E merkure, 24.04.2024, 10:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Metafora e dashurisë në vargje

E enjte, 13.12.2012, 08:10 PM


IMAZHI POETIK DHE METAFORA E DASHURISË NË VARGJE

Alma Begaj:  “FARFURIMA E SHPIRTIT” dhe “SHIKIM QË SFIDON DISTANCAT” , poezi -  Durrës, 2010

NGA XHELADIN MJEKU

Alma Begaj autore e dy përmbledhjeve poetike: “Farfurima e shpirtit” dhe  Shikim që sfidon distancat”, të cilat lexohen si një vazhdimësi e shprehjes dhe kuptimësisë poetike të saj, gjithnjë të rënditura njëra pas tjetrës, që kushtimisht mund të thuhet se janë lojë fjalësh poetike dhe shprehje ndjenjash shpirtërore të ndërthurura me një frymë. Tematika kryekëput me motive nga dashuria për jetën, nga ndjenjat emocionale,  peisazhet e kaltërsive të detit, etj. janë bazamenti i kësaj krijimtarie poetike.

Shfletime poetike

Hapësira poetike me ngjyrë të kaltër që sfidon qiellin e detin, si dy botëra kaltroshe që preken në tehun e zenitit të pafund të buzëmbrëmjeve flakëruese dhe plot vezullim sikur paraqesin fuqinë e krahëve fluturues të mendjes së frymëzimeve poetike të Alma Begajt. Kjo poezi vjen si frymëzim tronditës i një shpirti të trazuar poetik, ku ndijesia shpirtërore provokon unin e krijueses, e cila nuk rresht së zbërthyeri edhe fijet më të holla të jetës, të ngjarjeve a pamjeve momentale që e provokojnë. Në rrugëtimin e krijimtarisë poetike të Alma Begajt nuk ka si të mos ndihesh mirë me gjithë atë bagazh metaforash, shprehjesh poetike me ngjyrime ambienti ku e rrethon, me fluturimin krahlehtë të pulëbardhave dhe puhinë e stinës, me tallazitjen e dallgëve të detit, që simbolikisht interpretojnë shpirtin poetik në kohë dhe situata të ndryshme.

Shfletimi i dy përmbledhjeve të autores, që paraqesin opusin e saj krijues të përzgjedhur që nga fillet e krijimtarisë së saj, që këtu e takojmë me mbi dyqind poezi, për t’i ardhur lexuesit më komplete dhe me një përfaqësim më dinjitoz të  krijimtarisë poetike dhe avansimit të vlerave të saj nuk ka kuptim të lexohet i shkëputur, për faktin se ndërprerja e kësaj vazhdimësie e humb lidhjen e prezantimit të mirëfillt. Duke u mbështetur në këtë parim, doemos duhet të ndalemi në dy stacionet e saj poetike, për të thithur atë nektar lirik dhe për të prekur vlerat e kësaj krijimtarie që impoohen tek receptori dashamirës i kësaj krijimtarie.

Stacioni i parë: “Farfurima e shpirtit”

Në fillim të fjalës mund të hetohet se cili është synimi i kësaj poezi, që pa hezitim e them se ka një prekje sensitive nga përditshmëria, nga gëzimet, shqetësimet dhe ëndërrat e një ardhmërie plot shpresë dhe besim. Alma Begaj me poezinë e saj vjen e guximshme dhe krenare ngado që rropatet motivi i frymëzimeve të saj, në ngjarjet aktuale që prekin sensin e saj krijues, në ndjesinë e shpirtit të dashuruar, në çaste dëshprimi, në gëzime e hidhërime të ndeshura e të transponuara me përkushtimin e saj prej talenteje të spikatur dhe plot vullnet.  Pikturimi poetik i një peisazhi të kaltër me ambientim nga deti dhe shkëlqimi i rrezeve që krijojnë peisazhin e vendit, të jetës, nostalgjisë dhe bukurisë së Durrësit, paraqesin shumicën e lëndës poetike që takojmë në përmbledhjen e parë poetike “Farfurima e shpirtit”. Vargu poetik i Alma Begajt vjen i kujdesshëm, konçiz dhe plot kuptim. Meditacioni poetik e përshkon lëndën e kësaj përmbledhjeje duke sjellur para lexuesit një frut të shëndosh poetik me shprehje e mendime përmbajtësore. Kështu, poezitë, si: ”Dritë nga dashuria”, “Klithmë”, “Mes shpirtit dhe mendjes”, “Kryqëzimet e universit”, “Rrëshkite porsi ngjala”, “Liqeni i ëndrrave”, “Pulëbardha” e shumë të tjera, shquhen për ndërtimin poetik dhe shprehjen e mendimit dhe meditacionit.

 

“Fjalët,

kanë vlerë

vetëm kur thonë të vërtetën,

shpirtin tonë!”

( “Vlera e fjalës” –fq.45)

 

Poezia e cituar këtu “Vlera e fjalës”, por edhe poezitë tjera: “Zemra e fjalës”, “Fjala”, dhe “Vargu i poetit” janë vazhdimësi e shprehjes së mendimit të autores përmes fjalës, si fuqi dhe mjet shprehjeje e mendimit dhe “farfurimës shpirtërore” që e provokon muzën e saj krijuese nga vargu në varg. Pas shumë poezish të rrjeshtuara në libër, autorja i kthehet sërish besimit tek fjala që në çdo çast e përdor si udhërrëfyes në komunikimin me objektin që e shqyrton në poezinë e saj. Fjala është dhe mbetet mjeti kryesor i shprehes së ndjenjave dhe fuqisë së brendshme në realizimin e poezisë dhe në zbrazjen e energjisë së brendshme të akumuluar nga shqetësimet që i krijon jeta. Kështu, në asnjë çast nuk e mposhtin shqetësimet, por me këmbëngultësinë dhe besimin në vetvete i tejkalon sfidat dhe synon ta kthej situatën në gëzim e hare. Ashtu siç është e hareshme dhe plot besim në vetvete për të ardhmen e saj, edhe poezinë  e udhëzon në drejtimin e të bukurës, të gëzimit e lumturisë, pothuajse në çdo përmbyllje të saj, duke hequr dilemat se autorja ka sens për jetë dhe art.

Stacioni i  dytë: “Shikim që sfidon distancat”

Për asnjë çast nuk ndalon rrugëtimi poetik në stacionin e parë, por kjo lëvizje shkon tutje vargjeve poetike të pjesës tjetër të labirintheve poetike të shkruara me përkujdesjen e njëjtë dhe me pasionin plot ndjesi dhe sensualitet femëror, deri në ngritjen e unit të saj poetik me “Shikim që sfidon distancat” e hapsirës kaltroshe plot jetë e dashuri gjithandej kah frymon jetë-dashuria plot sfida e vullnet të pasosur. Kjo poezi me ndjeshmëri spontane, me shqetësim të  natyrshëm, gjendje emocionale dhe përjetime e kujtesa të ndryshme na shpjen nëpër shtigje të thyera të jetës, nëpër situata emocionale dhe përjetime e  kujtesa të ndryshme. Në çdo varg e strofë, të mrekullon me fuqinë shprehëse dhe magjinë e figurës, me paraqitjen e situatave poetikisht të ndërtuara, me saktësinë dhe origjinalitetin e gjetjeve tematike, që përçojnë mesazhet tek recepienti i saj.

Poezia e Alma Begajt nuk përshkohet vetëm me bukurinë e fjalës, me  metaforën, me tingullin dhe ngjyrimin e përshkrimit të pamjeve që mbesin në kujtesë, por  pjesa më e qenësishme e poezisë së saj shpërfaq pamjeve impresionuese, emocione dhe dëshira që mprehtësia e penës së saj mund t’i prek dhe t’i përshkoj deri në esencë. Vargu konsonantik, metafora dhe sinonimet e përdorura këtu si mjet ndërtimi dhe krijimi të poezisë në përgjithësi paraqesin fuqishëm energjinë krijuese të vargut lirik.

Nuk mund të mendohet një përshkrim i përgjithësuar i mbresave nga leximi i kësaj përmbledhjeje pa mos e veçuar ndonjërën prej poezive, që përkojnë me këtë që u tha këtu dhe më gjerë, si: ”Muzika e detit”, “Muzgu i verës”, “Lindje e pakujdesshme”, “Lakuriqësi”, “Nënokes time”, “E di ti, që të dua dhe nuk të dua?”, “Vallëzim në prush”, “Buzëqeshje e jetës  e deri te “Kape çastin” e shumë të tjera, që ndërtojnë figuracionin poetik të “Shikimit që sfidon distancat” gjithçka e preokupon dhe e frymëzon muzën e saj krijuese. Alma Begaj, edhe kur prek tema të jetës, të sfidave dhe përjetimeve të ndryshme, edhe kur i qaset motivit përkushtues për emra dhe figura të veçuara,  gjithnjë vazhdon të prek pikën e qëllimit të fjalës, pa përshkruar pamjet anësore të personazheve a figurave të caktuara. Aty takojmë shprehjen shpirtërore të poetes, që nxjerr nga brendësia e saj gjithë vlerën dhe dashurinë shpirtërore, mallin, dhimbjen a krenarinë që i përket virtyteve të personazhit të poezisë së saj.

 

“Ai, gishtverdhë,

Ulur në qoshkën e përhershme,

Mbuluar me mjegullën e tymtë,

Kokë e këmbë,

Aromë nikotinë.

 

Vjen,

Hijerëndë,

Kërrusur,

I bardhë,

Me hap të menduar.

 

Kokën mbështes tek ti,

qetë…baba.”

( “Babait tim”, fq. 83)

 

Me këtë tematikë autorja ia del të përmbledh edhe më ngusht e me pak fjalë  gjithë mendimin e saj, ku vetëm me tri vargje, paraqet bindshëm dashurinë dhe besimin për të dashurit e saj, që i qëndrojnë udhërrëfim në jetë: “Në Portën e Artë,/ Kapërceva ylberin,/ Mora bekimin e Hyjneshës Nënë”.(“Porta e fjalës”, fq. 84).

Që në paraqitjen e saj në opinionin artdashës u mirëprit nga lexuesi dhe kritika, duke u cilësuar si një zë poetik i veçantë, me ndërtimin  shumëdimensional të temave dhe ngjarjeve të dëshmuara në çdo varg e strofë, ku spikat një lirizëm spontan dhe figuracion i pasur, me një teknikë të zhdërvjellët të përcjelljes së imazhit dhe të mesazheve të saj. Ajo e dëshmon në vazhdimësi individualitetin e saj poetik, me krijimin e frymës lirike, të ëmbël e plotë dashuri për njeriun e saj të portretuar në vargun poetik.

Uni krijues i Alma Begajt shpreh lidhjet mes brendësisë shpirtërore të saj dhe botës që e rrethon, mes përditshmërisë sonë, të ngarkuar me mall, shqetësim, vetmi dhe kërkime të pareshtura në gjetjen e të bukurës në jetë. Këto karakteristika të shprehura në poezinë e Almës vijnë si vizatime poetike të shprehura me spektrin e ngjyrave dhe linjave, toneve dhe imazheve në  të dyja librat e saj.

Fenomenet e ndryshme natyrore, si: mjegullat, valët e trazuara të detit, pastaj zogjtë në fluturim, pamje të anijeve mbi suprinën e detit, sikur shprehin lodhjen e tyre nga udhtime të gjata e të mundimshme në skaje të botës, etj. paraqesin peisazhe të qëndrueshme me plot befasi dhe mbresa të thella, që në masë të madhe e ndihmojnë autoren për të portretizuar pamjen e ambientit me  shqetësimet, me veset dhe traditat e këtij mjedisi, deri në paraqitjen e besueshme të shkëlqimit të ditës së re plot diell e jetë.

Alma Begaj me poezinë e saj shpalos jetën në kërkim të vlerave më të pastëra  të qenies njerëzore, duke krijuar portretin e saj krijues, të shprehur me elementet e të bukurës, për shpirtin e lirë dhe të dashuruar, për vlerat e jetës, që ia vlen të sakrifikohet.

Përdorimi i  metaforës dhe simbolit, të ndërlidhura mes tyre i japin kuptim fjalës së shprehur në vargun e Almës. Imagjinata e autores shtrin rrezatimin e saj krijues me thjeshtësinë e të shkruarit pa ngarkuar vargun e saj lirik me elemente të tepruara stilistikore dhe metrikë tradicionale. Çiltërsia e vargut që reflektohet në pothuajse tërë opusin lirik i shton vlerat letrare dhe artistike të paraqitura në dy përmbledhjet poetike dhe u jap fuqinë e ngritjes së vazhdueshme drejt synimeve në hapësirat krijuese, rrugës së cilës tashmë i është çasur autorja.
Dy fjalë për Alma Begajn

Alma Begaj, lindur më 21.12.1968 në qytetin e Beratit. Shkollën 8-vjeçare e mbaron në qytetin e Lushnjës, kurse të mesmen artistike për muzikë në degën fagot në Fier. Studimet e larta në Edukatës Qytetare i mbaron në Elbasan. Aktualisht punon në Shkollën e mesme Kombëtare Sportive (unike) "Benardina Qerraxhia" në qytetin e Durrësit, ku jeton dhe vepron.

Pas shumë publikimeve të poezive të saj në faqe revistash e gazetash të vendit, në tetor 2011, i del nga Shtëpia botuese “Kumi” përmbledhja e parë me poezi me titull “Shikim që sfidon distancat”. Menjëherë pas këtij botimi, në nëntor të po këtij viti (2011), nga Shtëpia botuese “Vllamasi”, i botohet edhe përmbledhja e dytë me poezi “Farfurima e shpirtit”. Është e pranishme në vazhdimësi në shtypin dhe faqet elektronike me shkrimet e saj temash e motivesh të nduarnduarta poetike.

Që të dyja këto përmbledhje që i vijnë lexuesit potuajse në të njëjtën kohë, njëra pas tjetrës, janë kushtimisht të një vazhdimësie poetike, ku lidhshmëria e temave dhe mënyra e komunikimit poetik me lexuesin shkojnë paralelisht në të njëjtin hap, apo shprehur edhe më bindshëm, në ndjekje hap pas hapi me prekjet dhe ndërtimin e vlerave tematikisht të lidhura në zingjirin e fortë të përkushtimeve dhe ndërtimit poetik.

Ky mbase edhe mund të jetë premtim bindës se Alma Begajn dhe poezinë e saj do ta kemi përgjithmonë të pranishme në letrat shqipe, me ndërtimin e vazhdueshëm të opusit të saj letrar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora