E marte, 16.04.2024, 11:48 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Jozefina Traboini - Perandoria e shpirtit

E premte, 14.12.2012, 07:40 PM


PERANDORIA E SHPIRTIT, MË E MADHJA PERANDORI

Mendime rreth vëllimit poetik “Perandoria e shpirtit”, të  poeteshës  shkodrane Jozefina Traboini

NGA PËLLUMB GORICA

Nëse do ta rimblidhja me dy fjalë gjithë mesazhin që sjell poetesha Jozefina Traboini në vëllimin e saj poetik “Perandoria e shpirtit”,  ku midis vargjeve vibron ndjenjë e hollë artistike dhe estetike do të shprehesha: Dashuri e dhëmbje, themelet mbi të cilat ngrihet perandoria e përjetshme e shpirtit. Njeriu që ka shpresa dhe dashuri në shpirt është himnizues i përjetsisë. Një shpirt pa dashuri dhe dhëmbje, është një gur i thërmueshëm që nuk mban dot mbi supet e tij asnjë lloj ngrehine e jo më një perandori. Të shkruash vargje, që rrezatojnë dashuri e dhimbje nuk është gjë e lehtë. Vetëm një poete që jeton të tashmen në çdo grimcë të saj, që retrospektivën e infiltron në damarët e dhimbjes e të ardhmen e ingranon në teleskopet e optimizmit dhe shpresës, si Jozefina Traboini mund ta bëjë një gjë të tillë. Titulli  i librit intrigues që mbart nje peshe te veçante metaforike qe te zgjon interes.

Dashuria që buron nga vargjet e Jozefinës jo vetëm që eshtë një dashuri e dhimbshme, e sinqertë e njerëzore, por është edhe gjithëpërfshirëse. Ajo është dashuri për brezat dhe vendlindjen, për nënën e motrën, për vëllain e për fëmijët, për miqtë e për shokët, për lirinë e për fenë, për lulet e për femrën, për detin dhe për malin, për diellin dhe për hënën, për shkollën dhe për qiellin, për ajrin e pastër e për çdo pëllëmb vend që mban copëza nga jeta e saj brenda e jashtë atdheut. Por si rreze dielli e pashuar për poeten  e mbi të gjitha mbetet dashuria për fëmijët, sepse ajo nuk është thjeshtë dashuri nëne për krijesat e saj, por dashuri për vazhdimësinë e brezave e përtëritjen e jetës. Me fjalë të zakonshme me një transparencë që prek edhe gurin Jozefina Traboini shkruan: Ata janë ëngjëj / Për mua ata janë fryma / janë lodhja ime / janë qetsia ime.  Më thjesht, më bukur, më konçiozitet se kaq që ngërthen e shpreh gjithçka nuk mund të ketë. Ashtu siç respekton e vlerëson ghyshërit, të gjithë gjyshërit e botës: Gjyshër! Kur të bëhem unë gjyshe /A do të jem e mirë sa ju.  Barometri matës për vlerat e tyre është shumë njerzor, mjafton që edhe vetë poetja të bëhet aq e mirë sa ç’janë ata, gjyshërit, krenaria e brezave. Rrallë mund të shkruaj kush me një konçizitet të tillë që të mbajë brenda dashuri me peshë sa mallet kur ajo shkruan për motrën apo mbesat:  Unë kam edhe një hanë e ka emrin Anë  / apo mbesës Vikit / Viki ti je melankoni e brishtë. E veçanta e këtij vëllimi poetik është se poetja vlerëson lidhjen e gjakut, farefisninë me një dashuri të sinqertë, duke deklamuar qartë se nuk vlerëson shtresat e larta shoqërore për servilizëm e interesa. E të vlerësosh fisin tënd nuk ka gjë më të bukur e njerëzore. Vargjet janë herë deklamime moralizuese dhe herë dedikime të sinqerta shpirtërore, herë thirrje për t’u përsosur moralisht e herë krenari e ligjshme për arritjet e fisit e rrethit të saj familjar. Është një përthyerje e gjetur dhe një larmi që të josh letrat e urimit apo përshëndetjet në formë  vjershërimi, që ajo bën për gati të gjithë të afërmit e saj. Edhe kur syri i vargut të saj mundohet të rrokë realitete jashtë rrethit farefisnor ajo përsëri ndjen, përjeton, akumulon dhe  rrezaton dashuri njerëzore deri në intimitet: Me tingujt e tij/ qaj të gjitha kohët dhe ndaj kërkon që madhështia e Bethovenit ta shoqëroj gjer në varr. Dashurinë për atdheun dhe familjen poetja e shkrin me dashurinë për një pjesë të vendit të huaj siç është Roma ku ajo kaloi një pjesë të jetës së saj, ndaj shkruan: Romë ! Atje ku unë linda filizat e mij  / Ku rrita dy mrekulli / perandori shpirti.  Zemra e saj është aq e madhe sa kërkon të mbajë brenda gjithçka të mirë e fisnike, atdheun e vendlindjen e më duket se poetja e arrin kur shprehet për malësinë me burrat shtat lisa e për gruan si: Zemër nëne/zonjë e gjithësisë.  Ajo me ndjenjë di të depërtojë në detajet e jetës ashtu siç di të futet në intimitetet e femrës që nga  bluza e gjer tek parfumi, tek misioni i saj si nënë e pendesa që e ngacmon vazhdimisht për çdo gjë që nuk është vendosur mirë në jetë: Pendesa çdo natë më prish gjumin/Pëshpëris në heshtje/lotohem pa u ndjerë.Dhe pasi ajo ka rrokur tërë hapsirat, duke ngritur me të vërtetë Perandorinë e shpirtit, përsëri merakun e ka vetëm për të vërtetën, ajo është perandori që gjeneron të ardhmen: E vërteta duhet të jetë moral/Dhe jo mister nëpër botë. Me këto dy vargje monument për të vërtetën, poetesha Jozefina Traboini e mbyll  me shumë domethënie vëllimin e saj poetik.   Shpirtit krijues të autores i urojmë suksese për vizionin e " Perandorisë së shpirtit".



(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora