E enjte, 28.03.2024, 04:27 PM (GMT)

Kulturë

Baki Jashari: Remzi Limani, “21 Shprehje artistike”

E hene, 10.12.2012, 06:24 PM


VESHTRIM RECENSUES I VEPRES MONOGRAFIKE NE LËMIN E ARTIT MUZIKOR

(Remzi Limani, “21 Shprehje artistike”, monografi, botim i shtëpisë botuese “Forumi i krijuesve të artit”, Prishtinë 2012)

Nga Prof. Baki Jashari

Libri monografik “Njëzet e një shprehje artistike” i Remzi Limanit trajton një sërë emrash të dalluar nga fushat e ndryshme të artit shqiptarë në përgjithësi duke përzgjedhur 5 emra të veçantë nga lëmi i artit muzikor, 3 interpretë instrumental dhe 2 vokalë. Ajo që e karakterizon trajtimin e këtyre artistëve muzikor nga shkrimtari dhe publicisti Remzi Limani, është parasegjithash gjuha shprehëse origjinale me të cilën ai i përshkruan dhe i  trajton veç e veç. Është kjo një gjuhë plot adhurim, plot respekt e përkulje nga artisti për artistët. Është gjuhë e begatë arti për artin, gjuhë e bukur proze e poezie që më së miri mishërohet pikërisht me gjuhën e tingujve të magjishëm të muzikës artistike. Edhe pse në fushën e muzikës artistike mbarëkombëtare mund të krenohemi me një numër të lakmueshëm artistësh të muzikës sonë, përzgjedhja e këtyre emrave nuk është e rastësishme, por mjaft  e logjikshme duke u përqëndruar pikërisht në artistët më të shquar të skenës interpretative parasegjithash kosovare, por edhe të një emri të shquar të muzikës vokale nga Shqipëria.

Përveç biografive të prezantuara në mënyrë korrekte, autori bën edhe vështrimin e punës të secilit artistë muzikor jo vetëm nga këndvështrimi i një shkrimtari, por edhe i një analisti të shkëlqyeshëm muzikor, i cili gjithnjë potencon admirimin e tij për punën dhe energjinë e pashtershme të këtyre artistëve të skenës muzikore.

Me një mprehtësi të veçantë dhe largpamësi të pafund, shquhen vlerat e pakontestueshme të  violinës sonë të parë dhe nderit tonë kombëtar, artistes së shquar - Sihana Badivuku-Hoxha,  e cila, duke hyrë thellë në botën e saj interpretative,  i përjeton jo vetëm lëvizjet e gishtërinjve dhe harkut në violinë, por edhe atyre të krihëve flutur, harkun e vetullave, rrahjen e qerpikëve dhe kafshimin e buzëve – pra, e tëra hyn në funksion përmes botës magjepse të tingujve muzikorë.

Në trajtimin e pianistes Lejla Haxhiu-Pula, me të drejtë shquhet dhuntia e saj artistike, paraqitjet e shumta skenike, qëndrueshmëria permanente në zhvillimin e muzikës artistike, si dhe puna e palodhshme 25-vjeçare pedagogjike në edukimin e brezit të ri në fushën e artit muzikor.Vlerësimi se ajo lëshon rreze drite duke futur në funksion talentin që del nga shpirti i saj engjëllor prej një artisteje të dalluar, me një kulturë fisnike, të kultivuar dhe të edukuar në frymën e botës së veçantë muzikale, duket shumë i qëlluar dhe meritor për pianisten tonë të mirënjohur.

Edhe për flautisten e mirënjohur - Venera Mehmetagaj-Kajtazi, autori, Limani flet për virtuozitetin e lojës së saj, ku  me dhjetë gishtërinjtë e artë e cepin e buzëve - qershi, pa vështirësi zotëron katërmbëdhjetë vrimat e flautit të saj… Është ky një vlerësim tejet i bukur poetik ashtu sikurse edhe tingujt e këtij instrumenti me tingull të dashur, sensibël, të lakmueshëm e të ndjeshëm.

Në vlerësimin e kësaj artisteje kosovare, bie në sy edhe trajtimi i metodës në instrumentin e flautit që kërkon punë serioze e sistematike, duke potencuar aftësitë e saja në zotërimin e interpretimit profesional që, padyshim, e renditin në një figurë të çmuar që begaton dhe fisnikëron kulturën tonë kombëtare në përgjithësi.

Përderisa te instrumentistët e tjerë të trajtuar, autori kujdesshëm shprehet për rolin e tyre si profesionistë duke njohur mirë botën e ndërlikuar të artit abstrakt muzikor, në vlerësimin e interpretëve vokalë – këngëtares Shpresa Gashi dhe tenoristit Kastriot Tusha, Remzi Limani përdorë një gjuhë shprehëse edhe më të lirshme, krejtësisht poetike dhe me admirim të veçantë për punën e këtyre dy artistëve meritorë të këngës shqipe dhe të asaj operistike.

Trajtimi i këngëtares së nderuar kosovare - Shpresa Gashi, është një pasqyrim i adhuruar ndaj zërit të saj që posedon një tonalitet të veçantë melodik me një dhunti që e karakterizon personalitetin e saj artistik. Po ashtu potencohet repertori i gjerë i saj si dhe interpretimi i pëlqyer dhe i këndshëm që të rrëmben me lurtim, të kënaq në shpirt duke e parë dhe duke e dëgjuar. Vlerësimi se Shpresa Gashi në vazhdimësi e ruan, e zhvillon dhe e pasuron trashëgiminë tonë artistike, duket i drejtë dhe i vendosur posaçërisht duke patur parasysh edhe traditën dhe prejardhjen e saj nga një familje e  vjetër qytetare, në të cilën është kultivuar dhe trashëguar dashuria për artin e këngës shqipe.

Vlerësimi për tenorin e mirënjohur dhe mjaft të popullarizuar Kastriot Tusha, është i rrumbullaksuar në kuptimin e nderimit dhe respektit të veçantë për një artist të çmuar me vlera të larta profesionale në fushën e interpretimit operisitik por edhe të këngës së mirëfilltë shqipe të zhanreve të ndryshme muzikore. Këtu, autori vë në pah rolin e këtij vokali të respektuar në pasurimin e skenës artistike në mbarë trojet shqiptare dhe më gjerë. Mbetet interesant dhe i arsyeshëm edhe vlerësimi se Kastriot Tusha, përveç muzikës operistike, duke e kultivuar edhe këngën argëtuese, atë lirike e serenatën, mban petkun e një artisti të dëshmuar shumëdimensional.

Së fundi, konsideroj se me përzgjedhjen e artistëve muzikorë e posaçërisht vlerësimin e veprimtarisë së tyre artistike, Remzi Limani ka bërë një punë të shkëlqyeshme në ndriçimin e personaliteteve të tyre nga një këndvështrim krejtësisht origjinal - krejtësisht ndryshe nga ato shkrimet të shumta e shpeshherë të thata dhe tejet analitike profesionale

të kritikëve profesionistë muzikorë ose shkencëtarëve muzikologë. Gjuha shprehëse e Remzi.Limanit është e kulluar, e pastër artistike, e bukur, tërheqëse dhe e afërt për lexuesin, shpeshherë mjaft poetike, por që e ndriçon në mënyrë krejtësisht të veçantë jetën dhe veprimtarinë e artistëve të zgjedhur nga fusha e artit muzikor shqiptarë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora