E enjte, 25.04.2024, 10:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Hilë Lushaku ”Halim Jakova-Gostivari”

E shtune, 15.12.2012, 05:12 PM


Hilë Lushaku:

“HALIM JAKOVA-GOSTIVARI”-LIBER ME VLERA TE PA KONTESTUESHME HISTORIGRAFIKE

(  “ E vërteta  mund të plaket, por ajo kurrë nuk vdes”!) Volteri

Nga Tahir Bezhani

Autori i librit në fjalë,  zoti Hilë Lushaku,  para ca ditësh përuroi librin më të rij, ”Halim Jakova-Gostivari”, në bibliotekën kombëtare në Prishtinë, në prani të një numri të konsiderueshëm dashamirë të fjalës së shkruar dhe student te Universitetit të Prishtinës.

Përurimi i librit në fjalë ishte pjesë e shumë aktiviteteve tjera vjetore në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Studiuesi i zellshëm e punëtor i pa lodhshëm i shumë shkrimeve tjera të karakterit historiografik, edhe këtë herë, shkëlqeu me veprën madhore, ”Halim Jakova-Gostivari”, duke plotësuar vakumin e historiografisë sonë kombëtare të një periudhe të gjatë historike. Hilë Lushaku,  një studiues e gjurmues i thellësive historike, duke u marrë me personalitetin emblematik, si njeri nga figurat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, zbardhi deri në detale , gjenealogjinë e familjes Halim Jakova-Gostivari, kontributet e tij të pa mohueshme në etapat kyçe të luftës së pa reshtur për shtet etnik shqiptarë, duke e argumentuar në të gjitha rrethanat e mundshme shkencore veprën e tij,  qe nga vitet 1910-1911, 1912 e deri në Revolucionin e qershorit të vitit 1924. Halim Jakova-Gostivari, me veprën e vet sublime, si intelektual i rrallë i kohës,  edhe me pushkë në dorë, mori pjesë në kryengritje të armatosura, i doli zot atdheut, vetëm e vetëm që Shqipëria te jete shtet etnik dhe i pavarur, ashtu siç e kishte krijuar vet natyra dhe Zoti , të bashkuar e te pa ndarë .

Veprimtari, Halim Jakova-Gostivari, është një copë historie në vete, i cili një jetë të tërë ia kushtoi popullit të vet dhe formimit të Shtetit shqiptarë, i cili, pos grabitqarëve të jashtëm, shpesh u lëndua  edhe  nga brenda, prej bijve të vet....

Zoti Hilë Lushaku, një studiues i pa lodhshëm, gjatë punës së tij studimore, shpesh ka hasur në vështirësi për ta ndriçuar figurën e Halim Jakovës-Gostivarit , për faktin se shumë historian, këtë figurë e kanë përzier me figurën tjetër historike, Halim bej Derallën, i biri i Mehmet Pashës, ministër i mbrojtjes në Qeverinë e Ismajl Qemajlit. Halimin, ishte në organizim të kryengritjes së Pollogut në vitin 1913-ten. në Maqedoni.

Gjatë punës studimore, zotit Lushaku, i nevojitet ndihma e ndonjë pende me përvojë shkencore, dhe pa hezitim i drejtohet Prof.Dr. Muhamet Pirrakut , i cili pa kursim i ofron këshilla shkencore për qasjen e mëtejme në ndriçimin e figurës së Halim Jakova-Gostivarit. Këshilla më e preferuar nga Preof.Dr. Pirraku ishte që t’i qaset gjenealogjisë së familjes Halim Jakova-Gostivari dhe në këtë mënyre, mund te ndriçoi hamendjet e  DY HALIMAVE,  shkrire në një Halim,  sipas shume shkrimeve arkivore nga historinë te ndryshëm. Duke iu qasur kësaj metode pune, zoti Lushaku, vjen në përfundim të sakët se behet fjalë për dy Halima e jo për një dhe se Halim Jakova Gostivari kishte lindur në Gjakovë me 1878 nga baba Isuf Ibrahim Gostivari,  ne Mëhallën e Mahmut Pashës në Gjakove. Kjo ishte njëra nga meritat e shkoqitjes se figures Halim Jakova Gostivari nga figura tjetër,  Halim bej Tetova, i biri i Mehmetit, me vitlindje të njëjtë.

Karakteristikat esenciale te Halim Jakova-Gostivarit, sipas librit te zotit Lushaku.

Autori i librit, zoti Lushaku, bënë mrekullira në çdo rresht, në çdo faqe të këtij libri, duke gjetur e përshkruar gjëra shume interesante te jetës, punës e veprës madhore të Halim Jakova Gostivari dhe vëllait të tij, Sadik Gostivarit.

Në radhë të parë dhe esenca  themelore e këtij libri studimor, qëndron në plotësimin e fakteve historike të Halim Jakova Gostivari, i cili pos veprimtarisë së vazhdueshme patriotike në favor të lëvizjeve kombëtare, na del  personi i parë historik  i cili vuri themelet e policisë shqiptare, duke u emëruar si Drejtori i Policisë pranë Qeverisë së Ismajl Qemajlit me 1912 –ten.

Ky konstatim i bazuar në studimin e z. Lushaku, ka rëndësi historiografike,  sepse,  tani më e dimë se kush është themeluesi i një policie shtetërore si njëra nga shtyllat e shtet formimit, për ruajtjen e rendit,  brenda një shoqërie. Emrimi i Halim Jakova-Gostivarit si Drejtor i Policisë nga Ismajl Qemajli, ka bazamentin në aftësitë e tij juridike e intelektuale, si një personalitet i kohës. Ai,  jo vetëm se themeloi policinë, si shtyllë shteti ne mbrojtje te rendit e ligjit, por e strukturoi sipas akteve juridike e rregullave shtetërore,  duke theksuar obligimet,   veprimtarinë,  gradimet etj. në synim të një policie moderne të kohës,  sipas modeleve te disa vendeve evropiane. Halim Jakova-Gostivari punoi pa lodhur disa vite në standardizimin e këtij dikasteri me rëndësi shtetërore duke e përsosur gjithnjë në cilësi formuese. Punoi thuaja se në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Veprimtaria e këtij kolosi është e skalitur edhe në veprimtari tjera si prefekt e nënprefekt, pastaj si politikan e atdhetare,  i cili bashkë figurat më të ndritshme te kohës, nuk la vend pa u  futur,  në rrjedhat e kohës, për kontribut për qeshtjen kombëtare.  Ai ishte mbështetës i madh i Hasan Prishtinës e atdhetarëve tjerë në formimin e klubit “Bashkimi” me seli në Shkup dhe shume klubeve tjera si në Durrës, Shkodër, qe nga vitet 1914 e tutje.

Lexuesi i mirëfilltë pa tjetër se do ndien kënaqësi duke lexuar këtë vepër të studiuesit Lushaku nga se për herë të parë gjen dhe mëson shumë gjëra që deri me tani nuk ka pasur rastin t’i din e as t’i mëson.

Me këtë shkrim, nuk kam qëllim të shtrihem në analizën e thellë të veprës,  e as të protagonistit Halim Jakova-Gostivari, sepse  çdo gjë është e cekur deri në detale për këtë figurë historike të historisë sonë kombëtare. Ideja ishte të nxjerr pak thelb dhe vlerësim të punës së pa lodhshme të autorit, mbi pesë vjeçare, i cili me durimin e tij të gjatë prej një studiuesi këmbëngulës, plotësoi mangësitë historiografike të kaluarës sonë të lavdishme. Historia do ishte e mangët pa vlerësimin e kësaj figure emblematike të ecjes historike.

Nga ky libër,  dëshmohet edhe një aspekt tjetër,  se Gjakova, gjatë gjithë historisë së saj të gjatë, kombit i dhuroi potencial njerëzorë me reputacion të nivelit kombëtarë në të gjitha fushat e jetës të cilët ditën e munden t’i dalin zot kombit e atdheut si askush tjetër.

Autori i librit, zoti Lushaku, duke gjurmuar në detale jetën e veprën e Halim Jakova-Gostivarit, gjen edhe këtë meritë të cilën po e citojmë nga libri:”Halim Gostivari ka luajtur rol të rëndësishëm edhe për arsimin shqip në vendlindjen e tij, Gjakovën. Gazeta “Tomorri” në shkrimin me titull ”Arsimi kombëtarë në Gjakovë”, kushtuar përpjekjeve  atdhetare e shqipdashëse të gjakovarëve për gjuhen shqipe, shkruar nga një autorë anonim me nënshkrimin “kosovari”, ndër të tjera përmend:”inspirues të ndjenjave kombëtare vlejnë të shënohen: Haki Adem Balaj, Sadik Zajmi, Idriz Nivokazi, Halim Gosrtivari, Shyqeri e Hysen Buza, Ismajl Haxhi Tahiri, Osman Nikoliqi”.

Duke lexuar këtë  libër, si një studim serioz, te ngjeshur me logjiken shkencore historike, me shumë fakte të bazuara, për jetën dhe veprën e Halim Jakova-Gostivari, të kësaj figure madhore kombëtare, do të ndihemi krenarë të gjithë, por në veçanti, krenaria i shtohet qytetit të Gjakovës i cili gjatë gjithë historisë,  dha shumë figura që sot shkëlqejnë si meteorë qielli të lavdisë kombëtare.

Ndërsa, zotit Lushaku, duhet respektuar punën e pa lodhshme studimore për ndriçimin e këtij personaliteti të historisë sonë kombëtare.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora