Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Mos(pajtimet) mes nesh

| E enjte, 13.12.2012, 08:50 PM |


Mos(pajtimet) mes nesh?

Nga Blerim Rrecaj

Si shqiptarë të (pa)ndarë e të (pa)përçarë në (një flamur, si  titullohet dhe njëra nga këngët që mori krahë në prag të 28 Nëntorit) shumë drejtime, si territorialisht e edhe sa u përket përplasjeve të mendimeve, ideve, koncepteve politike, ekonomike, sociale, sportive, artistike, mediatike…Edhe gjithë këto kllapa po ngjajnë si ca mure që megjithatë do të hiqen…

Në një anë shqiptarët përballë sulmeve e mësymjeve po ashtu nga më të ndryshmet për t’i goditur e dobësuar forcën e tyre nga armiqtë historikë e aktualë por më e rendësishmja siç duket është të shohim infiltrimet e lloj lloj mikrobeve  që (pa)vetëdijshëm mbjellin farën e defetizmit  për të korrur dobësi e ligështim te shqiptarët që me shekuj synojnë për ribashkim.

Këtu nuk bëjnë pjesë ata që qortojnë për  ngecjet, e mangësitë, për  skandalet e parregullsitëe që duan përparim të njëmendët. Që duan këndellje, pastërti, që duan vlera, rregull, ndershmëri…

E shqiptarët të cilët të përballur me gjendjen e rendë politiko-ekonomike po bien pre lloj lloj përkufizimi e teorie, deklarate e çka jo tjetër në përpjekjet e vazhdueshme djallëzore për të na dhënë goditje në këtë kohë kur përafrimi mes nesh megjithatë ka marrë hov e po lulëzon.

Neve na ka rënë të dëgjojmë se disa nga baballarët e të ashtuquajturit “komb kosovar” edhe të kenë deklaruar duke u munduar parasegjithash idenë e tyre duke thënë kafeneve ndonëse nëpër medie ata kanë qenë pak më të kamufluar a maskuar e herë herë fare të turbulluar : A e keni parë se si Kosova është e rrethuar rreth e rreth me male, a e nuk tregon kjo se edhe vetë Zoti nga ka veçuar prej Shqipnisë,(një lloj këndërvënie e Himnit Kombëtar) se na jemi gegë e ata toskë,(duke iu kundërvënë mallkimit të Ndre Mjedës) hiquni prej atij Lasgush Poradecit i cili s’ishte fare në të kur deklaroi se “mos e pifshim këtë gotë mos u bashkofshim me Kosovën”, mos harroni e dëgjonie Fatos Lubonjën e Oliver Shmitin çka po thonë për Skënderbeun (në një debat lidhur për këtë temë u pat vënë në spikamë se heronjt e simbolet kombëtare po t’ua prekësh evropianëve të mbesin në qafë ose shkrimin e fundit të Lubonjës (i cili edhe njëherë mori rolin qesharak gacës së mbuluar) me titull merakosës  për ngritjen e vetëdijes shqiptare me titull: “Optimizmi i çuditshëm shqiptar”.)

Ndonjëherë vërejmë se përqeshen  shumë personaliteteve shqiptare e edhe i zihet për të madhe  Naim Frashërit  i cili vetë digjej si qiriu për të ndriçuar të tjerët, (për të marrë diç nga Facebook-u. Një këshillë për egoizmin: "Asgjë në natyrë nuk jeton per veten e tij./Lumenjtë nuk e pinë ujin e tyre./Pemët nuk i hanë frutat e tyre./ Dielli nuk nxeh për veten e tij./ Lulet nuk e shpërndajnë aromën për veten e tyre...T'i bësh dobi të tjerëve është rregull... dhe rruga e lumturisë...")

E kemi dëgjuar e vazhdojmë të dëgjojmë fjalë ç’orientuese nga më të ndryshmet, si psh., Shkodra flet gegnisht e është më e afërt me Kosovën sesa me Shqipninë, fesa e 28 Nëntorit ishte një tallava festë, e quajtën edhe festë të degjeneruar,  jugu i Shqipnisë janë grekë e një mori margaritarësh me frymë përçarëse sa që mendje të vete se si ka mundësi që me të tilla deklarime të bijen në mend termat e armikut shekullor për “albanci” e “shiftari”. Shto kësaj edhe përmendjen e ndonjë rasti a përjetimi  individual  a artikulli marrë nga kronika e zezë në kuptimin negativ e përgjithësues. Termat “na” të Kosovës e “ata” të Shqipnisë, “ata” të Maqedonisë, Preshevës, Malit të Zi, Çamërisë… duke folur se kush është më i mirë: “na “ apo “ata”, cila prej “elitave” është më e zonja, kush po prijnë me mafiozitet, krim , korrupcion, kush ka luftuar më shumë për flamur, kush ka kontribuar më shumë për liri, pavarësi, zhvillim. Në cilin parlament bëhet më shumë zhurmë, shamatë, sharje, gjuhë ofenduese… në cilin vend shqiptarët janë më të ndarë e më të përçarë, cilët dallohen më shumë për mikpritje a bujari…

E ndërkohë shqiptarët si gjithherë e më shumë se asnjëherë më parë po mundohen për të ditur duke u interesuar për të mirat dhe të këqijat që kemi, për përmisërimet që mund të bëjmë, për plotësimet që mund t’i bëjmë njëri tjetrit, për kahjen e zhvillimit e përparimit si shoqëri e si komb duke përsiatur  e pasur parasysh thënien e Mit’hat Frashërit :"...Njerëzit e një kombi janë solidarë. E mira dhe lumturia jote, janë dhe të miat. Fatkeqësia jote është dhe për mua. Nderi yt më nderon dhe mua dhe turpi yt më nxin edhe faqen time".

Dalshim faqebardhë pra e edhe të përpiqemi e të veprojmë e të bashkohemi  në pikat që na bashkojnë dhe ta përqeshim lojën “dushk për gogla” të cilën me të madhe po plasohet nëpër media andej e këndej të kontrolluara nga kontrollorë që pa asnjë arsye i ri-rikësohen ribashkimit të shqiptarëve që ka gjetur e po gjen shtigjet e veta. Apo zërat përçarës marrin fonde për këtë qëllim e si do të thoshte Çajupi: “Kush shitet me ërgjent nuk bindet dot me mend”.

Derisa ekzistojnë  të tillë zëra përçarës  ekzistojnë dhe zëra të fuqishëm që jehojnë duke vënë në pah qëllimet  e errëta  e duke u përballur me ta, duke ua çjerrur  fjalët, e hequr maskat.

Së fundmi  pashë librin e Besnik Hysës të titulluar “Amaneti i Ribashkimit” në librin e tij në të cilin tregon me argument se si duhet mbrojtur  dhe vepruar kundër sulmeve shumëdrejtimshe e të shumëllojta në drejtim të gjithë shqiptarëve. Ky libër pos që është në udhërrëfyes është edhe një antivirus për argatët e antishqiptarizmës së kahershme e cila vazhdon edhe ditëve të sotme…