E shtune, 07.12.2019, 03:32 PM (GMT)

Kulturë » Libra

Vangjush Saro në një libër me fabula

E premte, 14.12.2012, 07:19 PM


“Dhelpra shpërblen lepurin” e çon në 15 numrin e botimeve artistike nga shkrimtari satirist

Shkrimtari satirist Vangjush Saro, i cili ka botuar 15 libra për fëmijë e të rritur, vjen së fundi te lexuesit me një përmbledhje me fabula. Libri i tij më i ri titullohet “Dhelpra shpërblen lepurin” dhe është edituar nga Shtëpia Botuese ERIK në Tiranë. Autori është i njohur për prurjet e tij në fushën e humorit e të satirës. Një pjesë e mirë e fabulave të këtij libri, përpos një sërë tregimesh humoristike, janë botuar edhe më parë në shtypin periodik; por krahas tyre, i janë ofruar lexuesit një sërë fabula të reja.

Ashtu si në gjithë krijimtarinë e vet, edhe në këtë libër, V.Saro trajton tema korente dhe përcjell mesazhe që zbulojnë aspekte e probleme të jetës së përditshme. Krahas stigmatizimit të kotësisë e mendjemadhësisë, si edhe veseve e shfaqjeve të tjera qesharake të jetës, fabulat e këtij vëllimi rrahin edhe probleme të “ngjërimit” politik, të trajtuara përmes metaforave dhe analogjive të spikatura. Të tilla janë fabulat “Oqeani dhe varka”, “Dhelpra shpërblen lepurin”, “Sekreti”, “Patat dhe pulat”, “Në pyllin rrëmujë”, “Fija e barit bën not”, etj.

Libri “Dhelpra shpërblen lepurin” i drejtohet një spektri të gjerë lexuesish, para së gjithash edhe të vegjëlve. Me këtë libër, shkrimtari dhe publicisti Vangjush Saro ishte pjesëmarrës edhe në Panairin e 12 të Librit në Tiranë. “Dhelpra shpërblen lepurin” është edhe një tjetër detaj në portretin artistik të këtij autori, që ashtu si në fushën e publicistikës, qëllon me mjetet kritike, duke aspiruar për një shoqëri edhe më të mirë e të përparuar.

 

Fshati dhe korija

 

Korija po rrallohej

ca nga ca;

dhe kot që më kot

i qahej fshatit.

Kështu pra,

deshi apo s’deshi,

iu nënshtrua fatit.

 

Një ditë kiameti

rrëketë vërshuan

dhe fshati u përmbyt i tëri.

Njerëzit ngritën kokën

nga korija:

-Kishte të drejtë - thanë njëzëri.

Por ishte vonë shumë.

Shtëpi e pasuri

shkuan në lumë...

 

Kungulli lëvdohet

 

Një kungull

na mori përpjetë.

U rrit

e u fry

me të shpejtë.

Harroi

ç’kish qenë dikur

dhe gardhit të shkretë iu mburr:

-O mik, që veç rri

hu më hu,

si nuk u mërzite kështu?

Shiko si jam unë,

shiko:

I madh,

i bukur

luleveshur!

O gardh

që më bën për të qeshur.

 

-Të qeshësh posi,

i tha gardhi.

Veç thuamë, më qafsh,

kush të mbajti,

gjer erdhe këtu,

hu më hu?

 

Zotër e gomerë

 

Një ditë

gomari u zu me të zotnë:

“Më lodhe, më vdiqe,

i thoshte.

Të gjitha

kurrizi im po i mban.

Paske qenë

o imzot,

shpirtkatran...”

“Dëgjo ti, kërriç,

tha i zoti,

kjo punë,

është ndarë që qëmoti.

Ca ulin kurrizin

dhe punojnë.

Të tjerët drejtojnë.

Për Zotin,

nuk kam unë faj,

që ti ke lerë gomar.”



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT