E shtune, 20.04.2024, 04:48 PM (GMT+1)

Mendime

Lis Bukuroca: Mauzoleu, panteoni i atdhedashurisë

E enjte, 06.12.2012, 07:10 PM


Mauzoleu, panteoni i atdhedashurisë

Nga Lis Bukuroca

Shumë mbretër apo princër kanë patur edhe mbiemra cilësorë, qoftë se i kishin shtuar vetes si tituj krenarie, apo pse populli ua kishte ngjitur siç meritonin në bazë të të bëmave. Historia ka regjistruar dhe përcjellë emërtime të ndryshme qysh nga koha romake, apo më edhe më herët. Në mes të tjerëve kemi Luigjin e Madh, Luigjin Mbretin e Diellit, Ivanin e Tmerrshëm, Karlin e Lig, Mari Gjakësoren, Vlad Drakul Ngulësin në Hu, Pjetër Mizori, Karli i Trashë, Vladislav Këmbëholli, Johana e Çmendura, Harald Këmbëlepuri, Vencel Përtaci, Johan i Pavërteti, Henrikun i Dytë Bastardi, Henrik Impotenti, Henriku i VI i Mallkuari, Johan Qorri, Karli II i Shkurti, Kloderih Paraziti, Mihale Pijaneci, Justinian II. Rinotmetos (me hundë të prerë) Konstantin Kopronymosi, i emëruar sipas jashtëqitjes, sepse gjatë pagëzimit paska mbushur mbathjet, kurse ne, ne kemi mbretin Ahmet Zog, i cili gjatë qeverisjes, nuk u mor aq seriozisht as nga populli, as nga politika e jashtme, sa, pos Fan Nolit, populli nuk i kishte falur as emërtime të liga, as të mira, edhe pse duke u bazuar në veprat e tij, pat merituar disa epitete të trasha dhe të zinj.

Sidoqoftë tani nuk ishin italianët ata që zhvarrosnin ushtrinë e tyre të vdekur me gjeneralin e gjallë, por ishin ushtarët e gjallë shqiptarë, që po zhvarrosnin mbretin e tyre të vdekur: Mbreti pas dezertimit pat vdekur në një spital në tokën e huaj. Pati mundësi të vdiste në një spital privat, sepse nga atdheu, kishte marrë shtatë arka florinj dhe kështu pa punuar fare, kishte arritur të mbajë gjallë me dekada simulimin e një oborri mbretëror shqiptar, jo vetëm për vete, por edhe për pasuesin, të cilin Kryeministri i sotshëm shqiptar, nga frika e konkurrencës, e pat dëbuar me shumë potere dhe gallatë cinike. Në fillim shpura e Zogut kishte 130 veta, pastaj 60, më vonë u reduktua theksueshëm. Sipas tyre, ata ruajtën oborrin në dobi të kombit dhe kudo që shkuan, reklamuan pronësinë private mbi shtetin shqiptar duke kërkuar ndihmë për kthim në fron. U kthye me një miting të përmortshëm, me një rivarrim mbretëror, por nuk ishte edhe aq e lehtë kjo ndërmarrje. Kontaktet dhe takimet mes dy qeverive patën nisur në fillim të vitit dhe në vjeshtën e zymtë dhe me shi të mërzitshëm, u shtuan dukshëm. Nëpunësitë e ambasadës shqiptare qenë takuar dhjetëra herë me nëpunës të ministrisë së huaj dhe çdo imtësi, qe analizuar sa edhe lopatat dhe kazmat ishin paraparë të vinin nga atdheu; nga atdheu për të cilin monarku kishte lënë jetën duke provuar kthimin pas lufte: Herë nëpërmjet Beogradit, herë nëpërmjet CIA, herë duke ofruar Shqipërinë një federate arabe, ku ai do mbetej mbret i shqiptarëve.
Qeveria pat zhvarrosur tiranin, komandantin Enver Hoxha, të cilit i kishte qëndruar gatitu dhe që kishte çliruar Shqipërinë nga fashizmi, kurse tani po përgatitej për të rivarrosur despotin, Komandantin e Forcave të Armatosura Shqiptare, që pat shndërruar vendin në protektorat të Musolinit dhe Kuvendi Shqiptar e pat shpallur: “Shpëtimtar të Kombit”. Në mes dy qeverive, asaj demokratike nga vendi i huaj dhe despotikes nga Tirana, u mor vendimi për sjelljen e skeletit mbretëror, që do të pushonte në një mauzole nderi. Protokolli zyrtar kishte paraparë të gjitha hapat që nga zhvarrimi, bartja në avion, zbritja në atdhe, pelegrinët e zgjedhur dhe fjalimi i përmortshëm, që do të mbahej gjatë varrimit të dytë. Para se të nisnin me zhgroposjen, ata nxorën nga një kuti lopatat dhe kazmat e atdheut. Qeveria kishte kërkuar me ngulm që zhvarrosja dhe varrosja të bëhej vetëm me kazmat dhe lopatat atdhetare, ashtu siç ishte paraparë marrëveshje, që nga të huajt, po respektohej me përpikëri.

Punëtorët ecën në korridoret e ngushta, në mes atyre varreve të rëndomta, ku gjendej pushimorja e mbretit dhe u ndalën duke fikur cigaret. Në fillim nisën punën me një ekskavator, pastaj vazhduan me kazma dhe lopata. Dy punëtorë tjerë afruan arkivolin aristokratik, që qeveria kishte blerë nga arka e tetë e shtetit. Ai që mbante një kapelë, veshi dorëzat e zeza, mbuloi gojën, ashtu si bëjnë kirurgët, zbriti në gropë dhe hoqi disa dërrasa jashtë, pastaj kujdesshëm nxori kafkën. Kolegu i tij e lëshoi ngadalë në sëndukun e ri. Fshiu ballin me krah dhe mori kafazin e kraharorit duke ia lëshuar kolegut në dorë, që e la anash për t’ i radhitur brinjët njërin pas tjetrit. Pasuan unazat kurrizore pastaj të kryqeve, të legenit, të kërbishtit, femuri, kupa e gjurit, kockat e kërçikut, kockat mbërthyese, rregulloi shputat me kockat tarzale, metatarzale dhe të gishtave të dorës. U ndërfutën lëndimthi kockat e shpatullave, pastaj të krahut, të llanës, rrezoret, kockat karpale dhe metakaprale. Pasi radhiti edhe kockat e gishtave të këmbëve, fshiu përsëri djersët dhe ofshani.

“Ky ishte mbret i shqiptarëve dhe quhej “Oiseau”, Zog sipas shqiptarëve, sipas kronikave turke “Ahmet Muhtar Zogoðlu”, dhe shikoi kolegun e tij, që akoma po përpiqej t’ i rregullonte.
“Siç shihet, nuk ka gjë të zogut këtu, skelet, si çdo skelet”, shtoi ai dhe lëshoi kapakun.
“Duhet të fusim diçka të butë brenda eshtrave”, tha njëri që mbante një fletë në dorë dhe herë pas here fshinte apo shënonte diçka. “Mund të lëvizin gjatë bartjes dhe të trishtojë patriotët, që e presin në atdhe.” Kolegu i tij pohoi duke tundur kokën. Në këtë çast u afruan dy delegacione, të veshur zi si për mort dhe salutuan mbretin; ish- Komandantin e Forcave të Armatosura Shqiptare, që kishte vdekur në tokë e huaj duke vuajtur për fronin. Nuk ishte ky zhvarrimi i parë i tyre, por herëve tjera kockat thjesht i kishin hedhur në arkivolin e ri, pa i renditur sipas anatomisë, mirëpo Qeveria shqiptare kishte ngulur këmbë, që skeleti të ndreqej ashtu si edhe qe futur në dheun e huaj. Kjo ishte protokolluar deri në detaje më të vogla dhe ishte firmosur nga dy palët. Sapo mbyllën kapakun e sëndukut, u shfaq një erë dhe re të zeza shoqëruar me murmurima dhe me pika të trasha të shiut. Dy delegacionet i hapën çadrat. Nja njëzet hapa e bartën dy veta në duar, pastaj e lëshuan ngadalë në rimorkion e një automjeti të posaçëm për bartje e arkivoleve.

Sidoqoftë zonja ishte përqendruar dhe nga habia, duartrokiti. Iu kujtua Beogradi dhe mauzoleu, ku qytetarë jugosllav me gjunjëzimi apo përkulje, shprehnin pa fjalë, por në mënyrë emocionale dhe në trans, përkushtimin ndaj qeverisë, kurse individi shprehte falënderim për mirëqenien vetjake, për ruajtjen e karrierës apo lutej për ngjitjen përpjetë. Duartrokiti ndoshta edhe duke menduar: “Mirë që u kthye vet, ky din të kthehet edhe ndryshe...”

“Po e nderojnë më shumë se Skënderbeun, por çfarë tregon një qytetar kur viziton mauzoleun e Zogut?, pyeti Luigj Gurakuqi, që po vështronte varrimin.
“Shumë, shumë,” u përgjigj Hasan Prishtina, “ai në heshtje falënderon ardhjen e tij me 2000 çetnik nga Serbia dhe me rusë të bardhë...”
Akoma pa përfunduar mendimin, u afruan Fan Noli, Avni Rrustemi dhe Bajram Curri.
“Sot kombi shqiptar përkulet para veprës tënde, i madhi mbret i shqiptarëve, Naltmadhni”, u dëgjua një zë gjatë ceremonisë mortore.
“Ka të drejtë Luigji”, foli Noli, “ pa u artikuluar apo pa u përdorur aparati gojor, të pranishmit dhe vizitori eventual, pajtohet me vjedhjen e shtatë arkave flori. E dini kush është ky havllaxhi, ky është perëndia i hajnave, si Hermesi tek romakët. Individi duke u përkulur para varrit dhe duke ngritur të pasmet pas, nënshkruan pa laps pajtimin me protektoratin fashist, me sulmin nga Serbia, me dezertimin e Komandantit të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe me vjedhjen,dhe, nëse ato vepra janë atdhetare, atëherë mund dhe duhet ta duam Salepin...”
“Unë vjedhjet ja kishna falë” ndërhyri Bajram Curri “por kurrë nuk muj me ja falë vrasjen e patriotëve t’ Kosovës; e shkokzoi Kosovën dhe e shujti, e shuki rezistencën, e forcoi kufinin me Jugosllavinë...”
“E humbën edhe pavarësinë e Kishës, që me aq mund e realizove”, iu drejtua Nolit Avni Rrustemi.
“Koha ka dalë nga binarët...Pjesa tjetër është heshtje,” tha Noli duke cituar Hamletin.
“Mendon se ky e donë vërtetë Zogun”, pyeti Hasan Prishtina Luigj Gurakuqin.
“Jo, jo, aspak! Ky e pat dëbuar birin e tij nga vendi, por këta i bashkon despotizmi lindor, dallimi qëndron se i vdekuri ka nja shtatë vite shkollë, i gjalli më shumë, por që të dy për dobi vetjake, jo vetëm shesin kishën shqiptare, por edhe vendin. Shikoje atë, deri dje ishte stalinist, internacionalist, tani është shndërruar në nacionalist. Ky do të shesë edhe pasaporta. Kështu fiton para dhe votues...
“Nuk besoj”, tha Noli. “Dëgjoni, dëgjoni, po e falënderojnë për administratën tribale...”,
“Po shani nipin tim dhe pinjollë e tij?, i ndërpreu Esat Pashë Toptani duke ecur drejt tyre.
“Jo pinjollët, ata nuk kanë faj”, tha Noli, “po flasim për nipin. Pinjollët duhet vetëm të distancohen nga disa vepra, dielli nuk fshihet me shoshë”, dhe u largua me miqtë e tij duke i ikur bisedës dhe takimin me Esatin. Noli hodhi edhe një vështrim turmës jashtë pastaj mbylli derën e vatrës pas dhe foli me zë vet me vete:

“Nga na erdh, me kë erdhi
Havllaxhiu kudo bredhi
Ju pinjoll të beterit
Ju me zemër prej mermerit
Derbeder ujk e derr: Hosanna, Barabba!

Kë brohorisni tru - gërdhu
Të lindur për dajak
Të pjekur për hu
O kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!

Ju tartufë të pafytyrë
Karrieristë të ndyrë
Kë dekoron ky maskara
U prish vatani, u bë hata
Për ca vota s‘ ndryshohet historia
Me dekorata s’ shlyhet tradhtia
Nuk përmirësohet as gjeografia
Dallkauk, kopuk, ju vraftë perëndia...
Hossana Baraba!

Kur historia dhe shteti shpallen fusha dhe ndërmarrje private, atëherë në atë epokë ndryshon çdo gjë sipas dëshirës së despotit apo tiranit. Përmendoret klanore, fisnore, nga despotë, janë të destinuara të tërhiqen zvarrë dhe të fshihen nga turpi në ndonjë hangar apo stallë. Në pyetje është koha. Këndellja! Zhdehja. Me nacionalizmin që prodhojnë shqiptarët, serbet dhe grekët, mund të ushqehet dhe ngopet krejt bota dhe të pëlcasë nga trashësia, majmëria dhe dhjami. Qeveritë që merren me ndërtimin e së kaluarës, dalldisin popullin për qëllime të veta dhe lënë pas dore ndërtimin e së tashmes... Sidoqoftë qielli i Tiranës ishte mbuluar me re të dendura të zeza e kompakte. Vetëtima shkrepi disa herë. Askush nuk dinte se sa kohë do të zgjasë ky mot i lig. Disa parashikonin edhe shtrëngata, furtuna dhe vërshime. Ndonjë, mot të mirë. Kortezhi i mortit, i kënaqur, u nisë drejt shtëpive. Shumica e popullit, e papërkulur, mbeti gojëhapur dhe e stepur para televizorëve. Qiell i shqiponjave ishte gati pa shqiponja, por aty këtu, fluturonin sorra dhe çakej...



(Vota: 34 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora