E enjte, 18.04.2024, 11:18 AM (GMT+1)

Mendime

Ali Podrimja: Gjonlekajt

E shtune, 26.04.2008, 10:20 AM


Ali Podrimja
Gjonlekajt

Nga Ali Podrimja

Pranoj se nga Gjeka, botues kryesisht në gjuhën angleze i veprave kapitale nga letrat shqipe siç është “Kanuni i Lekë Dukagjinit” i Gjeçovit, veprat madhore të Faik Konicës si dhe të shumë të tjerave, zbulova atdhetarizmin e vëllaznisë Gjonlekaj.

Gjakova qytet i njohur për traditë qytetarie e shqiptarie, në vitet 60-të u shndërrua në qendër kulturo-arsimore, ku gravitonin shqiptarët nga gjithë hapësira e këndej gurit të padrejtësive të kongreseve të shek. XIX.

Vitin kur më kishin larguar nga shkolla nuk mund ta harroja. Ishte për shkak të vargut “Kosova është gjaku im që nuk falet “ që në vitin 1998 u bë betim i UÇK-ës. Në takimin e fundit letrar para se të largohesha nga vendlindja, takova nipin e Hotëve të rënë nga Mbishkodra, i cili më vonë më foli për Trieshin dhe malësorët trima, që rrinin krah Dedë Gjo Lulit.

Guximi i Gjekës paralajmëronte se ky pinjoll i kësaj familjeje përgatitej për një maratonë kombëtare. Në kodin e tij etik vërehej dhe prania e autorëve të hershëm të letrave shqipe si dhe të bashkëvendësve të tij: Atanas Gega, autori i një vepre të rëndësishme për Skënderbeun, Mirash Ivanaj, Nikollë Ivanajt si dhe të shumë martirëve që mbeten udhëve të atdheut.

Në Universitetin e Kosovës në fund të viteve 60-të ishim përballur me eksodet e ndjekjet si dhe me zbrazëtinë shqiptare nga represionet e shtetit të atëhershëm sllav. Propaganda pansllave me një ofensivë të tërbuar elaboratesh e librash, ku falsifikohej çdo gjë shqiptare; shkonte aq larg sa nuk nae, shqiptarët, nuk konsideroheshim as si njerëz!

Mjafton të shfletojmë Toma Oravacin, Vladan Gjorgjeviqin, Haxhi Vasiljeviqin, Jovan Cvijiqin, Stojan Protiqin (Balkanus), Nushiqin, Ivo Andriqin (Nobelist, kroat i serbizuar), Batakoviqin, Tihomir Gjorgjeviqin, Dimitrije Bogdanoviqin, Dimitrije Petroviqin, Jovan Tomiqin, Stojan Novakoviqin. Më vonë flamurin e nacionalizmit serb e ngritën lart edhe Dobrica Qosiqi, Shesheli si dhe politikanë e krijues të tjerë serbë.

Në një atmosferë me plot tensione e të papritura e keqja na ishte kafshatë e hidhur e përditshmërisë. Shqiptarët arrinin dhe tej shkretëtirave të Shamit, siç do thoshte miku e poeti Azem Shkreli, ndërsa Amerikën e kishim aty te dera dhe e konsideronim shpëtimtar tonin, megjithëse zbrazej hapësira dhe tkurrej atdheu. Shpërbërjet ndodhnin dhe brenda hapësirës sonë. Në Kurvelesh kisha takuar një degë të Gjonlekajve. Në Vlorë (2002) promovohej libri im “Litari i ankthit” (botim i “Toenës”). Në mbrëmje mua dhe ca poetë botuesi na çoi në Kuç, ku ndodhi dhe befasia me degën e Gjonlekajve, të cilët tregonin për rrënjën e të parëve të tyre, si dhe për trimëritë e baballarëve. Thoshin se ishin nga Kuçi, i cili shtrihet tej kufirit verior. Dhembja e tyre gjendej diku: mes luledielli/ dhe lulehënës… do thoshte Mario Soresku. Vëllaznia e Gjonlekajve kishte përjetuar eksode dhe përplasje me ish-regjimin.

Më 15 janar 1970 Gjeka kaloi në Itali për të vazhduar udhëtimin tej Atlantikut. Me vete bartte një bagazh dhembjeje. Ishte hera e dytë që kërkonte ishullin e vet, por dorë nuk hoqi kurrë nga ajo që ia lanë të parët. Në SHBA e hasim në vijën e parë të rezistencës kombëtare, qoftë përmes protestave, shkrimeve e botimeve të ndryshme nga Shtëpia botues “Gjonlekaj Publishing”, e themeluar për të vetmen arsye që metropoleve botërore t’ua shpaloste botën shpirtërore të popullit që i takonte si dhe t’i kundërvihej propagandës së egër pansllave, duke u ofruar të vërtetën për atë që ndodhte në Gadishullin Ilirik.

Shtet as parti nuk qëndronin pas Gjekës. Krah të fortë kishte vëllezërit Lucën dhe Tomën, që nuk kursyen asgjë rreth projekteve të ndryshme, qofshin ato nga rrafshi kulturor apo politik. Gjeka ishte i bindur se Kosova do të lindë nga lufta.

Në vitet 1980 me prof. Anton Çetën dhe me ca intelektualë ndodheshim në malësinë e Mbishkodrës, në Traboin, për Pajtimin e Gjaqeve me ç’rast kërkuam dhe varrin e Dedë Gjo Lulit. Ajo që nuk harrohet është ngritja e Flamurit Kombëtar në mes të Tuzit, ku u gjendem të rrethuar nga policia. Në mesin tonë gjendej dhe poeti i shquar malazez, Jevrem Bërkoviq, i cili deklamonte vargjet e veta: në damarë të mi nuk di gjak iliri rrjedh, shqiptari apo sllavi…

Ish-presidenti rus Gorbaçov kishte vizituar Serbinë (1989) dhe udhëheqjes së saj iu kishte drejtuar: “Kosovës t’i hiqet autonomia!” Kjo e kishte tmerruar maratonin e Mbishkodrës. Së pari, Gorbaçovi ishte nderuar për paqe me Çmimin “Nobel” nga Stokholmi dhe, së dyti, ky farë paqedashësi nuk mundi të lirohej nga shqiptarofobia as gjatë luftës sonë të fundit. Sapo mësoi për heqjen e autonomisë plotë 15 ditë me demonstruesit qëndroi Gjeka para Kombeve të Bashkuara. Ishte çështje hamletiane: nuk bën të dorëzohej para asnjë kërcënimi pansllav. Për gjenocidin që ndodhte në Kosovë, në prill të vitit 1999 ambasada ruse nuk e pranoi Memorandumin e demonstruesve. Ishte e qartë se përplasjet me pansllavizmin do të vazhdonin edhe në të ardhmen. Ekzistuaka diçka e jotja që të trimëron. “Kanuni i Lekë Dukagjinit” , i shpërndarë thuaja se në të gjitha metropolet. Gjeka e konsideronte kod kombëtar, ku gjenden edhe 64 nenet për mikpritjen shqiptare. “E pse të nëpërkëmbët çështja e Kosovës?”, kishte ngritur zërin para demonstruesve, fjalët e të cilëve nuk u kishin rënë ende në vesh të mëdhenjve.

Pikërisht në tetor të vitit 1989 në Nju-Jork Kisha katolike “Zoja e Shkodrës” organizoi “Simpoziumin kushtuar 300 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit”. Gjeka si njëri nga organizatorët kishte propozuar të ftohet patjetër Dr. Ibrahim Rugova, njohës i veprës së Bogdanit. Qëllimi i tij ishte afrimi i Kosovës me SHBA-në. Hapi i Rugovës vërtet ishte i vogël, por domethënës. Dardania kishte filluar të zgjohej dhe të merrte frymë, të dilte nga izolimi jugosllav.

Në vitin 1995 u mbajt “Konferenca e Dejtonit”, ku merrnin pjesë protagonistët kryesorë të përgjakjeve në Ballkan. Informimi ishte mjaft seleksionues. Kasapi i Ballkanit, siç e quante Millosheviqin arvanitasi i urtë nga Athina, Aristidh Kola, kishte paralajmëruar se nuk pranonte të flitej asgjë për Kosovën, përndryshe do të tërhiqej nga Dejtoni. I zhgënjyer nga ajo ç’ndodhte, Gjeka iu drejtua demonstruesve dhe gazetarëve: “Tani do të kemi luftë në Kosovë.” Erdhën pastaj vrasjet, rrënimet, ndjekjet dhe eksodet biblike.

Ironia e historisë: ata që në vitet më kyçe të çështjes shqiptare (shek. XIX) i kishin copëtuar trojet tona, qëndronin përballë atyre që e bënin luftën (shek. XX). Ndërsa rreth kështjellës së lashtë të Rambujesë ishte e pranishme diaspora. Në mes tyre dhe Gjeka i Mbishkodrës, kontributi i të cilit nuk do të prajë. Për fatin e Kosovës vendosnin SHBA-të, shtetet demokratike të paktit Euroatlantik si dhe gjaku ynë i derdhur.

Në mbarim të shek. XX u luajt guri i Atdheut dhe gjëra të dhembshme ndodhën; por inkurajuese për të ardhmen. Tek lexoj herë pas herë shkrimet e Gjekës, e sidomos rrëfimet e tij, më bëhen se janë pasqyrë pikëlluese e diasporës. “Kurrë nuk do ta harroj përcjelljen e fundit të babait për në vendlindje”, thoshte. Kishte kaluar në amshim dhe gjendej në Kapelen e Nju-Jorkut. Të bartet kufoma e tij në vendlindje kërkohej leja nga ish-ambasada jugosllave, e cila nuk do ta lejonte nëse kufoma nuk do të kontrollohej hollësisht. Dyshonin në aktivitete të ndryshme të Gjonlekajve, sidomos të Gjekës, i cili ishte tejet i pranishëm në manifestime të ndryshme., si pasojë e të cilave kishte tri dekada që nuk e kishte parë Trieshin.

Në vendlindje kufomën e prisnin familjarët e paktë që kishin mbetur aty. Tek fluturonte aeroplani e kishin lajmëruar nga “Zëri i Amerikës”, se kishte vdekur ish-presidenti rus, Andropovi. Kjo kishte ndodhur ditën kur ndahej nga babai. Duhet të ishte në Redaksi për të raportuar.

Nga një nxënës energjik i Gjimnazit të Gjakovës dhe student i Universitetit të Kosovës, Gjekë Gjonlekaj u ngrit gjatë maratonës së tij në një analist të shkollës amerikane.

Në veprimtarinë e tij, kaptinë më vete, është Nëna Terezë, simboli i humanizmit shqiptar. Për këtë figurë përmasash botërore, kontributi moral e financiar i vëllaznisë Gjonlekaj ka qenë tepër i madh. Në qershor të vitit 1997 humanisten tonë Kongresi Amerikan e shpalli qytetare nderi. Atyre ditëve kjo nënë e madhe iu kishte drejtuar vëllaznisë Gjonlekajve: “Çdo punë e bërë / me zemër të plotë / e ofron njeriun / pranë të madhit Zot… (E juaja fisnike, shtator 1997).

Ëndrra e Gjekës është që reliktet e Nënës Terezë të kthehen ne Katedralen e Prishtinës, që do e mbajë emrin e saj. Këtë ide duhet ta përkrahë dhe shtetet e Shqipërisë dhe Kosovës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora