Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Oscar 2007

| E premte, 02.03.2007, 12:36 AM |


Çmimet "Oskar" për 2006, triumfon filmi "The departed"
 
Helen Mirren dhe Forest Whitaker zgjidhen aktorët më të mirë

“Oscar”, triumfon Martin Scorsese

Martin Scorsese, Francis Ford Coppola, George Lucas, Steven Spielberg

Njëzet e gjashtë vite pas nominimit të tij të parë për një çmim “Oscar” me filmin “Demi i tërbuar”, Martin Scorsese ka triumfuar ditën e diel në ceremoninë e ndajres së çmimeve më të rëndësishme kinematografike. Ai ka marrë çmimin e madh si regjisori më i mirë dhe filmi i tij me temë mafioze “The Departed” ka fituar gjithashtu si filmi më i mirë.

“A mund ta kontrolloni dhe njëherë emrin në zarf?”, ka thënë Scorsese pasi është lexuar emri i tij si fitues. Surprizat nuk kanë pasur të mbaruar në ceremoninë më të madhe të vitit në historinë kinematografike. Fitore të pritura dhe fitore të papritura shoqëruar me zhgënjimet e zakonshme të një gare.

Çmimet
“Jam shumë i prekur. Shumë njerëz më kanë uruar këto vite që të marr një çmime të tillë”, është shprehur regjisori Scorsese. Çmimin si aktori më i mirë e ka marrë Forest Whitaker për performancën e tij si dinaku, i egri e joshësi Idi Amin në “Mbreti i fundit i Skocisë”. “Ky çmim do të thotë për mua që është e mundur që një fëmijë nga Teksasi lindor, i rritur në jug të Los Anxhelos, i cili beson në ëndrra, të mund t’i prekë ato”, është shprehur aktori i emocionuar. Britanikja, Helen Mirren ka fituar çmimin si aktorja më e mirë për performancën e saj si monarke tradicionale në botën moderne në filmin “Mbretëresha. “Për 50 vite apo më shumë, Elizabeth Windsor ka mbajtur dinjitetin e saj, sensin e saj të detyrës dhe modelin e flokëve”, është shprehur Mirren. “Unë përshëndes kurajën e saj dhe e falënderoj, pasi nëse nuk do të ishte për të, unë nuk do të isha këtu”, ka vazhduar më tej aktorja. Ish-kandidati për president, Al Gore ka mundur të fitojë një çmim “Oscar” për dokumentarin e tij “Një e vërtetë shqetësuese”, dokumentar ky që ka si temë kryesore ngrohjen globale. “Bashkëatdhetarë të mi amerikanë, njerëz nga mbarë bota, ne duhet të zgjidhim krizën klimatike”, u shpreh Gore gjatë marrjes së çmimit.

Paradë mode
Ndërkohë që vëmendja e fansave të filmit ishte e përqendruar në fituesit e humbësit brenda teatrit Kodak, shumë prej të pasionuarve pas modës kanë qenë më të interesuar për veshjet e yjeve të Hollivudit që kanë shkelur tapetin e kuq. Disa prej divave që kanë parakaluar me një stil që të tërhiqte vëmendjen kanë qenë, Nicole Kidman, Penelope Cruz, Helen Mirren, Jennifer Lopez, Cate Blanchet etj. Ndërsa, si stilisti fitimtar i mbrëmjes është cilësuar Gorgio Armani.

Lista e fituesve

Aktorja më e mirë
Helen Mirren
The Queen (Mbretëresha)

Aktori më i mirë
Forest Whitaker
The last king of Scotland (Mbreti i fundit i Skocisë)

Regjisori më i mirë
Martin Scorsese
The Departed (Të ikurit)
Filmi më i mirë
The Departed

Aktori më i mirë dytësor
Alan Arkin
Little Miss Sunshine
(Miss vogëlushja e artë)

Aktorja më e mirë dytësore
Jennifer Hudson
Dreamgirls
Filmi i huaj më i mirë
Lives of others
(Jetët e të tjerëve) - Gjermani

Skenari më i mirë i përshatur
William Monahan
The Departed

Skenari më i mirë origjinal
Michael Arndt
Little Miss Sunshine

Filmi më i mirë i animuar
Happy Feet

Kinematografia më e mirë
Pan’s Labyrinth

Miksimi më i mirë
Dreamgirls

Montazhi më i mirë
Letters From Iwo Jima
(Letra nga Iwo Jima)

Efektet më të mira vizuale
Piratet e Karaibeve


Çmim karriere për Ennio Morricone-n

Të gjithë janë ngritur në këmbë për Ennio Morricone-n në teatrin Kodak ku po zhvillohej ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscar”. Kompozitori, të cilin shtypi amerikan e ka pagëzuar me emrin “Moxarti i kolonave zanore” ka tërhequr çmimin “Oscar” të karrierës, moment në të cilin ai i është dorëzuar emocioneve. “Ia dedikoj gruas sime, Maria dhe shpresoj që ajo të më dojë aq sa e dua unë”, është shprehur Morricone mes lotësh. Ndërkohë në ekranin e madh të vendosur në skenë shfaqeshin imazhe të filmave më të rëndësishëm me muzikë të kompozitorit italian. Ndërsa notat e këtyre kolonave zanore mbushnin sallën 3400 personat e pranishëm në sallë janë ngritur në këmbë duke duartrokitur. Morricone ka falënderuar Akademinë për nderimin dhe duke folur në italisht është shprehur: “Duhet të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe regjisorët, të cilët më kanë besuar. Ky “Oscar” s’është për mua një pikë mbërritjeje, por një pikë fillimi për t’u përmirësuar në shërbim të kinemasë”.

Kuriozitete

¨ Tridhjetë sekonda publicitet në transmetimin e ceremonisë së çmimeve “Oscar”, kushtonin 1.7 milionë dollarë
¨ 40 milionë, është numri i teleshikuesve amerikanë që kanë ndjekur ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar”
¨ Jeshilja ka qenë ngjyra e preferuar për makinat. 30 makina jeshile me motorë elektrikë janë vënë në dispozicion të yjeve të Hollivudit nga grupi ambientalist amerikan, Globan Green USA”
¨ Delta Airlines ofroi dy udhëtime falas kudo ku kjo kompani kryen fluturime, për çdo fitues që do të mund të mbante fjalimin e radhës në 45 sekondat e caktuara.
¨ 200 milionë njerëz në gjithë botën kanë ndjekur ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar”
¨ Al Gore, i cili ka fituar për dokumentarin më të mirë është shprehur pas kuintave se nuk ka asnjë plan që të kandidojë më për post politik.

Tirana Observer