E premte, 19.04.2024, 11:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Elvin Luku: Izraelitët dhe fisnikët (3)

E marte, 11.12.2012, 08:38 PM


IZRAELITËT DHE FISNIKËT

-Intervistë me gazetarin e njohur, Arshin Xhezo-

(Pjesa e tretë)

“Jeta ime tani do të jetë jeta e një dëshmitari, i cili beson, se ka detyrimin moral, që të përpiqet me tërë forcat për ta ndaluar armikun të shijojë edhe një fitore të fundme: atë që të fshehë krimet e tij nga kujtesa njerëzore..”.

Arshin Xhezo: “Bëje nderin dhe hidhe në det”. Fisnikët shqiptarë e kanë veshjen më të bukur këtë anonimat.

Pas çlirimit u larguan, por nuk di më shumë. Mbaj mend që, kur zbritën në qytet, bënë disa fotografi me ne. Por, kanë humbur. Kohë e gjatë...

-Gjithë kati i parë i shtëpisë së madhe të Halil Frashërit u vu në dispozicion të tri familjeve hebrenje të ardhura nga Kosova, por edhe të disa ilegalëve “të rëndësishëm” që strehoheshin bashkë me ta, si Hajdar Dushi e Alqi kondi, udhëheqës të Luftës.

Nuredini, burri i motrës sime “të pjesës”, atëherë, më i vogli i familjes, 7-8 vjeç, kujton, se me sa kujdes e trajtonin atë, një çift hebrenjsh. Më mbanin në dhomën e tyre, si “djalin e tyre”. Më vonë mora vesh se nuk lindnin fëmijë... Më bënë një fotografi, që e mbaj mend edhe si u bë. Më ulën në një karrige, më vunë një kofshë mishi derri në dorë dhe, duke qeshur, shkrehën aparatin. Ata nuk e hanin mishin e derrit. Peng e kam që nuk e ruajta dot atë fotografi...

-“Mikun dhe jabanxhiun i dërgon Zoti. Duhen nderuar si mekam”.

Adushi, gjithashtu, shoku im i klasës, është djali i Qani Civesë, bahçevanit. Më saktë, njëri nga djemtë. Megjithëse me një tufë fëmijë, strehoi e shpëtoi një tufë hebrenjsh nga nazistët: Josefi, e shoqja, fëmijët, dy djem binjakë, vajza, Sonja, Jakovi, Sarika me fëmijët... Erdhën dhe të tjerë më vonë.

Kur gjermani bombardoi Beratin, ata u trembën, po edhe ne na hyri meraku. Shpejt! Tha babai. –Të nisemi në fshat, në Kamçisht. Në Kamçisht kishim dajën, Muharrem Metkën. “Po ne?! Do të na merrni? Ç’është ajo fjalë?!- u tha babai. Ne dhe ju, një shtëpi jemi. Po na vranë ne, do të vriteni dhe ju...” Në Kamçisht “nuk na zuri dot vdekja”. .. Ikën pastaj, pas Çlirimit. Se ku! Qofshin mirë atje ku janë. Ne nuk morëm vesh gjë. Ashtu ishte koha...

Miq “të dërguar nga Zoti” kishte edhe tek Lilo Xhimitiku, fotografi, në Goricë; Hysen Nallbani, përballë portës sonë, Sulo Muzhaka, që na jepte me qera dhe na rregullonte biçikletat, Dhoksi Sfeci, në Mangalem, Mihallaq Cania në Kala, Xhevat Gjergjani apo Abdulla Shkodrani (Zaganjori) që e ndante një mur me shtëpinë tonë, Taq Simsia në Goricë...

Të gjitha këto familje, bashkë me bujtësit e tyre që “i ndiqte gjermani”, por edhe me kujtimet e reliket e tyre, poeti Simon Vrusho i mblodhi me kujdes dhe i “strehoi” në një “shtëpi të përbashkët” në librin e tij të bukur “Hebrenjtë e Beratit”.

Kujtimet e tyre, sikurse edhe reliket, dhurata të hebrenjve, për shkak të “burgut” të gjatë, ose janë gërryer ca nga pluhuri, si kutia jonë me yllin e Davidit, ose kanë fletë të munguara (në mos të grabitura) si “Meshari” i Gjon Buzukut.

Megjithatë, po ta vazhdoj ende metaforën me kutinë dhe “Mesharin”, këto copëza të mbetura kujtimesh, fotografish dhe detajesh, ashtu sikurse fragmentet e mbetura nga pikturat e Mikelanxhelos, janë të mjaftueshme për të treguar vërtetësinë, origjinalitetin, dhe humanizmin e njeriut.

Madje, pikërisht, dëmtimet dhe “plagët” e dëshmojnë më fort sakrificën dhe frymën njerëzore, dhe po aq, edhe absurditetin e burgut dhe gardianëve.

Gjithësesi, do të ishte padrejtësi, që, për burgosjen gjysmë - shekullore të kujtimeve, t’ua hidhje fajin vetëm nazistëve dhe diktaturës.

Prindërit, dhe gjithë bashkatdhetarët tanë, që strehuan dhe shpëtuan hebrenjtë nga holokausti nazist kanë fisnikërinë e gurëve të themelit, të cilët, kur shtëpia ka përfunduar së ndërtuari dhe, tanimë, banorët sjellin mobiljet e hyjnë brenda që të gëzojnë, ata, gurët e themelit, janë fshehur dhe do të qëndrojnë përjetësisht nën ndërtesë.

“Bëje nderin dhe hidhe në det!... Mos e zërë në gojë nderin dhe sakrificën për tjetrin; “mos e hap gojën”, ndryshe, “magjia” prishet, nderi zhbëhet. Fisnikëria, në këtë thelb qëndron. Këtë ndjesi ta përforcon edhe një legjendë e jona, sipas së cilës, një malësor i ri u ndëshkua me memecëri të përjetshme, sepse  shkeli besën e dhënë një Shtojzavalleje, një vajzë e bukur, se ai do ta mbante të fshehtë atë dhe dashurinë e saj.

Dhe, tani, më lejoni t’u them, se iu përgjigja pyetjes suaj për motivet që më shtynë të botoj atë artikull për hebrenjtë. Përgjigjia është në të gjitha këto detaje dhe episode konkrete, që zenë fill nga fëmijëria. Pra, më thjeshtë: vendosa që kutinë e kujtimeve me yllin e Davidit, për të cilën u grinda me motrën e vogël, ta hapja, por edhe ta nxirrja nga shtëpia.

Por, edhe “kutitë” e kujtimeve nga shtëpitë e lagjes sime e të qytetit. Eshtë një lloj “arkeologjie nënujore” e bukur, më duket...

Më drejtpërdrejtë, vetëm motive politike nuk kishte në to. A mund të mendohet, qoftë edhe për një çast, se ata hebrenj fatkeqë; fëmijë, pleq, gra e burra, të përndjekur këmba-këmbës nga nazistët, të shndërroheshin në “kobure  të imperializmit amerikan”?!... A thua, prindërit e gjyshja ime, të lagjes, të qytetit dhe gjithë Shqipërisë, duke rrezikuar fëmijët dhe shtëpitë e tyre, po edhe unë bashkë me ta, duke u nxjerrë këtë “sekret”,- kryenim “aktivitet antikomunist”?!...

Apo, regjimi, me memecërinë dhe heshtjen pesëdhjetëvjeçare donte të “mbronte” zakonet shqiptare për të mos marrë vesh bota nderin dhe sakrificën e bërë?!

Politika, dihet, përdhos e përvetëson shumë gjëra, por të përpiqesh të përvehtësosh një pasuri shekullore, proverbiale, me të cilën ti nuk ke kurrfarë lidhjeje, sepse, thjesht, ajo i takon brezave, etnotipit të popullit tënd, do të thotë se kjo politikë, është krejt anormale, paranojake.

Kjo politikë gjymton individin, kujtimet e tij, miqësitë mijëravjeçare me një popull, dhe fyen shqiptarët.

Eshtë e njëjta paranojë që largoi dhe izoloi edhe ata mijra ushtarë italianë, të cilët, megjithëse dogjën e vranë, fisnikëria shqiptare ndau me ta strehën e bukën, pikërisht në kohën e pushtimit nazist, sikurse edhe me hebrenjtë. Njëri prej tyre, mjeku Franko Benanti, kohë më parë ka botuar një libër të jashtëzakonshëm me kujtimet e atyre viteve, të cilin, shtëpia botuese “Naimi” e botoi në shqip këto ditë.

Me brengën se “perdja e vjetër”, i ka penguar, në mos, t’i takonin dot miqtë shqiptarë “t’u shprehnin mirënjohjen dhe dashurinë”, së paku, “të lejonin ndonjë dhuratë të vogël apo ndonjë letër” për njerzillëk, shkruan: “Asnjë mundësi dialogu nuk ka me një botë larg nga ne, vetëm nëntëdhjetë kilometra. Ky moskuptim kryeneç, kjo heshtje, ky moskomunikim është një prej realiteteve më të trishtuara të kohës sonë”.

-Do të doja të bëja një parantezë: A kanë mbetur ende hebrenj në Shqipëri, kur dihet se pas viteve ’90-të, disa qindra u larguan për në Izrael?

-Pyetja juaj provokon mendimin mbi shqiptaro-hebrenjtë, mbi kontributin e tyre në historinë dhe kulturën shqiptare, por edhe sa ne vetë do të dimë që, të bëhen ura të reja të miqësisë në të ardhmen.

Historia dhe kontributi i shqiptaro-hebrenjve, pra i atyre që kanë lindur e janë rritur në vendin tonë, për Shqipërinë e shqiptarët është, pothuajse, i pastudiuar, ndryshe nga, për shembull, historia e kësaj lidhjeje e miqësie në vitet e Luftës Antifashiste, e më herët.

Shqiptaro-hebrenjtë janë larguar pothuajse të gjithë, kryesisht, në Izrael, por ata kanë lënë këtu varret e gjyshërve, prindërve, sikurse dhe gjakun e jo më pak se tetë dëshmorëve të Luftës Antifashiste.

Ata kanë lënë këtu djersën, dijet, kontributin e tyre në kulturën dhe artin e këtij vendi; kujtimet, brengat, gëzimet, shokët, miqtë, fqinjët dhe dashuritë e tyre. Ndaj, edhe duhet t’u jemi mirënjohës dhe duhen nderuar, sikurse, edhe ata janë mirënjohës. Mjekë të talentuar dhe të përkushtuar si Doktor Kalmari, për shembull, do të mbeten përjetësisht në kujtesën e shqiptarëve. Di, që një familje shqiptare në një fshat të Lushnjës, e ka strehuar dhe shpëtuar atë nga nazistët në vitet e Luftës por, nuk di, që emri i tij t’i jetë venë, së paku, ndonjë spitali apo rruge.

Ndërkaq, personalisht, kam pasur fatin të njoh dhe të jem një ndër miqtë e përkthyesit dhe intelektualit të shquar Robert Shvarc, një emër i njohur dhe i dashur për ne shqiptarët.  Remarkun, Hajnen, Markesin, etj. i kemi në Shqipëri nga ky shqiptaro-hebre që e donte, e shkruante dhe e fliste aq bukur gjuhën tonë. Kemi punuar së bashku, për gati dhjetë vjet në shtëpinë botuese “8 Nëntori” (“Enciklopedike”, më vonë). Përkthyes i shkëlqyer, dhe njeri me karakter sovran. E ruaj me dashuri një dhuratë nga ai, librin “Gjermania, një përrallë  dimri”, të përkthyer prej tij. Por, edhe, poezinë e njohur të Kiplingut “Në mundsh”, të përkthyer,po prej tij.

E kujtoj si tani atë paradite të vitit 1990, kur hapi derën e zyrës sime. Ata që e kanë njohur nga afër, e dinë mirë, se Shvarci ishte nga ata njerëz që nuk dinte ta fshihte, por as nuk donte ta fshihte, as zemërimin, as gëzimin, as kënaqësinë, as krenarinë. Edhe atë ditë, bëri dy-tri hapa brenda zyrës, pa folur hiç, duke parë nga dritarja, jo nga unë. Pas pak, përsëri me vështrim nga dritarja (në fytyrë i lexohej qartë kënaqësia), më hodhi mbi tavolinë një kopje të sapopërkthyer të poezisë së Kiplingut, dhe, me gjestin që i shkonte vetëm atij, Lazgush Poradecit, Xhevahir Spahiut, dhe, nuk di kujt tjetër, tha:

-Lexoje, të marrësh vesh si përkthehet!...

Hebreu tjetër, më saktë, shqiptaro-hebreu, Zino Matothia, vjen nga familja shumë e njohur Matothia, ardhur në Shqipëri shumë herët, fillimisht, në Vlorë (në fshatin Tërbaç të Vlorës ruhet ende varri i stërgjyshit të tij), dhe pastaj, në qytetin e Beratit, ku edhe e kam njohur. Aktualisht, jeton në Izrael.

Kirurg i talentuar, i guximshëm, dhe i kujdesshëm. I përket asaj plejade mjekësh që punuan bashkë në qytet, si Ymer Dishnica, Maksut Dërasa, Lluka Muço, apo Pandeli Çina, Mario Kona, Afrim Çeço, Luan Greva, etj., për të cilët, banorët thonë: “Si ata, nuk vijnë më”.

Njeri vital, dinamik dhe tepër i shoqërueshëm, doktor Zino, mjekoi dhe bëri mik një qytet të tërë, por edhe qyteti e deshi dhe e nderoi me titullin “Qytetar nderi”.

Mallin dhe mirënjohjen e tij, ky njeri e ka marrë me vete në Izrael, ku jeton.

“Jam shqiptar,-thotë - se këtu kam lindur, kam punuar, jam martuar, jam bërë me fëmijë; kam marrë gjuhën dhe zakonet e shqiptare; jam hebre, se është origjina ime, ndihem hebre dhe respektoj kombin tim dhe Izraelin”.

Në vitin 1999, kur Millosheviçi, dëbonte dhe masakronte shqiptarët e Kosovës, Doktor Zino Matothia, u ngrit nga Izraeli, shkoi në kampin e refugjatëve në Maqedoni, atje hapi një çadër (sepse në Kosovë, dihet, nuk mund të hyhej), dhe u bë mjek dhe infermier i luftëtarëve të Kosovës.

Herën e fundit, para nja dy vitesh, Doktor Zinon e takova në Hotel “Tirana-Internacional”, në një kokteil që, ambasada izraelite në Shqipëri organizonte për kremtimin e Ditës së Kujtesës, Shoah.

Cilido prej nesh, mendoj, duhet, t’u jetë mirënjohës shqiptaro-hebrenjve tanë dhe t’i përgjgjet detyrimit qytetar, siç bëjnë edhe ata.

Për shembull, ma merr mendja, që Shoqata e miqësisë Shqipëri-Izrael, përveçse e obliguar, mund të ndihet, edhe e privilegjuar, sepse kapitali i saj historik, kulturor, moral, politik etj., është më i madh, besoj, se, për shembull, ai i shoqatave të miqësisë shqiptaro-nepaleze, shqiptaro-kubane, etj., që, gjithashtu, janë të rregjistruara në gjykatë...

Me hebrenjtë, shqiptarët i bashkon një fqinjërim po aq i gjatë, sa edhe me grekët, mbi dymijëvjeçar, që para Krishtit. Por, ndërsa me hebrenjtë na lidh një miqësi sakrificash dhe besnikërie, grekët vazhdojnë të pretendojnë ta shtyjnë “gardhin” e tyre, edhe nga toka, edhe nga deti.

Ka varreza e memoriale të ushtarëve anglezë, gjermanë etj. në Shqipëri. Grekët, “të privilegjuar”, kanë tri palë varreza, madje, edhe me eshtra shqiptarësh të rrëmbyer nga varreza fshati.

Së paku, tetë dëshmorëve hebrenj, të luftës Antifashiste, u takon një varrezë a memorial nderimi. Nderi shpërblehet me nder, fisnikëria me fisnikëri.

-Do të vazhdoni ende “arkelogjinë nënujore”, siç i quajtët, për të gjetur fisnikë të tjerë “në fund të detit”?

-Në prill të këtij viti (2012) bota mësoi lajmin e kapjes dhe të arrestimit, në qytetin Kasa të Hungarisë, të ish-oficerit nazist Laslo Csatary.

Nëntëdhjeteshtatëvjeçari, i akuzuar për krime kundër njerëzimit dhe dënuar me vdekje në mungesë për vrasjen e 15.7000 hebrenjve në kampin e përqendrimit në Aushvic, u dënua në Çekosllovakinë e vitit 1948. Por, ai arriti të arratisej dhe të fshihej në Montreal të Kanadasë, si qytetar jugosllav që tregtonte vepra arti. Aty, më pas, mori pasaportë kanadeze dhe jetoi gjersa u kap në Hungari në vitin 2012 nga “Simon Wiesental”, një Qendër në Amerikë, për zbulimin dhe kapjen e kriminelëve të luftës. Një detaj shumë domethënës: kjo qendër, e dalluar për kapjen e kriminelëve, ka marrë emrin e një oficeri policie, një hebreo-amerikani, të mbijetuar nga një kamp nazist përqendrimi.

Fillimisht, e kisha disi të turbullt motivin e kënaqësisë, që më dha lajmi, vërtetë i bukur, i kapjes së nazistit 97-vjeçar. Me sa duket, njoftime të tilla të herëpashershme gjatë këtyre 70 viteve, për shumëkënd, tingëllojnë si “rutinorë”.

Nuk ishte kënaqësia cinike e hakmarrjes, e përfytyruar rëndom, se si do t’i vuante apo nuk do t’i vuante ditët a vitet e mbetura në qeli krimineli plak.

Ndjesia e gëzimit të brendshëm dhe kënaqësia, me ç’konstatova, vinte, se kultura e ndëshkimit në botë, funksiononte; pa u ndjerë, por normalisht.

Pavarësisht, se për shumëkënd prej nesh, këto lajme tingëllojnë “të rëndomtë” e “të pabujshëm”, ato, në të vërtëtë, janë sihariqe. Ti harron, ti “fle”, por ai, mekanizmi i madh dhe i bukur i drejtësisë punon rregullisht.

Duket paradoksale, por mendoj, se zbulimi, kapja e vrasësve dhe ndëshkimi i tyre, pas 60, 70 apo 100 vjetësh e bëjnë akoma më të besueshme mekanizmin e drejtësisë: “Vonon, por nuk harron”.

Këto fjalë mund t’i thotë kushdo, por atij, që krimin dhe poshtërimin e ka provuar në kurrizin e vet, i dalin nga shpirti, jo nga goja.

Ju, me siguri, e njihni shkrimtarin nobelist hebre, Eli Vizel. Libri i tij “Natë”, me të cilin mori “Nobelin”, tronditi ndërgjegjen e gjithë botës, jo vetëm letrare. Si njëri prej të mbijetuarve të kampit të përqendrimit në  Buhenvald, në këtë libër të jashtëzakonshëm, ai dëshmon për të me një realizëm të frikshëm.

-“Pse e shkrova këtë libër”?-pyet dëshmitari dhe denoncuesi i madh veten, por, duket, se edhe tërë botën.

“Më kujtohet fort mirë ajo natë, më e llahtarshmja e jetës sime: “Elizer , o biri im!... Dua të të them diçka... Vetëm ty... Eja, eja, mos më lerë vetëm... Elizer!... Ia dëgjova mirë zërin tim eti dhe e rroka kuptimin e fjalëve të tij, dhe përmasën tragjike të çastit, por, megjithatë, nuk lëviza vendit. Kishte qenë dëshira e tij e fundit për të më patur pranë gjatë agonisë së tij, në çastin, kur shpirti po i shkëputej nga trupi i bërë copë, dhe, prapëseprapë, nuk ia plotësova dëshirën. Kisha frikë... Kurrë nuk do t’ia fal vetes atë gjë...!”.

“Burrat e Gestapos i hidhnin foshnjat përpjetë në ajër, si të ishin kukulla lecke, dhe i përdornin si tabela qitjeje me automatikët e tyre. Kjo gjëmë ndodhi në pyllin galician, pranë Kalamajit”...

“Oficerja naziste Liza Koh i kishte pasion abazhurët me lëkurët e hebrenjve”...

“Tabi, rrobaqepësi, u lutej nazistëve që ta vrisnin, përpara se të qëllonin mbi djemtë e tij...”

“Pas meje, veshi më kapi, po të njëjtin burrë që vazhdonte të pyeste: -Pash Zotin, ku gjendet Zoti tani? Brenda meje, nga thellësia e shpirtit, një zë iu përgjigj:

-Ku gjendet Ai tani? Ja ku është- i varur te ky trikëmbësh...”.

Jehuda Amichai, hebre, është një nga poetët më të mëdhenj të botës; i përkthyer në disa dhjetra gjuhë. Poeti dhe përkthyesi Aqif Hysa më dhuroi disa poezi të Amichait, të përkthyera prej tij së fundi. Në njërën nga poezitë e tij, poeti hebre, shkruan:

..................................................................

“Pas Aushvicit nuk ka më teologji;

Nga oxhakët e Vatikanit tym i bardhë ngrihet,

Shenjë që kardinalët kanë zgjedhur papën.

Nga fushat e Aushvicit ngrihet tym i zi,

Shenja, që zotat nuk kanë vendosur ende të zgjedhin,

Popullin e zgjedhur.

Pas Aushvicit nuk ka më teologji,

Shifrat në parakrahët e të burgosurve janë numrat e telefonit të Zotit,

E tani, një nga një, nuk janë më të lidhur.

Pas Aushvicit nuk ka një teologji të re;

Hebrenjtë e vdekur në Shoah,

Tani i ngjajnë zotit të tyre,

Që nuk ka as pamje, as trup”.

(“Kur burri hyn tek gruja”.)

“Pse e shkrova këtë libër?” - pyet përsëri shkrimtari Eli Vizel. –Duhej të dëshmoja... Jeta ime tani do të jetë jeta e një dëshmitari, i cili beson, se ka detyrimin moral, që të përpiqet me tërë forcat për ta ndaluar armikun të shijojë edhe një fitore të fundme: atë që të fshehë krimet e tij nga kujtesa njerëzore”...

“Rrno, për me tregue”, e titullon librin e tij të jashtëzakonshëm At Zef Pllumi, për të vazhduar me librat “Shënime nga shkolla e partisë”, të Daut Gumenit, “Ridënimi” të Fatos Lubonjës, “Ferri i çarë”, i Visar Zhitit, apo të tjerë.

Shkrimtari hebre, sikurse ata shqiptarë, duket sikur perifrazojnë njeri-tjetrin. Pavarësisht, se njëri dëshmon krimet e nazizmit, tjetri, ata të diktaturës komuniste në Shqipëri, në thelb, në të dyja rastet marrin përsipër misionin e madh: dëshmitarë të krimit.

Këta dëshmitarë të mëdhenj kanë diçka krejt të veçantë: rrëfimin tepër të vërtetë, kurajoz dhe krejt të sinqertë, si para Zotit.

Ata tronditin ndërgjegjen njerëzore, dhe, si të tillë, bëhen teste dhe prova karakteri për cilindo.

Dihet, tanimë, se edhe “Dosja” e para 70- vjetëve e nazizmit, sikurse, edhe “Dosja”, apo “Dosjet” e Diktaturës fliten e përfliten, por nuk hapen, pikërisht, sepse kanë rezitencën e të implikuarve në krim, të cilët, me ç’duket, jetojnë me shpresën e 97-vjeçarit nazist, Laslo Csatary: “Do të lodhen; do të më harrojnë”.

“Pse e shkrova këtë libër?”,-pyet përsëri shkrimtari Eli Vizel.

“Sot ka antisemitë në Gjermani, Francë, madje, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët i tregojnë botës se “përralla” e gjashtë milionë hebrenjve të vrarë nuk është gjë tjetër, veçse një trillim, dhe shumë vetë, nga që nuk e dinë punën mirë, mund t’u zenë besë, në mos sot, nesër, apo pasnesër. Ata që nuk bënë zë dje, do të qëndrojnë të heshtur edhe sot” (E.Vizel. Po aty. Fq.12-13).

Shkrimtari hebre mund të kishte shtuar edhe Ahmedinexhadin e Iranit, që e shpall antisemitizmin e tij me fjalët “Holokausti është thjesht një mit, por, edhe presidentin e Federatës së sebërve të Amerikës, C.K.Savich, i cili, antisemitizmin e tij e mbulon me një maskë jo fort të gjetur.

Për të argumentuar gjoja faktin se, edhe në Shqipëri ka pasur holokaust ndaj hebrenjve, -ai, me shifra të rreme dhe, sigurisht, pa burime, sajon një shifër prej 200 hebrenjsh të viktimizuar prej shqiptarëve. Këtë shifër e shumëzon disa herë, dhe shkruan se, ndër 12 hebrenj të Shqipërisë, 10 iu dorëzuan nazistëve dhe vdekjes. Pse e bën këtë ky zotëri? Së pari, për të zbehur e fshehur viktimizimin e 60 mijë hebrenjve në Sërbi. Dhe, me sa duket, skema “Edhe ne vramë, por edhe ju i vratë; njëlloj jemi”, është efektive, “në mos sot, nesër apo pasnesër”.

Nuk ka kurrfarë krijimtarie; është e njëjta skemë që vazhdon të aplikohet sot e gjithëherët nga serbët, të cilët, për të fshehur “holokaustin” e tyre ndaj kosovarëve, krjojnë “shtëpinë e verdhë” në Mat apo “shtëpi blu” në ndonjë vend tjetër, gjoja, të krimeve të UÇK-së ndaj serbëve: “Jemi njëlloj”.

Por, në këtë “lojë shahu” të krimit, varianti “Remi?” është vetëm pjesa e parë. Më pas, i vjen rradha skemës, ku krimineli bëhet viktimë dhe viktima kriminel.

“Simetria e fajit”, që aplikohet jo rrallë, nisur nga motive politike, nuk e zhduk, por e fsheh krimin, nuk stabilizon, por destabilizon. Vetëm ndëshkimi ligjor dhe kultura e ndëshkimit sjell drejtësi dhe ekuilibër.

Fisniku shqiptar, dëshmitari i gjallë i Holokaustit ndaj hebrenjve është një dëshmitar “sui generis”.

Në gjyqin e madh të shekullit të Holokaustit ndaj hebrenjve, Fisnikët shqiptarë rrinë tek një vend i veçantë i sallës së gjyqit, -një vend nderi ku shkruhet misioni i dyfishtë: “Si mund të dëshmohet, por dhe si mund të ndalet krimi”.

Ata “e kapën në flagrancë” dhe në “tentativë për vrasje” krimin dhe kriminelin, ua hoqën prenë nga duart, dhe, me kurajo qytetare shpëtuan qindra jetë njerëzish, duke rrezikuar t’i kthenin shtëpitë e tyre në krematoriume, si ato të Aushvicit dhe Buhenvaldit. Me sakrificën e tyre, shqiptarët treguan “si mund të mos bëhej Holokausti”; si Shqipëria mund të vizatohej me ngjyrë të bardhë, dhe jo të zezë në “hartën e Holokaustit”.

“Bota do të ishte më e mirë, sikur kudo të veprohej si në Shqipëri” - u tha në Konferencën e Stokholmit. “Bota do të kishte qenë një vend më i mirë, sikur të kishte ndjekur shembullin e Shqipërisë, sikur t’i kishin thënë “Jo!” nazizmit,-tha Christinë Romero, producentja e filmit “Besa, Premtimi”, gjatë një interviste ne Festivalin e Filmit shqiptar, i cili u mbyll pikërisht me këtë film të regjisores Rashel Gosling.

Shpesh kam menduar për gjestin inteligjent e kurajoz të qindra agjentëve e policëve të cilët, në aeroportet apo stacionet e Nju Jorkut, Londrës a Parisit, kapin “në flagrancë”, apo “në tentativë për vrasje masive”  terroristë të Al Kaedës, etj. Sakrifica e tyre ka shmangur masakra të përgjakshme dhe ka shpëtuar jetë njerëzish krejt të pafajshëm. Eshtë tepër emocionuese të shohësh ato kronika televizive ku, të shpëtuarit, fëmijë, pleq, gra, burra, ende pa dalë mirë nga ankthi dhe hutimi, me lot gëzimi në sy, u sulen shpëtimtarëve të tyre agjentë e policë, t’i përqafojnë dhe falenderojnë.

Ndërkaq, të nesërmen, përmes TV-ve, apo gazetave të ditës, bota mëson përmendësh, emrat e saktë të terroristëve, foto, shumë foto të tyre dhe të grave të tyre; detaje intime të të dashurave të tyre, vendet e plazhet ku bënin pushimet përrallore, preferencat në veshje, në kuzhinë, etj. etj. Por, emrat e fotot e atyre agjentëve e policëve që ti ke aq shumë dëshirë t’i shohësh e t’i njohësh, nuk i gjen; ata mbeten anonimë. (Pak a shumë, siç ndodh edhe tek ne, që njohim aq në detaje “të fortët” e Lushnjës, Durrësit, etj., por jo policët,ata që kanë sakrifikuar për t’i çuar në qeli e në sallën e gjyqit kriminelët).

Fisnikët shqiptarë, ato që ua hoqën nga thonjtë nazistëve qindra e mijra hebrenj, dhe u shpëtuan jetën, kur tani përmes takimeve, shkrimeve, librave e filmave marrin përshëndetjet dhe mirënjohjen e të shpëtuarve, të kujtojnë, pikërisht, ato skena përqafimesh në stacionet apo aeroportet e botës. Por, të kujtojnë, gjithashtu, edhe anonimatin e shpëtimtarëve, në të cilin ata ndihen mirë.

“Bëje nderin dhe hidhe në det”. Fisnikët shqiptarë e kanë veshjen më të bukur këtë anonimat.

-E, megjithatë, ju treguat....

-Nëse do ta pretendoja vetë “tapinë” dhe dekoratën e shpëtimtarit dhe Fisnikut, po!...

Ndërkaq, ju thashë, që në fillim, që ne, pasardhësit duhet të bëjmë pjesën tonë.

A mund të mendohet, se duhen lënë në fund të “detit” apo “lumit”, pra, në anonimat dhe në harresë dëshmitarët e krimit nazist, pikërisht, ata që kapën “në flagrancë”, dhe “në tentativë” për vrasje krimin dhe kriminelin?

Ky, mendoj, do të ishte konceptim naiv e folklorik i virtyteve të “besës”, “nderit”, “mikut” etj.

Pikërisht, heshtja, memecëria, zhdukja e dëshmitarëve dhe e provës është ëndrra e çdo krimineli.

Ndërkaq, kjo lloj “bese” kanunore ndaj të parëve, do të ishte fyerje për Fisnikët shqiptarë madje zhbërje e sakrificës së tyre.

Manipulimi dhe përndezja e turmave përmes mitit të “racës së zgjedhur” ishte arma kryesore e Hitlerit. “Mit”, vazhdon ta quajë Ahmedinexhadi i Iranit Holokaustin ndaj hebrenjve dhe, me një lehtësi të frikshme thotë se “Izraeli duhet të zhduket nga harta e botës”. Dhe, të mendosh: vetëm në muzeun Yad Vashem të Holokaustit në Jeruzalem ruhen 125 milionë faqe dokumentesh, 420 mijë foto dhe mbi 110 mijë dëshmi audio, video dhe të shkruara nga të mbijetuarit.

Edhe në shtypin tonë janë shfaqur zëra, që, gjithashtu, Holokaustin ndaj hebrenjve e  quajnë mit.

-A nuk duket disi e çuditshme, kur, tanimë, ka miliona dokumente, përveç të mbijetuar nga Holokausti, pra, që e kanë jetuar vetë tmerrin dhe janë ende gjallë? Atëherë, cilat mendoni, se janë motivet që i shtyjnë ta quajnë mit?

-Nuk do të gjeja një përgjigje më inteligjente dhe më të saktë, se sa ajo, që Prof. Aurel Plasari i ka dhënë një pyetjeje, krejt të ngjashme me tuajën, në një intervistë të tijën, në të përditshmen “Shekulli”: “Parimisht, sot në Europë, thuhet, se ata që rreken të mohojnë Holokaustin kanë dëshirën e fshehtë që ai të përsëritet. Po kështu, mund të themi me këmbëngulje, se ata që rreken të mohojnë masakra si ajo e 4 Shkurtit të vitit 1944, mund të kenë dëshirën e fshehtë që masakra të ngjashme të përsëriten. Në raste të tilla do të ishte e udhës të mos llogarisin vetëm rrezikun për “të tjerët”, por edhe për vete, sepse historia i ka dhënë tanimë, edhe shoqërisë shqiptare mjaftueshëm mësime të hidhura” (“Shekulli”, 14 gusht, 2012).

Për fat të keq, edhe fqinjët tanë grekë e serbë historinë e kthejnë në mit dhe mitin në histori, kur vazhdojnë ende me ëndrrën e “Megaliidesë” apo “Serbisë së madhe” dhe “Kosova është Serbi”.

Provat e krimit duhen ruajtur dhe dëshmitarët nuk duhen lënë në anonimat edhe, sepse:

-Genocidi serb në Kosovë është i vitit 1999 dhe varret janë ende të freskët.

-Nënat, gratë e fëmijët e gati 1800 kosovarëve të zhdukur nga serbët, vazhdojnë të dalin në protesta me fotot e të afërmve të tyre në duar...

-Naziskinët në Gjermani, Francë etj., gjithashtu, kërkojnë shuarjen e kujtesës dhe “Holokaust” të rinj.

-Al Kaeda, Asadi etj., vrasin e masakrojnë njerëz të pafajshëm dhe përsëri viktimën e bëjnë vrasës dhe vrasësin viktimë.

Kapja dhe ndëshkimi pas 70 vjetësh i 97 vjeçarit nazist, është lajm i gëzueshëm, jo thjesht për të plotësuar e saktësuar arkivën e historisë, por e theksoj, se t’i ndien që mekanizmi i madh i drejtësisë punon normalisht.

Drejtësia dhe kultura e ndëshkimit të krimit janë gjëra serioze.

Popujt janë si individët. Pritja e gjatë për drejtësi mund ta nervozojë viktimën, ta egërsojë, ta bëjë të humbasë durimin, madje, edhe shpresën e besimin tek e drejta. Sepse, siç dihet, e drejta nuk është  e dhënë njëherë e përgjithmonë, nuk është e palëvizshme; ajo zhvendoset, “transferohet”, nga ti, tek tjetri. Dhe, atëherë, mbetet pyetja: “Po me urrejtjen, ç’të bëjmë?”

Një tjetër poezi e Jehuda Amichait, titullohet: “NJE BARI ARAB PO KERKON DHINE E TIJ NE MALIN SION”:

...“Një bari arab po kërkon dhinë e tij në malin Sion,

Mbi kodrën përballë unë kërkoj fëmijën tim,

Një bari arab dhe një baba hebre,

Qoftë dhe si një gabim i përkohshëm,

Zërat e të dyve  bashkohen atje,

Sipër Pishinës së Sulltanit, në luginën përtej.

Asnjeri nuk dëshiron që fëmija apo dhia,

Të mbesë në kurthin e rrotave,

Të makinës “Had Gadya”,

Më pas i kemi gjetur mes shkurreve,

Dhe zërat tanë kthehen brenda nesh.

E qeshura dhe e qara,

Kërkimi i një dhie e një fëmije gjithnjë kanë qenë,

Fillimi i një feje të re në këto male”



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora