Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albana Lifschin: George Washington - Presidenti i I i SHBA (1789-1797)

| E enjte, 13.12.2012, 08:39 PM |


Udhëtim në Historinë e Amerikës (1)

Xhorxh Uashington Presidenti i I i SHBA

-1789-1797-

Nga Albana M. Lifschin

Muaji Prill i vitit 1789 për njujorkasit qe një muaj shumë eksitues dhe emocional.

Në 14 prill, 1789, Xhorxh Uashingtoni qe zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në 30 prill qyteti i Nju Jorkut, - kryeqyteti i parë i shtetit të ri amerikan ishte përgatitur për inaugurimin e presidentit të parë të vëndit.

Presidenti Uashington kishte një figurë madhështore. Duke vënë dorën mbi Bibël ai bëri betimin solemn si president.

Historianët e përshkruajnë Xhorxh Uashingtonin si një president të vendosur, dinjitoz, shumë të kujdesshëm, tepër të vëmëndshëm dhe jo agresiv.

Përgjegjësia e madhe që ai mbante për vizionin e zyrës së presidentit kishte të bënte me krijimin e precedenteve për të ardhmen ndaj ai e maste me kujdes çdo hap që hidhte. "Sytë e Argus janë mbi ne dhe as gabimi më i vogël nuk ka për të kaluar pa u vënë re" thoshte ai.

Xhorxh Uashingtoni e shikonte me seriozitet të madh parimin e ndarjes se pushtetit midis organit legjislativ dhe atij ekzekutiv.  Lidhur me veton, ai mendonte që presidenti duhet ta përdorte veton vetëm kur ligji i propozuar ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Në zgjidhjen e keshilltarëve të tij ai kërkonte si kriter të parë besnikërinë ndaj Kushtetutës. Xhorxh Uashingtoni vepronte pa marrë parasysh përkatësitë politike, a thua se ato nuk ekzistonin fare për të.

Ai ishte shumë i kujdesshëm në respektimin e autoritetit të presidentit dhe mosshpërdorimin e postit.

Xhorxh Uashingtoni u zgjodh dy herë president i SHBA dhe me dëshirën e popullit do qe zgjedhurj përsëri, por ai e pa të arsyeshme të tërhiqej duke lënë kështu një precedent që do të ndiqej nga presidentët e ardhshëm.

Ai vdiq në prag të shekullit të ri, vetëm dy javë para ardhjes së vitit 1800. Xhorxh Uashingtonin e qau i gjithë vëndi. Henri Li(Henry Lee) tha se Xhorxh Uashingtoni ishte "I pari në luftë, i pari në paqe, dhe i pari në zemrat e bashkëatdhetarëve të tij" duke shprehur kështu ndjenjat e të gjithëve.

Në fjalën e tij të Lamtumirës që ishte në fakt testamenti i tij politik, babai i vëndit, la këshilla të vlefshme për qeverinë, për rolin e saj për drejtimin e shtetit në të ardhmen. Uniteti i vëndit ishte tema kryesore. Ai paralajmëronte amerikanët kundër rivalitetit të partive politike duke thënë se rritja jashtë kontrollit e konflikteve të forta midis partive politike mund të krijonte probleme që mund të çonin në prishjen e unitetit të vëndit dhe "Uniteti i vëndit është i pazëvëndësushëm, thoshte ai."

Për Uashingtonin Kushtetuta amerikane ishte ligj i shenjtë dhe duhej respektuar nga të gjithë.

Xhorxh Uashingtoni jepte porosi lidhur me politikën e jashtme që duhej të ndiqte Amerika. Ai këshillonte që Shtetet e Bashkuara të Amerikes, duhet të zhvillojnë e ruajnë paqen dhe harmoninë me vëndet e tjera, por ishte kundër aleancave afatgjata me to. SHBA kurrë nuk duhet të jetë shumë e lidhur me një shtet ( të caktuar) pasi kjo do të bënte që të tërhiqej në konfliket që ai mund të ketë me të tjerët..."

Deri në vitet 70-të të shek.XX, testamenti politik i Xhorxh Uashingtonit qe bërë zakon të lexohej në kongresin amerikan çdo 22 shkurt, por me vonë dalëngadalë u hoq dorë nga kjo traditë.

Sidoqoftë mësimet e tij tingëllojne aktuale edhe në ditët e sotme. Në Washington D.C., kryeqytetin e SHBA, që mban emrin e tij, është ngritur një monument i lartë e kalimtari ngre sytë për ta parë e për të nderuar amerikanin e parë të madh të këtij vëndi.

(Marrë nga libri i autores "Udhëtim në Historinë e Amerikës”, botuar 2003, ribot. 2006, 2010)

http://albanalifschin.tripod.com/index.html