E premte, 29.03.2024, 11:52 AM (GMT)

Mendime

Pjetër Domgjoni: T'mos rrejmë ma

E merkure, 05.12.2012, 07:31 PM


T'MOS RREJMË MA

Nga Pjetër Domgjoni

Mbasi e rregulluem qytetin e Vlonës. Mbasi i pastruem muzetë. Mbasi e sollëm Mesharin e përkrenaren e Skenderbeut. Mbasi shikuem me dhjeta e çinda filma vizatimorë. Mbasi dëgjuamë me dhjeta e çinda tregime e përralla. Mbasi i mbushem parqet e sheshet me përmendore. Mbasi e rehabilituem Ahmet Zogun dhe e dekoruem Rexhep Qosjen. Mbasi i ftuem miqtë tonë ndërkombëtarë. Mbasi i therem njimijë qingja e njëmijë desh. Mbasi i hangrëm tetëmbdhjetë  tonë tortë. Mbasi i pastruem rrugtë e sheshet. Mbasi i numruem t'hollat e fitueme prej shitjes së suvenirëve e flamujve.

E përfunduem edhe xhurulltinë që e patëm pagzue me fjalët: Festimi i njiqind vjetorit të shpalljes së pavarsisë.  E nesrit, me njerzit e vjetër, filloi shekulli i ri. E vetmja gja që na pëlqeu aq shumë e që e trashëguem prej shekullit t'kaluem, ishte rrena.   Përseri, shumica prej nesh,  filluem prap me rrejtë.

Prej t'gjitha atyne fjalëve të mdhaja e të bukura që gjatë gjithë vitit kjenë thanë për ISMAIL QEMALIN. Askush s'kje  kujtue me thanë se,  atdhetari madh, Ismail Qemali, ishte njeri shumë i ndershëm e shumë i rrallë në historinë tonë kombëtare që e kishte pas shumë mëni rrenën.

Ai  tregonte të vërtetën se, kishte shkue në kancelaritë e Budapeshtit, Vienës e Rromës për me e mbrojtë tërsinë territoriale Osmane e me paraqitë vetëm njifar lloj AUTONOMIE KULTURORE për shqiptarë. E na,  rrejtem se,  kishte shku me kërkue Pavarsinë Kombëtare Shqiptare. Fjalën pavarsi, ai e kishte mësue prej qeveritarëve të Rromës e Vienës. Ata edhe e kishin urdhnue, t'mos e përdorte ma, fjalën AUTONOMI.

Ismail Qemali,  në vitin 1915, vet kishte thanë në nji inervistë që i kishte dhanë nji gazete austriake se: Tan jetën time kam luftue për mbrojtjen territoriale të Turqisë. Por neve na u dukë se kishte thanë: Tan jetën time kam luftue për mbrojtjen territoriale të Shqipnisë.

Rrejtem se i gjithë Durrësi kishte dal me pritë Ismail Qemalin. E vërteta ishte se,  vetëm dom Nikoll Kaqorri kishte dal me e pritë ate e së bashku kishin shkue deri te Katedralja e shën Luçisë dhe mbasi dom Nikolla, përmes pashës Vlons, i kishte sigurue rrugën deri në at qytet. I fali karrocën e vet dhe e përcoll për rrugë mikun.

Rrejtem se Ismail Qemali gëzonte nji autoritet të madh në kancelaritë perendimore. E vërteta ishte se, edhe Rroma edhe Viena e shifnin si njeri të dyshimtë dhe s'kishin besim tek Ismail Qemali.

Të shofim se çfar funksione pat krye Ismail Qemali në Qeverinë Turke:

Mori pjesë në komisionin shtetnor për hartimin e kushtetutës turke, e cila u shpall më 1876.

Më 1868 ishte kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorisë.

Mbasi ishte shumë i çmuar nga çarqet qeveritare, u emnue Mytesarrif në Afjon Karahisar (Anadoll).

U ba Mytesarrif i klasit I në Manisë, Izmid dhe më së fundi Vali në Kastamonu, dhe në Bejrut.

U emnue "Shuraj - devlet Azasi" në degën e Tanzimatit.

Vali në Tarabullus (Libi). e tjera e tjera funksione të nalta e të randsishme që Ismail Qemali i kishte krye gjat jetës vet politike, në qeverinë turke.

Mandej, Ismail Qemali,  njifet edhe si hartues i nji promemorjeje  të cilën ia pat dorzue Abdyl Hamitit e që kërkonte reformimin e Turqisë dhe rregullimin e saj sipas modeleve të shteteve Europiane.

Kësaj here t’kuptohemi mirë, promemorja ishte për reformimin e Turqisë e jo të Shqipnisë.

Edhe Sami Frashëri, kishte punue aq shumë për Turqinë, por  u kujtue të baj diçka edhe për Shqipninë. Edhe ai e pat shkrue nji lloj promemorjeje, por jo për rregullimin e Turqisë, por të Shqipnisë dhe  këte e pat pague me jetën e tij.

Mbasi i pamë të gjitha këto merita e funksione të Ismail Qemalit,  si ishte e mundun që nji reformator e nji funksionar kaç i naltë i peradndorisë,  të kërkonte pikrisht coptimin e asaj perandorie  që i shërbeu me aç përkushtim.

Të kërkonte Ismail Qemali Pavarsinë e Shqipnisë prej Turqisë,  ishte e njejta gja,  sikur,  Fadil Hoxha, Ali Shukriu apo Sinan Hasani ta kërkonin Kosovën Republikë në ish Jugosllavi.  Apo ma vonë, pavarsinë e Kosovës prej Serbisë. Edhe  njeni edhe të tjerët, mund të kërkonin autonomi kulturore, por coptim territori apo pavarsi kombtare, kurrsesi jo.

Si ishte e mundun që Ismail Qemali, të shkojë prej Turqisë nëpër kancelaritë europiane. E t’mos shkojë prej Shqipnisë. Kjo i bjen, sikur ai t’kishte shku me kërkue pavarsi kombtare për Turqi e jo për Shqipni.

Luigj Gurakuqin e kishte dërgue nëpër kancelaritë europiane, kleri katolik shqiptarë dhe lufta heroike e Dedë Gjo Lulit e Mehmet Shpendit që kishin ngritë n’kambë t’gjithë Veriun e Shqipnisë.

E kush e kishte dërgue Ismail Qemalin.

Themi se, Ismail Qemali e kishte përkrahjen e Rromës e Vienës. Për çka iku pra prej Shqipnie e kush e detyroi ate me dhanë dorëheqje, e për çfar arsyeje.

Megjithate, Ismail Qemali asht nji figurë aç e madhe sa që aspak  nuk e çbajmë autoritetin e tij në qoftë se vetëm e çveshim prej atyne shprehjeve folklorike dhe e tregojmë të vërtetën,  pa rrena, ashtu siç ishte i vërtetë edhe Ai vet.

ISMAIL QEMALI  E NGRITI FLAMURIN KOMBËTAR NË VLONË. Kjo asht e vërtetë, por s’ishte e vërtetë, ajo që thuhei se ai,  kishte shkue nëpër kancelaritë europiane për me kërkue pavarsi. E vërteta ishte se, ate e kishte dërgue turku për mbrojtjen e tërsisë territoriale turke e me ia u paraqitë edhe njifar programi autonomie kulturore për shqiptarë. Por, ajo që ishte shumë ma e randsishme për turkun.  Me ia marrë prej dore flamurin kombëtarë, LUIGJ GURAKUQIT, që në të ardhmen,  t’mos mbetet n’histori emni i nji katoliku që kishte ngritë FLAMURIN KOMBTARË.

T’ia fillojmë me t’vërteta e mos ta fillojmë edhe kët shekull me rrena.



(Vota: 17 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora