E premte, 19.04.2024, 10:17 AM (GMT+1)

Mendime

Hasani: Haradinaj - legjendë e gjallë e Kosovës (4)

E hene, 17.12.2012, 07:22 PM


Ismet Hasani: Ramush Haradinaj – legjendë e gjallë e Kosovës (4)

Në këtë pjesë të këtij shkrimi do të lexoni:

1. Shtypi gjermanofolës për lirimin e Ramush Haradinajt

2. Carla del Ponte për R. H.

3. Lirimi i Ramush Haradinajt zemëroi Serbinë

4. Ministria e Jashtme e Rusisë: Lirimi i Ramush H. paraqet drejtësi selektive

*

Para se të paraqes përmbajtjen e nëntitujve të mësipërm, në vend të një parathënie, po e abstragoj këtë:

Një nga tragjeditë e mëdha të një populli, që popullin e bën të dëshprohet është edhe  ajo dhëmbshuria e përzemërt e ”miqve të vjetër” që s’kanë qenë kurrë miq!

Klikat e diktaturave nuk munden kurrë të bëjnë reforma thelbësore për liritë demokratike, se shkojnë shumë larg me dhunën e tyre, sa nuk mund të mos ”paguajnë” për ato që kanë bërë.

E drejta nuk ishte në anën e atyre që na mposhten me tanke; sot ata vetë janë të detyruar të rishikojnë qëndrimin e tyre, duke hedhur sytë nga reformat dhe liberalizmi.

Është krim i vërtetë të ndiqet e të burgoset një popull pse çfaq mendimet e tija për problemet e ndryshme politike.

Kundër shtazëve të egra, mund të mbrohesh disi, por kundër trillimeve dhe shpifjeve të njerëzve të ligj nuk ka mundësi të mbrohesh. Njerëzit e ligj janë mjeranë.

Diktatorët i bëjnë monopol të gjitha kompetencat, por duke qenë se një njeri i vetëm nuk mund të zotërojë kaq shumë njohuri sa duhen për të gjitha problemet, ata (diktatorët) në shumë raste vendosin me injorancë, duke shkaktuar më tepër dëm se dobi.

Ajo që kërkohet e thuhet në gjuhën zyrtare në vendet diktatoriale, të deklaruara e të maskuara, është aq në kundërshtim me atë që ekziston në të vërtetë, sa që njeriun me ndjenja e shpirt, një gjendje e tillë e torturon.

Paranoiaku* është i paaftë për çdo lloj mirëkuptimi e dhëmbshurie, me përjashtim të asaj për vetveten. Ai këmbëngul në mendimin e tij edhe atëherë, kur për të gjithë është e qartë se është e gabuar, nuk di ta braktis atë, prandaj është i rrezikshëm për shoqëri. Nuk çan kokën për dëshirat dhe mirëqenien e te tjerëve, kur nuk përputhen me dëshirën e tij. A nuk janë këto karakteristikat e diktatorëve panaroiakë që marrin në qafë popujt?!

(*paranoiak – shk. i pashpirt)

1. Shtypi  gjermanofolës  për lirimin e Ramush Haradinajt

Lirimi i Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij ka shkaktuar reagime të shumta në shtypin gjerman dhe austriak. Kanë munguar provat, por kush është fajtor?!Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarët e tij janë liruar, sepse nuk ishte e mundur të dëshmohej fajësia e tyre, shkruan gazeta "Tageszeitung". "Për ish - kryeprokuroren e Tribunalit të Hagës kjo është një shuplakë, sepse ajo ishte e bindur se Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij janë fajtorë për krimet e bëra në vitin 1998. Fakti që 10 dëshmitarë janë vrarë lë vend për shumë spekulime. Por Gjykata nuk mund të vlerësohet si e njëanshme, siç po ndodh në Serbi. Gjykata ka ndjekur faktet dhe dëshmitë, të cilat kanë munguar. Ndaj Haradinaj është shpallur i lirë. Kjo nuk është e mirë për viktimat, por vendimi është marrë në bazë të dëshmive. Për fat të keq shumica e kosovarë e kanë kuptuar këtë vendim si një konfirmim të pavarësisë dhe jo fitore të drejtësisë. Pra sundimi i klanit të Haradinajt në pjesën perëndimore të Kosovës do të vazhdojë dhe këtë duhet ta pranojnë edhe institucionet ndërkombëtare", konstaton autori i shkrimit në "Tageszeitung".Gazeta "Neue Zürcher Zeitung" e Zvicrës informon gjatë për procesin e lirimit të Haradinajt dhe bashkluftëtarëve të tij nën titullin "Pas Kroacisë tani po feston edhe Kosova". Gazeta rikujton se pas lirimit në Hagë të dy gjeneralëve të Kroacisë Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç tani u shpall i pafajshëm edhe Ramush Haradinaj. "Për këto vende kjo është një fitore e madhe ndërsa pala serbe e ka vlerësuar si një humbje të madhe të drejtësisë", shkruan gazeta.

Për lirimin në Hagë dhe pritjen e Haradinajt dhe bashkëpuntorëve të tij në Prishtinë, raporton edhe "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Ndërsa gazeta austriake "Der Standard" komenton: "Zemërimi i Beogradit pas lirimit të Haradinajt është shumë i madh. Ndërkohë që mllefi ende nuk kishte pushuar pas lirimit të dy gjeneralëve kroatë, Gotovina dhe Markaç. Për Serbinë është dëshpëruese sepse në të dy këto procese është konstatuar se ka pasur krime kundër serbëve, por të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm. Në Serbi me të drejtë shtrohet pyetja: kush është përgjegjës për këto krime?", shkruan "Der Standard". DW.

2. Carla del Ponte për Ramushin

Haradinaj është liruar sepse kanë munguar dëshmitë

Prokuroria nuk ka mundur të paraqesë dëshmitë e duhura për dënimin e Haradinajt, pohon ish - kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës për krime në hapsirën e ish-Jugosllavisë, Carla del Ponte.

DW: Zonja del Ponte, ju keni qenë kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, kur u ngrit aktakuza kundër Ramush Haradinajt, i cili u lirua si i pafajshëm. Në Kosovë dhe në Serbi nuk është befasuar askush me vendimin e Tribunalit për lirimin e Haradinajt. Po Ju a u befasuat?

Carla del Ponte: Jo, nuk jam aspak e befasuar. Haradinaj është shpallur i pafajshëm edhe në procesin e parë, ndërsa ky ishte tani procesi i dytë. Unë i kam ndjekur të gjitha hetimet kundër tij dhe në bazë të tyre kam përpiluar aktakuzën. Aktakuza është konfirmuar nga një gjykatës i Tribunalit por gjatë procesit ka qenë shumë e vështirë nxjerrja e dëshmive. Disa dëshmitarë nuk janë paraqitur në proces, ndërsa të tjerët kanë ndryshuar deklaratat e tyre. Ky ka qenë problemi kryesor, ndaj Haradinaj është shpallur i pafajshëm. Gjykata e apelit më pas ka vendosur që procesi të përsëritet. Por edhe në procesin e dytë problemi ka mbetur i njëjti: nuk janë paraqitur dëshmitë e nevojshme për dënimin e Haradinajt.

DW: Si e shpjegoni zhdukjen e disa dëshmitarëve e madje edhe vrasjen e tyre?

Carla del Ponte: Unë nuk kam njohuri për rezultatet e hetimeve, që janë bërë në Kosovë lidhur me këto raste, sepse nuk jam më në Hagë. Por fakt është që dëshmitë nuk kanë mundur të paraqiten në Hagë.

DW: Vendimet e fundit kanë shkaktuar në Serbi reagime të shumta negative. Si mund t'u shpjegohet tani serbëve se në Tribunalin e Hagës zotëron drejtësia, sepse atje janë dënuar kryesisht vetëm serbët. Në Serbi nuk i beson më askush këtij Tribunali?

Carla del Ponte: Kjo është e vërtetë dhe unë kam mirëkuptim për Serbinë. Por Serbisë duhet t'i shpjegohen në veçanti të dhënat për rastin Haradinaj - se si erdhi deri te ky vendim. Duhet kuptuar se jo gjithmonë para gjykatave mund të prezantohen dëshmitë e duhura dhe kjo ka si pasojë lirimin e personit të akuzuar. Ajo që mua më shqetëson është vendimi lidhur me procesin e Gotovinës. Ky vendim ishte për mua një befasi shumë e madhe, ndaj Serbia natyrisht që ka pasur të drejtë kur ka reaguar aq ashpër siç ka reaguar. Edhe unë kam qenë e shokuar. Në instancën e parë Gotovina është dënuar dhe dëshmitë ekzistojnë. Kjo natyrisht që nuk është e mirë për drejtësinë ndërkombëtare.

DW: Rasim Ljajiq ka deklaruar se Serbia do ta ulë nivelin e bashkëpunimit me Tribunalin në një nivel teknik. Çfarë do të thotë kjo?

Carla del Ponte: Nuk do të thotë shumë, sepse tani kanë mbetur të përfundojnë edhe proceset e fundit. Kjo nënkupton dërgimin e dëshmitarëve në Hagë, ndërkohë që dëshmitë janë janë depozituar atje prej vitesh. Besoj se ulja e nivelit të bashkëpunimit në një nivel teknik nuk ka asnjë domethënie. Bashkëpunimi teknik do të mjaftojë për vazhdimin e këtyre proceseve.

DW: Pas vendimeve të fundit, raportet mes Serbisë dhe Kroacisë janë acaruar, ndërkohë që disa politikanë në Beograd tani kërkojnë ndërprerjen e dialogut me Prishtinën. Duket se këto vendime po i influencojnë edhe raportet mes shteteve në Ballkan?

Carla del Ponte: Unë nuk mund të deklarohem lidhur me këto gjëra, sepse këto janë çështje politike. Prokuroria e ka kryer punën e vet dhe këtë punë e ka kryer siç duhet. Ndërkohë që përgjegjësinë për vendimet i ka gjykata. Unë mendoj se prokuroria e ka kryer mirë punën e vet.

DW: Deri kur do të vazhdojë punën Tribunali i Hagës?

Carla del Ponte: Atje tani po zhvillohen proceset e fundit dhe besoj se Tribunali do të mbyllet në vitin 2014.

3. Lirimi i Ramush Haradinajt zemëron Serbinë

Qeveria e Serbisë: Vendimi i Gjykatës së Hagës - i turpshëm.

Beogradi zyrtar ka reaguar fuqishëm ndaj lirimit të ish kryeministrit Ramush Haradinaj si dhe dy ish luftëtarëv tjerë të UÇK-së, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Kabineti i presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se vendimi i Tribunalit të Hagës, për ta liruar Haradinajn, “nuk është i bazuar në të drejtën dhe drejtësinë” dhe kjo i vështirëson përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon.

“Për krime të tmerrshme ndaj serbëve të Kosovës nuk do të dënohet askush”,thuhet në kumtesë, për të shtuar se “vendimet e këtilla nxisin separatizëm, i vështirësojnë përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon, i anulojnë përpjekjet e deritashme për normalizimin e raporteve të Beogradit me Prishtinën, dhe e rrisin euroskepticizmin në popullin e Serbisë”.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se lirimi i Ramush Haradinjat ka qenë i pritur dhe është i fundit në një serë vendimesh politike dhe jo juridike të Tribunalit.

Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se do të vazhdojë bisedimet me Prishtinën, meqë kjo është në interes të Serbisë.

“Eshtë në interes të Serbisë vazhdimi i dialogut dhe i eurointegrimeve”, ka thënë Daçiq pas lajmit për lirimin e Haradinajt, duke shtuar se edhe ky gjykim, si ai i gjeneralëve kroatë, do të rëndojë procesin e pajtimit në rajon.

“Natyrisht, e tëra që ka ndodhur kërcënon tërë procesin që është arritur deri tash, rasti i Gotovinës dhe ajo që ka ndodhur me Ditën e Flamurit Shqiptar, të gjitha ato rrëfime për bashkimin shqiptar- ne nuk do të duhej të shkonim në raundin e ardhshëm të bisedimeve. Do të duhej të prisnim deri në vitin 2014 për të vazhduar negociatat, por të shohim se çka është në interesin tonë. Unë jam njeri praktik”, tha Daçiq duke paralajmëruar pjesëmarrjen në raundin e ri të bisedimeve në dhjetor.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi ka liruar nga të gjitha akuzat “për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës” Haradinajn, Brahimajn dhe Balajn.

Ky vendim, sipas Rasim Lajiqit, kryetari i Këshillit Kombëtar për Bbashkëpunim me Tribunalin e Hagës e ka dëmtuar edhe më tej besueshmërinë e Tribunalit.

“Ne asnjëherë nuk kemi qenë më larg procesit të ripajtimit dhe përballjes me ngjarjet në ish Jugosllavi, sesa pas këtyre dy verdikteve(të Haradinajt dhe të lirimit të gjeneralëve kroatë, Gotovina dhe Markaç). Ky proces ka qenë i rëndësishëm, por tash është evidente se publiku në Serbia do ta shohë Tribunalin e Hagës si një gjykatë politike dhe jo një institucion legal”, është shprehur Lajiq.

Rigjykimi i pjesshëm ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën operative të Dukagjinit, Haradinaj, dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Brahimaj dhe Balaj, kishte nisur në korrik të 2010-ës me kërkesë të prokurorisë së Tribunalit të Hagës për t’i dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve “të rendësis

Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj qenë liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj qe dënuar me gjashtë vite heqje lirie për “trajtim mizor dhe torturimin” e të burgosurve të UÇK-së.

Ndërkaq, drejtoresha e Fondit Për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka thënë se lirimi ka qenë i pritur, meqë gjykimi është përsëritur vetëm në gjashtë pika, por, siç thekson ajo, “nuk do të thotë se nuk ka pasur krime”.

“Kjo nënkupton se 12 vrasje, shtatë torturime dhe një dhumin, që janë përfshirë në aktakuzën e prokurorit, nuk janë vërtetuar. Por, ekzistojnë konkludime të forta të gjykatës se krimet kanë ndodhur, me të cilën dërgohet porosia që me to të procedojnë institucionet përgjegjëse në Kosovë”, ka potencuar Kandiq.

Reagime nga më të ndryshmet kanë lëshuar pothuajse të gjitha subjektet politike serbe në Serbi, disa nga të cilët ndër të tjera kanë kërkuar nga krerët shtetërore që të ndërprejnë bisedimet me Kosovën, që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian.

Në prag të vendimit për Haradinajn përsëri kanë folur serbët.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksander Vucic ka deklaruar se po frikësohet se Haga do ta lirojë Ramush Haradinajn.

“Frikohem që aktgjykimi do të jetë lirues dhe se ky do të jetë edhe një poshtërim për ne dhe do të shkaktonte probleme shtesë të gjithë atyre që janë të përgjegjshëm dhe të mirë kuptueshëm në skenën politike. Ky është problem për ata që shikojnë kah e ardhmja, por jo për ata që dëshirojnë ta rindezin zjarrin”, ka thënë Vucic.

Zyrtarët serbë kanë folur edhe më herët për mundësinë që Haradinaj të lirohet.

Megjithëkëtë, në Kosovë deklaratat e zyrtarëve serbë janë komentuar si tendencë për të ndikuar në vendimet e Hagës.

“Tendenca e Serbisë, që të ketë vendim politik për dënimin e z. Haradinaj, paraqet një shkelje të rëndë të besimit që ekziston në botë për drejtësinë ndërkombëtare. Deklarata të tilla të zyrtarëve serbë janë skandaloze. Ne si AAK, pavarësisht asaj që vazhdimisht kemi besuar në pafajësinë e z. Haradinaj, gjithmonë kemi besuar se fajësia apo pafajësia duhet të dëshmohet në sallat e Tribunalit të Hagës dhe kemi besuar në proces fer dhe korrekt të Gjykatës Ndërkombëtare”, kishte thënë Avni Arifi, zyrtar i AAK’së.

4. Ministria e Jashtime e  Rusisë: Lirimi i Haradinajt paraqet drejtësi selektive

Ministria e Jashtme e Rusisë thotë se lirimi i ish komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, dhe i njerëzve të afërt me të, është indikacion për “drejtësi selektive”.

“Ky vendim, së bashku me lirimin e fundit të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markaq, është një tjetër indikacion i drejtësisë selektive, kur personat që janë të akuzuar për kryerje të krimeve kundër njerëzimit dhe krime të luftës, mbeten të pandëshkuar”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së jashtme të Rusisë, në komentin lidhur me rastin Haradinaj, raporton agjencia Interfax.

Rusia me këmbëngulje synon përfundimin e punës së Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në periudhën e paraparë me Rezolutën 1966 të Këshillit të Sigurimit të OK-së.

***                                         ( v i j o n )

Në vazhdim – në pjesën (5) do të lexoni:

     Një ish ushtar e Komandant i UÇK-së dëshiron ta qeverisë vendin e tij

     Qytetarët përshëndesin lirimin e R.H.

     Deputetët shqiptarë në Parlamentin Maqedon përshëndesin lirimin e R.H.

     Lugina e Preshevës përshëndet lirimin e R.H.

     Edhe Tetova i gëzohet lirimit të R.H.



(Vota: 53 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora