E merkure, 24.04.2024, 12:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Topçiu: Shpirti fisnik i një poeti

E diele, 16.12.2012, 05:03 PM


Shpirti fisnik i një poeti të jashtëzakonshëm

(Apo: Kur të tjerët flasin për poetin tonë Sali Bashota)

Vetëm fakti që poezia e tij ka zgjuar interesin e kaq studiueseve dhe poetëve të këtij vendi, me poetë të mirënjohur në gjithë botën dhe me tradita të shquara, është një fakt që flet vetvetiu. Kjo përzgjedhje me tekste kushtuar poezisë së tij është një dëshmi e interesit dhe vëmendjes, jehonës dhe rezonancës që ka krijuar poezia e tij në gjuhën rumune, e rikënduar me përkushtim dhe besnikëri nga përkthyesi i talentuar i poezisë shqipe ? Baki Ymeri.

Nga Luan Topçiu

Shpirti i fjalës nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekste të këtilla kritike që përfaqësojnë opinionin e huaj për shpirtin shqiptar. Nëpërmjet veprës së vet autori konfirmon bindjen se arrin nëpërmjet profesionalizmit dhe mbahesh nëpërmjet karakterit. Kur flitet për poezinë bashkëkohore shqiptare, posaçërisht për atë të arealit kosovar, në ansamblin e përgjithshëm të poezisë moderne që shkruhet në gjuhën shqipe,  nuk mund të mënjanohet një nga poetët më të rëndësishëm të saj ? Sali Bashota. Ai, i pranuar njëzëri, përbën një profil të spikatur të poezisë moderne shqipe, qoftë për figuracionin, qoftë për plasticitetin e saj, qoftë për strukturën poetike, gjuhën, për kumtet e saj etj. Sali Bashota nuk është vetëm një poet i shquar i bashkëkohësisë, por dhe një njeri i shquar i kulturës, studiues i letërsisë, si dhe një drejtues i një institucioni shumë të rëndësishëm, siç është Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.

Në çdo përçapje tonën, të brendshme, kemi hezitimet tona, kemi ndrojtjen tonë për të vendosur poetët dhe shkrimtarët në vendin që ata meritojnë. Kjo ndodh sepse në radhë të parë jemi shumë pranë tyre fizikisht dhe në radhë të dytë jetojmë plotësisht në mungesë të sistemit të vlerave dhe të një hierarkie të vendosur nga faktorë jo profesionalë. Prej mundësisë të përkthimit, kur autorët tanë dalin në hapësira të tjera kulturore dhe kur vlerësimin e bëjnë autorë të huaj, koinficienti i sigurisë rritet edhe për vetë ne, për vlerësimin tonë, për shkrimtarët tanë.

Një rast fatlum është dhe përkthimi i poetit Sali Bashota në gjuhën rumune. Vetëm fakti që poezia e tij ka zgjuar interesin e kaq studiueseve dhe poetëve të këtij vendi, me poetë të mirënjohur në gjithë botën dhe me tradita të shquara, është një fakt që flet vetvetiu. Kjo përzgjedhje me tekste kushtuar poezisë së tij është një dëshmi e interesit dhe vëmendjes, jehonës dhe rezonancës që ka krijuar poezia e tij në gjuhën rumune, e rikënduar me besnikëri nga përkthyesi i talentuar i poezisë shqipe ? Baki Ymeri.

Poezia e Sali Bashotës ndodhet mes dy shqetësimeve që brejnë vetëdijen e një artisti që nuk mund të jetë indiferent për atë që ndodh rreth tij: ide fisnike, fenomeni i ndërgjegjes morale, shorti i komunitetit, fati i kombit si një shqetësim i rëndë historik, përjetime intime. Për pasojë ligjërimi poetik njeh dy regjistra. Në “Ekzilin e shpirtit” të tij, dallohen dy zëra që marrin tonalitete të ndryshme muzikorë, varësisht nga gjendja në të cilën ndodhen dhe nga ajo çka duan të sugjerojnë. Prandaj, poezia e Sali Bashotës alternohet në këto rrafshe bazë dhe merr nuanca të ndryshme në tekstin poetik. Nga njëra anë kemi një ton të rëndë, dramatik, të mbushur me ngjyra tragjike në një dialog ekzistencial me vdekjen, nga ana tjetër kemi një hipostazë të një shpirti të butë, fisnik dhe të brishtë që bie në terrenin e një lirizmi të pastër. Shpeshherë këta dy regjistra përzihen në një, sepse gjakimet intime të poetit marrin kuptim në një kontekst më të gjerë: “Muza ime/ Unë s’do të vdes këtu/ Në mëngjesin e pikëlluar/ Mbuloma fytyrën me dhembje Kosove/ Me gjak fëmijësh të vrarë/ Me këmisha varri/ Fijet e barit le të palosen mbi plagë/ Kur çel lulja e mallkimit/ Ti mos ma këput shpirtin/ Muza ime. (“Forma tjetër e dhembjes”).

Sali Bashota përçmon banalitetin, përçmon regjistrat e ulët të ligjërimit, ai çmon aktin poetik si një proces të epërm shpirtëror dhe estetik. Poeti di t’i japë trajta serioze trishtimit, sepse ai dëshmon që trishtimi i tij nuk është vanitoz, nuk është një trill poetik a pozë, por trishtim që të kaplon nga dhimbja fizike e shpirtërore nga dhimbje reale që shkaktohet në rrethana tragjike. Trishtimi gjeneron zakonisht tekst, tragjeditë e rënda krijojnë një shok psikologjik që të le pa fjalë. Poeti i ndodhur në zgrip të jetës, pjesëmarrës në ngjarje të rënda për të dhe popullin e tij, di t’i çlirojë gjendjet shpirtërore dhe përjetimet në poezi. Poeti është një rrëfimtar?dëshmitar i njërës prej tragjedive më të rënda të shekullit të XX, luftës së Kosovës. Në vëllimin “Ekzili i shpirtit” poeti mbart dhimbjen e thellë të plagëve dhe të humbjeve njerëzore, trishtimin brerës, pikëllimin gërryes, kujtimet e rënda të luftës etj.

Guximi shqiptar që i jep flatra fantazisë së tij lirike

Poeti provokon një mërgim të shpirtit në vise të panjohura dhe të njohura, në truallin fizik të jetës dhe në një kronotop poetik. Poeti në të gjitha hipostazat e poezisë së tij dëshmon një ndjeshmëri të rrallë, një përjetim të thellë të dukurive që bëhen objekt i poezisë së tij. (“Heshtja”, “Forma tjetër e dhembjes”, “Mungesë shpirti”, “Melankolia”, “Vrasja e frymëzimit”). “Nëse e vrasin atë zog/ Me profil vjeshte/ Çka do t’i them nënës/ Në mëngjes kur zgjohen fëmijët/ Cingëron ora e murit/ E babai pi dhembjen e vjershave të mia”. (“Zogu me profil vjeshte”). Sintaksa (si kombinim gjuhësor dhe si kombinim imazhesh) është tejet plastike. Sali Bashota dëshmon se i njeh problemet e stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është i pajisur me aftësi të rralla për ta hetuar natyrën dhe botën, para së gjithash, ai zotëron një aftësi kombinatore të elementeve përbërëse të poezisë së tij. Poeti dëshmon guxim dhe i jep flatra fantazisë së tij duke kontrolluar njëkohësisht strukturën e poemës: “Vashat vajtojnë skeletin tim të bukur/ Zogjtë zgjohen nga arkivoli i shpirtit/ Sa shekuj vajtojnë vetveten/ Zbresin nga qielli i zi/ Fluturimi i tyre i mbramë në natën betejë/ Bari i djegur i fushës shkrumb/ Pylli i prerë drunjtë e ngjyrosur me gjak/ Po kjo nuk është ëndërr/ Frymëzimi i trazuar sillet nëpër ferrin e vet/ Bota reale shkund misterin e fajit…Po kjo nuk është ëndërr”...

Poezia është eminanetisht moderne. Autori di të peshkojë tema të vjetra, një fond leksikor nga poezia e traditës, por ashtu siç ndodh në pikturën moderne, ai merr në konsideratë objektet në hapësirë që zotërojnë të gjitha elementet e drejtpeshimit, të vëllimit, të qendrës së gravitetit, peshën e fjalës, thellësinë e ndjenjës etj. Që këtej mund të themi se dhe në vargjet e mësipërme kemi të bëjmë me një largim të çdo subjektivizmi. Përshkrimi i mësipërm nuk është vetëm një shprehje e shpirtit, por një ekzistencë organike, objektive. Ja një bërthamë e doktrinës të realizimeve bashkëkohore. Poeti sjell në tekst fraza tejet plastike, në një përshkrim të beftë të një atmosfere, megjithëse na çon në një terren pothuaj onirik, poeti insiston – “Po kjo nuk është ëndërr”. Vendosja e qartë e elementeve skenografikë:“Bari i djegur i fushës shkrumb/ Pylli i prerë drunjtë e ngjyrosur me gjak...” krijojnë një dekor ku do të ndodhin tragjedi.

Në këtë rast, poezia pushon së qeni si subjekt; në vend të fotografisë, apo të një rrëfimi riprodhues, elemente të konsideruara në hapësirë kapin një ekzistencë akute. Fraza bëhet e shndritshme, me një rend të vetin. Poezia e Sali Bashotës nuk mund të klasifikohet lehtë si: erotike, kombëtare, historike etj., poezia shndërrohet menjëherë në një poezi universale?njerëzore. Një element përbërës i detajeve inspiruese të Bashotës është ëndrra. Ëndrra nuk është një dukuri vetëm fiziologjike në tekstin poetik, por më shumë si një realitet onirik i kashtosur me realitetin. Poeti nuk vë në qendër të poezisë së tij ëndrrën, por një dimension të realitetit të tij. Më shumë kemi të bëjmë me një ëndërr të ndërprerë, të shkëputur: “Nëse kukuvajkat shprishin ëndrrat tona/ Secilës do t’ia hapim/ Nga një varrë”. Vëllimi dygjuhësh “Exilul sufletului/ Ekzili i shpirtit”, botuar nga Shtëpia Botuese e Muzeut të Letërsisë Rumune, është një sukses i merituar i poetit dhe studiuesit të talentuar të letërsisë, Sali Bashota.

(Parathënie e librit Sali Bashota i vlerësuar nga shkrimtarët rumunë, Editura Limes, Kluzh-Napoka, 2012)



(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora