E premte, 19.04.2024, 07:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Saimira Konda: Vranari dhe promovimi i saj në Vlorë

E hene, 10.12.2012, 08:00 PM


Vilhelme Vranari Haxhiraj dhe promovimi i saj në Vlorë

Shqipëria nuk ka një zonjë të këtillë që i ka dhuruar lexuesit kaq shumë libra. Ajo është një rast unik, ndaj vlen pa kurrfarë droje ta quajmë "Shkrimtarja e Kombit".

Nga Saimira Konda

Edhepse ende e vogël pa Kosovën dhe Çamërinë, Shqipëria aktuale që duket sa një gisht dore në hartë, ka në gjirin e saj një krijuese të madhe dhe interesante, e cila meriton titullin “Mjeshtër i Madh”. E quaj veten të nderuar dhe privilegjuar që pasqyroj një takim letrar të bukur të një zonje të respektuar, e vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Nuk e teproj me entuziazmin tim, nëse them se referuesit dhe moderatori u pritën me duartrokitje nga të pranishmit. Përse është fjala? Fjala është për faktin se para disa ditësh (7/12/2012), në sallën e Konferencave të Universitetit "Ismail Qemali", me nismën e zt. Bujar Leskaj (ish Ministër i Kulturës), dhe nën drejtimin organizativ të Rektorit të këtij tempulli të diturisë (Prof. Dr. Albert Qarri), u promovuan tre libra të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, ku u prezantuan 4 botime të vitit 2012. Theksoj 4 botime, pasi romani "Rikthim i Ismail Qemalit" është botuar dy herë. Botimi i parë u bë nga Sh. Botuese "LULU" (USA), nën përkujdesjen e Dr. Fatmir Terziut (Londër). Kurse ribotimi u bë nga Sh. Botuese "Nacional". Moderator i takimit ishte zt. Fitim Haxhiraj. Librat që u analizuan dhe u bënë të njohur për të pranishmit janë:
1- "Rikthim i Ismail Qemalit" - roman
2-"Çmimi i Dualizmit" - novelë 
3- "Bashkë në dashuri dhe atdhetari" (studim kushtuar prindërve të Baki Ymerit nga Bukureshti).
    Ky takim,përndryshe nga promovimet e tjera të shkrimteres Haxhiraj,  kishte një vlerë të veçantë pasi u bë në prani të më se 300 studentëve. Morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Zv/ministri Abaz Hado, ish ministri i Kulturës, zt. Bujar Leskaj (Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, me përfaqësues të të Qarkut të Vlorës, sekretari i Qarkut Vlorë, zt. Ridvan Mersimi, Drejtori i Drejtorisë Arsimore Vlorë, zt. Ermal Xhelili, përfaqësues të  shoqatave, "Ismail Qemali", "Ali Asllani", "Dukati", "Labëria", "Kanina", "Shoqata e të persekutuarve", shkrimtarë dhe lexues të autores. Moderatori Fitim Haxhiraj, pasi falënderoi autoritetet*, studentët dhe pjesëmarrësit në këtë takim në Universitetin që mban emrin e Plakut të pavdekshëm të Vlorës dhe burrit të shquar të kombit, themeluesit të Pavarësisë dhe shtetit të parë shqiptar, citoi këto vargje të kënduara në Labëri: Moj Vlorë, moj strehë  xheneti,/ Doli e foli prefekti,/ Osmën Haxhi Muhameti:/ Të mblidhet gjithë mileti/ Se vjen Qemali nga deti.

Manifestimin e hapi Rektori i Universitetit, i cili e quajti domosdoshmëri takimin e publikut dhe studentëve me një shkrimtare të tillë, e njohur edhe tejmatanë kufinjëve të shtetit tonë. Ai e quajti të rëndësishëm futjen e letërsisë bashkëkohore në institucionet e arsimit dhe Kulturës për një edukim dhe drejtim më ndryshe për studentët dhe brezin e ri. Më pas, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe (Mjeshtër i Madh), bëri analizën e romanit "Rikthim i Ismail Qemalit", duke nxjerrë në pah vlerat e tij, referat që do ta japim të plotë, fjalën e të cilit moderatori e përshëndeti me disa vargje krenarie pr të shoqen: "Zoti i madh që je lart./ Ma bëre dhuratë mua./ I lumtur që e kam shoqe/ I nderuar që e kam grua!" (Fitim Haxhiraj).
     Zt. Bedri Çoku, i ardhur enkas nga Tirana, foli për vlerat e Vilhelmes si shkrimtare, së cilës ia mohuan të gjitha të drejtat humane apo si një nga gratë e para që theu frikën e punoi në fushën sociale për demokracinë tonë të brishtë, për emancipimin e shoqërisë dhe veçanërisht për integrimin e gruas. Vilhelmja ka luftuar dhe vazhdon të luftojë përmes letërsisë dhe publicistikë për barazi gjinore si dhe zbutjen e problemeve sociale. Zt. Çoku theksoi se jo në 16 vjet por as në 68 vitet e pasluftës, Shqipëria nuk ka një zonjë të këtillë që i ka dhuruar lexuesit 32 libra, me mijëra faqe, gjë për të cilën e falënderoj. Si Vilhelmja nuk ka tjetër në Shqipëri, sepse është unikale, ndaj pa droje jam i lumtur që e quaj "Shkrimtarja e Kombit".

Nxënësja e shkollës së mesme "Orikum" Brixhid Çeloj, përshëndeti takimin me poezinë në hyrje të romanit, e cila përmes poezisë “E djeshmja”, me deklamimin e bukur, bëri gjithë auditorin të ngërthehej pas fjalëve të saj shprehëse: Iku, si ku kështu!/ Mbeti diku, në rrugët e drobitura,/ nën peshën e kohës./ La pas të qeshurat,/ gëzimin e dhembjen/ dhe zhgënjimin që lë mohimi.// Harroi përleshjet mes epokave./ Shpërfilli ngërdheshjet demoniane,/ hakërrima zagarësh, lajkat servile/ buzëqeshjet hipokrite/ me pluhurin e shekujve i mbuloi”. Dhe më tej: Ajo që/ iku dje,/ vazhdon të çapëlojë këmbëzbathur/ e përbaltur, e stërlodhur/ e cfilitur// Në shinat e jetës/ bashkëudhëton me të sotmen,/ rrugën e Nirvanës i tregon/ E sotmja, kapur për dore,/ të dyja i ngërthen/ dilemën që nesër pritet të vijë/ me gungaçen e zymtë që shkoi/ Buzëqeshjen dhe shpresën/ të bukurën e rilindur/ mes dallgëve zulmëmëdha të jetës/ në një pikëkohë/ e tashmja i bashkon!" (Vivra).                          
     Zt. Ahmet Demaj, mësues, Kryetar i Shoqatës "Labëria", autor i librit "Burimi që s'fal", para se të bënte analizën e novelës "Çmimi i Dualizmit", tha: "Zotin Fitim Haxhiraj e kam njohur si qytetar, si artist, koreograf e kërcimtar, apo aktor, kohët e fundit si menaxher i letërsisë së bashkëshortes, znj. Vilhelme, kurse sot po e njoh edhe si një moderator të shkëlqyer. Pas analizës së novelës, u shpreh duke pyetur: "Kjo novelë, këlthet ulërin: “O njerëz, çfarë jemi dhe ku po shkojmë?", dhe më pas vazhdoi: "Kjo ngjarje mos ndodhtë në Shqipëri...larg nga vendi im, larg nga qyteti a fshati im, larg nga lagjia ime dhe larg nga shtëpia ime!" Ndërsa Zt. Bajram Koshena duke shprehur mendimin për vlerat letrare të krijimtarisë së Vilhelme Vranarit, ku ai gjente veten, përshëndeti të pranishmirt me një poezi kushtuar autores:

Ish i burgosuri politik, Shaban Zhyheri, qytetari fisnik, Anëtar Nderi i Shoqatës "Ali ASllani", përmes fjalëve të tij si i moshuar, përcolli te studentët mesazhe etike mbi vlerat e një letërsie bashkëkohore, ku shkrimtarja i bënë radiografinë dhe autopsinë shoqërisë shqiptare, dje edhe sot. “Lexoni letërsinë e saj që të njihni të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët! Moderatori Haxhiraj e përshëndeti me vargjet: "Kështu lufton shqiptari/ për mëmëdheun e tija/ ndaj e gjithë bota thonë: Atje buron trimëria! Zv/ministri, Abaz Hado, përgëzoi takimin e mrekullueshëm, uroi për vlerat e kësaj shkrimtareje të famshme në gjirin treojeve shqiptare. E vlerësuar me çmime edhe jashtë vendit, në formë autoktritike pranoi mungesën e futjes së letërsisë moderne, veçanërisht të zonjës së nderuar Vranari për t'u studiuar nga nxënës dhe studentët tanë. E mori si detyrë për të ardhmen. Nxënësja e gjimnazit Orikum, Marsela Seferi uroi shkrimtaren dhe përshëndeti të pranishmit me poezinë Të falem, moj Vlorë. E ulur në gjunjë, ajo vajzë e re 16-17 vjeçe, iu fal qytetit "Nder i Kombit" mes duartrokitjesh për qytetin ëndërr.

Iniciuesi i takimit, biri i Vlorës Z. Bujar Leskaj i bëri një analizë prurjes letrare dhe cilësore të autores. Kujtoi promovimin e trilogjisë "Vështroni Meduzën"më 2005, kur ishte Ministër i Kulturës, e kam quajtur Zonjën Vranari "Musine Kokalari e Vlorës" kurse trilogjinë "Saga e Vranajve".Ajo që ka shumë vlerë është ballafaqimi që i bën autorja të vërtetës së hidhur. Nga romani ai udhëtoi bashkë me Ismail Qemalin nëpër vite duke pasqyruar vlerat e diplomatit të shquar, fisnikut të mençur që pas Skënderbeut themeloi shtetin e parë shqiptar. Si Skënderbeu për kohën e vet, edhe Ismail Bej Vlora kanë vlera të pallogaritshme dhe janë të papërsëristshëm. Vilhelmja na e solli të gjallë në këtë 100 vjetor., gjë që nuk e bëri asnjë tjetër: Ndaj kritiku i mirëfilltë Dr. Fatmir Terziu dhe Prof. dr. Eshref Ymeri e kanë quajtur "E munguara në letrat shqipe". Dhe më në fund, shkrimtarja Haxhiraj shprehu falënderimet për të pranishmit, iniciues dhe organizatorë, si dhe lumturinë e saj që ky promovim u bë mes studentëve, pasi para së gjithash ajo është mësuese.

___

* Rektorin e Universitetit, zt. Bujar Leskaj, Zv/ministrin Hado, Sekretarin e Qarkut, zt. Ridvan, drejtorin e arsimit zt. Xhelili.

 

 

TË FALEM TY MOJ VLORË!

 

Të falem moj Vlorë -

O qytet i Diellit,

ku kanë folenë Perënditë…

Adriatiku i kaltër…

të dhuroi mirësinë…

Joni blu i thellë…

me të tepërt të fali bujarinë…

Kodrat me agrume e ullinj…

dhuratë e vyer për begati.

Të pyes moj fatmadhe:

-a gjendet ndokund

një tjetër Parajsë,

Perlë margaritare...

si ti ?!

 

Ndaj Zoti…

me bujari të përkëdheli...

sepse të ka pasur ...

dhe përjetësisht të ka:

Të Përzgjedhurën e tij!

 

Unë...

bija jote të përgjërohem,

sot e përgjithënjë,

se kurrë nuk do të të ndërroj

me asnjë thesar të gjithësisë...

 

Të lutem,

më thuaj,

o qytet ëndërr...

a mund ta gjej vallë ...

tjetërkund...

si ti një tjetër mrekulli!

 

Vilhelme Vranari Haxhiraj (Vivra)

 

LULJA QË MBI MBI GUR

 

Në agun e qiellit arbëror

Kur nata ra...

mbi qiellin blu të vendit blu,

dhe maleve shkrepin vetëtima

Rrënjët ...

Ti fort i mbolle mbi gurë,

Atje...,

ku lindin vetëm trima.

Mbi kalanë e lashtë

të Kaninës Zonjë...

u rrite ...hodhe shtat,

detet e kaltër ta lanë ball

ti emrin e saj e ngrite lart.

S'të trembën vitet e përgjakur

fjala jote...

mes territ çeli si dritë

mirësi...

shpresë shpërndau anekënd,

edhe pse të keqen barbarët

mbillnin për çdo ditë,

Ti shpërfillëse

të ardhmen e brishtë po gdhend.

Lule je

në ballkonin mbi Vlorë,

fjala aromë mirësie

kë kundërmon në çdo vend

sikur Zoti...

të paska dërguar me dorë.

Si rreze drite, ngjyrë ergjënd

fjala jote

si ujëvarë që zbret nga mali

mendjekthjellët..

nën shkëlqimin diellor,

e shtrenjta jonë, Vilhelme Vranari,

je si rreze drite...

në agimet e qiellit arbëror!

 

Bajram Koshena



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora