E premte, 19.04.2024, 09:03 AM (GMT+1)

Mendime

Buçpapaj: A do të jetë PD një opozitë bllokues

E merkure, 12.12.2012, 08:00 PM


A DO TË JETË PD NJË OPOZITË BLLOKUESE?

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Pyetjen e shtruar më lart - a do të jetë PD një opozitë bllokuese - dikush mund ta quajë të parakohshme, ndoshta dhe të pavend. Ndoshta për mendësinë tonë të sotme ende të prapambetur kështu edhe mund të duket.

Në fakt, ndaj një partie apo faktori tjetër në pushtet, aq më tepër - tetë vjet në pushtet, pyetja më e natyrshme do të ishte rreth sjelljes së saj pas kalimit në opozitë. Kësisoj, ndërsa fushata zgjedhore është hapur tashmë nga partia në pushtet, madje slloganet u shpalosën në festën e 22 vjetorit të themelimit të saj në Pallatin e Kongreseve - Tiranë, pyetja më e pashmangshme është se çfarë opozite do të bëjë PD, nëse - do Zot (për disa), apo - ruajna Zot (për disa të tjerë) kjo parti do të jetë në opozitë.

Sllogani i PD rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 është "Të shembim murin e bllokimit!". Meqë kjo parti mëton se i ka shembur të gjitha muret e tjera, i fton shqiptarët që ajo të shembë edhe murin e fundit, pra, i fton të jenë pjesë e një zijafeti tjetër, një fitoreje tjetër, një triumfi tjetër që kjo parti do ta arrijë - sipas saj- jo aq për vete sa për qytetarët.

PD lindi si parti opozitare - këtë gjë i pëlqen edhe asaj ta nxjerrë në pah, si fakt historik, si domethënie historike. Pas një qëndrimi në pushtet, nga 9 janari 1997 deri më 20 shtator 2005, gati nëntë vjet, do të mbetej në opozitë. Nëse më 23 qershor apo - patjetër - në një datë të mëvonshme do të largohej përsëri nga pushteti, kjo do të ishte opozita e tretë e saj.

Menjëherë pas themelimit, PD bëri një opozitë me synim rrëzimin e PPSH dhe ardhjen e saj në pushtet. Opozitën e bëri me demonstrata, me greva, me bashkëpunime të saj me PPSH në Parlament (pas 31 marsit 1991) dhe në Qeveri (Qeveria e Stabilitetit). Rrëzimin e saj më 1992, PSSH e kapitalizoi si precedent dhe, në kontekstin e skemave piramidale, e rrëzoi PDnë.

PD kaloi dhunshëm në opozitë. Dhe bëri një opozitarizëm me bllokime, me bojkotime, me demonstrata, protesta, greva, si dhe heraherës me bashkëpunime nëpërmjet Parlamentit dhe nëpërmjet tryezave partiake. Këtë opozitarizëm ia shpërbleu PS sapo u largua nga pushteti, duke u përpjekur të përdorë të gjitha precedentet e krijuara nga PD gjatë opozitës së saj të dytë.

Një parti serioze, nëse PD e mendon veten të tillë, krahas projektit të fitores, do ta kishte të domosdoshme edhe një projekt rezervë - të humbjes. Pas një qëndrimi tetë vjet në pushtet, natyrshëm, më e pritshme do të ishte një humbje se një fitore. Pra, kalimi në opozitë nuk do të ketë pse ta gjejë në befasi PDnë. Dhe doemos të parashikojë se çfarë do të bëjë me veten e çfarë do të bëjë me kundërshtarët.

Këtu lind pyetja: A do të jetë PD një opozitë bllokuese? Ose: A do të jetë PD pjesë e një opozite bllokuese? Më tej: I kërkohet apo nuk i kërkohet, a do t'i votojë PD të gjitha ligjet e kërkuara për integrim të Shqipërisë në BE? A do t'i votojë ato menjëherë e pa asnjë ngurim, pa asnjë vonesë?

Kjo pyetje nuk mund t'i shtrohet LSIsë. Sepse LSInë, realisht, në çdo konfigurim të ardhshëm (pas 23 qershorit 2013) të pushtetit në Shqipëri, unë e shikoj pjesë të koalicionit qeveritar. Kështu edhe e përjeton veten kjo parti. Dhe, në këtë frymë, po i kritikon hapur partnerët në Qeveri, si dhe partnerët në Parlament, për një politikë konfliktuoze 22 vjeçare, fajtore për bllokimin e proceseve demokratike dhe integruese të Shqipërisë.

Në PD, ndoshta edhe më shumë se në PS, është ngulitur mendësia se të kryesh bashkëfajësi nuk është e dënueshme, madje është e shpërblyeshme. LSI duket se nuk e pranon këtë mendësi, të paktën e stigmatizon nga pikëpamja retorike.

PD, duke i pasur në horizont, zgjedhjet e 23 qershorit, më shumë do të ishte e interesuar të dalë një opozitë e qenësishme se të jetë thjesht një pjesë e asaj opozite. Prandaj, duke hequr dorë sadopak nga demagogjia e ngritur prej saj në sistem sidomos këto tetë vite, do të ishte më mirë për të që të shpalosej para elektoratit si opozitë e mundshme në mandatin e ardhshëm.

Në këtë mënyrë, PD do t'ia lejonte vetes mundësinë të shpaloste se do të bëjë një opozitë në përputhje dhe pajtim me stadet më të larta të demokracisë bashkëkohore, se nuk do të përsërisë gabimet, fajet, gafat e bëra në dëm të votuesve të saj, në dëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Do t'ia lejonte vetes mundësinë të shpaloste se nuk do të përdorë si kapital asnjë nga precedentet e krijuara nga opozita gjatë këtyre tetë viteve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora