E premte, 29.03.2024, 12:33 PM (GMT)

Kulturë

Nuhi Ismajli: Gazetari i provinc?s

E enjte, 13.12.2012, 07:30 PM


Gazetari i provinc?s

(Tregim)

Nga Nuhi Ismajli

Ardhja e trumcakëve në krye të pushtetit neve na kushtoi shumë. Ata, përfundimisht, na i rrënuan të gjitha mundësitë për të zgjidhur çështjen e ekzistencës. Ne kishim jetuar  deri atëherë nja njëzet e pesë vjet, nëpër shtëpi private, si qiraxhi, si kishim mundur, duke bartur në radhë të parë brengën e pagesës së qirasë dhe pastaj sigurimin e shpenzimeve më elementare të jetës. Nja nëntë vjet, mos na rëntë t’i harrojmë, si thotë populli, vuajtëm mjaft edhe për bukë e kripë e lëre më për të tjerat. Por, vuajtjet i kalonim me një durim e qëndresë të pamposhtur dhe me shpresën e madhe se një ditë do të shpërbleheshim me mirënjohje njerëzore e kombëtare dhe me një jetë të dinjitetshme. Madje, nuk po vuanim vetëm ne, po edhe shumica e njerëzimit. Ishte koha kur njeriu duhej të kishte parasysh vlerat kryesore njerëzore dhe kombëtare. Ne besuam në ato ideale, u përpoqëm të qëndronim brenda dhe në shërbim të tyre, prandaj qëndruam e fituam. Ishim të pamposhtur, sepse e kishim të qartë për çka kishim vendosur të qëndronim. Në ato rrethana, pothuajse ishte bërë moto një porosi e Dantes:

“Asnjë të mos harrojë se është njeri,

ju nuk kini lindur për të jetuar si shtazë,

po për të ndjekur virtyt e dituri”.

Prandaj, edhe u munduam gjatë asaj kohe t’i kryenim detyrat tona njerëzore, që shtroheshin para nesh, për të dalë faqebardhë ditën, e cila, shpresonim se do të vinte patjetër. Atëherë, në atë ditë të ëndërruar, do ta ndjenim veten të denjë për respekt dhe jo vetëm për respekt, por edhe për një ndihmë shoqërore, për të cilën kishim nevojë për të jetuar me sadopak dinjitet. Ne shpresonim se me punën që do të bënim, ekzistencën do ta kishim më të lehtë, kurse shoqëria, nuk do të rrinte indiferente ndaj arsimtarëve, që nuk kursyen mundin e tyre për jetën e re, prandaj edhe shpresonim për mundësinë e sigurimit të strehimit.

Dhe, ajo ditë erdhi! Po, ne mbetëm të sorollateshim, pa zgjidhur asnjë brengë. Kush nuk po na njihte. Kush ishim ne?! Arsimtarë! Ik, more! Asnjë respekt! Asnjë nder! Kurrë më shumë i injoruar! U ndanë disa banesa për të pastrehët, por për ne përgjigjja ishte se jemi intelektualë dhe, aty, intelektualët nuk është mirë të vendoseshin. Domethënë se, për ne, si intelektualë, më mirë ishte të mbeteshim rrugëve dhe strehëve të huaja, sesa në banesat e solidaritetit.

Jetonim pa shpresë. Nuk po na njihte kush, as sa buburrecin!

Një ditë tjetër, gruaja, e shqetësuar, tha: “Sikur të mos kishim brenga të tjera, ma shtuan edhe një mundim më tepër. Më transferuan, atje, përtej kodrës. Nuk di si e mbaj punën.”

- Jo, - i thashë unë, - duhet të kërkosh të shqyrtohet rasti, mos ka ndonjë zgjidhje.

- Nuk po duan, - tha gruaja. – Kanë bërë, si po thonë ata, do kritere, sipas të cilave, punëtoret më të reja, që kanë ardhur aty, disa vjet pas nesh, duhet të mbeten në vendin e punës, kurse ne, disa më të vjetra, duhet të transferohemi. Po thonë, këtë vendim e ka firmosur vetë kryetari i komunës!

Kam lexuar diku ku thuhej se çdo e keqe e mundshme të ndodhë, do të ndodhë. Prandaj, edhe e keqja me të cilën u ndeshëm ndodhi. Ndodhi edhe kjo që, njeriu i pushtetit, që duhej të kujdesej për drejtësi e rregull në popull, të përzihej në punë tejet të panjerëzishme, të cilat iu shkaktojnë njerëzve të këqija e lëndime të palejueshme.

Ne fituam në të gjitha gjitha organet, që u morën me rastin tonë. Ndër të tjera, në rastin tonë pati reaguar denjësisht edhe KMDLNJ-ja e kryetari i saj, z. Bexhet Shala, kurse zonja shumë e nderuar, Tringa, nga Komisioni i Pavarur për Ankesa, mendojmë se meriton të shpallet qytetare nderi e  komunës sonë, pasi përkundër presioneve që pati nga eprorët komunalë, mori vendim në favorin e së drejtës. Por, pastaj, shih ti, çudinë e trumcakëve, kryetari i komunës shkruan një vendim me të cilin shpall të pavlefshëm vendimin e Këshillit të Pavarur për Ankesa! Si të ishte kryetar gjyqi! E, mbase, si po shihet, edhe më shumë se kryetar gjyqi. Se gjyqit i takonte të merrej me vendimin e Komisionit të Pavarur, për rastin tonë, e jo kryetarit të komunës.

Trumcakët, përmes pushtetit, donin të tregoheshin të mëdhenj, duke iu imponuar e duke iu bërë keq njerëzve, veçmas punëtorëve të arsimit, të kulturës, shkrimtarëve…

Asokohe, unë besoja në mundësinë e disponimit të një fije yndyre në fytyrën e trumcakëve me pozitë në pushtet, besoja në mundësinë e ndikimit të fjalës në ndërgjegjen e tyre, po, për më tepër, si vepër e çuditshme e pushtetit, ia ofroj vendimin e çuditshëm të krytetarit, ku shkileshin të drejtat e njeriut, një gazetari, i cili mburrej se shkruante për gazetën më të madhe, që mburrej se ishte gazetar, profesor, siciolog …

Mendoja, se ashtu si mbahej, njoftimi im do t’i shkaktonte mbresa, keqardhje, do t’i shkaktonte tronditje dhe nxitje të madhe për të shkruar, si për një rast interesant për publikim. Por, jo. Në vend të kësaj, ai tha se gjithçka është në pajtim me ligjin, se sipas ligjit për vetëqeverisjen lokale, kryetari i ka të gjitha kompetencat. Shih ti avokatin e pushtetit, më falni, avokatin e djallit!

- Si, - pyeta unë,  – ka të drejtë kryetari të bëjë padrejtësi, apo ka për detyrë të mbrojë ligjin dhe të drejtat e qytetarëve!?

- Me ligjin për vetëqeverisjen lokale…, - përsëriti gazetari, profesori, sociologu.

Nuk e kisha njohur sa i zi kishte qenë ai që veten e quante gazetar, profesor, sociolog!

Po çfarë gazetari, profesori, sociologu, ai, që, në gjithë shkrimet e tij, të vetmën gjë kishte lavdërimin e pushtetit dhe heshtjen e çdo brenge të masës, derisa, një ditë, gazeta e kuptoi dhe e përzuri, si thuhet, pa kapuç. (Bënte edhe një punë ky gazetari, profesori, sociologu: shkruante reagime e polemika në emër të pushtetarëve!).

Kur i humbi shkopi, gazetari, profesori, sociologu, iu qep një gazete tjetër, në të cilën vazhdoi të njëjtën mjeshtëri: të lavdëroj “sukseset” e pushtetit, duke heshtur çdo problem e shqetësim të masës. Për këtë shërbim, pushteti e shpërbleu, përveç tjerash, edhe me një vend pune. Ai synoi edhe diç më shumë, synoi të bëhej drejtor shkolle. Pushteti këtu se përfilli fare. Nuk e dimë përse, po kjo mospërfillje e pushtetit ndaj tij nuk ndikoi fare dhe ai vazhdoi me të njëjtin elan të lavdërojë sukseset e pushtetit. Nuk u ndje i ligsht asnjëherë para asaj që përjetonte populli dhe të shkruante njëherë për të. Nuk shkroi kur u luajt me arsimtarët që konkurruan për vende pune. Nuk lëvizi fare kur u zunë vendet e punës në arsim pa konkurs fare. Nuk u trondit aspak kur fëmijët e vegjël i nxorën fizikisht nga shkolla, vetëm pse kishin pëlqyer të vijonin mësimet te një mësues a mësuese. Etj. Etj. Sepse, ç’bënte pushteti, për të ishte e shenjtë! Apo se ishte i shenjtë shpërblimi që merrte, apo që shpresonte ta merrte! Shërbëtori i keq i zotërisë edhe më të keq!

Lavdërata e gazetarit, profesorit, sociologut, për pushtetin, për “veprat e çmuara”, për “sukseset”, nuk do të pushonin, sikur të mos ndodhte kthimi i heroit nga larg.

Një ndryshim rrënjësor, një lëvizje prej 190 shkallësh, ndodhi papritur në qëndrimin dhe shkrimet e gazetarit, profesorit, sociologut. Ai i bëri një komandë vetvetes: “Praaapaktheehuuu!” Dhe, me besnikërinë e një shërbëtori të tmerruar nga frika, u kthye prapa, u kthye në drejtimin e kundërt, nga ishte duke ecur më parë. Tani duhej të ecte në drejtimin e kundërt, me bindje, përkulje, betime, sikur të mos kishte qenë kurrë në drejtimin e tij të mëparshëm.

Tani, sikur kurrë të mos kishte qenë ai gazetari i dikurshëm, ai gazetari që të vetmen detyrë e ka pasur të lavdërojë punët “e shkëlqyera” dhe “sukseset “ e pushtetit aktual, ai kthehet kah heroi i kthyer, i serviloset atij me përultësinë e një shërbëtori të devotshëm, nuk dihet përse, duke i mëshuar një shqelm pamëshirshëm pushtetit të tij aktual.

Ja, çka thotë ai, për pushtetin e heroit të kthyer, duke injoruar e harruar krejtësisht zotërinë e tij të mëparshëm:

“Politika kosovare nuk do të jetë më si ajo e deritanishmja. Ajo do të jetë një politikë krejtësisht tjetër, pasi ajo do të ketë një vijë krejtësisht të re, një politikë plotësisht demokratike, që si mision dhe motiv të saj kryesor ka punën dhe frymën ndërtuese, optimizmin, shpresën, jetën e re, larg, tepër larg më të mirë, me pak fjalë e me shumë punë…”, etj., etj.

Ç’do të thotë kjo?! D.m.th. as gazetari, profesori, sociologu, nuk paska qenë i kënaqur me pushtetin e deritashëm! Po, atëherë, pse shkroi deri tani me raspekt për këtë pushtet?!

E paska mjelë, me nder me thënë, pushtetin, si edhe pushteti atë. Ai lavdëro pushtetin, pushteti paguaj. Ndoshta edhe nuk e ka paguar sa duhet. I ka mbetur borxh. Nuk i ka dhënë sa ka premtuar, as sa është pritur.

Tani ai do një zotëri të ri. Pret t’i shërbejë me devocion dhe ai, domethënë pushteti, ta paguajë. Po, nuk është krejt e sigurt se pushteti i ardhshëm paguan. Ndoshta gazetari, profesori, sociologu, pret kot. Se askush nuk do t’ia shohë hajrin shërbimit të tij. Shërbimit më të ulët, shërbimit më johuman. Shërbimit të dreqit!

...

Kur një ditë, derisa po rrinim në kafeterinë “Te Parku”, ia tregova ndodhinë lidhur me gazetarin, profesorin e sociologun, mikut tim Afrushit, ai më tha: “Mos ia zër për të madhe. Gazetar i provincës, më! Lëre mos u merr me të!”

Nuk dashta t’ia prishja disponimin mikut tim me marrëzitë e gazetarit, profesorit, sociologut, dhe nuk ia thashë atë që po mendoja për protagonistin e marrëzisë -  gazetarin, profesorin dhe sociologun, i cili, për marrëzi, jo në provincë, po edhe në qendrën e marrëzisë, do të zinte vendin e parë, e se do t’ia kishin lakmi edhe vetë “heronjtë” e Erazmit të Roterdamit!

P. s.

Çdo ngjashmëri me realitetin është dhënë qëllimisht.



(Vota: 19 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora