E premte, 19.04.2024, 01:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndriçim Xhepa: “Lindje, perëndim, lindje”, më bëri trajner çiklizmi

E shtune, 26.04.2008, 11:42 AM


Ndriçim Xhepa
Është quajtur ikona e kinematografisë shqiptare, mjaft i njohur për publikun që e pëlqen aq shumë në rolet e tij. Aktori i njohur Ndriçim Xhepa sapo ka nisur xhirimet në filmin “Lindje, perëndim, lindje”. Një film me regji nga Gjergj Xhuvani që i ka besuar aktorit rolin kryesor. Ilo Zoto quhet personazhi kryesor në filmin e Xhuvanit, një çiklist dikur kampion, por që në film është trajneri i një ekipi çiklistësh. Në një intervistë dhënë për gazetën “SOT” aktori rrëfen për personazhin më të ri që do ti shtohet listës së gjatë të roleve.Por shumë shpejt në ekranin e kinemasë do të shfaqen premierat e dy filmave ku aktori Ndriçim Xhepa interpreton sërish në role kryesore. Filmi “Lutjet e dashurisë” me regji nga Artan Minarolli, do të jetë premiera që do të shfaqet së shpejti. Në film personazhi i Zenelit interpretohet nga aktori Xhepa. Ndërkaq doktori tek filmi “Sekretet” me regji të Spartak Pecanit është roli tjetër kryesor i aktori, pa harruar këtu dhe trajnerin tek filmi që sapo ka nisur të xhirohet “Lindje, perëndim, lindje” me regji të Gjergj Xhuvanit. Këto janë personazhe që janë punuar dhe po punohen sërish në një hark kohor shumë afër njëri-tjetrit, por që janë të kundërt nga koha e përfaqësimit të personazhit, profesioni i tij, situata e personazhit me të tjerë dhe me veten. Kjo tregon vlerësimin që kanë sot regjisorët për aktorin, i cili siç pohon edhe vetë për të qenë i tillë kërkon të ruajë gjithmonë ndryshueshmërinë e pranimit të ofertave dhe të pozicioneve të roleve.
 
-Sapo kanë nisur xhirimet e filmit më të ri “Lindje, perëndim, lindje” ku ju keni rolin kryesor. Na tregoni diçka rreth personazhit tuaj në film?

Personazhi i Ilo Zotos është një trajner çiklizmi dikur vetë kampion i çiklizmit, por tashmë ka rreth 20 vjet që ka lënë sportin dhe punon thjesht si një biçliketazhi, si shumë sportistë që me kalimin e viteve harrohen ose përfundojnë në punë të zakonshme dhe nuk kanë më atë shkëlqimin që kanë kur janë në sport. Për hir të së vërtetës sporti këtu tek ne asnjëherë nuk ka prodhuar financë, para që më pas sportistët ti kenë për jetën e tyre dhe familjet e tyre. Edhe në këtë rast jeta deh fati i këtij personazhi është krejtësisht i zakonshëm, i thjeshtë dhe punon biçikletaxhi. Ai ka një dyqan, por në një moment vjen një njoftim nga shteti që një ekip çiklistësh duket që të shkojë dhe të përfaqësojë shtetin tonë jashtë vendit, në një aktivitet tur çiklistik që zhvillohet në Francë. Për të krijuar një ekip kombëtar me çiklistët më të mirë të momentit vendosin dhe për një trajner që duhet ta drejtojë këtë ekip. Atëherë ministria mendon për njeriun i cili ka qenë kampion vite më përpara që është personazhi që kam unë në film. Momenti në film është i vitit 1989-’90. Është një kohë kur ndërrohen sistemet, kur ndodhin ikjet me anije të shqiptarëve etj, pra është një kohë kur ky ekip çiklistësh del për të kryer aktivitetin mes shumë peripecive që janë të panumërta. Kërkon të kthehet tashmë në atdhe, por nuk kthehet dot sepse kufijtë janë të bllokuar. Pra ekipi i çiklistëve ikën, del jashtë dhe në momentin që duan të kthehen ata nuk munden sepse janë të bllokuar kufijtë sidomos nga krahu i portit të Durrësit, andej dhe nga ata kanë dalë për këtë tur çiklistik bashkë me trajnerin sëbashku me një autobus. Në këtë tur çiklistik ekipi do të shkonte në fillim në Itali dhe më pas do të udhëtonte drejt Francës. Pastaj të gjitha peripecitë në film janë të njëpasnjëshme dhe e mira është që të ngelen për ti shijuar në premierën e filmit. Pra ky është pak a shumë subjekti i filmit dhe roli im që është trajneri Ilo Zoto një rol kryesor.

- Cilët janë çiklistët që ka në ekip trajneri Ilo Zoto në filmin “Lindje, perëndim, lindje”

Në këtë film unë bashkëpunoj me disa djelmosha që janë rreth 15-20 vjet më të rinj se unë në profesion duke filluar me Helidon Fino, Lulëzim Zeqja, Gent Hazizi, Ervin Bejleri, Romir Zalla dhe Oni Pustina. Këto janë gjashtë çiklistët që bëjnë ekipin që del jashtë shtetit. Këta aktorë janë gjashtë personazhe të tjerë kryesorë me trajnerin Ilo Zoto në krye. Por në film ka dhe personazhe të tjerë me dy, tre episode siç është dhe personazhi i aktorit Petrit Malaj që në film interpreton zëvendësministrin. Në film ai thërret trajnerin për ti caktuar këtë detyrë që është sa e këndshme dhe patriotike për tu nisur me ekipin. Gati 60 përqind e filmit do të xhirohet në Tiranë-Durrës, por disa ditë do të jenë në Përmet dhe Pogradec. Do të ketë rreth një javë në Trieste të Italisë, dhe po aq në Ohër dhe Strugë.

-Regjisori Gjergj Xhuvani ju ka zgjedhur për rolin kryesor në filmin e tij më të ri. Na tregoni diçka rreth këtij bashkëpunimi?

Me regjisorin Gjergj Xhuvani ky film është bashkëpunimi i dytë. I pari ka qenë në filmin “I dashur armik”. Regjisori Xhuvani në karrierën e tij ka spikatur më shumë këta 10 vitet e fundit dhe në nivelin e tij tepër të vlerësueshëm profesional ka filmat “Parrullat”, “I dashur armik” dhe filmi që sapo ka nisur “Lindje, perëndim, lindje” që është i treti. Unë mendoj se ky do të jetë në këtë triptik filmash që përshkruajnë një kuadrat pene, skenar dhe regji, bashkëprodhim me të huajt me kohëproduksione, pra me italianë dhe francezë. Pra këto tre filma të Gjergj Xhuvanit, është bashkëpunimi im i dytë që bëj. Në vitin 2003 kam pasur bashkëpunimin e parë në filmin “I dashur armik” që në festivalin e fundit të vitit 2006 u vlerësua me Kupën e Festivalit. Pas pesë vitesh regjisori Xhuvani sërish më bëri protagonist kryesor të filmit të tij më të ri.

-Një karrierë e pasur artistike, role kryesore në shumë filma. Si e mendoni premierën e këtij filmi, suksesin e tij?

Unë mendoj se duke pasur parasysh cilësinë shumë të mirë, qoftë dhe duke e shikuar në harkun e të gjithë historikut të filmit shqiptar, por duke parë dhe të dy filmat e Gjergj Xhuvanit si: “Parrullat” dhe i “I dashur armik” pa frikë që këta të dy mund të hyjnë në filmat më të mirë të kinemasë shqiptare. Fryma, përgatitja, struktura e skenarit, prodhimi që po përgatitet si pasojë e kohproduksioneve, bashkëprodhimeve, cilësia e njerëzve dhe e aktorëve kam përshtypjen që jep një lloj optimizmi dhe dëshire që ky film do të jetë padiskutim në kuadratin cilësor të dy filmave të fundit të Gjergj Xhuvanit. Filmi “Lindje, perëndim, lindje” është në zhanrin e një komedie të zezë ku gjithçka buron nëpërmjet një procesi tepër jetësor, pa mbajtur qëndrim mbi momentin, situatat, raportet. Filmi kam përshtypjen që do të prodhojë elementë si të dhimbshëm, si komik, si organik, si të vërtetë ashtu siç i ka parë dhe i ka perceptuar syri i shqiptarëve që i ka jetuar ato kohë, që i ka prekur ato kohë dhe i ka jetuar ato. Ajo kohë nuk është dhe shumë e largët, por ajo është një kohë e prekur nga masa dërrmuese e kësaj popullate. Them se filmi do të preket me vlerën dhe anën pikante dhe të natyrshme që ka ajo kohë. Kjo besoj do të burojë dhe elementët e një humori tragjik, të dhimbshëm që ka përshkruar jetën tonë, anën shpirtërore, ekonomike që është prekur nga epoka komuniste në ato vitet e fundit kur gjithçka shpirtërore e ekonomike shkoi drejt degradimit dhe drejt një depresi shpirtëror total.

-Në filmin “Lindje, perëndim, lindje” ju jeni një sportist. Sa e gjeni veten në jetën e përditshme me këtë rol?

Unë nuk kam qenë natyrë e varur me ndonjë sport të veçantë, por gjithmonë kam qenë natyrë që e kam ndjekur sportin. Sidomos për futbollin kam qenë një spektator i vazhdueshme i shkallëve të stadiumit, basketbollit, volejbollin e dikurshëm cilësor të “Dinamos” dhe ekipeve të tjera, kam qenë i vazhdueshëm në Pallatin e Sportit ku sidomos lojërat me dorë kanë qenë vërtetë në nivel të pëlqyeshëm, sikundër dhe sot dhe kësaj dite i jam rikthyer herë pas here vajtjes në stadium. Por dhe në televizion ndjek të gjitha ndeshjet e ekipeve të mëdha.

-Një karrierë e pasur kinematografike me shumë role të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut shqiptar. A ka ndonjë rol aktori Ndriçim Xhepa që nuk ka mundur që ta interpretonte dhe do të donte që të ishte pjesë e karrierës së tij?

Jam nisur me atë instinktin personal aktorial që kurrë nuk kam parashikuar në vendin tim se çdo të bëj nesër, një rol në teatër apo një rol në film. Kam menduar kështu për arsyen se vetë prodhimi i filmit është i përmasave të tilla, megjithëse unë nuk kam të drejtë të ankohem në totalin e aktorëve të tjerë sepse dhe në harkun kohor të këtyre 17 viteve të fundit si mesatare xhirimesh mund të kem bërë gati 1 një film në vit dhe kjo mund të jetë mesatarja më e lartë e çdo aktori. Në karrierën time rezulton shifra gati 33 filma të xhiruar në harkun kohor të 25 viteve, pra unë nuk di se ç’bie prodhimi i brumit dramaturgjik të nesërm. Por për vjeshtën, për vitin tjetër, kam biseda me tjetër regjisor por gjithmonë i shpreh këto gjëra kur këto bëhen faktike dhe të ekzaktësuara me një producent dhe regjisor. Por ndjej që kam përpara dy punë filmike bashkëprodhime me të huajt në fund të vitit 2008 dhe në fillim të vitit 2009. Por këtu janë dhe shumë projekte teatrore që më afrohen dhe gjithmonë zgjedh atë rol që më hedh në një situatë tjetër si shpirtërore, si gjeografike të figurës, por dhe kohore. Unë mundohem që të zgjedh ndër disa role që vijnë në teatër. Zgjedh një dhe nuk jam kurrë me atë dëshirën që të bëj film pas filmi dhe teatër pas teatri sepse dhe volumi i tepërt kam bindjen se e lodh publikun. Prandaj unë e ndjej këtë gjë dhe këto muajt e fundit kam refuzuar dy-tre role në teatër, kam refuzuar që të jem prezent në role kryesore në shfaqjet premierë “Pamje nga ura” dhe “Franku V”, por fillova të punoj me veprën e Çehovit të madh “Danja Vanja”. Pra kjo është kënaqësia ime siç ishte Astrovi tek “Danja Vanja” i punuar me të mirënjohurin Unkovski dhe për të ndryshuar psikofizik profesional hidhem në film. Dhe pres për vjeshtën që të bëj diçka tjetër në film apo në teatër, por që të jetë sërish ndryshe nga këto dy role, si në Astrovin në teatër, si në Ilo Zoton në film. Kjo lloj strategjia personale aktoreske kam përshtypjen se bën që aktori të jetë gjithmonë i freskët dhe jo i bezdisshëm për publikun, por dhe për veten e tij sepse në momentin që do të monotonizosh vetveten në profesion kam përshtypjen që do të bësh dëmin e dyfishtë si tek vetja dhe tek publiku dhe kësaj unë mundohem që ti ruhem shumë. 

-Ju interpretoni dhe në dy filma të tjerë artistikë. Kur do të jetë premiera e tyre?

Brenda një muaji e gjysmë shfaqen dy filmat premierë ku unë kam role kryesore. Është filmi me regji të Artan Minarollit titullohet “Lutjet e dashurisë” ku unë interpretoj personazhin e Zenelit një njeri provincial, i thjeshtë dhe filmi është xhiruar në Berat dhe bën fjalë për një ngjarje provinciale. Filmi tjetër titullohet “Sekretet” me regji të Spartak Pecanit ku unë interpretoj rolin e doktorit. Pra vetëm në këtë periudhë kohe do të dalin dy filma premierë. Filmi me regji të Artan Minarollit është xhiruar rreth dy vite e gjysmë më parë, por për arsye të postproduksionit është zgjatur premiera. Filmi tjetër “Sekretet” është xhiruar rreth 10 muaj më parë dhe do të dali së shpejti për publikun.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora