E marte, 16.04.2024, 04:18 PM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Të jesh i varfër në Shqipëri...

E merkure, 12.12.2012, 08:26 PM


Të jesh i varfër në Shqipëri...

Nga Entela Binjaku, sociologe

Varfëria, papunësia, paragjykimet, indiferenca ndaj njerëzve në nevojë, dhuna brenda familjes, etj., janë disa nga problemet shoqërore më të rëndësishme që mundojnë vendin tonë. Tranzicioni i tejzgjatur drejt një shoqërie të vërtetë kapitaliste, shtoi dukshëm edhe të tjera, demografike, urbane e shoqërore, si emigracioni i madh i shqiptarëve e braktisja masive dhe krejt e pakontrolluar e fshatit, pasojat e një edukimi jocilësor për shoqërinë, probleme me urbanizimin, etj.  Gjatë trajtimit të tyre, natyrshëm lindin edhe pyetje të tilla si: me se jetojnë disa njerëz, si e përballojnë papunësinë, përse disa i pëlqejmë dhe të tjerët i nënvlerësojmë, si arrijnë disa prej bashkëqytetarëve tanë të kryejnë krime? etj. Po gjatë kësaj periudhe, morën jetë edhe konceptet e pabarazive shoqërore, përjashtimit shoqëror, nevoja për politika sociale etj., që u bënë pjesë të pandara të fjalorit tonë. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre të fundit janë tërësisht të reja dhe për dhjetravjeçarë me radhë, janë propoganduar si e keqja më e madhe e shoqërive kapitaliste.

Shumëlloshmëria e këtyre çështjeve, pyetjeve apo koncepteve, pasqyron nga njëra anë vështirësitë me të cilat përballet shoqëria, ndërsa nga ana tjetër flet për indiferencën, pamundësinë apo paaftësinë shtetërore për t’u dhënë rrugëzgjidhje, për aq kohë sa një pjesë e madhe e shoqërisë gjendet në mënyrë të vazhdueshme në kushte nevojash të paplotësuara dhe situatash të pazgjidhura. Vështirësitë në këtë kohë, hera-herës kanë ardhur edhe si rezultat i rizgjimit të ndonjë dukurie e konsideruar “e fjetur” për vite të tëra, siç është përshembull gjakmarrja.

Ky zakon i egër, i prapambetur fisnor e feudal, sipas të cilit, për të marrë hakun e një të vrari, duhet vrarë patjetër njëri prej anëtarëve të familjes a të fisit të vrasësit, u ringjall si rrallë herë më parë, duke sfiduar hapur shteti e munguar ligjor ne Shqipëri. Në të gjitha rastet, sëbashku me gjakmarrjen, në familjet e prekura ka zënë vend menjëherë edhe varfëria.

Një ndër këto familje, e prekur në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga varfëria, si pasojë e gjakmarrjes, është edhe familja e zonjës M.H., nga një qytet verior i vendit. Me vrasjen e kryefamiljarit, pas vitit 2000, jeta e kësaj familjeje ndryshoi tërësisht. Për të larguar fëmijët nga rreziku i gjakmarrjes, M.H. u zhvendos drejt Tiranës, me shpresën e madhe se jeta në kryeqytet do të ishte e ndryshme nga ajo që kishte lënë pas. Me katër fëmijë për të rritur, kjo grua sot gjendet e papunë, në një banesë me qera, tërësisht e pashpresë. Si të mos mjaftonin këto, edhe shëndeti nuk i ka ardhur në ndihmë, duke paksuar shumë mundësinë për të punuar, ndërkohë që mundësia për shpenzime në rritje thuajse nuk ekziston. Gjithnjë me shpresë dhe besim, kjo grua u është drejtuar disa institucioneve të shtetit tonë,  ku ka kërkuar punë e ndihmë,  por dyert i janë mbyllur, madje shpesh i kanë treguar rrugët e emigrimit.

Sot, familja e M.H është ndër më të varfërat e qytetit të Tiranës. Në këtë familje bashkëjetojnë mungesa e shpresës për jetën, frika për të ardhmen e katër fëmijëve, indiferenca shtetërore dhe mbi të gjitha varfëria e skajshme. Përpjekjet e kësaj familjeje për të dalë nga mjerimi i plotë, kanë rënë vazhdimisht në vesh të shurdhër dhe kanë shuar edhe ato fije shprese që mund të gjendeshin për t'ia ndryshuar sado pak jetesën e mjeruar.

Sipas rezolutës nr. 2626 të Këshillit të Përgjithshëm të OKB-së, “të varfër janë ata njerëz, të cilët nuk gëzojnë nivelin minimum jetik të nevojshëm e në përputhje me dinjitetin njerëzor”. E karakterizuar nga mungesa apo pamjaftueshmëria e mjeteve të nevojshme për jetën, varfëria është një ndër ato dukuri që ndikohet nga faktorë të shumtë.

Zhvillimi ekonomik i vendit, tregu i pamjaftueshëm i punës, mungesa e politikave të punësimit, korrupsioni, veçoritë demografike dhe kulturore të zonave të caktuara të vendit, përbëjnë disa prej faktorëve kryesorë që ndikojnë në këtë varfëri.

Sigurisht, lufta kundër varfërisë është një sfidë e vështirë edhe për shoqëritë perëndimore. Por qëndrimi i tyre ndaj saj ka njohur një zhvillim të vërtetë, që fillon me iniciativat individuale të bamirësisë e deri te programet qeveritare, apo të shoqërisë civile, përmes të cilave këto shoqëri i kanë deklaruar guximshëm “luftë” varfërisë. Qasja e këtyre shoqërive është angazhuese, serioze, sensibilizuese dhe gjithëpëfshirëse.

Ndërkohë, në vendin tonë, varfëria trajtohet si një temë e largët e thuajse jo ekzistente. Shpeshherë parapëlqehet të mos flitet për të. Të varfërit janë subjekte të margjinalizuar nga shumë aspekte të jetës shoqërore. Iniciativat e bamirësisë individuale apo kolektive, jo vetëm mungojnë, por edhe nëse ka të tilla, shfaqen të organizuara, apo të inkurajuara nga ndonjë fushatë mediatike, e cila sërish mbetet thuajse e vetme në këtë mision. Të jesh i varfër në Shqipëri do të thotë të mos shpresosh askund, as te shteti, as te bamirësia e individëve, por, të jesh i varfër, dhe të jetosh në Shqipëri…është si të mos ekzistosh.

Realiteti ynë, i karakterizuar nga shpërthime problemesh shoqërore, ekonomike, kulturore dhe nga pamundësia (ndoshta) e trashëguar për t’i zgjidhur dhe për t’u përballur me to, sot, jo vetëm ka vendosur në vështirësi shumë qytetarë, por nuk po gjen as format për të nxitur mënyra për t’u ardhur në ndihmë atyre.

Dihet se shteti është një nga furnizuesit kryesorë të asaj që quhet mirëqënie sociale. Kështu, çdo përballje me varfërinë, nënkupton angazhimin dhe mobilizimin e të gjithë aktorëve e faktorëve shtetërorë në “luftë” ndaj saj. Ndërkohë te ne, përballesh me indiferentizmin dhe paaftësinë e shtetit për ta lexuar varfërinë, pranuar atë, por mbi të gjitha për të zbatuar politika sociale në drejtim të zbutjes së saj. Madje, pjesë e indiferentizmit të shtetit, për të mos thënë paaftësi (e qëllimshme) e tij, është mungesa e deklarimit të minimumit jetik të shqiptarëve, edhe pse jemi në dhjetëvjecarin e tretë të kapitalizmit demokratik në Shqipëri.

Politikat sociale në vetëvete janë pjesë e politikave publike, që lidhen me programet dhe masat që synojnë përmbushjen e nevojave njerëzore për mbrojtje shoqërore, edukim, kujdesi shëndetësor, strehim etj. Për këtë është e nevojshme krijimi i klimës ekonomike dhe sociale, të atillë që do të parandalonte margjinalizimin e qytetarëve, do të shmangte trajtimin me inferioritet të njerëzve në nevojë, do të minimizonte përjashtimin social. Krjimi i kësaj klime të shëndetshme, do të mundësonte edhe iniciativat e përgezueshme të bamirësisë, por mbi të gjitha do të siguronte trajtimin me dinjitetin e duhur qytetar të çdo individi.

Lidhur me sa më sipër, duke qenë se jemi në pragfestën e 100 vjetorit të pavarësisë, po sjell në vëmendje një ndër figurat e mençura të neoshqiptarizmës, Ismet Toton, i cili në fillimet e viteve ’30, në “Bota e një djali kryengritës”, shkruante: …“Shkurt është besimi ynë se qeveria jonë ka në dorë shumë. Mund të bëjë që brenda pak vjetëve të rrojnë 2 milionë shqiptarë të shëndoshë, në vendin tonë. Me pak shpenzime të kota për gjëra dhe vepra të pakuptimta dhe me tepër qejf për punë serioze…, kjo është receta magjike për ata që duan të pavdekësojnë emrat e tyre”.



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora