E enjte, 25.04.2024, 07:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Ukaj: Njëmendësia e fjalës si rilindje e kritikës

E shtune, 26.04.2008, 08:01 AM


Ndue Ukaj
Njëmendësia e fjalës si rilindje e kritikës

(Anton Nikë Berisha, Njëmendësia e fjalës (Mundësi interpretimesh letrare), Shpresa&Faik Konica, Prishtinë, 2006)

Nga Ndue Ukaj

Anton Nikë Berisha njihet në kulturën e shkrimit shqip si shkrimtar, prozator e studiues i shumëllojshëm letrar. Në komunitetin e kritikës letrare shqipe, është paraqitur si studiues i formuar; shkrimet e tij metakrtike i karakterizon një qasje sintetizuese dhe integruese ndaj korpusit të tërësishëm të letërsisë shqiptare, ku vërehet sidomos një qasje speciale ndaj letërsisë së arbëreshëve të Italisë, letërsia kjo që në kuadër të letërsisë shqiptare mbetet, për shumë arsye e veçantë, madje edhe influencuese, sikundër përmes shumëllojshmërisë së trajtave dhe sistemit zhanror, ashtu edhe përmes poetikave. Për këtë korpus të gjerë dhe tejet të rëndësishëm letrar, Berisha ka realizuar studimet shumë të çmueshme, ashtu në prirjet moderne e europiane që ka kjo letërsi. Po ashtu Berisha dallohet për veçanti krijuese si shkrimtar, ku gërshetohet fuqia narrative me ndjenjën e ëmbël të gjuhës së artit poetik, elemente këto që e bëjnë këtë autor një shkrimtar të rëndësishëm.

Në komunitetin e kritikës letrare, Berisha ka aplikuar metoda origjinale për studimit e korpusit letrar të letërsisë shqiptare, sidomos në qasjet interletrare mes letërsisë shqipe dhe folklorit, pastaj mes letërsisë sonë dhe veprave të ndryshme të artit botëror. I njohur dhe i pranuar si studiues i çmuar i letërsisë së arbëreshëve të Italisë, pastaj studiues që ka realizuar hulumtime sintetizues për shumë autorë të ekskomunikuar të letërsisë shqiptare, si: Ernest Koliqit, Martin Camajt, Atë Gjergj Fishtës, Atë Anton Harapit, Anton Nikë Berisha ka luajtur rol të rëndësishëm, jo vetëm për botimin e shumë autorëve të rëndësishëm, por, edhe për njohjen e këtyre autorëve në ambientin shqiptar, e veçanërisht ne atë të Kosovës. Dhe kështu ka hapur mundësitë për njohjen e lexuesve dhe studiuesve të ndryshëm me këta perla të letërsisë shqiptare. Por, duke ndikuar përmes studimeve integrale ndaj letërsisë shqiptare, duke e parë si tërësi.

Statusi i shkrimit metakritik të Berishës është i nivelit komentues, autori duke komentuar tekstet dhe rëndësinë e tyre në kuadër të letërsisë shqiptare, gjithmonë qasjet i kontekstualizon në funksionalitetin që kanë pasur në kohë të caktuar, si për vetëdijen artistike, ashtu edhe për atë nacionale, por, gjithnjë shfrytëzon referenca relevante të mendimit kritik e teorik, elemente këto që pasurojnë këto studime.

Në librin e fundit "Njëmendësia e fjalëve" me nëntitull (Mundësi interpretimesh letrare), Anton Nikë Berisha sintetizon eksperiencën e gjatë në studimet letrare dhe njëherit krijon një pamje të qartë të botës së artit të shkrimit, jo vetëm në kontekstin e botës së artit shqiptar, por, duke u zgjeruar në hulumtime dhe kërkimet në përmasat universale, sidomos të veprat e mëdha, sikurse është Poema "Gjerorgjika" e Virgjilit, pastaj epi  "Kënga e Nibelungëve" etj. Kjo dëshmon se Berisha letërsinë nuk e koncepton në suaza të ngushta, por e sheh si dukuri universale që krijohet në interkomunikim, marrëdhëniet e së cilës janë specifike.

Përqasja e Antonit në këtë libër studimesh e përsiatjesh për letërsinë është e nivelit hulumtues, autori përdor një metodë strukturale, të nuancuar me qasjen hermeneutike, ku autori shqyrton rrafshin e ideve letrare, por edhe statusin e stilit të autorëve të caktuar, duke i analizuar edhe në rrafshin gjuhësor. Statusi i shkrimit kritik letrar të Berishës, përveç sprovës, pretendon edhe argumentin.

Autori letërsinë shqiptare e koncepton në tërësinë e saj, duke pasur një përformancë të arsyeshme për letërsinë që krijuan dhe krijojnë arbëreshët të Italisë, në fushën e së cilës, autori paraqitet me mjaft ide të reja, madje fare të panjohura në kulturën letrare shqipe.

Qasja që ndjek autori në leximin dhe interpretimin e letërsisë është e kombinuar përmes metodës së hulumtimit dhe kërkimit të dukurive esenciale të ligjësive të artit poetik, të cilat i aplikon të autorët e veçantë, e të cilat, Berisha i kërkon përmes qasjes sprovuese. Libri është i ndarë në tre kapituj: I. Çështje të parimit krijues poetik (mbi parimin krijues të De Radës, II. Vepra të letërsisë shqipe dhe III. Vepra të letërsive tjera.

Në kapitullin e parë autori si njohës i mirë i ligjësive të artit poetik, përmes autorit ë madh De Radës, si dhe krijimtarisë së tij të shumëllojshme, pastaj edhe diskurseve për artin e estetikën, artikulon edhe perceptimet e veta për fushën e letërsisë. "Për të krijuar një art të madh, që do t'i qëndronte kohës, De Rada i kushtonte vëmendje të madhe sublimes estetike" –shkruan Berisha (fq. 18). Ndodh kështu për faktin se kjo kategori letrare, në harmoni me të bukurën shkaktojnë atë që e njohim në fushën e artit , Katharsis aristotelian, apo katarsën shpirtërore, siç shprehet autori, si dimension specifik i artit letrar.

Në kapitullin e dytë, autori merret me fenomene dhe autorë të veçantë letrar të letërsisë shqiptare. Në tekstin e gjatë hulumtues, "Hyji dhe mbretëria hyjnore në poezinë shqipe", autori trajton korpusin e letërsisë shqipe me topose, motive e diskurse interletrare me Biblën, figurat Biblike, duke studiuar fenomenin prezent të ndikimit të letërsisë biblike në përmasa të fuqishme brenda letërsisë shqiptare nëpër gjitha periudhat, që nga datimet më të hershme deri tek letërsia që është në proces të krijimit. Këtë fenomen letrar e gjen nëpër gjitha periudhat e zhvillimit të letërsisë shqiptare, por, e sheh si specifik në letërsinë ë mëhershme shqipe. Shkrimtarët shqiptar që trajtojnë këtë temë dhe pasurojnë letërsinë shqipe, duke e inkuadruar edhe në rrjedhat botërore janë: Pjetër Budi, Adreni, Naim Frashëri,  Fishta, Francesko A. Santori, V. Prenushi, K. Floqi, Poradeci, Pashko Vasa, Arshi Pipa, Z. Skiroi, V. Zhiti, etj. E veçanta e kësaj poezie ndërlidhet me tendencat dhe prirjet që ka kjo ndaj nacionales, me të cilën të shumtën e herëve edhe korrespondon fuqishëm për të realizuar një raport interletrar.

Objekt gjithherë i preferuar i autorit është korpusi letrar i arbëreshëve të Italisë, madje në këtë drejtim është studiuesi më i kompletuar, i cili ka hulumtuar dhe lexuar në mënyrë më të veçantë këtë pjesë të trashëgimisë sonë letrare, madje edhe duke ndihmuar në shmangien e shumë gjymtimeve apo cungimeve që i janë bërë në të kaluarën, sidomos gjatë fazës së soc-realizmit në art e letërsi. Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm më këtë pjesë gjeografike, ka arritur deri tek shumë të dhëna të panjohura për autorët e mëdhenj arbëresh, si dhe ka kontribuar në njohjen me veprat integrale, e jo të fragmentuara të kësaj letërsie. Kështu në tekstin "Rreth poezisë së Nikollë Ketës", autori shtreson dimensionet dhe aspektet e zhvillimit të letërsisë shqipe të shek. XVII-XVIII, duke dhënë mjaft të dhëna relevante për autorin, dorëshkrimet e tij dhe nivelin estetik të poezisë së tij.

Ndërsa për nga rëndësia e veçantë në këtë studim paraqitet teksti: "Qenësia dhe moderniteti i tragjedisë sonë të parë "Neomenia" e autorit Francesk A. Santorit", në të cilin tekst autori shfaq ide mjaft të avancuara për këtë tragjedi, pak të njohur në ambientin tonë letrar, duke ndihmuar kështu studiuesit dhe lexuesit e ardhshëm, për zgjerim dhe thellim të studimeve të dramaturgjisë. Autori, duke e vënë në relacion me autor tjerë arbëresh thekson se vepra e tij është e përmasave të De Radës dhe Skiroit dhe bën pjesën në fundin e vlerave më të larta të letërsisë shqiptare, përgjithësisht, duke e vlerësuar Santorin "si krijues modern". Ndërsa, objekt tjetër i studimit të Berishës janë autorët e rëndësishëm të letërsisë shqipe, të periudhave të ndryshme dhe formacioneve të ndryshme poetike, të stileve dhe kategorive zhanorore, si Atë Leonard De Martini, Zef Skiroi, Zef Serembe, Ndre Mjeda, Anton Harapi, Anton Pashku, si dhe shumë autorë të brezit më të ri të letërsisë shqiptare. Kjo dëshmon se Berisha letërsinë e lexon si tërësi dhe e interpreton sipas një sistemi të ndërtuar e poetikisht të avancuar letrar.

Ndërkaq në kapitullin e fundit, autori përfshinë tekste për veprat e mëdha të artit botëror, për "Gjerogjikat " e Virgjilit, për "Këngën e Nibilungëve", ku sjell edhe një përkthim të këngës së pesë, si dhe për autorët, Seamus Heaney dhe Dominiko Korradini H. Brusard.

Shikuar përgjithësisht, edhe në këtë libër përmbledhje tekstesh teorike kritike për letërsinë, Berisha dëshmon prirjet e veçanta për interpretimin e letërsisë shqiptare, por edhe për qenësinë e artit, përgjithësisht.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora