E merkure, 24.04.2024, 06:38 PM (GMT+1)

Mendime

Enver Robelli: Një xhami me 80 dyqane?

E merkure, 12.12.2012, 08:22 PM


Një xhami me 80 dyqane?

Nga Enver Robelli

Bashkësia Islame e Kosovës ka shpallur konkurs ndërkombëtar për projektin ideor të Xhamisë Qendrore të Prishtinës. Ky është një vendim i mirë. Por edhe më mirë do të ishte sikur procesi të drejtohej nga një juri profesionale dhe e besueshme, të ishte transparent dhe krerët fetarë të ishin seriozë. Myftiu Naim Tërnava po kërkon që në kuadër të xhamisë të jenë 80 dyqane, mbi 900 vende për parkim veturash dhe një banesë prej së paku 120 metrash katrorë. Kjo përpjekje e Tërnavës për allishverish në emër të Allahut duhet të ndërpritet menjëherë. Besimtarët duhet të kenë një xhami që meriton këtë emër, jo një lloj “Albi Mall” me minare!

Pothuaj pa u vërejtur nga publiku dhe pa ndonjë bujë a debat në shtyp e televizione Bashkësia Islame e Kosovës ka shpallur konkurs ndërkombëtar për projektin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë. Guri themeltar i xhamisë është vendosur dhe disa besimtarë entuziastë kanë shpërndarë nëpër internet edhe fotografi të një xhamie me plot minare, ndonëse projekti nuk ekziston ende, por as mjetet financiare për ndërtimin e objektit fetar nuk janë siguruar. Parimisht është punë e mençur që të shpallet konkurs ndërkombëtar për një projekt, i cili do të zërë një vend prominent në kryeqytetin e Kosovës. Mes shumë të zezave, me të cilat Kosova dallohet nga vendet e tjera evropiane është edhe mungesa e planifikimit hapësinor, kaosi urban, ndërtimet pa asnjë kriter, me një fjalë: Prishtina dhe shumë qytete të vendit vuajnë nga betonimi i përgjithshëm, i cili pastaj reflektohet edhe në betonimin e mendjeve. Të mos flasim për fshatrat: atje nocioni planifikim hapësinor as nuk njihet, andaj ndërtohet në fusha e ara, në vendet më pjellore, buzë rruge, ku përherë ekziston rreziku për fëmijët e vegjël dhe ku zhurma e trafikut është e garantuar. Kur sheh me vite të tëra gjëra të tilla në Kosovë dhe kur të pushojnë sytë gjatë qëndrimit në vendet e tjera, siç janë Gjermania, Zvicra, Kroacia, Spanja, atëherë të vjen të pyesësh: a jeni në vete njerëz të Kosovës, politikanë, zyrtarë komunash, shefa gjeodezie e urbanizimi? Çfarë i keni bërë e çfarë po i bëni këtij vendi? Si dhe pse po e shkatërroni kështu? Në dekadat e shekujt e ardhshëm gjenerata të tjera do të paguajnë një çmim të lartë për këtë “turbobofolk-arkitekturë”.

Pa arkitektë

Si çdo objekt publik, edhe ngrehinat fetare është mirë t’i përshtaten kontekstit urban dhe shoqëror, të tregojnë diçka për të kaluarën e vendit dhe të fesë, por edhe të pasqyrojnë sa më bindshëm funksionin e tyre të vërtetë. Dhe më e rëndësishmja: kjo punë duhet t’u lihet në dorë profesionistëve, në këtë rast arkitektëve. Është krejt në rregull që Prishtina të ketë Katedrale për besimtarët katolikë, por duhet të lejohet së paku kjo pyetje: a është ky ndërtim që shohim i përshtatshëm dhe në harmoni me ambientin përreth? Muaj më parë arkitekti nga Zagrebi Lulzim Kabashi në faqet e “Kohës Ditore” kishte thënë shkurt e shqip se Katedralja “për fat të keq nuk është duke u ndërtuar sipas modelit profesional”.

Kjo bën vaki te ne për shkak se nuk jemi mësuar, nuk duam të mësohemi dhe nuk jemi të gatshëm që gjërat me interes publik t’i diskutojmë hapur, në mënyrë kontroverse dhe kështu të nxjerrim rezultatin më të mirë. A nuk do të kishte qenë më mirë që Katedralja të ishte projektuar nga një arkitekt me famë botërore dhe pastaj t’i bënte kureshtarë edhe kritikët e arkitekturës në gazetat e revistat e njohura ndërkombëtare? Kështu, pa shumë mundim, do t’i bëhej reklamë edhe shtetit të ri kosovar, vlerave të shoqërisë, pasurisë fetare. A e dimë kush është arkitekt i Katedrales së Prishtinës? Ja çfarë shkruan në prezantimin në internet të katedrales: “Ipeshkvia bëri kontaktet e para me disa arkitekt(ë) universitarë në Romë, të njohur si projektues të bazilikave dhe katedraleve nëpër Itali. Shumë shpejt, pikërisht më 19 maj 2003 u nënshkrua marrëveshja mes arkitektëve të Shoqatës së Arkitektëve të Romës dhe Ipeshkvisë që të punojnë projektin e Katedrales dhe u vendos që ajo të projektohet në stilin neo-romanik”. Thënë më së buti, këtu kemi të bëjmë me një projekt jotransparent: nuk ka pasur konkurs, as nuk dihen emrat e arkitektëve.

Lista e kërkesave

Për fat të keq shenjat e para tregojnë se konkursi i Bashkësisë Islame të Kosovës është shpallur sa për sy e faqe. Edhe këtu mungon transparenca. Duket se sërish do të humbet një shans për të ndërtuar një xhami, e cila nuk është imitim i ndonjë arkitekture bizare të shkretëtirave dhe jashtë kontekstit historik të shoqërisë shqiptare të Kosovës. Konkursi është shpallur më 10 dhjetor, data e dorëzimit të projekteve ideore është 8 marsi 2013, ndërsa më 25 mars bëhet publik fituesi. Për projektin që zë vendin e parë janë ndarë 25 mijë euro shpërblim, të dytit i takojnë 15 mijë euro dhe të tretit 10 mijë euro. Për aq sa shihet në dokumentet e publikuara, përbërja e jurisë nuk është e njohur për opinionin. A është Kryesia e Bashkësisë Islame edhe juri? Kjo do të ishte joserioze, sepse një jurie të tillë do t’i mungonte kompetenca profesionale për të vlerësuar projektin? Normale do të ishte që në kuadër të jurisë të kishte teologë islamë, por edhe arkitektë, ekspertë urbanizmi dhe vendimmarrës të administratës komunale. Gjithashtu do të duhej të garantohej pavarësia e jurisë, në mënyrë që ajo të jetë e lirë për të vendosur për projektin më të mirë.

Në një letër përcjellëse mbi hapësirën e xhamisë dhe dizajnimin arkitektonik Kryesia e Bashkësisë Islame me në krye shefin e saj Naim Tërnava ka parashtruar një sërë kërkesash ndaj arkitektëve që mendojnë të konkurrojnë me projekte. Këto kërkesa janë aq absurde, aq qesharake dhe aq perfide, saqë e bëjnë konkursin të pakuptimtë. Myftiu Naim Tërnava dhe shokët e tij kërkojnë që krahas hapësirave për lutje (për 3800 meshkuj dhe 3600 femra) xhamia e re të ketë në njërin kat “50-60 dyqane” në një hapësirë prej 2200 metrash katrorë. Në katin tjetër parashihet të jenë “15-20 dyqane” (700 metra katrorë). Pa e zgjatur shumë duhet shtruar pyetjen: a dëshiron Naim Tërnava të ndërtojë objekt fetar apo qendër tregtare, një lloj “Albi Mall” me minare? A është Tërnava udhëheqës fetar apo vetëm një tyxhar që keqpërdor fenë për qëllimet e tij parapolitike dhe biznesore? Pse tolerohet një gjë e tillë nga krerët e tjerë të Bashkësisë Islame, pse nuk protestojnë besimtarët, pse heshtin përgjegjësit politikë? Athua çka do të shitet në këto 80 dyqane sa parashihet të hapen në këtë xhami? Do të ishte normale sikur brenda xhamisë të hapeshin dy-tre dyqane të vogla për të shitur gjërat më të nevojshme për besimtarë: tespihe dhe ujë për ata që i merr etja, gazeta dhe literaturë fetare.

Shembuj të tjerë

Një kërkesë tjetër megalomane është që në kuadër të xhamisë të jenë tri garazhe me hiç më pak se 920 vende për parkimin e veturave. Kërkesa tjetër: një banesë prej 120 metrash katrorë për imamin! Pastaj një kuzhinë me restorant për “150 deri 200 veta” dhe një çerdhe për 60 fëmijë. Ky është një absurditet i pafundmë! Edhe njëherë: a po synohet të hapet xhami ku besimtarët luten në qetësi apo po planifikohet një pazar me mallra nga më të ndryshmet? Po ashtu është e diskutueshme që xhamia të ketë çerdhe për fëmijë, kur dihet se ata në moshë të njomë i nënshtrohen plotësisht autoritetit dhe pushtetit të të rriturve. Feja është çështje personale e secilit dhe sidomos fëmijët duhet të kenë një hapësirë larg imponimeve fetare apo ideologjike.

Me këto kërkesa myftiu Tërnava dhe Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës kanë treguar se nuk përfaqësojnë besimtarët, por vetëm interesat e tyre jofetare. Kur të shohin kushtet që ka vënë Tërnava për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë arkitektët do të shqyhen së qeshuri, do të tundin kokën para kësaj liste absurde, e cila nuk ka të bëjë asgjë me fenë, kjo listë në të vërtetë e fyen rëndë edhe vetë idenë e besimit, është tallje me Zot e me Profet.

Ka shembuj të tjerë. Qe një: një bujk në fshatin Wachendorf në trevën kodrinore Eifel të Gjermanisë para disa vitesh vendosi të ndërtonte një kishëz në pronën e tij private dhe për këtë qëllim e luti arkitektin e famshëm zviceran Peter Zumthor për të bërë planin. Arkitekti Zumthor, laureat i çmimit më të rëndësishëm botëror për arkitekturë (çmimi “Pritzker”), jo vetëm që u tregua i gatshëm për këtë projekt, por ai hoqi dorë edhe nga honorari. Ky “fanatik i cilësisë”, siç e ka quajtur një gazetë gjermane, punoi me muaj të tërë dhe realizoi një projekt në dukje të thjeshtë, por madhështor për shkak të minimalizmit dhe bashkimit të botës arkaike me mjetet moderne të arkitekturës. Po thuaj të gjitha gazetat e mëdha të botës perëndimore kanë shkruar në vitin 2007 për këtë kishëz. Një shembull tjetër gjendet në afërsi të Kosovës: në Visoko të Bosnjës, arkitekti kroat Zlatko Ugljen në vitin 1980 ka përfunduar ndërtimin e Xhamisë së Bardhë, e cila më 1983 mori çmim “Aga Khan”, ndërsa më 2007 nga një grup arkitektësh hungarezë u përzgjodh në mesin e tri ndërtesave më të mira sakrale në Evropë. Xhamia në Visoko u ndërtua në stil dhe frymë moderne. Është shumë e sigurt që asnjë nga xhamitë që në Bosnjë i kanë ndërtuar vendet arabe pas luftës së fundit nuk do të marrin çmim për arkitekturë, sepse janë një grumbull beton me pamje jashtë kontekstit kulturor, fetar, tradicional, historik dhe arkitektonik të këtij vendi. A po shkon edhe Kosova kësaj rruge?

Qendra për trushpëlarje

Është momenti i fundit që vetë besimtarët myslimanë të mendojnë për ndërprerjen e synimeve aq qesharake dhe poshtëruese të myftiut Tërnava, i cili prej vitesh brenda Bashkësisë Islame sundon në mënyrë autoritare dhe duke pezulluar çdokund ku mundet vendimmarrjen demokratike. Për këtë mjafton të shikohet edhe mënyra se si ai në këshillat e Bashkësisë Islame nëpër komunat e Kosovës imponon shërbëtorët e tij dhe kështu blen përkrahjen prej tyre. Gjatë udhëheqjes së Bashkësisë Islame nga ana e Tërnavës jo pak xhami janë shndërruar në qendra për trushpëlarje, është rritur ndikimi i ekstremistëve, është shtuar gjuha e urrejtjes ndaj kritikëve, të cilët kanë demaskuar rrenën se femra duhet të mbulohet me shami, ndonëse diçka e tillë nuk thuhet shprehimisht në Kuran. Ndaj këtyre lojërave të rrezikshme të teologëve të papërgjegjshëm politikanët e Kosovës kanë qëndruar indiferentë ose edhe më keq: kanë toleruar shumë devijime me shpresën se kështu do të sigurojnë mbështetjen e imamëve dhe të xhematit në zgjedhje parlamentare dhe lokale. Në opinionin tonë publik disa teologë manipulues shprehin mirëkuptim për të drejtën fetare islamike (sheriati), e cila në shumë çështje përfaqëson ide paramoderne dhe të papërputhshme me demokracinë dhe shtetin e sundimit të ligjit. Në opinionin tonë lavdërohet presidenti i ri i Egjiptit Muhamed Mursi, ndonëse ai aktualisht është duke e shndërruar këtë vend arab në një diktaturë fetaro-politike dhe i cili nuk u flet femrave për dore (këtë e përjetoi edhe ministrja e jashtme amerikane Hillary Clinton gjatë vizitës në Kajro, me ç’rast kryetari Mursi nuk ia dha dorën asaj).

Kosovës si vend që synon integrimin në Bashkimin Evropian, i cili është një hapësirë bashkëjetese e etnive dhe feve të ndryshme, nuk i duhen liderë fetarë si Naim Tërnava. Kosovës nuk i duhet një xhami siç po e ëndërron Tërnava, por një vend lutjesh që e meriton këtë emër.

PS. Autori i këtij teksti me dëshirë do t’ia kishte parashtruar disa pyetje zëdhënësit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, në lidhje me projektin e xhamisë së re, por ai të hënën nuk e pa të arsyeshme të përgjigjej as në telefon, as në mesazh (SMS).



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora