kishte cak as synim teatrin, as skenën, as dramën, as regjinë dhe as aktrimin, sepse, pak mosha por pak edhe telashet me shëndet e bënin të veten.

Kohëve të fundit, ai, njëherë pa shtagën kërrutë e më vonë me te, nga shtëpia e tij, duke i “numëruar” hapat, dilte dhe më së shpeshti ulej te qebaptorja “Te Lala”, sepse, aty e ndiente vetën më të lirë, ngase, aty i punonte edhe nipi. Por, siç më thoshte, në krye të shëtitores së qytetit, shihte mbase edhe takonte njerëz, me të cilët edhe mund të bisedonte por edhe të shmallej. Mirëpo, të drejtën dua t’ua them, në tavolinë, më shumë ishte vetëm sesa me dikë. Ky realitet, pamasë më provokonte, dhe si në zë thosha:

-Po, jo more!,,, Athua, pse tani nuk i nevojitet askujt Ilijazi. Po, po. Tani nuk i nevojitet bile as teatrit, as atyre që dikur e rrethonin për t’ia dëgjuar dhe përfillur mendimin...-por, si i çmendur, thosha:

-Ai, tash nuk i nevojitet as rrugës,... as qytetit!

Po, sa marri është të mendojë kështu njeriu,... Po, sa marri dhe panjerëzi është ky realitet tek ne... Them, tek ne, sepse, kjo mund të ndodhë vetëm (ndoshta) tek ne... Dua të them, nuk i respektojmë njerëzit që e bëjnë qytetin, jetën,...që e rrisin dhe po ashtu e bëjnë të pavdekshëm një mjedis, një rajon mbase edhe kombin dhe atdheun.

Po. Kështu është dhe, pikë! E, Ju mendoni çfarë të doni, por edhe binduni, nëse keni argumente, nëse mundeni,...

Në ditën e premte, kur ky njeri i disiplinuar ndaj rrjedhave të jetës, iku i heshtur, por ndoshta përbrenda plot hidhërim. Ku ta di. Edhe hidhërimi iku bashkë me te dhe ngeli i mbyllur në shpirtin dhe trupin e tij. Më dhemb shumë për te, por edhe për njerëzit si ky.

I kisha treguar se jam duke e shkruar monografinë “Teatri i Pejës”. Më shikoi, si të mos isha pranë tij, sepse, m’u bë se shikimin e kishte ikur në horizont. Por, pas pak më pat thënë:

-Aha,... bash mirë! Teatri ynë është alfa dhe omega për artin skenik... Ki kujdes, mos i harro ata që kanë kontribuar për artin dhe kulturën,...

-E ke edhe për vetveten?! –i thash gati si për ta provokuar, vetëm e vetëm për ta marrë mendimin e tij.

-A,... edhe unë do të jam në këtë libër, a?!...

-Po! –i thash prerazi dhe m’u bë se këtë pyetje më provokoi.

-Hë,... si ta merr mendja? – thash prapë.

Ai, mendoi dhe mendoi dhe ma ktheu:

-Ani,... Mos e lë pa i thënë edhe disa fjalë për mua,... sepse, kam bërë diçka për teatër...

Ika me peshën e mungesës së respektit për njerëzit e mendjes, të cilët i kanë dhënë por edhe në të ardhmen do t’i japin shpirt qytetit, njeriut (siç them unë kështu përherë), pastaj kombit dhe atdheut. Dhe, u zotova se posa ta botoj Monografinë “Teatri i Pejës”, ekzemplarin e parë nuk do ta ndali për vete, por do t’ia dhuroj pikërisht, Ilijaz Nushit (dhe kështu ndodhi), këtij njeriu, i cili kurrë nuk ka ditur të lodhet vetëm e vetëm për t’i dhënë dritë e madhështi skenës, lojës dhe artit skenik. Sepse, ai, si duket, edhe pse punonte si nëpunës në administratën e Gjykatës së Qarkut në Pejë, teatrin dhe skenën e kishte jetë, dashuri, mburrje, e kishte pjesë të familjes dhe tek e fundit mund të them edhe oksigjen për të marrë frymë ashtu si kishte dëshirë ai vetë.

Çfarë kënaqësie ishte të punosh me te, të aktrosh në skenën e teatrit me mësimet e tij, i cili, aktivitetin e artit skenik, në ato kohëra të vështira dhe të brishta, e shtriri edhe në shkolla të mesme të Pejës, në gjimnazin, atëherë “11 Maji” dhe në Shkollën Normale, por edhe në mjedise punonjëse industriale, si në Fabrikën e pjesëve të automobilave dhe në Kombinatin e lëkurave dhe këpucëve.

Po, kush ishte Ilijaz Nushi? Kush ishte ky njeri gjithmonë me një optimizëm të paparë dhe të veçantë, të cilin nuk mund ta shpjegosh, sepse, vërtetë ishte i veçantë. Bile, kur takohesha me te dhe e pyesja për shëndetin, gjithnjë më përgjigjej:

-Të gjithë janë më mirë se unë,... kurse unë më mirë se babai im!...

Edhe kjo përgjigje ishte mesele dhe metaforë.

Njëri prej entuziastëve dhe amatorëve i cili pothuaj se tërë jetën iu përkushtua artit skenik në Pejë, ishte Ilijaz Nushi, i cili qysh si maturant në gjimnazin e Pejës u angazhua në këtë fushë të kulturës dhe arriti që të bëhet pjesë e pandarë, por edhe puna e tij ngriti dhe dha rezultate, që teatrin e komunës së Pejës e stolisnin me shumë mirënjohje, lëvdata dhe çmime të ndryshme.

Shfaqjet e Ilijaz Nushit kanë marrë pjesë pothuaj se në të gjitha festivalet e teatrove amatore në Kosovë, Serbi dhe në ish-Jugosllavi.

Tridhjetë role dhe mbi njëzetë realizime regjisoriale

Ai, interpretoi mbi tridhjetë role në pjesë të ndryshme teatrore, kurse i realizoi mbi njëzetë premiera, respektivisht regji. Vetëm deri në vitin 1961 mori pjesë në interpretimin e roleve dhe në realizimin e regjisë të shumë shfaqjeve, komedive dhe dramave. T’i numërojmë vetëm disa sosh: “Cubat e Shilerit”, dy pjesë të Jovan Karagjalës, “Besa” e Sami Frashërit, “Tezja e Karlit”,  “Bota”  dhe “Familja e pikëlluar” të Branisllav Nushiqit, “Njerëzit” e Velimir Subotiqit, “Hakmarrja” e Jusuf Kelmendit, “Te Kulla e Hasim Bajraktarit”, “Nuk martohem me para”, “Halit Gashi”, “Martesa” e Gogolit, “Burri, burrë” e Kristo Floçit, “Sikur të isha djalë”, “Nikoletina Bursaçi”, “Kryet e hudres” të Kristë Berishës, “Oda e errët” e V. Filipoviqit, pastaj, ‘Shtatë Shaljanët” të Ndrekë Lucajt, “Nora” e Andrea Skanjetit, “Ngjarje në Vishi” e Molierit, “Valsi i kuq” i Sejdi Berishës, “Njerëzit me shpresa të thyera” dhe “Memoaret” të Shaip Grabovcit etj.

Ilijaz Nushi ka qenë punëtorë i palodhshëm edhe në aspektin e masivizimit të artit skenik në shkolla dhe mjedise punonjëse.

Këtë njeri e kam njohur që prej kur isha shumë i ri, dhe më vonë hapëruam së bashkua në teatër. Pra, Ilijaz Nushi kishte edhe një veçori tjetër, e ajo ishte shoqërimi me gjeneratën e re. Nuk ngopesha me atë që ndodhte në mbrëmje gjatë provave në skenë. Merrja guximin dhe ktheja në zyrën e tij në gjykatë. Edhe aty mësova shumëçka dhe u kalita...

Dhe tash, pas tërë atij rrugëtimi nëpër përplasje jete, regjisorin dhe aktorin e Pejës, për çdo ditë e shihja gjithnjë e më të lodhur, më të rrezbitur.  Shpesh i “shëtiste” këmbët mbase edhe ndoshta shmallej me qytetin dhe me bukuritë e Pejës, të cilën e donte shumë, por edhe i kishte dhënë një pjesë të zemrës, të shpirtit dhe të jetës.

Me hapat e rënduar dhe, gjithherë me duar të lidhura pas shpine e “rrumbullakonte” qytetin, dhe kështu kënaqej, por, gjithnjë i vetmuar! Nganjëherë ulej në ndonjë prej restoranteve apo kafeterive, edhe për të pushuar, por edhe për të pirë ndonjë kafe. Dhe, për mua, paradoksi: pothuaj se gjithherë vetëm tavolina dhe karriget e shoqëronin, çfarë, dikur, në kohërat e mëhershme, kështu kurrë nuk ka ndodhur. Dhe, ec e mos u hidhëro për dukuritë e tilla. Po ashtu, bëja një paralele: puna dhe kontributi i tij, shoqëria, Peja dhe tash vetmia e tij. Si mund të shpjegohet kjo?! Kurrsesi!

E pi kafenë “për faqe të zezë” siç thotë populli, i pushon këmbët dhe pastaj ia mbathë për në shtëpi. Kështu ishte rrethi i ditës së këtij aktori e regjisori.

Tash, nëse e sumblimojmë jetën dhe kontributin e tij, por edhe këtë që e theksova më lartë, atëherë, po çfarë tragji-komedi do të dilte, të cilën deri me tash askush nuk e ka shkruar dhe as nuk ka arritur ta realizojë në asnjë skenë teatrore, dhe, besoj se as nuk do të mund ta bëjë kush ndonjëherë një gjë të tillë!...

Dua t’u bezdis edhe me një detal për regjisorin dhe aktorin e Pejës. Ishte ulur në tarracën e qebaptores. Dhe prapë vetëm. Më falni. Ndoshta nuk ka qenë vetëm, por vetë i katërdhjeti. Duke kaluar atypari, e ktheva kokën anash, dhe them: le të pëlcasë ashtu qyqekall e vetëm. Por, nuk i bëra as dy hapa dhe e dëgjova zërin e tij, tani të shterur, jo si dikur në teatër, duke me ftuar për një kafe. Kur e ktheva kokën kah ai, ngriti gishtin tregues:

-Eja, ulu pak me mua...

Kjo lutje, tërë trupin ma çrregulloi, dhe atëherë mendimet të dalin nga koka si kopeja e trembur e deleve nga torishta. U ula, dhe i tregova se pse e bëra një gjest të tillë. Nuk ma bëri as dert këtë “sjellje” time, por më pyeti për familje dhe për shkrimet e mia. E vëreja se kishte etje e etje, të

cilën, kuptohet, as nuk kishte fuqi dhe as mundësi ta rrëfejë atë. Më pyeti për monografinë e teatrit. I thash se është kah fundi për t’u botuar.

Më shikoi e më shikoi, dhe iu mbushen sytë me plotë lëngë kripe!...Për pak kohë, asnjëri nuk folëm. Humben fjalët dhe mendimi. Dikur, pak më vonë, duke hurrpatur në filxhanin e kafesë, më tha:

-Tash, shko se i ke punët tuaja!...

Nuk munda t’i them asgjë, sepse, më giliconin lotët që më vinin nga majat e gishtave të këmbëve. U ngrita në këmbë dhe e putha si fëmijën, pastaj ia ktheva shpinën dhe me të madhe i shpejtova hapat. Kur zbrita më poshtë trotuarit, u ktheva dhe e shikova nga larg. Ishte pikatur si statujë me shikim kah qyteti, apo, kush e di se kah! Prej asaj kohe, regjisorin dhe aktorin, doajenin e artit skenik pejanë, shumë rrallë e takoja. Tash, “shëtitjen” e kishte kufizuar: prej shtëpisë së vetë e deri tek kafeneja që është në rrugën për në spital. Krejt afër shtëpisë së tij. Nuk e thash këtë me ndonjë metaforë apo simbolikë, por, vërtetë ashtu ishte. Ulej në atë kafene afër shtëpisë së vetë. Tash, më shumë e takonte bashkëshortja ime duke shkuar për të blerë bukë. Edhe tash qyqekall,... vetëm. Përmes bashkëshortes sime m’i përcillte përshëndetjet. Tani, diçka sikur frymonte rëndë, si t’i kishte ardhur fundi diçkaje.

Por, zbriti nga skena për të ngelur përgjithmonë në skenë...

Regjisori dhe aktori, Ilijaz Nushi, kah mesi i nëntorit 2012 erdhi në teatër me përcjelle familjare. Aty, atë mbrëmje, për vepër jetësore e nderua me çmimin që ia ndau Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. U ngjit në skenë për herë të fundit. E mori Çmimin, por fjala e tij nuk u dëgjua. Fryma e tij tani ishte shumë me grat. Pastaj, përtueshëm zbriti nga skena, sikur të kishte dëshirë që aty të përjetësohej.  Por, zbriti nga skena edhe kësaj here doajeni i artit skenik të Pejës, regjisori dhe aktori, Ilijaz Nushi,... për të mos u ngjitur kurrë më! Mirëpo, vepra dhe puna e tij kanë ngelur histori e ndritur e artit skenik, e kulturës dhe e Teatrit të Pejës. Ai, ndërroi jetë të premten, më katërmbëdhjetë dhjetor dhe u varros të shtunën me pesëmbëdhjetë dhjetor 2012...

Ilijaz Nushi, për Ty më mungoi një mbledhje komemorative... së paku këtë e ke merituar!

Unë,... çfarë të them tash?! Kaq! Më falni që në fund të shkrimeve të mia, shpeshherë e përdor këtë fjalë, për mua shumë e fuqishme, shumë domethënëse, shumë me peshë dhe shumë qortuese...!