E premte, 19.04.2024, 12:08 PM (GMT+1)

Mendime

Blerim Ramadani: Ne dhe fqinjësia (jo) e mirë

E diele, 09.12.2012, 06:48 PM


Ne dhe fqinjësia (jo) e mirë

Nga Blerim RAMADANI

Jemi në prag të Samitit të UE-së, në të cilin pritet të merret një vendim për Maqedoninë, se a do ti jepet datë për fillimin e bisedimeve për antarësim në klubin europian, teori e cila për momentin është e pashpresë. Është bërë praktikë e zakonshme që sa më shumë vonohemi në rrugen tonë drejt UE-së, aq më shumë ballafaqohemi me pengesa dhe situata të paprecedent. Pas bllokimit grek edhe Bullgaria tregoj dhëmbët e saj, bazuar në përmbajtjen e letrës së dërguar nga shefi i diplomacisë bullgare, Nikollaj Mlladenov, dërguar homologut të tij ministrit të jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Poposki. Në praktikën e zgjerimit të UE-së janë të njohura raste të rritjes dhe përforcimit të kushtëzimit për vende të caktuara, por është rast precedent, kur vend anëtar i familjes europiane vendos kushte për interesa të saja. Është hera e parë që Bullgaria nëpërmjet një letre kërkon me ngulm dhe në mënyrë eksplicite, tre kushte nga Qeveria e Maqedonisë për normalizimin e mardhënieve ndërmjet dy vendeve, në rast se Maqedonia dëshiron të ketë përkrahjen e Bullgarisë në rrugën e saj evropiane, duke na kujtuar në superioritetin e saj ndaj nesh, posedimin e mekanizmit juridik për bllokim.

Pse na kushtëzon Bullgaria?!

Në vitin 2006 presidenti i atëhershëm bullgar, Georgi Parvanov dhe Ministri i Jashtëm, Ivajlo Kalfin i cili pa mëdyshje paralajmëroi Shkupin se kredia e mbështetjes së pakushtëzuar fillimisht zgjatet për Republikën e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin e saj në NATO edhe pse e njejta është shpenzuar, dhe se mbështetja dhe e ardhmja do të varet nga vullneti dhe suksesi i Republikës së Maqedonisë në miratimin dhe ndjekjen e një politike të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ky edhe do të ishte hapi i parë i tensionimit të raporteve ndërsa, hapi i dytë i madh u bë gjatë vizitës së Presidentit të SHBA-së, George W. Bush në Sofje në vitin 2007, kur të dy, Presidenti Parvanov dhe  Kryeministri Sergej Stanishev, këshilluan dhe njoftuan atë se Republika e Maqedonisë ka dështuar që të ndjekë një politikë të fqinjësisë së mirë. Por, letra e fundit ndryshon nga herët e kaluara, pasi që përmban kushtëzime dhe fusha konkrete. Kërkesa e parë e Sofjes ka të bëjë me kërkesën për ndryshim nga Maqedonia të referimeve të teksteve të historisë ndaj Bullgarisë, por lista përfshin gjithashtu përmirësimin dhe trajtimin e pakicës dhe kompanive bullgare dhe trajtimin e mediave. Nëse lexojmë në mes rreshtave, pas këtyre kërkesave qëndron gjithmonë pakënaqësia e vazhdueshme e Bullgarisë ndaj udhëheqësisë aktuale të VMRO-DPMNE-së, të cilën e sheh si kundërshtare të interesave bullgare në Maqedoni, sidmos pas ardhjes në krye të këtij subjekti politik, “ideologjia” e Nikolla Gruevskit, të cilin Bullgaria e sheh si element pro-serb. Shefi i diplomacisë bullgare do të theksonte se “Bullgaria qysh nga pavarësimi i Maqedonisë mbështet përpjekjet e saj për integrim euro-atlantik, por në vitet e fundit mardhëniet bilaterale nuk janë në nivelin e duhur si vende të afërta dhe mike”. “Vitet e fundit” ministri bullgar i referohet kohës kur timonin e VMRO-së e merr pikërisht kryeministri aktual. Mlladenov poashtu shpreh keqardhje dhe pakënaqësi siç thotë,”Veprimet dhe retorika antibullgare që zhvillohet në Maqedoni”. Por në mes këtyre vargjeve fshihet edhe dëshira e Bullgarisë për të rikthyer ndikimin e saj në Maqedoni, të cilin e kishte humbur me largimin e Lubço Georgievskit nga VMRO-ja. Bullgarisë i pengon elementi serb i cili ka shumë ndikim tek institucionet e vendit. Por këto nuk janë të vetmet arsye të fqinjit tonë. Kushti mbi trajtimin e pakicës bullgare kohët e fundit është bërë i zëshëm. Nëse u referohemi shpekulimeve të fundit rreth regjistrimit të popullësisë, i cili rezultoi i dështuar, nxjerr në pah se pakica bullgare në Maqedoni është në rritje dhe se kjo frikëson këtë qeverisje. Sipas Bullgarisë, kjo do të ishte edhe arsyeja kryesore përse dështoi regjistrimi i popullësisë. Teorinë mbi ndikimin serb në këtë Qeveri e përforcon edhe fakti se pas ardhjes së këtij fraksioni edhe çështja e vetme e hapur ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë, respektivisht, Kishës Ortodokse Maqedonase dhe Kishës Ortodokse Serbe dhe tensionet e krijuara në verë 2005 përshkak të burgosjes së z.Vranishkovski, u zhdukën dhe nuk janë paraqitur që atëherë.

Shqipëria tregon pjekuri politike ndaj Maqedonisë

Nëse do kishte çmim Nobel për “fqinjë më të mirë” këtë padyshim do ta kishte fituar Shqipëria. Ajo, çdoherë ka qenë konstruktive në marëdhëniet me Maqedoninë edhe përkundër faktit që Qeveria e Maqedonisë ka provokuar në vazhdimësi ndjenjat e shqiptarëve etnik që jetojnë në vend. Konstruktivitetin e politikës së saj të jashtme e dëshmon edhe fakti që si anëtare me të drejta të plota të NATO-s, posedon edhe të drejtën e bllokimit të antarësimit të Maqedonisë me Veto, ashtu siç e kishte bërë Greqia në të kaluarën dhe paralajmërimi se të njejtën vijë do të ndjek edhe Bullgaria, në rast se nuk pranohen kërkesat e saja. Edhe pse nuk ka çështje të hapura në mes dy vendeve fqinje, Maqedonia në vazhdimësi ka cënuar, nënçmuar dhe injoruar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë këtu, qysh nga pavarësimi i saj. E njejta ideologji veprimi dhe majorizimi vazhdon edhe sot pas nënshkrimit të dokumentit më të rëndësishëm për shqiptarët e Maqedonisë, Marrëveshjes së Ohrit e 2001. Ky do të ishte argument i mjaftueshëm për Shqipërinë në rast se do të dëshironte të përdorte Veton e saj për ti bërë presion Qeverisë, që të avancoheshin të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

UE-ja në këtë rreth vicioz

Kërkesa e Bullgarisë shkon në favor të institucioneve të Unionit Evropian të cilat me çdo kusht dëshirojnë që ti bëjnë shantazh Maqedonisë, që të pranojë kërkesat e Greqisë me qëllim që të zgjidhet çështja e emrit që të zhbllokohet procesi. Edhe pse ato janë të qartë në kushtëzimet e tyre, ndryshimi i emrit për integrim. UE-ja bën përpjekje që të bindë Shkupin zyrtar se vonesat në rrugën euro-integruese mund  të sjellin kërkesa të reja nga fqinjët tjerë dhe kjo gjendje e bën situatën më të vështirë dhe Maqedonia më pas nuk do të mund ta menaxhonte gjendje të tilla të paprecedent.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora