E enjte, 28.03.2024, 02:05 PM (GMT)

Faleminderit

Besim Muhadri: Esat Rizai, kryetar i Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane: Porosia e Dervish Luzhës “Mos e harroni tokën shqiptare”

E diele, 16.12.2012, 12:33 PM


Esat Rizai, kryetar i Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane

(Albanian American Society Foundation) Bronx, Nju Jork:

Porosia e Dervish Luzhës “Mos e harroni tokën shqiptare” është moto e jetës dhe e punës sime

Shkruan Besim Muhadri, New York

I lindur në Luzhë të Malësisë së Gjakovës, më 17 korrik 1945, Esat Ali Rizai që në moshën 5-vjeçare lëshon vendlindjen dhe atdheun dhe kalon në Kosovë. Kjo kishte ndodhur pasi që babai i tij, Ali Rizai detyrohet të lëshojë Shqipërinë. I ati i i Esat Rizait kishte vuajtur burg në Kukës prej vitit 1948-1950, mirëpo pas kësaj kohe dikush nga miqtë i thotë se do të arrestohej përsëri. Më 17 korrik të vitit 1950, atë ditë kur kishte ditëlindjen e tij të pestë Esat Rizai kalojnë kufirin shqiptar dhe dalin në Plavë. Pas daljes në ish Jugosllavi, i dërgojnë në Podujevë, ku Esati i vogël fillon mësimet në shkollën fillore. Sot, pas më shumë se 60 vitesh, Esat Rizai, që jeton në Bronz të Nju Jorkut kujton me dhimbje atë kohë.

Ikja nga Shqipëria dhe kalimi në Kosovë

“Isha shumë i vogël dhe nuk dija asgjë për politikë, - fillon rrëfimin e tij Esati dhe vazhdon: Pas daljes në Jugosllavi, babait i kishin mbetur edhe anëtarë të tjerë të familjes, si prindërit, por edhe djali i tij trevjeçar dhe vëllai im Sahiti, të cilët pas arratisjes sonë i kishin internuar në Lushnje. Im atë, në vitet 1952 dhe 1953 shkon në Shqipëri, kuptohet në mënyrë ilegale, madje duke rrezikuar shumëfish jo vetëm jetën, për të tërhequr prindërit, mirëpo që të dy herët bie në luftë me forcat e sigurimit, ndërsa herën e tretë e rrethojnë dhe tentuan që ta kapin me dorë, të gjallë. Në atë përballje vritet Sadik Mani, i cili sot i ka djemtë në Amerikë dhe varri i tij është pranë tokës së babait tim. Këtë varr e kam parë në vitin 1992, kur shkova pas sa e sa vitesh në Shqipëri për herë të parë”.

Pas këtyre përpjekjeve Ali Riza Gashi, sikur pajtohet me fatin, ndonëse synonte që të largohej sa më parë nga Jugosllavia, sepse në këtë kohë, ashtu sikur edhe shumë emigrantë të tjerë shqiptarë, i ishte nënshtruar presioneve të UDB-së, që i kërkonte bashkëpunim. Për shkak të mospranimit të tij që të bashkëpunonte me UDB-në, ai izolohet dhe lëvizjet e tij janë të kontrolluara. Në lidhje me këtë Esat Riza thotë:

“Në Jugosllavi babai im ishte i izoluar dhe në një moment kërkon takim me Fadil Hoxhën. Ishte viti 1953. Në Podujevë ishte naçellnik njëfarë Misin Sinaja. Babai i thotë Misinit se me Fadilin, Kolë Shirokën, me Ymer Pulën e të të tjerë kishte qenë në Konferencën e Bujanit, ku në fund të dhjetorit të vitit 1943 dhe në fillim të janarit 1944 ishte mbajtur Konferenca e Bujanit, në të cilën ishte vendosur që Kosova pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore t’i bashkohej Shqipërisë, që ishte një ëndërr e gjithë shqiptarëve të Kosovës. Sigurisht se pas kësaj që i tha “naçellnikut” të Podujevës babai im takohet me Fadilin dhe kërkon nga ai që ta dërgonin në Gjakovë, sepse dëshironte që të ishte më afër Shqipërisë, përkatësisht Tropojës, vendlindjes së tij. Kjo kërkesë, i thotë Fadili, është e pamundur të të realizohet, por po të dërgojmë në Istog. Në bisedë e sipër babai im i thotë Fadilit: Kur ishe në Konferencën e Bujanit më kujtohet fortë mirë ke pas thanë se do të bahet Shqipni aty ku i thonë bukës bukë e ujit ujë. Do të bashkohen Kosova e Shqipnia, sepse është e drejtë e shqiptarëve që të vetëvendosin pas përfundimit të luftës. Ali, i thotë Fadili babës tim, kjo që the këtu le të mbetet këtu. Ke nevojë për tremijë dinarë, batanije, të jap. Për të tjerat, të lutëm mos më kërko gjë. Këto fjalë m’i pat treguar im atë në vitin 1981 kur Fadil Hoxha u pat thënë studentëve të Prishtinës gjatë demonstratave të tyre në kërkim të të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës e të Jugosllavisë se “bira e minit ban 300 grosh”. Unë i thash babës dëgjoje çka po thotë shoku i tij. Atëherë babai me tregoi dhe me tha se Fadili ka qenë shqiptar i mirë dhe patriot që ka mbrojtur çështjen kombëtare, mirëpo ka pasur presione të mëdha. Kështu më thoshte im atë, i cili patë rënë në burg përsëri në korrik të vitit 1957. Për të bërë diçka për babën, unë dhe nana ime shkuam në shtëpinë e Fadil Hoxhës në Prishtinë. Na ka pritur shumë mirë dhe për herë të parë në jetën time kam hangër patate të skuqura në shtëpinë e Fadil Hoxhës. Aty, jemi hipur në makinën e tij dhe kemi shkue te kryetari i Këshillit, i cili na tha ta bënim një procesverbal. Fadili i tha nënës sime, shoqja e shokut Ali Rizai, në qoftë se Ali Rizai është i pafajshëm, Jugosllavia në krye me marshalin Tito nuk do të ju ketë në qafë. Dhe pas kësaj ai u largua. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që e kam takuar Fadil Hoxhën. Mandej një letër për babën ma ka dhënë edhe Kolë Shiroka, i cili tha se Ali Rizai na ka shpëtuar jetën gjatë kohës së luftës”.

Babain e Esat Rizait, Ali Riza Gashin e kishin akuzuar se donte të bënte Shqipërinë e Madhe, gjë që ai e kishte refuzuar një gjë të tillë. Presionet ndaj tij për t’u bërë spiun i serbëve dhe i malazezëve kanë qenë të mëdha dhe të vazhdueshme gjatë kohës se ikjes nga Shqipëria dhe të kalimit në Jugosllavi, por ai kurrë nuk e kishte pranuar një gjë të tillë. Një poshtërim të tillë. Unë jam çoban dhe nuk di të bëj këso gjërash, iu kishte thënë ai. Nuk duhet harruar se në atë kohë shumë emigrantë që kanë qenë ikur nga Shqipëria dhe kanë kaluar në Jugosllavi janë vrarë dhe zhdukur, vetëm e vetëm pse nuk pranuan të ishin vegla në duart e UDB-së. Nuk duhet harruar se në mesin e emigrantëve, përveç të tjerëve, kishte shumë burra të ndershëm, të cilat në asnjë mënyrë nuk pranuan të tradhtonin idealet e tyre, familjet e tyre, karakteret e tyre dhe fytyrën e tyre. Shumë emigrantë që nuk kanë pranuar të punojnë për sigurimin jugosllav janë dëmtuar dhe kanë humbur jetën, si bajraktari i Hasit, Mehmet Alia bashkë me tre djem. Ali Rizai ka qenë njeri i nderuar dhe respektuar nga kosovarët.

Përjetimi i shkuarjes në Amerikë

Duke kujtuar vuajtjet dhe peripecitë gjatë kohës së fëmijërisë së tij, Esat Rizai, thotë se megjithë premtimet e Fadilit për ndonjë ndihmë të mundshme, babai i tij bëri dy vjet burg në Brus dhe pas kësaj kohe, për herë të parë, pas dy vitesh ai dhe nëna e tij, do të thotë gruaja e Ali Rizait takohen me të në tren. Këta duke shkuar prej Kosove për ta vizituar e ai duke ardhur në Kosovë. Më pas, në dhjetor të vitit 1960 lëshojnë Kosovën, përkatësisht Jugosllavinë dhe dalin në Itali, ndërsa më 9 maj të vitit 1962, pas një qëndrimi dyvjeçar në një kamp të Italisë arrijnë në Amerikë.

Pas arritjes në Amerikë Esat Rizai fillon shkollën, ndërsa pas një kohe ai fillon edhe të punojë, në mënyrë që të ndihmonte familjen, sepse babai i tij ishte i lodhur nga burgu dhe qelitë e burgjeve në Shqipëri e Jugosllavi. Esat Riza thotë se në Amerikë ka pas një jetë të mirë. Se ka punuar me nderë dhe se ka arritur disa gjëra që ka synuar në jetën e tij: “Kam katër djem, kam nipin. Katër djemtë këtu kanë mbaruar universitetin dhe sidomos djali i vogël është shumë i aftë, i cili në moshën 9 vjeçare ka shkuar në Dejton të Ohajos. Ka shkrue për të gjithë kongresmenët, për vëllezërit Bytyçi, batalionin “Atllantiku”, ndërsa shkrimet e tij, pothuajse çdo kongresmenë e senator i ka marrë”.

Vizita në Shqipëri dhe fotografia e Dervish Luzhës

Esat Rizai pas dyzet vitesh shkon për të vizituar Shqipërinë dhe vendlindjen e tij, të cilën e kishte braktisur në vitin 1950. Tani komunizmi kishte rënë, por gjendja në Shqipëri ishte shumë e rëndë. Si ajo ekonomike, ashtu edhe ajo politike. Ai gjatë gjithë këtyre viteve ishte rritur dhe ushqyer me dashurinë dhe mallin për atdheun dhe vendlindjen e tij të dashur Luzhën dhe Tropojën. Mirëpo kishte edhe një dashuri të veçantë e të pashuar për një njeri, që tek ato vise konsiderohet i shenjtë dhe me aftësi të pakufishme profetike. Ky njeri ishte Dervish Luzha. “Kur shkova në Shqipëri në vitin 1992, thotë Esat Rizai, pashë një ëndërr. Në atë ëndërr m’u shfaq Dervish Luzha. Një si hije e tij prej varrit të tij. Më thotë se rrugën e ke të hapur, bën diçka. Ua tregova vëllezërve dhe Brah Alisë. I them Brahë më duhet një fotografi e vogël e Dervishit. Kisha një ku ishte dalë me shkop në dorë, mirëpo më pëlqente ajo tjetra, që shikonte anash dhe mora atë fotografi dhe shkova te një fotograf  në Bajram Curr. Ishte një fotografi bardh e zi. Mirëpo fotografi në Bajram Curr nuk pranoi të ma punonte, sepse më thoshte se Dervish Luzha nuk ka lejue me ba fotografi. Mora fotografinë dhe shkova në Tiranë dhe atë fotografi e zmadhova me dimensionet 8 me 10. Fotografi ishte nga Kavaja që e kishte vajzën fotografe, por njëkohësisht ishte edhe piktor. I Thash se kisha dëshira ta bëja me ngjyra. Shiko, më thotë, unë do ta bëj, mirëpo e kam vështirë se nuk kemi rrymë, sepse në atë kohë nuk kishte rrymë. Dhe ai e bën këtë fotografi, e zmadhon dhe e ngjyros. Baba më kishte thënë se stina më e dashur për Dervish Luzhën ka qenë pranvera, sepse ai thoshte se jeta dhe çdo gjë fillon atje, ndërsa ngjyra e barit ka qenë ngjyra të cilën e ka admiruar. Dhe e realizuam atë projekt. Të gjitha fotografitë i kam shpërndarë anekënd Shqipërisë, Kosovës dhe këtu në Amerikë. Sipas rrëfimeve të nënës, Dervish Luzha që në moshën trevjeçare më ka ulur në prehrin e tij dhe ai më ka bekuar. Tregimet dhe legjendat për Dervish Luzhën nuk kanë të mbaruar. Ka qenë një njeri i thjeshtë, por i shenjtë, tek i cili kanë qëndruar gjërat e mira për njeriun dhe njerëzimin. Ai ka ditur të bëjë edhe mrekulli. Me një fjalë ka pasur veprime profeti. Unë te varri i Dervish Luzhës mora disa gurë dhe i shpërndava

gjithandej Shqipërisë e Kosovës, por edhe këtu në Amerikë”.

Si u ngrit flamuri shqiptar për herë të parë në City Hall të Nju Jorkut

Esat Rizai qëndron disa kohë në Shqipëri, ndërsa kur kthehet sërish në Amerkë, atje sapo kishte filluar punën shkolla në gjuhën shqipe. Thotë se ka ndihmuar në këtë drejtim, mirëpo, përveç kësaj ai thotë se ka marrë pjesë edhe në demonstrata të ndryshme që janë mbajtur në Amerikë në mbështetje të çështjes shqiptare, përkatësisht të asaj të Kosovës, mirëpo thotë se këtë e ka bërë thjeshtë si një shqiptar i Amerikës, pa i takuar asnjë organizate apo partie politike. Kur është fjala te ndihmesa e tij në organizime të ndryshme e veçanërisht te hapja e dhe organizimi i shkollës shqipe në Nju Jork, ai tregon: “Kam qenë anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, mirëpo nuk jam marrë me fondacionet e saj. Më thotë Hasan Gashi, a ke mundësi me na ndihmue rreth organizimit të shkollës, sepse paguhej shkolla 600 dollarë në muaj dhe bashkë me të kemi shkuar te njëri këtu, që ishte dr. Xhanli Hilli. Unë njihja edhe një kongresmen, i cili na tha që të shkonim të drejtori i Distriktit të shkollave, se unë do të flas me të dhe ne sipas sugjerimeve të tij caktuam një takim dhe marrim Dom Pjetër Popajn se sipas Hillit kinse ta fusnin shkollën në ndonjë ombrellë. I thash nuk ka nevojë për ombrellë, le t’i bie dielli, s’është kah bie shi që me përvetësue atë gja. Në atë takim kanë qenë 10-15 vetë, në mesin e të cilëve edhe unë, Dervish Ramë Çela, Hasan Gashi, Martin Popaj etj. Dr, Hilli më tha a do ta marrësh ti këtë punë se duhet formuar një organizatë bamirëse. Pas kësaj vendosa të krijoja një organizatë bamirëse dhe t’ia jepja emrin e Dervish Luzhës. Mirëpo paraprakisht dëshroja të konsultohesha me babain, të cilit i thash se dua ta bëj një organizatë dhe se dua t’ia jap emrin e Dervish Luzhës. Ai më tha: Biro, mos e ban një gjë të tillë se e kemi nga fshati dhe thonë njerëzia po e përvetëson, por më mirë bëne një gjà tjetër. Pas këtyre fjalëve, ne e formuam fondacionin “Shoqata Shqiptaro-Amerikane” (Albanian Amerikan Society Foundation), që megjithatë e ndërlidhja me emrin e Dervish Luzhës. Që do të thotë i Dalluar tërë jetën. Ne si Shoqatë më 1997 kemi futur flamurin në City Hall, gjë që ka qenë një arritje e jashtëzakonshme e jona. Sepse të ngritësh flamurin e shtetit tënd në një shtet tjetër, është diçka e jashtëligjshme këtu, mirëpo ne ia arritëm, kuptohet edhe me mbështetjen e miqve amerikanë këtu në Nju Jork, të cilët e nxorën rezolutën 138 që është kundër qeverisë jugosllave dhe në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës”.

Në shkallët e City Hallit u lutëm për pavarësinë e Kosovës

Më 1998 në shkallët e Sity Hallit shqiptarët luten për pavarësinë e Kosovës. Një meritë të veçantë për këtë akt ka Esat Rizai dhe bashkëveprimtarët e tij. Duke kujtuar atë moment, Esat Rizai thotë: ” Përveç kësaj edhe në shumë aktivitete të tjera kemi arritur sukses dhe kemi gjetur përkrahje falë miqve tanë dhe fuqisë profetike dhe frymës së  Dervish Luzha, fryma e tij. Ëndrra e çdo aktori është të jetë në Brodvei e ne jemi kanë aty. Ndihma e Zotit dhe e Dervish Luzhës, u ba me bojna, dita e Pavarësisë së Kosovës. Aty në atë ditë të shenjtë për shqiptarët valuan krenarë flamujt shqiptarë dhe të Kosovës karshi flamurit amerikan”.

Esat Riza beson në Zotin dhe në Amerikën, por ai beson edhe në vetveten, sepse çdo gjë që bën, thotë se e bën për Kosovën, për Shqipërinë, për Çamëri dhe për të gjitha tokat shqiptare. Ai thotë se as tani e asnjëherë nuk i ka takuar asnjë partie politike, por se është ithtar i idesë së Bashkimit Kombëtar. Ai beson në atë që e ka thënë vite e vite më parë profesor Ahmet Gashi, se aty ku i thonë bukës bukë e ujit ujë, aty është Shqipëri. Kjo është dëshira e tij dhe beson fuqishëm se kjo është dëshirë e çdo shqiptari. Ai beson në realizimin e kësaj ideje sepse ka punuar gjithmonë për të realizuar edhe amanetin e idhullit të tij Dervish Luzhës, i cili kishte thënë: “Mos e harroni tokën shqiptare”. Kjo thënie ka qenë dhe është moto e jetës dhe e punës së tij. Esat Rizai thotë se ka besim se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen, dhe për këta ai është edhe më i bindur, sepse edhe Dervish Luzha kishte thanë se Prirzeni do të bëhet kryeqytet i kombit shqiptar.  “Kur e kanë pyetur pse, ai iu ka përgjigjur: sepse aty janë mbledhur burrat e kombit”, thotë Esat Rizai, duke qenë i bindur se çdo profeci e thënë nga Dervish Luzha është bërë, sepse sipas tij Dervish Luzha është njëri ndër profetët më realë.

Kur e pyetë Esat Rizain se a mendoni se keni bërë mjaft për afirmimin e vlerave të komunitetit shqiptarë këtu në Nju Jork, ai thotë:

“Kemi ba, por kemi pas mundësi me ba edhe më shumë. Dhe kjo kishte ndodhur vetëm nëse ishin bashkue të gjithë shqiptarët në një ide. Unë muj me ba diçka, mirëpo bashkë me ty muj me ba ma shumë. Mos të harrojmë se ka shumë shqiptarë që kanë ba shumë dhe askush nuk di për ta dhe për kontributin e tyre. Një ndër ta p.sh është edhe Tahir Kërnaja, i cili tërë jetën ia ka kushtue Kosovës. Shumëkush mendon pse ka pare ka ba shumë, mirëpo një gjë duhet kujtuar: Besa e burrnia nuk blehen me pare. Baba im gjithmonë thoshte: “Biro, besa, ndera e burrnia, ato janë shqiptaria, këto janë dhe kanë qenë virtytet e shqiptarit që e kanë mbajtur gjallë dhe që e kanë shquar nga të tjerët”. Me mirë fukara e i ndershëm se sa e kundërta. Unë mendoj se bashkimi i Kosovës do të bëhet shumë shpejt, mirëpo qeveritë si ajo e Shqipërisë, ashtu edhe e Kosovës bajnë shumë gabim kur nuk e përmendin edhe Çamërinë”.

Po të jemi më të organizuar, do të arrijmë edhe major të Nju Jorkut

Esat Riza ka shumë miq në Nju Jork e më gjerë në SHBA. Në mesin e atyre që ai i ka miq shumë të mirë kanë qenë e janë edhe udhëheqës të Nju Jorkut. Ndër ta është edhe Xhuliani, që siç e pohon edhe Rizai, ato lidhje kanë qenë tepër të mira:

“Kam pasur lidhje tepër të mira me ish majorin e Nju Jorkut, Xhulianin, të cilin e kam përkrahur më 1989, 1992 dhe për herë të parë Zyra e City Hallit është hapur prej meje e Xhulianit, e cila zyrë ka punësuar shqiptarët. Kam lidhje edhe më majorin aktual të Nju Jorkut, Bllumbergun, por ai është njeri i largueshëm, jo shumë i afërt, pak i ftohtë. Kam pasur edhe me Piro Valoun. Mirëpo lidhje më të mëdha kam me Jimi Vakën, kryetarin e Bronxit, me ndihmën e të cilit këtu në Bronx kemi emërtuar një rrugë me emrin e shenjtores Nënë Tereza. Kam lidhje edhe me gazeta amerikane, si New York Daily News, Nju Jork Post, Bronx Times Reporter dhe të tjera gazeta, të cilat kanë shkruar për ne. Nuk kam shkruar kurrë për veten time, por për çështjen shqiptare në përgjithësi”, thotë Esat Rizai. Dhe kjo është e vërtetë. Esat Rizai është tepër modest dhe asnjëherë nuk di të vetëlavdërohet, por nuk dëshiron dhe as që pret që dikush ta lavdërojë. Sepse ai nuk ka punuar për të marrë lëvdata, por për arsye se e ka ndie si obligim, si shqiptar i Amerikës, që të punojë për çështjen shqiptare, gjithmonë duke pasur moto të punës dhe të angazhimeve të tij porositë e orakullit të tij, Dervish Luzhës.

Esat Rizai dhe shqiptarët e Nju Jorkut e kanë një projekt, të cilin ka vite që e kanë kërkuar, por nuk e kanë realizuar ende. Ky projekt e ka emrin e përbashkët: hapja e një qendreje kulturore shqiptare. Ka njëzet e më shumë vite që ata e kanë kërkuar këtë gjë nga autoritet shtetërore shqiptare, mirëpo nuk e kanë arritur. I pyetur se çka mendon për këtë projekt, ngase në ditët kur ne ishim në Nju Jork dhe biseduam me zotin Esat Rizai, ai dhe disa aktivistë të tjerë të komunitetit shqiptar, në Nju Jork u takuan me autoritetet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës, ai shprehet:

“Ne jemi munduar që njëzet vite, që nga koha e ardhjes ambasador në OKB të zotit Pëllumb Kulla këtu. Për këtë kam dëshmitar Mujë Buçpapën. Kemi bërë një propozim që ambasada e Shqipërisë këtu t’i reprezentojë të gjithë shqiptarët që janë në USA. Të gjithë së bashku, ne Shqiptaro-amerikanët kemi kërkuar që të kemi një qendër kulturore dhe për këtë kemi gjetur një avokat shqiptaro-amerikan që ishte me fondacionin tonë, i cili ka përpiluar një letër. Shkuam te Pëllumb Kulla dhe ia prezantuam mirëpo ai na tha kështu: Ju lutem zotëri, duhet me takue Rrustem Ibrën, në atë kohë kryetar i LDK-së për këtu, sepse unë reprezentoj vetëm Republikën e Shqipërisë. I thash, zotnia i mirë unë jam mësue prej çifutëve, të cilët thonë se kudo qe jemi, anembanë botës, ne e përfaqësojmë popullin tonë. Dhe pas kësaj kohe kjo punë mbeti në heshtje. Jemi munduar të gjitha grupet, mirëpo kjo punë nuk mund të bëhet pa qenë urdhëri i Dervish Luzhës. Ne mendojmë se kjo qendër duhet të bëhet në Bronx, sepse komuniteti më i madh i shqiptarëve është këtu në Bronx. Dhe me fitoren e Mark Gjonajt jemi dëshmitarë të asaj se këtu jetojnë shumë shqiptarë dhe po të jemi më të organizuar, do të arrijmë të bëhemi edhe major të Nju Jorkut.



(Vota: 16 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora