E marte, 23.04.2024, 05:20 PM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: Pështjellimi anakronik “nacionalist” i Himarës

E premte, 25.04.2008, 09:27 PM


Dorian Koçi
Pështjellimi anakronik “nacionalist” i Himarës

Nga Dorian Koçi

Një nga shijet më të hidhura që mund të kenë lenë zgjedhjet lokale të 18 Shkurtit, ishte vallja dropullite e hequr nga kryetari i porsazgjedhur i bashkise së Himarës për të festuar fitoren e tij. Nuk ka asnjë gjë të keqe që një fitore elektorale të festohet me valle, madje të këndohet dhe këngë sepse në Ballkan jetojmë , atje ku sipas udhëtarëve anglezë të shekullit të XIX  “gazi dhe hareja marrin jetë” . Vetëm ajo që do i linte pa mend këta udhëtarë po të kishin mundësi ta vizitonin Himarën në ditët e sotme dhe neve aktualisht na lë një shije të keqe estetike, do të ishte fustanella e shkurtër e valltarëve me të cilët kryetari i porsazgjedhur pretendon se është një kombësi. Po kështu do të habiteshin që polifonia e vjetër dhe e mrekullueshme “pirrike” nuk shoqëronte “fitoren”,por në vend të saj ishte melodia  e sazeve dhe dajreve të ahengjeve feudale që ata mund ti kishin dëgjuar në oborret e Ali Pashë Tepelenës apo bejlerëve gjirokastrite kur kishin bujtur në to.
Megjithatë udhëtarëve anglezë mund t’ u falet të habiten pasi si çdo udhëtarë që mund zgjohen pas një gjumi të gjatë ashtu si n rrëfenjat biblike patjetër që do të mund të shohin ndryshime, por neve që për vite me radhë kemi toleruar dhe lejuar që fustanella labe të shkurtohet, që polifonia labe të mbytet, që flamuri ynë të mos valojë, që valët televizive të kanaleve tona të mos arrijnë në Himarë , që qytetarët shqiptarë të paguhen me pensione nga një shtet tjetër dhe të tjera ndodhira të çuditshme si këto, nuk duhet të habitemi pasi ky është  imazhi që “kryetaruci” i zgjedhur i Himarës për të dytin mandat rresht kërkon të ndërtojë për bregun e detit. Të tëra veprimet e tij kanë qenë kronika e tensioneve të paralajmëruara dhe s’ka asnjë arsye që shteti dhe shoqëria shqiptare të kapej në befasi. Do të ishte hipokrizia e rrallës nëse shprehemi po nga na doli ky Bollano?
Qëllimi i tij dihej , dhe është i shpallur shumë herë në deklarata të ndryshme , ku ky zyrtar i shtetit shqiptar merr përsipër të zhbëjë atë çka të gjitha konventat ndërkombëtare e kanë sanksionuar në marrëdhëniet e shtetit tonë me shtetin fqinj. Ajo çka ka qenë vërtete e patolerueshme dhe mbetet pengu i gjithë shqiptarëve të përfshirë me dashje apo pa dashje në këtë shtrembërim monstruoz të kombësisë së tyre ka qenë sjellja prej Ponç Pilati e shtetit shqiptar që kurrë nuk ka ditur ti tregojë vendin këtij shkelësi të kushtetutës por përkundrazi ka vazhduar ta ledhatojë, duke hedhur kështu hije dyshimi mbi seriozitetin e vet për të përmbushur detyrat kushtetuese ndaj shtetasve të vet.
Një dush i ftohtë për të gjithë “evropianistët” tanë e “Evropës së nesërme pa kufij”  është roli i shtetit grek , një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s , i cili në mënyrë të njëpasnjëshme dhe konsistente vazhdon të mëkojë kufomën e vdekur të “Megali Idesë”. Do të ishte një naivitet dhe marrje e vetes me të mirë nëse akoma vazhdojmë të besojmë se e gjithë zhurma nacionaliste për të ashtuquajturin “Vorio-Epir” është produkt i disa qarqeve nacionaliste greke dhe jo politikë zyrtare e shtetit grek, pasi vizita më e fundit e zëvendësministrit të jashtëm grek  jo vetëm që e vërteton këtë gjë por hedh dritë dhe për planet afatgjata të politikës greke në përgjithësi. Me insistimin për zgjedhjen e Bollanos si kryetar i “Omonias” në Shqipëri, shteti grek jo vetëm që po kërkon të luajë fort kartën e vjetër të nacionalizmave por dhe të ndërtojë politika të caktuara mbi bazën e tyre. Pajisja e disa qytetareve shqiptarë me karta homogjeniteti, në bazë të cilave ata mund të lëvizin lirshëm në Evropë si ti përkasin një kombësie të privilegjuar është një shkelje e hapur e konventave ndërkombëtare dhe nuk kontribuon aspak në imazhin evropianist të Greqisë.
Përqasja e moderne në mendimin politik evropian për sa i përket nacionalizmit është se tashmë ai i përket së kaluarës, dhe se në këtë shekull integrimesh dhe Globalizmi, nuk ka vend për modele të ngushta shtete-komb. E artikuluar nga goja e zyrtarëve grekë dhe e krahasuar me realitetin e aplikimit të saj nga politika greke në rajonin e Ballkanit, kjo sentencë i ngjan  paradoksit të Zenonit. Në këtë rast “Akil Këmbëshpejti”  janë kombet e tjera ballkanike të cilat tregojnë një shkallë më të lartë emancipimi duke lenë pas hijet e së kaluarës dhe duke parë përpara për të ndërtuar një të ardhme brenda Bashkimit Evropian , ndërsa “breshka” është politika e jashtme greke, e cila me realitete të deformuara dhe identitete të vjedhura kërkon ti integrojë disa popullsi periferike vetëm në bazë të kriterit fetar.
Mballomat e politikës greke të  tipit Bollano nuk mund “andrrojnë” politikën e vjetër greke, duke e shitur si integrim, qëndrimet e tyre për sa i përket minoriteteve të sajuara . Greqia duhet të respektojë vendimet e Konferencës së Paqes në Paris më 1919 të cilët njohin vetëm 99 fshatra si minoritet grek në Shqipëri, ashtu si dhe në të njëjtën mënyrë ajo vazhdon të këmbëngule se Turqia nuk duhet të pretendojë se minoriteti “mysliman” në Trakë është minoritet turk pasi kështu është sanksionuar në Konferencën e Lozanës më 1923. Përderisa respektim i së drejtës ndërkombëtare mbetet një  “merak” i Greqisë me të cilën po justifikon dhe mosnjohjen e republikës së Kosovës, atëherë të drejtën ndërkombëtare duhet ta respektojë dhe në marrëdhëniet me Shqipërinë.
Inkurajimi i individëve të caktuar për të cenuar territorin e një shteti tjetër duke mos i kundërshtuar kërkesat e tyre dhe akoma më keq duke i aprovuar në heshtje, nuk i shërbejnë stabilitetit ne rajon dhe për më keq krijojnë një precedent të keq për të gjithë grupet i individëve që fare bukur një ditë me diell mund të pretendojnë se i përkasin një grupi tjetër etnik. Integrimet e bazuara mbi baza etnike dhe fetare janë një reminishencë e vjetër modelin e të cilave bota e ka dënuar në Nuremberg dhe Hagë, dhe nëse Greqia nuk ka shkuar ende në ato tribunale për të dhënë llogari për spastrimin etnik të popullatës çame, kjo s’do të thotë se nuk do të shkojë kurrë aty. “E vërteta vonon, por s’harron” thotë një shprehje e vjetër popullore dhe Greqia si vendi i miteve dhe mençurisë popullore e di shumë mirë se brenda këtyre thënieve ka një vërtetësi të madhe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora