E merkure, 24.04.2024, 12:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjekë Gjonaj: Ramiz Hajdari, artizan i pasionuar

E shtune, 15.12.2012, 05:50 PM


Ramiz Hajdari, artizan i pasionuar i simboleve dhe figurave tona kombëtare

Nga Gjekë Gjonaj

Zona e Anës së Malit , e cila administrativisht bën pjesë në komunën e Ulqinit, sikur të gjitha trevat tjera shqiptare në Mal të Zi është e njohur edhe  për një traditë mjaft të pasur të artizanatit, e cila është krijuar me shekuj  nga duart e arta të  mjeshtrave  popullorë. Kjo traditë e hershme e prodhimit të objekteve të ndryshme artizanale  me kalimin e kohës po zbehet gjithnjë e më shumë. Globalizmi për fat të keq dalëngadalë po e mbulon me pluhurin e harresës, për të mos thënë po e zhduk  pa mëshirë  këtë  pasuri shpirtërore të anamalasve, dhe jo vetëm.  Megjithatë  fatmirësisht  në Anë të Malit ende  vazhdon tradita  e  prodhimeve  të shumëllojshme  të artizanatit me vlera të çmuara për kulturën tonë kombëtare .  Këtë pasuri të vërtetë  kombëtare po e vazhdon me shumë pasion, dashuri e përkushtim Ramiz Hajdari  40 vjeç nga fshati  Zenelaj.  Ai këtë mjeshtri nga e cila  mbanë ekonominë familjare po e ushtron tash 15 vjet në një punishte  në shtëpinë së tij në përmasa  prej 70 metra katrorë.   Ai thotë se këtë zanat ( biznes të  vogël)    e ka filluar me punë të vogla prej druri, kurse më vonë ka vijuar me   punime të përmasava të ndryshme me gips dhe polimermer.  Sipas fjalëve të tij  në krijimin e   mijëra  objekteve të artit , kohën e fundit është duke i ndihmuar me aq mundësi që ka djali i tij nëntëvjeçar Besjani, i cili  veç ka filluar  tregon  interesimin për zanatin e babait.

Motivimi

Motivet e punimeve të Hajdarit  janë  kryesisht   simbolet tona kombëtare, heronjtë tanë kombëtarë, garvurat e qyteteve  të lashta shqiptare, hartat e  trojeve  shqiptare,  objektet fetare dhe skulptura erotike ( portrete  femrash ). Edhe pse i kërcënuar nga konkurrenca e pandershme  dhe moderniteti Ramizi vazhdon të jetë fanatik i  simboleve  dhe figurave  tona kryesore kombëtare, që kanë bërë histori në Shqipëri. „ Më së shumti më ngacmojnë vlerat kombëtare dhe  figurat  tona kryesore.  Ky është pasioni dhe përkushtimi im jetësor.  Kam filluar me punën e mirëfilltë të  dorës dhe nuk do të lëvizi nga ajo, edhe pse nuk kam asnjë mbështetje nga ato institucione të cilat  e kanë për detyrë të ruajnë dhe vlerësojnë këto zanate në zhdukje “, thekson ai i zhgënjyer.

(Mos) mbështetja

Ramizi  posaçërisht ndjen një zhgënjim të thellë ndaj  pushtetarëve të mëparshëm të Ulqinit, të cilëve , siç shprehet ai, katër herë zyrtarisht u është drejtuar për të marrë leje  të përkohshme pune gjatë muajve të verës, por   nga ata asnjëherë nuk ka marrë përgjigje  me shkrim. Në anën tjetër ai falënderon  pushtetarët e tashëm vendor të cilët në muajin korrik të këtij viti ia kanë dhënë lejen për punë dhe shpreson se një gjë të tillë  do  t’ia mundësojnë edhe verën e ardhshme. Ky mjeshtër ( artist), duke iu referuar traditës, thotë se artizanët e komunës së Ulqinit   kanë nevojë për një mbështetje më të madhe  të njësisë  vendore dhe institucioneve shtetërore, sidomos në politikat lehtësuese ndaj tyre, pasi artizanati në Ulqin do të duhej të jetë pjesë e shërbimeve turistike. „ Derisa në  fshatin tim  nuk më mundësohet leja për punë, në Shkodër para dy vitesh  më kanë dhënë një lokal për punë  në përmasa prej 52 metra katrorë, me një  çmim simbolik prej   28 euro në muaj. Po ashtu edhe në Tiranë sivjet në prag të Festës së 100-vjetorit të themelimit  të shtetit shqiptar më kanë lejuar një objekt falas për punimin dhe shitjen e eksponateve të mia“, shprehet  ai.

Interesimi

Ramizi pohon se megjithë krizën ekonomike, turistët e huaj janë të interesuar për blerjen e punimeve artizane, madje ata janë blerësit kryesorë të këtyre punimeve, „ Turistët rusë, polakë, çekë, sllovakë, italianë e  gjermanë  që vizitojnë komunën e Ulqinit janë blerësit kryesorë të prodhimeve të  mia artizane të punuara me dorë. Ata  jo vetëm se janë vizitorë të objekteve kulturore, por edhe pëlqejnë  shumë prodhimet artizane të punuara me dorë, të realizuara në mënyrë tradicionale. Ata shpesh fotografohen pranë simboleve dhe figurave tona kombëtare, krenohen para tyre  dhe çuditen për mënyrën e thjeshtë të  realizimit  të këtyre punimeve“,  thotë ai.

Panairet

Ramizi  me punimet e tij artizane  tashmë të njohura më shumë  në shtete të huaja  se sa në vendin e vet, është pjesëmarrës i  shumë aktiviteteve kulturore  në komunën e Ulqinit. Ka marrë pjesë në më se 60 panaire në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni  dhe Bosnjë e  Hercegovinë, në të cilat , siç thotë ai,   pesë herë   është shpërblyer me çmimin  e parë. Nga të  gjitha këto ai veçon Panairin e Parë Mbarëkombëtar të Arztizanëve për nder të Ditës së Flamurit dhe dhe 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga Shoqata e Artizanëve Shqiptarë, por si ide e tij, i cili u mbajt   në fshatin  Krythë  të komunës së Ulqinit , duke dëshiruar që  ky panair të shndërrohet në traditë.

Përfundim

Në përfundim të këtij shkrimi,  në të cilin pikësynim kryesor kisha  jo vetëm prezantimin e merituar   të këtij artizani të  vetëm aktiv të kësaj trevë,  do të thoja  atë që do të duhej  ta dimë të gjithë se artizanatet në përgjithësi kanë një vlerë të veçantë dhe një rol të rëndësishëm në kulturën e kombit tonë. Ky art i cili pasqyron qartë identitetin tonë ka lënë një shenjë në historinë e kombit shqiptar. Artizanatet  me veshjet popullore i dhanë jo vetëm  Anës së Malit, por edhe trevave të  tjera shqiptare në Mal të Zi, sikurse edhe gjithë Shqipërisë  një vlerë në kulturën e saj, përkrah kulturave të tjera. Ruajtja e kësaj trashëgimie kulturore  është një akt qytetërues i një populli dhe ka rrënjë të thella historike. Prandaj edhe ne shqiptarët në Mal të Zi duhet se s’bën  instucionalisht ta mbrojmë, ta pasurojmë dhe ta promovojmë  këtë kulturë tonën, pa të cilën nuk do të ishim  ata që jemi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora