E enjte, 25.04.2024, 02:12 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Driton Gashi: Festojnë shqiptarët në Düsseldorf

E hene, 10.12.2012, 08:58 PM


"Të bashkuar do jemi patjetër në Bashkimin Europian!"

Komuniteti shqiptar dhe shkolla shqipe në Düsseldorf festuan 100 vjetorin e shtetit shqiptar

Nga Driton Gashi

Me emocionet e veçanta të himnit kombëtar si dhe këngës të ikonës së muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela "Moj e bukura Shqipëri", interpretuar për mrekulli nga nxënëset e Shkollës shqipe në Düsseldorf, filloi manifestimi jubilar me moton "100 vjet shtet - mijëra vjet traditë" për nder të njëqindvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Qyteti Düsseldorf në Gjermaninë Perëndimore posedon një traditë dyzetvjeçare lidhur me organizimin e komunitetit shqiptar. Edhe Shkolla Shqipe luan rolin e saj të pazëvendësueshëm për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës sonë si dhe shërben si një urë lidhëse mes atdheut dhe mërgimit. Mësuesi Rifat Hamiti dhe mësuesja Nexhmije Hamiti tash 23 vite janë ndër frymëzuesit kryesorë të organizimit së jetës kulturore dhe arsimore shqiptare në Düsseldorf e rrethinë, me përkrahjen me shumë përkushtim të prindërve të vyer, Qendrës Kulturore Shqiptare "Emin Duraku" dhe Klubit Futbollistik "Kosova" në Düsseldorf.

I ftuari kryesor në këtë manifestim ishte i madhi Adem Demaçi, por për shkak të një sëmundjeje të papritur ardhja e tij nga Kosova u pamundësua. Ai komunitetit shqiptar në Düsseldorf i uroi Festën e madhe të Pavarësisë nëpërmes një telegrami. Edhe të ftuarit e tjerë, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu dhe aktivisti i çështjes kombëtare, Ibrahim Kelmendi, kishin dërguar telegramet e tyre uruese në pamundësi pjesëmarrjeje.

Mysafir nga Kosova ishte ministri i arsimit, shkencës dhe teknologjisë i Republikës së Kosovës, zoti Ramë Buja. Ai në fjalën e tij përshëdetëse potencoi rolin e mërgatës shqiptare në realizimin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë 100 vjet më parë, por edhe në luftën e madhe për lindjen e shtetit të ri të Kosovës para katër viteve. Ministri Buja theksoi mes të tjerash edhe bashkëpunimin gjithnjë e më të madh në fushën e arsimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, si p.sh. botimin e Abetarës së përbashkët kombëtare si dhe planet për projekte tjera të këtij lloji. "Kufiri mes dy shteteve shqiptare po bëhet gjithnjë e më i panevojshëm, të bashkuar do jemi patjetër në Bashkimin Europian" - përfundoi fjalën e tij ministri Ramë Buja. Nga Shqipëria i ftuar ishte Dr. Enver Bytyçi, historian dhe drejtor i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore në Tiranë. Ai në kumtesën e tij historike "100 vjet shtet" vuri në pah të arriturat dhe zhvillimet pozitive në Shqipëri 100 vitet e fundit. Përkundër luftërave të shumta, varfërisë së skajshme gjatë diktaturës komuniste si dhe izolimit për pesë decenie të tëra, shqiptarët kurrë nuk e humbën besimin dhe shpresën për një të ardhme më të mirë. 100 vjet shtet, kjo do të thotë se duhet të ballafaqohemi edhe me gabimet që janë bërë, për të mësuar nga to dhe për t'i evituar në të ardhmen. Shqipëria është tani anëtare në NATO si dhe së shpejti do të bëhet edhe kandidate për hyrje në Bashkimin Europian. "Rruga jonë drejt Europës do jetë sfidë e madhe, por falë përkrahjes nga SHBA, Gjermania, Britania e Madhe e të shteteve tjera mike si dhe angazhimit tonë, do t'ja dalim patjeter"- motivoi publikun në Düsseldorf  Dr. Enver Bytyçi në fund të kumtesës së tij.

Programi artistik për nder të këtij përvjetori të madh ju besua një ansambli klasik ndërkombëtar nga qyteti Darmstadt, nën udheheqje të kompozitorit dhe dirigjentit nga Prishtina, Kushtrim Gashi. Ai kishte orkestruar vepra të kompozitorëve shqiptarë, si "Margjelo" nga Prenk Jakova, "Kur më vjen burri nga stani" nga Dhimitër Kovaçi për sopranon Delina Hajra-Gashi, "Valle shqiptare" nga Thoma Simaku për harkorë, flautë dhe klarinetë si dhe këngën shkodrane "Dashnor t'u bana" për piano dhe këngëtaren e mirënjohur kosovare, mezosopranisten Lindita Hakaj. Koncerti klasik u mirëprit nga publiku dhe u dëshmoi shume mysafirëve gjermanë nga bashkia e qytetit të Düsseldorfit, mysafirë gjermanë nga Neussi, drejtorë shkollash, gazetarë lokalë etj. se edhe ne shqiptarët kemi muzikë të mirëfilltë popullore dhe të kompozuar. Udhëheqjen e programit e morën përsipër kësaj radhe gazetarja dhe autorja e njohur shqiptare Mimoza Cika-Kelmendi dhe pedagogu Driton Gashi.

Një punë shumëmujore e një ekipi të madh bashkatdhetarësh, kryesuar nga mësuesi shumë i angazhuar Rifat Hamiti, u shpërblye me një manifestim dinjitoz që do mbahet mend gjatë në komunitetin shqiptar si dhe te vendasit në Düsseldorf, në Nordrhein-Westfalen dhe në gjithë Gjermaninë.

Ditën e nesërme manifestimi vazhdoi me programin e larmishëm kulturor të shkollave shqipe në Düsseldorf, Neuss dhe Dormagen, si dhe me programin muzikor me këngëtaret e njohura shqiptare Lindita Hakaj dhe Rovena Stefa.

Falënderim i veçantë u dedikohet të gjitha nënave për angazhimin rreth darkës solemne si dhe donatorëve dhe sponzorëve të manifestimit!

Urime edhe njëherë gjithë shqiptarëve Festën e madhe të shtetit shqiptar!

Foto: Jupp Becker (lokalkompass Düssedorf)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora