E premte, 26.04.2024, 12:16 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Murat Gecaj: Me vëllezërit emigrantë në Suedi

E marte, 18.12.2012, 07:11 PM


ME VËLLEZËRIT EMIGRANTË NË SUEDI, KUR FESTONIM 100 VJET PAVARËSI…

-Mbresa-

Nga: Prof. Murat Gecaj - Publicist e studiues-Tiranë

1.

Në një bisedë përmes Internetit,  miku im Sokol Demaku më kishte njoftuar se kolegu ynë i përbashkët, Bahtir Latifi ndodhej në Vlorë, për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë. Gjithashtu, më pare, ai më kishte thënë se, me këtë rast,  po përgatitej një udhëtim i disa vetave, nga Suedia, për në Kosovë dhe, më tej, në kryeqytetin e shtetit të parë shqiptar…

Ndërsa një ditë më pas, pra më 29 nëntor 2012, kur në Tiranë vazhdonin ende festimet dhe veprimtaritë e ndryshme, më mori në celular i njohuri im, biznesmeni me banim në atë shtet skandinav, Halim Hoti. Ai më tregoi se grupi i bashkatdhetarëve nga Suedia ndodhej te Muzeu Historik Kombëtar dhe se prisnin orën e takimit me Kryeministrin e Shqipërisë, prof.dr. Sali Berisha. Sigurisht, pa u vonuar u nisa për  atje. Por, ndërkaq, doja të dija për kolegun e mikun tim, shkrimtarin e publicistin Viron Kona, gjithashtu, i njohur mirë nga ata. Pas lidhjes me celular, mësova se ai ndodhej pikërisht në qytetin e Vlorës, pra ishte e pamundur ardhja e tij që t’i takonte. Kjo sepse bashkatdhetarët tanë do të udhëtonin shpejt, pa u vonuar, një pjesë me autobus për në Suedi dhe pak veta  për në Kosovë.

I pari, që takova në afërsi të Muzeut, ishte Bedri Paci, bashkëfshatar i imi nga Bujani i Malësisë së Gjakovës (Tropoja). Ashtu si dhe me një pjesë të atyre kolegëve, me këtë isha njohur në prill të këtij viti, kur u zhvilluan, në Boras të Suedisë, veprimtaritë  me rastin e 5-vjetorit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”. Jo larg tij, ishte edhe miku shkrimtar  Fetah Bahtiri, me kolegë të tjerë.  Së bashku, shkuam te një makinë, ku ai kishte lënë disa libra të tijët. Pasi m’i nënshkroi me dashamirësi ata, m’i dhuroi librat: “Dritë, ngrohtësi, optimizëm” (për shkollën shqipe në strehimoren Svenshëgen, Suedi, më 1991-1994), Prishtinë, 28 nëntor 2012  e vëllimin me poezi “Monolog në mërgim” (Prishtinë, 2012), si  dhe librin me disa autorë, “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”-Nr.1, 2012.

Ishte kënaqësi për mua, kur  ritakova  Florije-Lule Bajraktarin, veshur me rroba të bukura popullore, nga  vendlindja e saj, Kosova. Në Boras atë e kisha parë, kur i dhuroi albanologut Ullmar Kvik një pikturë, ku ishte pikërisht një lule, simbol  mirënjohjeje e respekti për të. Ajo më tha se kishte pyetur disa veta, nëse duhej ta veshte e ta mbante rrobën kombëtare, gjatë këtyre manifestimeve. Sigurisht, edhe unë e përgëzova për këtë gjest të bukur e domethënës të saj.

U desh të kalonin disa minuta, që t’i “gjenim” kolegët e miqtë e mi, Hysen Ibrahimin, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë “Papa Klemanri XI-Albani”, në Suedi dhe biznesmenin e njohur, në atë bashkësi e më gjerë, Halim Hotin. U përqafova përzemërsisht me të gjithë dhe, pasi koha na priste, shkuam në një lokal, aty afër e pimë bashkë nga një kafe. Temë e bisedave tona ishin festimet e bukura dhe masive të shqiptarëve, në Shqipëri e Kosovë, por dhe në të gjitha trojet tona amtare e në diasporë.

Shënoj këtu se, pasi ata u larguan për në Suedi, publicisti Bahtir Latifi publikoi te faqja e ineternetit “Dituria”(Boras) një reportazh. Ndër të tjerat, aty mësova se në udhëtimin e gjatë me autobus, nga Suedia për në Kosovë, ku arritën më 24 nëntor, vërtet ishin lodhur  ca, por dhe ishin kënaqur: me biseda të ndërsjellta, duke recituar poezi etj. Një ngjarje e shënuar kishte qenë për ta, përurimi i shtatores së “gjeneralit popullor” Isa Boletini, në Mitrovicë. I frymëzuar nga ky rast, aty për aty, Fetah Bahtri shkroi një poezi. Ndër vargjet e saj, po shkëpus vetëm këto:

Këtu, para teje u përkulën beglerë e pashallarë,

Hasan Prishtina, Bajram Curri e Ismail Qemal…

Eu! Sa i madh që qenke, sot gjeneral,

Sikur bjeshkët e Isniqit me mal,

Me flamur buzë Ibrit e Sitnicës,

Zbukuron sheshin e Mitrovicës…

Kolegu B.Latifi tregoi se, kur ata hynë në tokën e Shqipërisë, 48-vjeçari Enver Krasniqi, që shkelte këtu për herë të parë, u emocionua shumë. Prandaj u ul në gjunjë dhe e puthi tokën tonë amtare!

Gjithashtu, gjatë bisedave tona të ngrohta, më treguan plot emocion për  mbresat e shumta, nga pjesëmarrja në festimet e organizuara në Vlorën e Ismail Qemalit. Më 28 Nëntor 1912,  aty e kishin nënshkruar Aktin Historik të Pavarësisë Kombëtare edhe disa delegatë nga Kosova, pra Sali Gjukë Dukagjini, Bedri Pejani e Rexhep Mitrovica, por dhe Mid’hat Frashëri, përfaqësues i saj. Në mbështetje të fortë dhe të palëkundur të kësaj ngjarjeje madhore, në historinë tonë mbarëkombëtare, kishin qenë edhe Isa Boletini, Hasan Prishtina e Bajram Curri, ky i fundit në pamundësi për të qenë i pranishëm aty, nga rrethanet e krijuara, sidomos në Veri të Shqipërisë.

2.

Me mendimin e afrimit të orës së takimit, me Kryeministrin Sali Berisha, udhëtuam për atje me një autobus të linjës qytetëse. Sapo arritëm te porta e hyrjes, nëpunësit e atyshëm na treguan se kishin dijeni të saktë për pritjen  e parashikuar. Pasi u kryen formalitetet e duhura, bashkë me këtë grup, hyra edhe unë në mjediset e Kryeministrisë. Të  jem i sinqertë me lexuesit, edhe pse i moshuar, nuk më kishte takuar ndonjëherë rasti të shkoja në zyrat e Kryeministrit të Shqipërisë. Ndërsa kisha takuar në zyrën e tij disa herë kolegun publicist, Qemal Sakajeva, nëpunës pranë atij institucioni të lartë shtetëror të vendit tonë. Pra, ashtu si kolegët bashkatdhetarë me banim në Suedi, kjo përbënte një ngjarje të rrallë për mua. I pari, që njoha, ishte Neritan Ceka, këshilltar aty dhe që e kisha patur bashkëstudent, në Faklultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, unë për gjuhë-letërsi dhe ai për histori. Më vonë u bë arkeolog i dëgjuar, si i jati Hasan Ceka, por dhe politikan e deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Kishim zënë vend të gjithë afër kabinetit të Kryeministrit… Sakaq, nga dera përballë doli prof.dr. Sali Berisha, i qeshur  dhe plot energji. U takua me radhë e përzemërsisht  me gjithë të pranishmit. Ai na uroi mirëserdhjen e iu drejtua të tjerëve, nëse e dinin që unë e kisha patur atë nxënës, në shkollën 7-vjeçare të fshatit Tropojë, në vitet ’50-të të shekullit të kaluar. Ndërsa unë iu përgjigja atij, me faktin, tashmë të njohur: “Dhe, të kemi patur nxënësin më të mirë të shkollës!” Ç’është e vërteta, pa u zgjatur, shënoj këtu se ne kemi patur takime e kemi mbajtur lidhje të mëvonshme edhe familjare, për arsye të vendbanimit në një lagje të Tiranës, të profesioinit të tij mjek zemre ose të detyrës sime në shtyp.

Dr.Berisha foli për festimet madhështore të 100-vjetorit të Pavarësisë, për nderimin e veçantë, që iu bë shumë figurave të shquara atdhetare etj. Por edhe u interesua posaçërisht për punën dhe jetën e këtyre bashkatdhetarëve, me banim në Suedinë mike. Siç e kam shënuar dhe në një shkrim të mëparshëm, e falënderuan Kryeministrin për pritjen e ngrohtë, Hysen Ibrahimi e Qibrije Hoxha. Pasi të gjithë së bashku bëmë  një fotografi me Kryeministrin, ky i përshëndeti një për një të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim dhe i uroi ata përsëri,  për festën e përbashkët të Flamurit dhe për arritje sa më të mira, në jetën e përditëshme.

Kur po delnim nga hyrja e Kryeministrisë, me një çantë në shpinë, gjetëm arsimtarin dhe shkrimtarin e njohur Hamit Gurguri, gjithashtu, emigrant në Suedi. Ai ishte kthyer nëpër Durrës, pas udhëtimit të kryer më këmbë, që nga Kosova e deri në Vlorë. Sigurisht, atij i mbeti merak, që nuk arriti të ishte i pranishëm në takimin me Dr. Berishën.

Për korrektësi, shënoj këtu, se në takimin e mësipërm me Kryeministrin, prof.dr. Sali Berisha, ishin: Hysen Ibrahimi, Qibrije Hoxha, Fetah Bahtiri, Osman Ahmetxhekaj, Rrahman Rrahmani, Florije-Lule Bajraktari, Bedri Paci, Bahtir Latifi, Bajram Muharremi, Shaban Murseli, Adem Ahmeti, Halim Hoti, Mursel Shkupolli dhe unë.

3.

Në vendtakimin e parë, pra në afërsi të Muzeut Historik Kombëtar, ku kishim bërë edhe disa fofografi për kujtim, u ndava me të gjithë ata kolegë e miq të dashur, duke i falënderuar  sinqerisht për nismën e tyre të bukur, realizimi i të cilës, padyshim, kërkoi nga të gjithë edhe lodhje të shumta fizike, por që u solli atyre mjaft kënaqësi shpirtërore dhe kujtime të paharruara. Sigurisht, për ato, ata do t’u tregojnë familjarëve e të afërmve dhe gjithë të njohurve të tyre, si në Suedi, por dhe në Kosovë e më larg.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, i përshëndes nga zemra të gjithë këta vëllezër bashkatdhetarë, të cilët morën udhën për në Tiranë e deri në Vlorë dhe që festuan e gëzuan bashkë me ne, në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë!

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora