| E hene, 17.12.2012, 07:31 PM |
Show me
puç dhe puçista tek 'Darka e gabuar'
ABCNEWS, BERISHA , FRANGAJ, TOPALLI, ZOGAJ ETJ.
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Disa ditë
më parë pamë se si kryeministri i Shqipërisë në mbledhjen e grupit parlamentar
të PD dhe përpara kamerave foli, duke huazuar titullin e një libri të Kadaresë,
për një «Darkë të gabuar» të ca ish-bashkëpunëtorëve të tij që deshën t’i bënin
puç, por që sipas Berishës u kishte dalë huq. „Puçi antiBerishë“ u kthye në
lajmin kryesor për gazetat e Tiranës, paçka se javën që shkoi lajmet kryesore
ishin dy, i pari ai që vinte nga Transparency International ku Shqipëria zinte
vëndin e parë si vendi më i korruptuar i Ballkanit dhe lajmi i dytë, nga BE, i
cili ia refuzonte për të tretën herë klasës politike statusin e kandidatit. Në
raste të tilla, duhet të kishim një lumë dorëheqjesh, por në Shqipërinë
politike nuk qëndron më i miri, por anasjelltas, më i korruptuari, dosjexhiu,
spiuni, maskarai, sharllatani, mediokri, ky prototip është modeli i politikanit
që ka prodhuar tranzicioni shqiptar, ai bën karierë, ai bëhet deputet,
ministër, botues, opinionist e më the të thashë.
E lamë
tek puçi antiberishë, i cili u zbardh disi të shtunën në mesnatë tek emisioni i
Arian Çanit ‚Zonë e lirë‘, ku Çani kishte ftuar personazhët kryesorë të darkës
së gabuar, që paskëshin qenë Aleksandër Frangaj, Blendi Fevziu, pjesëmarrës tek
ditëlindja e Preç Zogajt, i cili ka 22 vjet që kacavirret sa majtas-djathtas,
herë deputet i PD-së, herë i PS apo satelitëve të tyre, herë ministër i
qeverisë të Stabilitetit, herë ministër i qeverisë së dalë nga revolucioni
gjakatar i 1997, pastaj prapë deputet i Berishës, e tani zëdhënës i koalicionit
të Ed Ramës. Përveç këtyre Çani kishte ftuar edhe Andi Bushatin, Andi Bejten,
Armand Shullakun e ndonjë tjetër, që s’po ia përmend emrin.
Disa kohë
më parë deputetja e PD-së Mesila Doda, njëra prej ish-studenteve dhjetoriste do
ta denonconte Preç Zogajn në një emision të Blendi Fevziut si një ish-Sigurims
i vjetër. Por Preç Zogaj reziston. Nuk dihet po ashtu se cili ka qenë shkaku i
largimit nga ABCNEWS e gazetarit të shkëqyer, anchorman-it Enkel Demi, ikja e
të cilit, po ashtu, i ka larguar teleshikuesit e ABCNEWS nga orët e mëngjesit.
Por duket se askush nuk pyet për shikueshmëri.
Ftesa që
Çani i bënte zotit të shtëpisë, dmth Frangajt, binte erë servilizëm. Qëllimi i
kësaj ftese ishte që Çani t’i bënte pyetjen Frangajt se a mos, për shkak të
asaj darke të gabuar, e kishte ndryshuar vijën politike dhe nga mbështetës i
Berishës, ishte kthyer në përkrahës të Ed Ramës! Troç, Frangaj duhej ta kishte
urdhëruar Çanin, që ta ftonte dhe ta pyeste për sa më sipër. Se mos ABCNEWS dhe
KLAN kishin ndryshuar krahun, nga djathtas majtas?
Në fakt,
shenjat se diçka kishte ngjarë ishin dhënë një natë më parë, kur, gjatë orëve
të Sonila Meços, u dha dy herë kronika ku duelonte në Parlamentin e Shqipërisë
Jozefina Topalli me Ditmir Bushatin, ku Bushati i kujtonte kryetares së
parlamentit të dhëndrin dhe të vëllain që i ka nëpër ambasadat shqiptare në
botë, si pasojë e postit që ajo mban. Ishte diçka e paparë. Që kjo të ndodhte
tek ABCNEWS. Zakonisht ABCNEWS arrin deri aty sa redakton sipas qejfit edhe
deklaratat e zyrtarëve më të lartë Perëndimorë dhe i transformon ato në favor
të Berishës, edhe kur ka kritika të drejtpërdrejta.
Tek
ABCNEWS janë tema tabu kritikat ndaj shefit të qeverisë dhe enturazhit të tij
të ngushtë, përfshi Jozefina Topallin. Në dimrin që shkoi kisha botuar një
shkrim hulumtues për Ministrinë e Jashtme dhe midis të tjerave përmendja
dhëndrin e kryetares së Parlamentit të Shqipërisë. ABCNEWS në orët e mëngjesit
tek lexonte titujt e gazetave, kur i erdhi radha gazetës Shqip, ku ishte botuar
shkrimi, shkoi deri aty sa e censuroi leximin e titullit.
Tani,
merreni me mend si ka arritur puna kur dy ditë më parë, Sonila e lajmëronte dhe
rilajmëronte shfaqjen dhe rishfaqjen e kronikës në të cilën Ditmir Bushati e
akuzonte Jozefina Topallin për nepotizëm! Kronika që dha Top Channel ishte
sintetizuar, ndërsa tek ABCNEWS ishte dhënë gjithçka me hollësi, gjerë e gjatë.
Pra diçka kishte ndodhur. Dukej qartë se Frangaj i tregonte Berishës fuqinë e
tij si shtëpi mediatike.
Sepse që
Zogaj, Frangaj, e Mustafaj me kompani hanë dreka e darka bashkë kjo nuk përbën
lajm. Që në njërën nga këto darka ishte edhe Ed Rama as kjo nuk përbën lajm,
sepse, si e shkruante Mustafa Nano, ata gjithnjë bashkë kishin qenë. Kur Zogaj
është mik i Ramës dhe Zogaj po ashtu është mik i Frangajt, atëherë me rregullin
e treshit del që Rama të jetë edhe mik i Frangajt. Sepse Frangaj nuk e ka mik
Berishën, sepse po ta kishte mik, atëherë do të dilte që edhe Rama të jetë mik
i Berishës! Kjo sikur nuk shkon. Po ku i dihet asaj pune. Në lidhje me
miqësitë, Frangaj bëri ca komente tek Çani, për të treguar tolerancën e
shpirtit të tij demokrat. Po për llogari të shpirtit të tij demokrat, Frangaj i
tha Andi Bushatit se „Andi qenkesh i të majtës ekstreme“.(!!!)Dhe prapë Frangaj
prej demokracisë të shpirtit e pranonte! Andi Bushati është i majtë, por
natyrisht që nuk i takon të majtës ekstreme.
Sa për
ftesën e Çanit, që Frangaj e Fevziu të komentonin komentet e Berishës për
darkën e gabuar, kjo të kujtonte një darkë tjetër të gabuar, kur Ilir Meta dhe
Ed Rama kishin ngrënë ngjala në vilën e të parit tek Gjiri i Lalzit. Pas asaj
darke tête-à-tête, të Metës me Ramën, Fevziu e thirri menjëherë liderin e
opozitës tek Opinion dhe pastaj ia shfaqi të gjitha insertet televizive ku Meta
i adresonte sulme pas sulmesh kryetarit të PS-së, në kohën kur ky ishte bërë
aleat me Dritan Priftin dhe atë botë qarkullonin videot, ku Prifti e akuzonte
Metën për korrupsion aktiv. Ftesën Fevziu ia bënte Ramës, por qëllimi i tij
ishte për t’i dhënë Metës të kuptonte se, nëse lëvizte bishtin dhe ndryshonte
koalicionin, ABCNEWS dhe TVKLAN nuk do të merreshin me gjë tjetër veç do të
shfaqnin e rishfaqnin kronikat ku Meta e Rama shaheshin e mallkoheshin. Vërtetë
do të jetë diçka shumë spektakolare, sikur TVtë e Shqipërisë t‘i venë në
përdorim arkivat, që opinioni publik t’i ketë parasysh se si „armiqtë për
vdekje“, ata që e akuzojnë njëri-tjetrin me nëntëdhjetë e nëntat, bëhen miq e
vëllamë, kur vjen puna për interesa pushteti.
Pra „ftesa“ tek Zona e Lirë, të cilën Çani ua bënte Frangajt dhe disa prej atyre që kishin marrë pjesë tek „Darka e Gabuar“ në mesnatën kur ndërrohej e premtja me të shtunën, kur pjesa më e madhe e shqiptarëve flinin, por Berisha jo (se dihet që ai vuan nga pagjumësia dhe fle vetëm tre-katër orë në natë), kishte si qëllim që t’i dërgonte një mesazh të drejtpërdrejtë shefit të ekzekutivit, i cili tashmë është futur në fushatën e 23 qershorit. Sipas këtij mesazhi, nëse Berisha, do të bëjë ndonjë devijim apo tundje bishti, ABCNEWS dhe TVKLAN do të kalojnë në krahun tjetër dhe pastaj Berisha do të mbetet me gisht në gojë! Por e meriton të mbetet ashtu, sepse, nëse dikush është përgjegjës për klientelizmin dhe gazetarëve dhe mediave të Tiranës, ky person është pikërisht vetë ai. Dhe nuk kaloi pak dhe Çani lajmëroi se Berisha i kishte dërguar një sms, përmbajtja e të cilit s’ka rëndësi fare. Rëndësi ka që Berisha e kishte marrë mesazhin.