E premte, 29.03.2024, 02:00 AM (GMT)

Faleminderit

Mustafë Rugova: Profesori im i nderuar - Rexhep Podrimaj

E shtune, 15.12.2012, 09:09 AM


DY FJALË PËR PROFESORIN TIM TË NDERUAR

Nga Mustafë Rugova

Dy dekada më parë, pak para festës së dritës, në motmotin e 1989, pikërisht me 15 dhjetor, u përhap lajmi i idhët se ishte nda nga jeta misionari i dijes, pishtari i arsimit shqip, tribuni i lirisë, Rexhep Podrimaj, duke na lënë ne të gjallëve një mal me kujtime të ëmbla, por edhe një dhimbje të madhe në shpirt.

Me ardhjen e plejadës së parë të mësimdhënësve nga Shqipëria në Kosovë, më 1941, ishin vendosur themelet fillestare të arsimit shqip gjithandej në trevat shqiptare jashtë Shqipërisë administrative. Ardhja e mësuesëve nga Shqipëria kishte ngjallur dashuri dhe deshirë të madhe në secilen votër  shqiptare, në veçanti tek brezi i ri, prandaj edhe të rinjtë e Fushëmirës të asaj kohe, që deri atëherë nuk kishin pasë rastin të uleshin në bankat shkollore, i ishin gëzuar shumë ketij fakti fatlum. Deri në atë kohë, ata, mësimet për historinë dhe kulturën kombëtare, i kishin marrë  vetëm nëpër oda nga rapsodët dhe nga pleqtë mendtarë. Tashmë u kishte ardhë çasti që praktikisht të dëshmoheshin se vërtetë ishin të etur për dije.

Falë rrethanave që u krijuan mbas shkatërrimit të Jugosllavise, në vitet 1941 - 1944, u shkolluan tetë djem të Fushëmirës. Gjashtë prej tyre morën diploma mësuesije, ndërsa dy të tjerë kishin bërë shkollën e mesme administrative. Ai që i parapriu kësaj nisme të shenjtë, ishte padyshim Rexhep Podrimaj, njëri prej pishtarëve të arsimit  dhe intelektualëve më autoritar në Rrafshin e Dukagjinit.

Rexhep Podrimja u lind në Cerrrallukë (Fushëmirë) të Istogut më 1925, në kullën e babgjyshit plak, Niman Podrimës…; në një mjedis ku historia e kombit ligjerohej thekshëm, ku vargjet  e Lahutës së Malësisë mësoheshin dhe këndoheshin përmendsh, si dhe shumë libra të tjerë të Shqiperisë së vjetër, që ruheshin me fanatizëm në hatullat e kullave, aty, ku pa nda, kuvendohej  për qëndresë dhe përpjekje të parreshtura të paraardhësve tanë nëpër shekuj.

Gjatë pushtimit italian, Rexhep Podrimaj, tashme i rritur, inteligjent, i zellshëm dhe energjik, punoi pak kohë në Këshillin e vendit në Banjë-Ilixhë si nëpunës. Nga kjo detyrë fitoi një përvojë pune administrative. Por ajo që është me rëndësi të thuhet është se Rexhepi hapat e parë të karrierës së tij i kishte bërë si sekretar i Mehmet Bushit, një burrë me shumë autoritet, i cili, gjatë detyrës së tij në Senicë të Sanxhakut, i kishte marrë me vete si ndihmës Rexhep Podrimën dhe  Xhemë Elshanin…

Meqë tashti kishte arrijtë përvojën e mjaftueshme në administratë, iu dha rasti të punësohej në Komandën e Vendit, në Istog, ku komandant ishte Kapiteni Hysni Rudi. Ky ushtarak i shkolluar shqiptar ishte idealist në gjak dhe në asht, prandaj me të drejtë kishte ngjallë admiri te jashtëzakonshëm te popullata e kësaj ane në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë kishte ndikuar te Rexhep Podrimaj. I frymëzuar nga idealet e tij të larta atdhetare, Rexhepi ishte bërë anëtar i organizatës martire PNDSH (Partia Nacionale Demokratike Shqiptare). Më vonë, me ripushtimin e Kosovës, atdhetarët e paepur Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi u arrestuan në Shkup dhe u likuiduan nga OZN-a famëkeqe. Mbas LDB-së, kur filloi hapja edhe e shkollave shqipe, mungesa e mésimdhënësve shqiptarë ishte jashtëzakonisht e madhe. Prandaj organet arsimore të asaj kohë kishin filluar të organizonin aftësimin e personave të interesuar për të punuar në arsim, për çka në disa qytete të Kosovës u organizuan kurse intensive pedagogjike me afat të shkurtë dhe me një program elementar nga kultura e përgjithëshme dhe mësimet e pedagogjisë.

Në pranveren e vitit 1945/46, Rexhep Podrimaj u regjistrua në një kurs të tillë në Prizren.

Porsa mbaroi kursin pedagogjik, Rexhep Podrimaj u emërua mësues në shkollën  shqipe, në Saradran. Banorët e këtij fshati e pritën përzemersisht. Në mungesë të objektit shkollor, disa burra të këtij fshati, konkretisht: Isuf Zeka, Zenun Berisha, Bajram Grabovci dhe Xhemë Tuzi lejuan që odat e tyre të ktheheshin në salla mësimi. Vetëm në vitin 1947 në këtë fshat u ndërtuan dy salla mësimi dhe një zyrë për arsimtarë. Rexhepi ishte pritë aq mirë, saqë edhe sot e kësaj dite thuhet se e kanë mbajtë para duarsh.

Në këte shkollë Rexhepi qëndroi vetëm gjashtë muaj, sepse pushteti i atëhershëm, kur po e shihte që kuadrot shqiptarë po përparonin në mësimdhënije, ua ndërpriste hovin, madje kishte si metodë që t’i transferonte mësuesit sa më larg familjes për t’ua bërë jetën të veshtirë. Me largimin e Tij nga kjo shkollë, nxënësit dhe  banorët e këtij fshati, në shenjë paknaqësie, kishin vendosë të shkonin para Kuvendit Komunal, ku kishin protestuar, por megjithate transferimi ishte i pakthyeshëm: e dërguan si mësues në fshatin Shtupel të Klinës.

Edhe këtu, ngjashëm si në fshatin Saradran, të gjithë banoret e fshatit e kishin pritë  mirë dhe i kishin premtuar se do të bënin gjithçka të mundëshme që t'ia lehtësonin mësimdhënjen, por një pritje madhështore e që do të mbahet në mend ia kishte bërë Rexhep Bojaj.

Mandej Rexhep Podrimën e transferuan në shkollën fillore në Banjë të Pejës, kështu që deri ne vitin 1949, Ai punoi në tri shkolla fillore. Për një kohë relativisht të shkurtë Rexhepi kishte hapë dy shkolla shqipe. Por edhe nga kjo shkollë do ta ndiqnin pa i bërë dy muaj. Dhe nuk u mjaftuan vetëm me largimin nga puna, por edhe e burgosën.

Rexhep Podrimën e mbajtën në burg gjashtë muaj dhe e keqtrajtuan mizorisht. Për këtë flet vëllai i tij, Ademi, i cili kishte shkuar në burg për ta vizituar … : “Në përfundim të vizitës m’i dha teshat për t’ia larë familja. Kur u hodha një sy teshave, pashë se ishin të përskuqura në gjak. E pyeta me habi se çka kishte ndodhur, e ai më tha: "Asgjë…, kam vjellë gjak." Para se të vija në shtëpi, u ndala te Ledinat e Kamenices, ku i kam larë teshat e tij në një vadë dhe kam pritë deri sa të tereshin, sepse nuk doja që të shikonte nana gjakun.

Në vitet 1946-1949, në rrethin e Istogut  ishin hapë gjimnaze të ulëta në katër mjedise: në Gurrakoc, në Vrellë, në Rakosh dhe në Klinë. Rexhepi, si arsimtar veçanarisht i dalluar, pranohet si mësimdhënës në gjimnazin e ulët, në Gurrakoc, ku mbrenda viteve 1949-50 ai ligjeroi në disa lëndë mësimore. Në këté kohë, deri sa punonte ne gjimnaze te ulta, kishte kryer shkollën normale, më pas edhe Skollën e Lartë Pedagogjike dhe më vonë edhe fakultetin, degën e historisë.

Mbas një kohe, transferohet në gjimnazin e ulët në Rakosh e pastaj, më 1953, në atë të Istogut.

Mbas LDB, komunistët serbë dhe veglat e tyre në Kosovë praktikonin skeçin ideologjik si mjet për «vetëdijësimin e masave »…Në to inskenoheshin përballje vulgare në mes partizanëve dhe ballistëve. Me qëllim të evitimit të shpëlarjes së trurit të popullsisë, mësimdhënësit e gjimnazit të ulët në Istog vunë në skenë vepra të njohura letrare si « Besa » e Sami Frashërit dhe « Sikur të isha djalë » e Haki Stërmillit. Keto pjesë teatrale u shafaqën disa herë para publikut jo vetëm atij istogas. Entuziasmi i artistëve amatorë dhe porosia që përçonin këto vepra letrare bënë që ato të ndikonin shumë në krijimin e një vetëdijeje atdhetare e arsimdashëse kudo që u shfaqën.

Në atë kohë Abdurrahim Gashi ishte inspektor i arsimit, i cili gjatë inspektimit shprehet per RexhepPodrimën me fjalët më të zgjedhura: "Sa herë kam qenë në inspektim te Podrimja kam mbetur shumë i kënaqur me punën dhe aktivitetin e Tij në të gjitha shkollat ku Ai ka punuar… Në njërin prej raporteve të shkollave, mbajtur para mësuesëve të rrethit të Istogut në fund te vitit shkollor 1953/1954, thuhet shprehimisht: Në gjimnazet e ulta të Rrethit të Istogut ndër mësimdhënësit më të mirë kanë qenë: Besim Rizvanolli, Rexhep Podrimaj, Abdurrahim Kelmendi, Ramë Alihajdari, Engjell Berisha dhe Rexhep Kabashi".

Një fakt interesant,madje shumë mbresëlënës na e jape edhe  Prof.dr.Ismet Dermaku inspektor i lartë i historisë i asaj kohe, që ka pasur për profesorin e nderuar: "Rexhep Podrimen kam pasur fatin ta inspektoj në atë  kohë në Normalën e Pejës dhe mund t'ju them edhe sot e kësaj dite e mbaj mend si një profesor të spikatur dhe të pa shoq në Kosovë. Ai atëherë ka pasë vetëm SHLP të kryer,por askush nuk i është ofruar atij,si nga ana pedagogjike,poashtu edhe nga ana profesionale. I sygjerova të vazhdojë studimet. Ai me premtoj, kështu që  brenda një afati rekord arrijti ta mbaroj fakultetitn dhe atë me sukses  të lartë.  Që nga ai moment unë kurrë me nuk kam ndier ndonjë nevojë që ta inspektoj."

Rexhep Podrimaj në çdo kohë, madje edhe atëherë kur në programet shtetërore për arsim nuk ishte e lejuar të shpjegohej historia jonë kombëtare, Ai, përkundër rreziqeve, bënte të kundërtën: me një kujdes të posaçëm u mësonte fëmijëve historinë e shqiptarëve.

Në vitet pesëdhjeta autoritetet pushtuese intensifikuan terrorin kundër shqiptarëve. Në këto vite u organizua Aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve, që shkaktoi një eksod të dhunshëm e masiv të shqiptarëve në Turqi. Në ato vite, një terror i posaçëm u ushtrua sidomos kundër mësuesëve dhe intelektualëve të pakët që kishte Kosova. Në këtë valë persekutimesh u nxorën nga puna dhe u burgosën edhe arsimtarët e Istogut: Rexhep Podrimaj, Besim Rizvanolli dhe Xhemë Blakaj.

Kësaj radhe Rexhep Podrimën e dënuan me 9 muaj dhe 2 vjet rresht nuk e lejuan ta ushtronte profesionin e mësuesisë.

Ai ishte bërë ferrë në sytë e regimit, sa që njëri prej pykave kryesore komuniste të komunës, në një mbledhje publike, kërkoi që Rexhep Podrimaj të shpallej armik dhe të mbahej në burg për një kohë sa më të gjatë… e jo ashtu herë në burg e herë në liri…

Në vitet 60-ta pranë gjimnazit të Pejës ishte hapë një paralele e shkollës normale. Me që nevojat për mësimdhënës ishin shumë të mëdha, Rexhepi, mbasi kishte përvojën, por edhe kualifikimin e përshtatëshëm, pranohet si mësimdhënës. Por edhe në Pejë zagarët e UDB-së e ndiqnin si bishën, deri sa e pushuan nga puna për 4 vjet rresht.

E kthyen në punë vetëm pas Plenumit të njohur të Brioneve, më 1966, kur u rrëzua nga pushteti serbomadhi i thekur, Aleksander Rankoviç.

Prej atëherë Rexhep Podrimaj punoi si profesor i historisë në Gjimnazin e Pejës deri në vitin 1986, kur doli në pension.

Rexhep Podrimaj kudo në Rrafshin e Dukagjinit ka qenë përsonifikim i burrit të zgjuar e të vendosur, i mësimdhënësit të përkushtuar e i adhetarit të paepur. Kudo që u ndodh profesori, në shkolla apo në odat e Dukagjinit, të gjithë të pranishmit e dëgjonin me kurreshtje dhe respekt. Në  ligjeratat e Tij, sidomos kur fliste për epokat dhe për figurat e levizjes sonë kombëtare që nga lashtésia e kendej, të krijonte përshtypjen dhe të ngjallte ndjenjen sikur këto figura po zbrisnin në orët e mësimit dhe po shqoqëroheshin me ne.

Nxënësit e tij edhe sot, ashtu si dikur, flasin për mësuesin e tyre me admirim e mahni. Sepse, pavarësisht ndjekjeve të parreshtura të regjimit, ai nuk u ndal kurrë së përçuari tek nxënësit e tij idenë e pavdekshme të lirisë. Ai kishte një përgatitje të themelshme profesionale dhe një dhunti antike prej oratori.

Rexhep Podrimaj asnjëherë nuk u nënshtrua para persekutimeve të përhershme të regjimit dhe të mashave të tij. Ai jetoi dhe vdiq si shëmbëlltyra më e shkëlqyer e Mësuesit dhe Tribunit të Popullit.

Për skicimin e portretit të Profesorit tim, në masë të madhe jam mbështetë tek të dhënat që kam marrë nga vellai i tij, z.Adem Podrimaj, nga veterani i arsimit shqip në rrethin e Istogut, z. Abdurrahim Gashi, si dhe nga z. Halit Elshani.



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora