Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Peter Tase: Prenk Pervizi - Gjenerali i Monarkisë Shqiptare

| E shtune, 15.12.2012, 10:08 AM |


Prenk Pervizi: Gjenerali i Monarkisë Shqiptare.

Nga Peter Tase

Ditët e para të Prillit e gjetën Prenk Pervizin jashtë Tiranës.  Në mëngjesin e 7 Prillit, 1939, Gjen. Pervizi ishte në Korçë dhe u informua nga radiot greke për fillimin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste. I ndodhur pa armatime dhe trupa këmbësorie të mjaftueshme, vendos të organizojë luftën popullore me ato armë të vjetra që dispononte vetë populli, por njëkohësisht i kërkoj vazhdimisht armatime edhe palës greke. Ndihma ushtarake greke ishte shumë e mundëshme por mungesa e vendosmërisë së mbretit Zog për të luftuar kundër fashistëve bëri që kjo inisiativë të mos instrumentalizohej. Preng Pervizi merr urdhër për të  përcjell Mbretin Zog drejt Greqisë dhe plani i ofensivës anti-fashiste u harrua për momentin. Para se të dilte në Greqi, Prenk Pervizi serisht i bëri thirrje mbretit për të lëshuar kushtrimin dhe për të filluar luftën popullore në mal, por Ahmet Zogu nuk pranon këtë propozim, me qellimin e vetëm për të mos shkaktuar më tepër dëme në popull dhe në atë infrastrukturë të brishtë që Shqipëria kishte ndërtuar me ndihmën e kredive të ndryshme të lëshuara nga qeveria Italiane që  prej vitit 1925.

Pasi e shoqëron mbretin drejt Greqisë, Prenk Pervizi kthehet në Tiranë, i njihen arritjet e shquara si strateg i ushtrisë Shqiptare dhe i jepet mundësia të mbaj një fjalim prekës përpara gjithë atyre forcave të cilat e kishin shoqëruar mbretin dhe ishin kthyer serisht në Shqipëri. Mbretërisë Shqiptare i kishte ardhur fundi pas më shumë se 14 vjetësh nën sundimin gjysmë feudal të Ahmet Zogut. Si rrjedhoj e këtyre detajeve historiografike, shumë studjues të huaj dhe vendas theksojnë se Prenk Pervizi e ndoqi nga fillimi deri në fund jetën e karrierën politike të Ahmet Zogut.

Në fundin e vitit 1939, Gjen. Pervizin e ftuan për bisedime Gjeneralët italianë, Pariani dhe Guzzoni, të cilët deklaruan se nuk do të cënonin ushtrinë shqiptare. Pervizi i sugjeron komandës italiane se ushtria shqiptare në këtë rast do të qëndronte e pavarur dhe pasive, nuk mund të merrte pjesë në veprime kundër popullit të saj, krah ushtrisë italiane. Italianët pranojnë ato kushte të një ushtrie shqiptare formale dhe Gjen. Pervizi qëndron për pak kohë  në dispozicion pa komandë të veçantë. Si kundervënie apo karshillëk ndaj ushtrisë shqiptare,  Italianët krijojnë milicinë fashiste me mercenarë që vareshin nga  Ministria e Fashizmit.

Të gjithë oficerët shqiptar nuk pranuan të inkuadrohen në forcat e milicisë fashiste. Oficerët e milicisë ishin pa shkollim përkatës dhe agjentë të huaj të regjur në shërbimet mbështetëse të regjimit fashist.

Në vitet 1940 – 1941, gjatë luftës Italo – Greke. Disa batalione shqiptare u përfshinë në divizionet italiane, Julia dhe Venecia. Prenk Pervizi u caktua në zonën e Korçës – Ersekës dhe Bilishtit. Ku në regjimentin e tij ishte përfshirë batalioni “Tomorri” me komandant major Spiro Moisiun. Në këtë kohë lindën kundërshtime dhe ndodhën incidente me palën italiane. Në momentin kur një njësi shqiptare u dëmtua rëndë, Prenk Pervizi, pati guximin e jashtëzakonshëm të kalonte frontin e luftës me makinë dhe shkoj për te takuar shqiptarët që ishin rrethuar nga forcat greke. Për fat nuk i ndodhi gjë.  Mblodhi komandën shqiptare dhe u dha urdhër që të mos zbatonin asnjë vendim të komandës  italiane, pa marrë miratimin e tij. Planifikoi me Major Spiro Moisiun dhe drejtues të tjerë ushtarak për të braktisur frontin sapo të shpërthente kundërsulmi i ushtrisë greke. Ndryshe nga paraqitja e historisë në kohën e regjimit komunist, kundërsulmi ndaj italianëve u organizua dhe u udhëhoq nga Prenk Pervizi, që komandonte forcat shqiptare në atë sektor, në marrëveshje me  komandantët shqiptarë e kryesisht me major Moisiun, të cilëve u dha urdhër, që të linin frontin e të tërhiqëshin në pozione të sigurta, pa u vrarë asnjë, me përjashtim të një ushtari të plagosur lehtë. Ushtria italiane pësoi  një disfatë katastrofike, sa që gjen. Badolio do të justifikohej para Musolinit, duke thënë se disfata ishte shkaktuar nga “tradhëtia” e ushtrisë shqiptare, dhe Duçja do i transmetonte të njejtin lajm Adolf Hitlerit pak ditë më vonë. Italianët në front, u shkëputën menjëherë nga ushtria shqiptare. Badoljo shkarkohet dhe emërohet në vend të tij, Gjenerali  Kavalero. Prenk Pervizin bashkë me shtabin e tij e degdisën dhe e izoluan në malet e Pukës. Megjithëse u ngrit në gradën e Gjeneralit,  Prenk Pervizin e nxorën në dispozicion e ia hoqën funksionet drejtuese në ushtrinë shqiptare.  Ai me një grup oficerësh vendos të krijoj një rezistencë aktive në marrëveshje me major Llesh Marashin në Malësinë e Shkodrës, major Abaz Kupin në Mat dhe kolonel Muharrem Bajraktarin në Lumë.  Në këtë moment Italia fashiste kapitullon. Në gusht 1943 Pervizi ishte i pranishëm në mbledhjen e Mukjes, ku u hodhën bazat e Bashkimit Kombëtar. Në qeverinë nacionaliste që do të  formohej, Pervizi u caktua në krye të Ushtrisë Shqiptare, dhe me 8 shtator, 1943, bashkë me disa oficerë të tjerë, merr në dorëzim Komandën nga Gjenerali Dalmazzo.

Pas dorëheqjes së Gjeneral Aqif Permetit, emërohet në tetor 1943, Ministër i Mbrojtjës me gradën Gjeneral Divisioni.

Në funksionin e Ministrit të Mbrojtjes  (Komandant i Mbrojtjës Kombëtare), kërkon të riorganizojë Ushtrinë Kombëtare Shqiptare dhe prezanton një projekt modern, por hasi në kundërshtimin e komandës gjermane, të cilëve u kundërvihet me vendosmëri duke mos i lejuar që të krijonin forcat SS në Shqipëri. Nga kjo mosmarrëveshje, Pervizi doli në mal bashkë me Keshillin e Lartë të Qeverisë dhe u bashkua  me forcat e tjera nacionaliste, si dhe me  misionin anglez, me të cilin qëndroi deri në largimin e tyre në tetor 1944, duke i mbrojtur nga sulmet e forcave naziste.