E enjte, 24.10.2019, 02:58 AM (GMT+1)

Personalitete

Keida Kostreci: Wilson, pa të Shqipëria çfarë do të kish qenë

E premte, 14.12.2012, 07:05 PM


Woodrow Wilson, pa të Shqipëria çfarë do të kish qenë

Nga Keida Kostreci

Woodrow Wilson fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara tri javë para se Shqipëria të shpallte pavarësinë në nëntor të vitit 1912. Por duhet të kalonin disa vjet para se refuzimi prej tij i planeve për ndarjen e Shqipërisë t’i siguronte ish-Presidentit amerikan një vend nderi në historinë shqiptare. Vizioni i presidentit Wilson për botën, roli i shqiptaro-amerikanëve dhe rrethanat historike kontribuan në vendimin që do të rikonfirmonte pavarësinë e Shqipërisë.

Kur i hedh një vështrim botës së pas Luftës së Parë Botërore, në vitet 1919-1920, dhe vendimit të Woodrow Wilsonit për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, nuk mund t’i shpëtosh mendimit se sikur rrjedha e ngjarjeve të kishte shkuar vetëm pak më ndryshe, harta e Shqipërisë nuk do të ishte kjo që njohim sot. Ndoshta  një pjesë e fatit të Shqipërisë u mbrujt kur presidenti Wilson paraqiti parimin e vetëvendosjes së popujve, që, sipas historianit Bernd Fischer, ishte ndër më të rëndësishmit në planin e tij  prej 14 pikash, sipas të cilit kufijtë nuk mundet të caktoheshin më mbi bazën e politikës së Fuqive të Mëdha.

Por mendoj se ai ishte gjithashtu i interesuar për të mirën e popujve më të vegjël në Europë, të cilët nuk ishin marrë parasysh në politikën e Fuqive të Mëdha. Pra, ishte një politikë vizionare përsa i takon botëkuptimit, por ishte edhe një shqetësim shumë konkret për popuj të caktuar dhe shqiptarët përfituan nga kjo.

Në dhjetor të vitit 1918 presidenti Wilson u nis për në Europë ku  kaloi pjesën më të madhe të gjashtë muajve të ardhshëm, i përfshirë në negociatat e Konferencës së Paqes në Paris. Negociatat për fatin e Shqipërisë kishin të bënin me synimet për kontrollin e Adriatikut. Territoret shqiptare ishin copëtuar një herë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. Por synimet e fqinjëve nuk ishin ndalur aty.

Shqipëria, nëse do të kishte qenë në dorën e Italisë dhe Jugosllavisë, që mbështeteshin nga Britania dhe Franca, me siguri që do të ishte ndarë në bazë të Traktatit të Fshehtë të Londrës, që italianët e negociuan në vitin 1915.

Fuqitë europiane donin të vazhdonin diplomacinë tradicionale. Presidenti Wilson e hodhi poshtë idenë e aleancave sekrete në diskutimet e tij në Paris. Një nga këto marrëveshje të fshehta ishte e ashtuquajtura Tittoni-Venizelos, e vitit 1919, kur Italia dhe Greqia kishin rënë dakord për marrjen e pjesëve të Shqipërisë.

”Disa nga Fuqitë e Mëdha kishin rënë dakord fshehtas, pa dijeninë apo angazhimin e Shteteve të Bashkuara, që ta ndanin Shqipërinë dhe presidenti Wilson kur e mori vesh një gjë të tillë tha se nuk do ta mbështeste”, thotë Robert Enholm, drejtor Ekzekutiv i Shtëpisë së Woodrow Wilsonit në Uashington, ku ish-Presidenti kaloi vitet pas largimit nga posti.

Për historianin Nikolla Pano, rreziku që i kanosej Shqipërisë ishte synimi i fqinjëve, por edhe dobësia e qeverisjes së vendit. Profesor Pano thotë se në fillim të negociatave presidenti Wilson kishte prirjen të bënte disa lëshime.

Por ajo që filloi ta bënte Wilsonin të mbështeste gjithnjë e më shumë Shqipërinë, ishte fakti që Greqia dhe sidomos Italia u bënë gjithnjë e më kërkuese.

Më 9 dhjetor 1919 Franca dhe Anglia – pa praninë e Shteteve të Bashkuara – arritën një marrëveshje që i jepte Italisë mandatin ta shkëpuste Vlorën dhe që Greqia të merrte territorin përreth Gjirokastrës, por jo Korçën. Profesor Pano thotë se presidenti Wilson u befasua që italianët dhe grekët ishin të pakënaqur dhe donin më shumë pjesë territori nga Shqipëria dhe kur u ngrit pyetja e kufijve veriorë, ai u zhgënjye plotësisht, duke kuptuar se ajo që po propozohej do të sillte zhdukjen e Shqipërisë.

Më 6 mars, presidenti Wilson me forcë i hodhi poshtë këto kërkesa dhe nga këndvështrimi i tij çështja e Shqipërisë nuk ishte e hapur për diskutim dhe fati i Shqipërisë do të përcaktohej në një sërë takimesh pas Konferencës së Paqes.

Meqë amerikanët luajtën një rol të rëndësishëm në fazat e fundit të luftës, fjala e Woodrow Wilsonit kishte peshë të madhe.

Shtetet e Bashkuara nuk e kishin njohur shumë Shqipërinë, para një misioni për mbledhje faktesh në vitin 1914 nga ministri amerikan në Greqi, George Frederick Williams. Por historianët bien dakord se kishte edhe një faktor tjetër thelbësor në qëndrimin amerikan.

Faktori tjetër që duhet mbajtur parasysh në fillimin e skenarit të mbrojtjes së Shqipërisë, është roli i diasporës shqiptare, sidomos asaj në Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësit e saj, si Faik Konica e sidomos Fan Noli. Faik Konica ishte jashtë vendit gjatë pjesës më të madhe të luftës, por Fan Noli ishte në këtë kohë në Shtetet e Bashkuara, po ashtu edhe njerëz të tjerë të njohur, si Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako.

Pano thotë se shqiptarët ndërmorën një fushatë masive propagande për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe tërësisë së saj territoriale.

Dy ditë pas qëndrimit të shprehur nga Amerika në vitin 1920, gazeta ‘Dielli’ vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara dhe Kostë Çekrezi e bëri të qartë që Shtetet e Bashkuara e kishin shpëtuar Shqipërinë, në një intervistë në gazetën New York Times. Më pas atë vit Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve.

Trashëgimia e Woodrow Wilsonit është e ndërlikuar. Disa bëjnë përgjegjëse platformën e tij për shumë nga problemet moderne të Ballkanit, sidomos ato që kanë lidhje me konfliktet e viteve 1990. Por, siç thonë historianët, po të mos kishte ndërhyrë Woodrow Wilson, kishte shumë gjasa që Shqipëria të ishte më e vogël sesa është sot.

Ky rol i Shteteve të Bashkuara nuk është harruar nga shqiptarët, ndërsa ata festojnë 100-vjetorin e pavarësisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT