E enjte, 22.04.2021, 03:55 AM (GMT+1)

Lojëra » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: Përse futbolli është ndër sportet “më të prapambetur” në Shqipëri?

E shtune, 26.04.2008, 02:01 PM


Besnik Dizdari
Përse futbolli është ndër sportet “më të prapambetur” në Shqipëri?

Nga Besnik Dizdari

Qysh sot në “TemA” copëza nga “romani” i pabotuar i futbollit të Kampionatit Kombëtar. Si dhe mbi futbollin e folur që sundon futbollin e luajtur

SPEKTATORET

Futbolli shqiptar i Kampionatit Kombëtar përjeton një nga periudhat më të varfëra të historisë së tij. Të shtunën, në tribunën karshi të Stadiumit “Selman Stërmasi” kam numruar praninë e vetëm 271 spektatorëve. Nuk di nëse ishin me bileta apo pa bileta. Dhe këte asnjëherë nuk kam për ta mësuar. Sepse Federata Shqiptare e Futbollit është e vetmja në Evropë që nuk regjistron numrin e spektatorëve në ndeshjet, ndonëse e ka për detyrë institucionale. Në tribunën qendrore nuk besoj të kenë qenë më shumë se nja 600 vetë. Çka do të thotë se në ndeshjen më të vjetër të futbollit shqiptar, atë Sportklub Tirana– Vllaznia e Shkodrës kanë qenë vetëm nja 600-700 spektatorë. Them se është vendosur rekordi i pranisë më të pakët të spektatorëve në duelin kombëtar Tiranë– Shkodër. Shumë më pak edhe se sa kanë qenë në ndeshjen e parë midis skuadrës së Tiranës dhe të Shkodës që daton më 1921, plot 87 vjet më parë. Ndërsa me çfarë kanë qenë spektatorët e morisë së pafund të ndeshjeve Tiranë-Shkodër në dekadat e mbasme, krahasimet nuk mund të bëhen. Asokohe, bie fjala në Shkodër, mund të ishin 16.500 dhe në Tiranë 19.500 spektatorë. Eshtë kapaciteti i plotë i stadiumeve kombëtare “Qemal Stafa” dhe “Loro Boriçi” që mbusheshin jorrallë. E dimë që kjo kohë për shumë arësye nuk mund të vijë më kurr. Erdhi kjo e 271 spektatorëve, rekordi më negativ i historisë Tiranë– Shkodër.

Flakja tej që spektatori kryeqytetas i bën ndeshjes SK Tirana– Vllaznia është një ndër provat më të fundit që vërtetojnë braktisjen historike të ndeshjeve të Kampionatit Kombëtar prej spektatorëve shqiptarë.

Ndërkaq, thuajse asnjë spektator në tribunat karshi të Flamurtarit të Vlorës në ndeshjen e tij me Besëlidhjen. E kush, Vlora? Vlora e spektatorëve më fantastikë që ka pasë Shqipëria. Sot Flamurtari është 19 pikë larg Dinamos dhe 17 pikë larg Partizanit, 11 pikë larg Besës, 10 pikë larg SK Tiranës! Kjo është njëra prej fabulave. Sepse ka disa fabula.

Teuta e Durrësit edhe më keq: 25 pikë larg Dinamos, 23 pikë larg Partizanit, 17 pikë larg Besës, 16 pikë larg SK Tiranës, 14 pikë larg KS Elnbasanit! Në Durrës as nuk pyet më kush për ndeshje futbolli që i përkasin kombit shqiptar.

Edhe për këto futbolli është ndër sportet “më të prapambetur” në Shqipëri.

Nuk po na pëlqen me u endë përsëri në problematikën e kësaj braktisjeje të papame, sepse, e pakta prej shtatë a tetë vjetësh, në faqet e kësaj gazete ne e keni shtérrun tematikën e gjithë kësaj rëniejeje të interesit për Kampionatin Kombëtar, kur të gjithë të tjerët kanë heshtur. Ne dëshërojmë që në ciklin tonë të përpiqemi për të shkelur paksa edhe një herë në këte rrugëtim të zbehtë dhe të pa emocione të Kampionatit Kombëtar, dukuria apo “fenomeni” (meqë janë kaq të dëshiruara fjalët e huaja në gazetarinë e shkruar dhe të folur të futbollit të sotëm shqiptar), për të cilin, në fund të fundit, qe themeluar dhe ekziston edhe vetë ajo që ka emërtimin historik: Federata Shqiptare e Futbollit, tash së fundi paditësja e shkëlqyeshme e qeverisë shqiptare në FIFA apo UEFA.

SK TIRANA– VLLAZNIA

Duke iu kthyer ndeshjes SK Tirana– Vllaznia, si për të dashtë për ta marrë ate si simbol të rënies së futbollit, vërejmë se ajo qe një shfaqje kontradiktore që bartte në vetvete, rënien e pazakontë të stilit të skuadrës shkodrane nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, përpjekjet për kthesë mbas dështimit të madh të SK Tiranës, për t’i bërë kështu një mbyllje të fuqishme stinës së saj tejet “të dyshimtë” 2007-2008.

E vërteta është se Sportklubi dha një shfaqje të bukur të tij, mbi të gjitha me pesë gola artistikë, të interpretuara plot forcë prej të pabagueshmit Klodian Duro, çuditërisht i frymëzuar prej mendjes krijuese të një 20 vjeçari me emrin Jetmir Hyka, i cili të habit me episodet e tij të rrjedhshëm e të pandalshëm që interpreton. Edhe pse një ndeshje e pabarabartë, tifozët e Sportklub Tiranës, të cilët gjithashtu nuk pranuan të vinin të shtunën në Stadiumin “Selman Stërmasi”, kanë mbetë pa pâ një ndeshje të gëzueshme dhe tejet dëfryese të skuadrës së tyre, të cilën mesa duket, nuk e kanë më të shtrenjtë si dikur. Ndonëse në këte dhjetvjetësh ajo ka fituar 6 prej 10 kampionateve të zhvilluara!

Edhe kjo mosndjekje apo përcaktim që ka të bëjë me 23 herë kampionen e vjetër të Shqipërisë, për fat, shkon “në të mirë” të rënies së Kampionatit Kombëtar.

Dhe që më bën të them se futbolli sot është “sporti më i prapambetur në Shqipëri”.

SKENDERBEU E TE TJERE

Nuk dua ta besoj, por kur shoh Skenderbeun e Korçës me vetëm 11 pikë në 28 ndeshje, apo që në në 6 ndeshje rresht ai humbet plot 6 (me siguri një rekord i tij edhe ky) edhe më fort bindem se futbolli tash për tash, të paktën është një ndër sportet “më të prapambetur” në Shqipëri.

Mandej i kthehem Teutës së Durrësit që rropatet për të mos e braktisur Kampionatin Kombëtar dhe kur për çdo javë i shoh tribunat e stadiumit të saj (ai mban emrin e një heroi të futbollit të viteve ’30, Niko Dovanës së përkujtueshëm) krejtësisht të boshatisura, prap them se futbolli është sporti më “i prapambetur” në Shqipëri. Dhe kur kthehem edhe më mbrapa dhe shoh Tomorrin e Beratit, i cili po rrezikon të braktisë edhe kategorinë e dytë, atëherë them “lum Skenderbeu”.

TELEVIZIONI

Dhe papritmas i kthehem Televizionit, atij Shqiptar i cili me ligj është publik, e vetvetiu, edhe përmes skemës së tij për futbollin e Kampionatit Kombëtar, bindem prap për “prapambetjen” e futbollit shqiptar të sotëm. E vërteta është se Rubrika Sportive për rifillimin e së cilës mbas zhdukjes së dënueshme që i ishte bërë, jam munduar të jap edhe unë një ndihmesë modeste si anëtar i Këshillit Drejtues, ka një gjallërim, sidomos për trajtimin e sporteve të tjerë dhe transmetimet sportive (kujto vetëm transmetimin e ndeshjes së boksit Qato-Vitor Sâ, apo dhe Kampionatin e fundit Evropian në peshëngritje) megjithate ende nuk ia ka arritur për futbollin.

Duket një kopje e emisioneve të të tjerëve. Katër-pesë vetë të vendosur edhe aty përballë si një mbledhje skematike, biseda “të lira” deri në mungesën e plotë të një boshti gazetaresk apo dhe futbollistik, mënyra më e lehtë kjo për të trajtuar Kampionatin Kombëtar. Dhe pa risi, çka për misionin e tij do t’i takonte tejet TVSH-së. Mbi të gjitha, me një sundim apo përparësi të pafalshme të futbollit të folur ndaj atij të luajtur apo dhe të shikuar në ekran. Në matjet e bëra del 30 përqind figurë e futbollit të fushës, e intervistës së fushës, e mjedisit të saj dhe 70 përqind “diskutime”. Eshtë e çuditshme se si mbërriti puna deri këtu: që në rubrikat për futbollin, të mos spikasë protagonisti i fushës, loja e luajtur, episodet, ngjarjet e veçanta të ndeshjes, kthimi te historia, te kujtesa historike (kujto vetëm arkivin e rrallë që ka TVSH), pa shkuar te komenti redaksional apo editoriali i javës.

Eshtë interesant! Shoh TV 21 të Kosovës. Dhe në rubrikën e tij për çdo ndeshje ai jep në ekran deri dhe përbërjet e 11-shave të skuadrave, edhe numrin e spektatorëve. Zbaton ligjin e parë të gazetarisë që thotë se gazetaria është informacion, madje INFORMACION me gërma kapitale! Ndërsa në ekranin tonë nuk jepen as emrat e golshënuesve! Dhe me padurim nxitohet te i ftuari në studio sikur të ishte ai vetë Kampionati!

Asnjëherë në historinë e televizioneve shqiptare nuk ka arritur të bëhet kaq i rëndësishëm, kaq “vendimtar”, kaq “i ditur”, kaq sundues, kaq “i përkdhelur” i ftuari në studio. Kanë vërshuar kohët e fundit në ekran “futbollistët-komentatorë”, dhe ka rënë poshtë figura e gazetarit sportiv. Ky është një problem i madh, të cilin TVSH-së i takon ta ndërrojë menjëherë. Jo për ta braktisur ish “futbollistin – komentator”, por për t’i dhënë atij aq sa i takon. Sunduesja në këtë rast i takon të jetë gazetaria e mirëfilltë sportive. Jo i ftuari si një herë paradokohe ku kishin zënë vend jo pak, por plot pesë “komentatorë” si dhe pesë dinamas “doc”, ndonjeri prej të cilëve vetcitohej si “i përvojës së gjatë që kam në fushën e sportit” apo “kur na prezantuat si personalitete të sportit dhe kështu është”.

Mbas së cilës vinte përulja e rubrikës që i thoshte: “duke iu referuar atyre që tha shoku (zoti)”. Kur dihet një ligj tjetër që thotë se edhe rubrikat televizive sportive nuk janë për t’i rritur artificialisht vlerën dhe as për t’i përmirësuar biografinë të ftuarit, por vetëm për t’i shërbyer publikut.

Drejtimi i RTSH, në të vërtetë ka premtuar për një ndryshim tjetër sportiv, të një niveli tjetër, më të lartë. E, shpresojmë se do të marrë përparësinë futbolli i luajtur, jo ai i folur. Ai i fushës së lojës dhe jo ai i studios. Na takon të përpiqemi që rubrika të jetë si të thuash, një model tjetër, ku ta marrë fjalën më fort gazetaria e vërtetë, që nuk bën protagonist biseduesin këmbë mbi këmbë, thuajse me duar në xhepa (si nuk pamë një njeri të paktën me një skedë sado të vogël në dorë, me një të dhënë sado modeste, por gjithçka vetëm “me memorje”?).

Këto skema që i kthejnë rubrikat për futbollin kombëtar gjoja në “erudicione” specialistësh, të cilët natyrisht mund të jenë të vlefshëm në masën e duhur, por jo deri aty sa të krijojnë kalanë e skemës së gjithpushtetëshme, me sa duket po aq të çojnë te mendimi ynë se sot futbolli është sporti më “i prapambetur” në Shqipëri.

Sidoqoftë, edhe autori i këtyre rradhëve, ashtu si dhe të tjerët, ka besim te drejtimi i TVSH.

JAVA 28 e K69K

Të shtunën që shkoi K69K për pak po shkonte drejt një tjetër rekordi origjinal. Nëse nuk do të kishte shënuar Besa, për herë të parë në historinë e Shqipërisë do të ndodheshim përpara një jave Kampinati ku gola do të kishte vetëm një ndeshje, ajo SK Tirana – Vllaznia; dhe ku pesë ndeshjet e tjera do të mbeteshin 0-0. Kjo do të thoshte se për herë të parë në histori, 84 përqind e ndeshjeve të një jave Kampionati të Shqipërisë nuk do të prodhonin gola!

Ndodhi që në 4 prej 6 ndeshjeve nuk pati gola, por qe katër herë 0-0. Ose 75 përqind e ndeshjeve nuk dhanë gola. Numri i përgjithshëm i të cilëve mbërriti në 372 gola në 28 javë. Ose 2.2 gola për ndeshje, mesatarja më e e ulta e 14 Kampionateve të fundit. Kampionati Kombëtar i Shqipërisë ka humbur golat. Asnjë skuadër nuk ka shënuar të paktën 2 gola për ndeshje. Për fat, kemi një skuadër e cila ka pësuar mbi 2 gola për ndeshje: Skenderbeu me mesatarisht 2.40 gola për ndeshje! Ose plot 67 në tanësi! Kampionati e ka “forcën” e golave te pësimi jo te shënimi. Që don të thotë se ai e ka forcën jo te merita, por te dobësia e dikuj…

Ky është Kampionati i PartizanDinamos, dy dikasterialët e mëdhenj, të cilët, siç e kemi përmendur këto kohë, për herë të parë mbas plot 18 vjetëve mëtojnë midis védi një duel të tyre të veçuar për të rrëmbyer titullin e Kampionit. Hera e fundit ka qenë më 1990, kur Dinamo u shpall kampione përmes duelit të vetëm me Partizanin. Plot 16 herë janë ndodhur Dinamo e Partizani në një duel të këtillë, të luftës mbrenda llojit të tyre, për të rrëmbyer titullin shqiptar të futbollit. 7 herë Dinamo ia ka rrëmbyer titullin Partizanit, ndërsa ky vetëm 1 herë, më 1957 mbas ndeshjes shtesë fundore.

Të shtunën dy mëtuesit mbetën aty ku ishin: Dinamo 55 pikë, Partizani 53, gjithnjë 2 pikë ndryshim. Dy barazime 0-0 prej të katërve iu përkasin atyre: Shkumbini– Dinamo 0-0 dhe KS Elbasani– Partizani 0-0! Shtérrimi i futbollit. E bukura e këtyre ndeshjeve? Sepse pati spektatorë. Natyrisht kurrsesi stadiume të mbushura. Në Shqipëri sot asesi nuk mund të ketë më stadiume të mbushura. Lamtumirë një herë e mirë tifozit të madh!

Të shtunën ndodhi përfundimisht largimi i Skenderbeut të Korçës prej Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, të cilit Federata Shqiptare e Futbollit i ka dhënë emërtimin johistorik “Superligë”. Një togfjalësh jo i gjuhës shqipe. Nuk mund të mbulohet varfëria e një Kampionati me imitime kësisoji “pseudomoderne” dhe johistorike. Italia i thotë “Serie A”, Gjermania “Bundesliga”, Anglia “Premiership”, Franca “Ligue 1”, Spanja “Primera Division”. Shqipëria në madhështi: “Superligë”!

Kur ende nuk e ka themeluar Ligën. Dhe kur asgjë nuk është “super” në Kampionatin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, i cili përjetësisht është quajtur “Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Parë”, emërtim të cilin duke zhdukur e ngatërruar një histori të tanë, FSHF ia ka kaluar Kampionatit të Kategorisë së Dytë!

Kështu, padashur kaluam në përsëritje, gjëra që i kemi shkruar njëqind herë. Më tepër se kaq nuk mundemi, sepse mund të cënojmë pavarësinë e jshtëzakonshme, më të madhen në histori që gëzon Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ia ka mbushë mendjen FIFA-s se po i ndërhyhet politikisht…

Dhe… mjaft me kaq. Nuk kemi dëshirë të përfshihemi në “politikën e apolitikës” së futbollit “super” të Shqipërisë.

Sidoqoftë, në këte fund, Kampionati i 69-të mbase papritmas mund të bëhet tërheqës; thjesht për shkak se dueli Dinamo– Partizani, për fatin e tyre të keq me numrin më të paktë të ndjekësve në historinë e tyre të lavdishme që iu ka dhuruar plot 31 prej 69 Kampionateve zyrtarë të Shqipërisë, vërtet mund të ndizet. Por kurr si dikur, natyrisht!...

Të shtunën atyre iu afrua Besa e Kavajës në 6 dhe 8 pikë, nga 8 dhe 10 që ishte. A mund të guxojmë ta përfshijmë praktikisht mëtuese të titullit edhe Besën e Kavajës, e cila ka kryesuar 4 javë të këtij Kampionati? Pa retorikë: për të ndodhur kjo, duhet që më e pakta në pesë këto javë, në tre prej tyre PartizanDinamo të humbasin nga 3 ndeshje dhe Besa e Kavajës të fitojë e pakta katër. Do të kishim një sensacion evropian të futbollit. Ndonjëherë edhe kanë ndodhur këto kthesa në kampionatet shqiptare. Ndodhnin asokohe kur nuk kishte skuadra pa më të paktën nja katër a pesë burra të vërtetë futbolli për secilën. Sot Kampionati i Shqipërisë me sa duket, ka vetëm një skuadër të kësisoj burrash: Kastriotin e Krujës: 28 pikë të fituar, 8 fitore, 5 barazime pa luajtur asnjë ndeshje në fushën e vet, pa përftuar as praninë as duartrokitjet e spektatorëve të vet. Duhet të jetë edhe ky një rekord evropian i stinës që skuadra krutane e drejtuar në 28 ndeshjet e saj prej trajnerëve V.Bici dhe R.Ndreu, meriton ta zotërojë. Nëse qëndron në Kampionatin Kombëtar, pra nëse nuk bie, i takon çmimi i veçantë i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Mirëpo, çmime kësisoji nuk i gjen te Federata Shqiptare e Futbollit.

FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT

Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka çmime. Ajo është ndër federatat më të varfëra në çmime. Ajo është një rutinë e tanë: Kampion, Nënkampion dhe kaq. Nuk dimë nëse i jep një shéj nderimi vendit të tretë. Nuk di a i jep një Kupë kryeshënuesit të Kampionatit. Ajo nuk ka as dëshirë dhe as njerëz që të marrin modele prej Federatave të tjera të futbollit në Evropë. Ajo vetëm kopjon emërtime kozmopolite që cënojnë gjuhën shqipe: “Superligë”!

Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ia shohim flamurin as në ndeshjet e Kampionatit Kombëtar, ndonëse ka fituar pavarësinë më ekzemplare (shembullore) që ka patur ndonjëherë në histori. Nuk ia shijojmë kulturën e plotë të një ndeshejeje. Madje të asnjë ndeshjeje. Kampionati Kombëtar i Shqipërisë vërtet është “më i prapambeturi”. Ai është i vetmi në Evropë ndeshjet e të cilit nga ana e publicitetit janë shurdhmemece unikale (vetanake). Asnjë botim (fletë) për ndeshjen, asnjë informacion, asnjë qendër zëri që krijon mjedis dhe informacion së bashku. Asnjë kujtim apo përkujtim historik sado episodik që të ishte. Asnjë tingull jehone. Asnjë rregull mirëfilli në stadiumet. Tribunat e ashtuquajtura VIP, pa VIP. E kush nuk ulet në tribunat qendrore të stadiumeve shqiptare. Pluhur. Dhe asnjë stadium me sallë shtypi apo kushtet më normale për gazetarët. Ndonëse FSHF gëzon pavarësinë më të plotë që ka pasë ndonjëherë në histori.

Nuk mund t’i bëjë asesi të gjitha këto, që të tjerët i kanë në rregullore. I ka pasë në rregulloret e veta edhe Shqipëria në Kampionatete e Mbretërisë. Vitet ’30. Madje edhe detyrimin për ekzekutimin e Himnit Kombëtar, siç e kanë sot mjaft Kampionate Kombëtare të disa shteteve.

Komiteti Ekzekutiv i tashëm i FSHF nuk mund t’i plotësojë shumë prej këtyre kushteve…

KOMITETI EKZEKUTIV I FSHF

E para e të gjithave: ai nuk është kombëtar, përderisa 90 përqind e anëtarëve të tij janë kryeqyetas. Ai nuk është përfaqësues i mbarë Shqipërisë, madje as i dy tre klubeve kryesorë futbollistikë të Shqipërisë (Shkodër, Elbasan, Durrës, Kavajë) Ai është vetëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, i kancelerisë së saj dhe e ka të vështirë që, kështu siç është, të marrë vendime kombëtare. Ai është një Komitet që mund të marrë vendime teknike mirëfilli e ndoshta dhe financiare. Por e ka të vështirë të marrë vendime shqiptarije të futbollit. Ai ka një dinamovizim që nuk e ka pasë as nën diktaturë. Shihni biografinë e anëtarëve të tij.

I iku Korça. I është larguar Gjirokastra, Po i zhduket Berati. Rrezikon ta braktisë edhe Durrësi. I është shfytyruar Vlora. Ka humbur stili tradicional i Vllaznisë së Shkodrës. Ai është Komiteti që ka bërë më “super” Kampionatin e Kategorisë së Dytë (që e quan të parë) se sa të Parin e vërtetë. Mbrenda tij ky Komitet Ekzekutiv ka anëtarë drejtues të BFSSH-së së Regjimit (dhe jo vetëm kaq, më keq akoma) me të cilët ka guxim të përfaqësohet edhe te Federata e Futbollit të Kosovës. Mendon se edhe kjo hyn të “kompetencat” e pavarësisë së tij. E mu kjo nuk ka të bëjë asesi me pavarësinë e tij. Kjo ka të bëjë me shqiptarinë, me ndjenjën kombëtare, me respektin për Kosovën, e po ta përimtosh paksa më tepër, ka të bëjë edhe me Kushtetutën, që nuk është Kushtetuta e Diktaturës por e Demokracisë.

Edhe këto janë fragmente disi të përsëritur. Me sa duket prap do t’i përsërisim. Deri sa t’i mbushet mendja Federatës së sotme Shqiptare të Futbollit (mbas saj natyrisht do të vijë një tjetër) se futbolli nuk është i saj, por i Shqipërisë. E thotë vetë emërtimi: Federata Shqiptare e Futbollit.

Të shtunën tabela e Renditjes nuk u tund nga istikami. Ndërruan vetëm vendet 4-5, ato SK Tirana - KS Elbasani. Çka duket si qëndrueshmëri. Edhe atje poshtë siguria e plotë e largimit të Skenderbeut të Korçës duket si qëndrueshmëri në mjerimin e vet. Teuta, Kastrioti dhe Besëlidhja vetëm 2 pikë largësi. Do të bjerë pa bzâ edhe njëra prej tyre. Ndërsa dy të tjerat do të kalojnë në atë që Evropa i thotë play- out. Kjo është dhe rregullorja tjetër e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili ka vendosë që një Kampionat të Kombit me vetëm 12 skuadra ta kërcënojë me rënien e 4 prej tyre! Kjo është shpikja e Komitetit Ekzekutiv jo të të gjithë kombit, i cili mbas një mbledhje punërash në zyrat moderne që Federata Shqiptare e Futbollit i ka si ato të Federatës së Anglisë, pat vendosur me një të rënë të lapsit që një e treta e skuadrave të mund të bijen në Kategorinë e Dytë të rréjshme (së cilës Komiteti Ekzekutiv i thotë me prepotencë johistorike Kategori e Parë).

E gjitha kjo është pasojë e pavarësisë së mrekullueshme që gëzon Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili mbasi e mbylli sezonin e Kombëtares 2-4 me Biellorusinë në Tiranë dhe 1-6 me Rumaninë në Bukuresht, dhe mbasi ka mbyllë gojën dhe ende nuk tregon përse ndodhën këto dy shifra tmerruese të futbollit, kërkon të na lëjë edhe pa Skenderbeun e Korçës, po e po, por (Zot na ruej!) edhe pa Teutën e Durrësit e gati gati edhe pa Flamurtarin e Vlorës. Ashtu siç na ka lënë në mëshirën e gjigandizmit të Kampionatit të Kategorisë së Dytë (që i thotë i Parë) pa Beratin e Gjirokastrën, pa Lushnjën e Fierin.

XXX

Këtu mbaron kapitulli ynë i parë i “romanit” të pabotuar të Kampionatit të Shqipërisë. Kapitujt e tjerë do të vazhdojnë javët e ardhshme. Të shtunën që vjen është Dinamo– KS Elbasani dhe Partizani– SK Tirana. Eshtë edhe Besëlidhja– Shkumbini dhe Teuta– Flamurtari. Eshtë edhe Skenderbeu– Kastrioti. Mund të jetë shkatrrrimi i ri i futbollit të Qyteteve të Shqipërisë dhe i tribunave të boshatisura…

Shpresojmë që herën tjetër të mos nxjerrim prej Arkivit kapitullin tonë “10 vjet ndeshje të shitura në Kampionatin e Shqipërisë”.

Kujtojmë edhe një herë se futbolli është sot ndër sportet “më të prapambetur” në Shqipëri. Biellorusia 1-4! Rumania 1-6! Dhe në 5 edicionet e fundit të Shqipërisë në Kupat e Evropës, ku ajo nuk është matur me të mëdhenjtë, por me të vegjlit e të mesmit e Evropës, bilanci është ky: 60 ndeshje 40 humbje!

Mos po e nxijmë realitetin, siç thoshte dikur Partia e Regjimit, reminishencat e së cilës do të uronim të mos gjallonin në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit?...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora